top of page

Begzad Baliu: QANI PËR NËNAT



Myrvete&Begzad Baliu

QANI PËR NËNAT

(Skicë për dramë)

Prolog: Nënës Zepë serbët ia vranë burrin, dy djemtë dhe dy nipat)


Akti i parë


Një rafal automatiku. Shihet një lis i madh që bie në oborr.

Zëri i djemve, Enverit dhe Omerit: Nënë! Nënë! E vranë babanë... Përsëri rafal automatiku... E vranë oooo, medet... po e shohim tek po bie në tokë dhe plisin tek po e mban me dorë...

Nëna Zepë: Nga ballkoni i shtëpisë. Mbahuni djema! Mos u dorëzoni. Është amaneti i babës! Nga sot ju nuk jeni vetëm djemtë e Murat Gashit, po burrat e shtëpisë së Gashëve.


Akti i dytë


Përsëri rafal i automatiku. Po tani rafal më i gjatë. 

Zëri i nipave, Arbenit dhe Bekimit: Gjyshe!... Gjyshe!... O.... i vranë, i vranë, kuku bre, Enverin... e vranë edhe Omerin! Po i shohim tek po e mbajnë njëri tjetrin të mos bien.

Nëna Zepë: Nga mes të oborrit. Mbahuni nipa! Mos u ligështoni! Është amanet i gjyshërve. Është porosi e baballarëve! Nuk jeni më çapkënët e shtëpisë dhe yjet e vajzave. Jeni djemtë e shtëpisë, burrat e shtëpisë. Mbahuni! Duhet t’i dilni zot plisit të Murat Gashit!


Akti i tretë 


Përsëri rafal, rafal i gjatë, shumë i gjatë dhe një bombë në ballonin e poshtëm të shtëpisë, e cila merr flakë.


Zëri i fqinjit serb: Dorëzohu Halla Zepë...! Përulu...! T’i vramë edhe nipat... do t’i nxjerrim të tjerët edhe nga barku i grave të shtëpisë. Po fiket fara juaj! A po e sheh, po digjet edhe shtëpia. Po fiket fisi juaj! Edhe varret do t’i zhdukim!

Nëna Zepë: Qofsh i mallkuar, shka i biri shkaut, brez pas brezit! Nuk fiket hisja Gashve. Nuk shuhet zjarri i vatrës së shqiptarit! E keni gabim. Shtëpia jonë po digjet, por oxhaku nuk po bie. A po e sheh, a po e sheh. Nëse nuk e sheh ti po e sheh zoti. (Ngre duart lart). Zotin e kam dëshmitar!  Do të rilindim prej hirit tonë prej palcës sonë. Varret e tyre nuk do t’i zhdukeni dot! Do të bëhen foltore brez pas brezave! Nëna Zepë lëvizë sa te trupi i shtrirë i burrit, sa te djemtë, sa te nipat. Te nipat bie në gjunjë, nxjerr një shall të lidhur për trupi dhe e lidhë kokën. Më ndihmo Zot (i ngre duart larë) të mos koritem! M’i mbaj zot mend në kokë!

Ngrihet në këmbë dhe niset Udhës së madhe të fshatit. Mban krahët lart e më lart dhe ecë sikur i drejtohet Zotit në qiell e jo njerëzve. Në vend se të mbahet me shkopin e pleqërisë ajo e mban atë lart sikur do ta sulmoj cilin do që e takon të parin. Vazhdon t’i përsërisë fjalët.

I vranë, i vranë nipat e mi, shpirtat e mi, zogjtë e mi, dy dritat e syve... i vranë i vranë! M’i vranë shkiet! Qani burra, qani gra..! Qani për nipat e mi, qani për ata që nuk e kishin moshën për pushkë, as nuk e dinin si djeg plumbi..!

Burrat e gratë që e shohin i thonë njëri-tjetrit shqip e serbisht: Qenka çmendur Nëna Zepë! Qenka çmendur Nëna Zepë! Shiheni, shiheni! Ajo nuk po flet me njerëzit, po flet me zotin. Ajo nuk ecën, apo po fluturon drejt qiellit!


Epilog


Në Udhën e Madhe të fshatit bisedojnë një grup burrash e grash në moshë.

Paska vdekur Nëna Zepë... Paska vdekur Halla Zepë... Gjallë paska qenë! E gjallë ka qenë... E bardha ajo, qe njëzet e pesë vjet jetonte ndërmjet tokës dhe qiellit. Nuk u ndal kurrë! Qoftë e bekuar! Do ta varrosin me fjalime të mëdha, varrin e saj do ta mbulojnë me kurora lulesh shtetërore dhe me lule të bjeshkëve tona...

Papritmas dëgjohet zëri i fortë i një gruaje, moshatare e saj.

Ndaloni burra, ndaloni gra... E kam njohur dhe e kam hapur zemrën e saj. Dëgjojeni prandaj zërin e zemrës së saj, që më thoshte: Nuk pata mundësi kurrë ta vajtoj burrin se më vinte turp prej djemve! Nuk pata mundësi t’i qaj djemtë kurrë, se më vinte turp prej nipave. Kam dashur, shumë kam dashur, t’i laj me lot varret e nipave, po nuk më linte urdhri i burrit, që më thoshte: “Mos qaj se e lëndon krenarinë tonë”! Prandaj, burra e gra, të shkojmë e të qajmë për shpirtin e saj. Ne që jetuam me të, ne që vuajtëm me zemrën e saj, se ajo nuk pret lule prej nesh. Të shkojmë e ta freskojmë zemrën e saj të zhuritur me lotët tanë. Se duke qarë për të, ndoshta do të mund të qajmë për të gjitha nënat, nënat që i falën kësaj toke burrat, nënat që i falen këtij dheu bijtë e bijat, nënat që i falen këtij qielli nipat dhe mbesat e tyre!  

Burra e gra nisen drejt varrit të fshatit Sllovi!

Zëra të burrave e të grave: Zoti e bekoftë!

Amin!

Prishtinë, më 21 shkurt 2025

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page