top of page

Begzad Baliu: PROFESOR RUZHDI USHAKU - FILOLOGU I VEÇUAR


PROFESOR RUZHDI USHAKU - FILOLOGU I VEÇUAR


Shkruan: Begzad Baliu


Në jetën krijuese të studiuesve nuk ndodh shpesh të jenë gërshetuar pashmangshëm fati historik i trungut familjar dhe bota kërkimore e shkencore e tij. Fati i Profesor Ruzhdi Ushakut, paraqet një botë sa të pasur aq edhe komplekse të këtij rindërtimi historik dhe kërkues.

Lexoni biografinë e tij familjare dhe biografinë e tij formuese, shikoni gjeografinë historike të lëvizjes së familjes së tij dhe gjeografinë bashkëkohore të formimit shkencor të tij. Botën mesdhetare të endjes së familjes së tij (Greqi, Turqi e trojet shqiptare) dhe kulturën mesdhetare të njohjes e të studimit të tij; përqëndrimin përfundimtar të familjes së tij në portat perëndimore të Ballkanit dhe formimin e tij në shkollat perëndimore të dijes europiane. Madje insistimin tfillues e kulmues të sintetizimit të krejt botës shpirtërore e materiale të Ulqinit, e të popullit të tij në veprën shkencore të përmasave albanologjike, ballkanologjike e europiane.

Profesor Ruzhdi Ushaku lindi në Ulqin më 1 maj 1938. Shkollën fillore e kreu në Ulqin (1953), normalen në Prishtinë (1957), ndërsa Degën e Romanistikës të Fakultetit Filozofik të Sarajevës. Studimet e larta moderne frënge i mbaroi në Paris (1963). Në vitin 1964 diplomoi në Gjuhë e letërsi frënge në Prishtinë. Studimet pasuniversitare i kreu në Degën e Romanistikës të Fakultetit të Filologjisë të Beogradit (1972) ku edhe u doktorua më 1979. Është autor i veprave Kërkime filologjike (Prishtinë, Rilindja, 1981), Hipotetične reèenice sa SI u savremenom francuskom jeziku književnih tekstova Prishtinë, Fakulteti Filozofik, 1983), Paralele të ligjërimit poetik, Prishtinë, Rilindja, 1986, si dhe monografinë Ulqini në gjurmët e shekuve, Ulqin, Art Club, 1991, Hulumtime etnolonguistike, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë, 2004 . Ishte titullar i gjuhës frënge në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Jeton e punon në Prishtinë. Sikur kanë vënë re edhe më parë njohësit e veprës së tij shkencore dhe arsimore: “prej studimeve të tij dallohen veçanërisht ato nga fusha e sintaksës frënge, pjesërisht edhe asaj krahasuese frënge-shqiptare, nga fusha kontrastive e teksteve poetike dhe të fushave të tjera gjuhësore. Nga fusha e studimeve filologjike-gjuhësore krahasuese dallohen ato me tema e motive detare, mitike shqiptare-ballkanike e më gjerë.

I nxitur prej kujtesës historike të fatit të familjes së tij, që në të vërtetë për shumë shekuj ka qenë fati i popullit shqiptar, Profesor Ruzhdi Ushaku do të kujdeset që të mësojë dhe do të studiojë njëkohësisht historinë kombëtare, gjuhët klasike dhe bashkëkohore që krijojnë shtratin e civilizimit bashkëkohor të Europës së sotme, gjuhët bashkëkohore që rrezatojnë dijen e sotme etj.

RUZHDI USHAKU

Në këtë rrugëtim jetësor Profesor Ruzhdi Ushaku ka mësuar dhe ka plotësuar e madje kontribuar në kulturën kombëtare, në kulturën ballkanike, në kulturën mesdhetare, në kulturën franceze, në kulturën europiane, në kulturën mesjetare e të antikitetit, duke i parë ato jo vetëm me syrin e shkencëtarit, por edhe të eseistit, letrarit e polemistit.

Kërkimet e tij jetëgjata, duke i parë çështjet me metodat më bashkëkohore të shkollave europiane, duke i studiuar ato në aspektin diakronik e sinkronik, me metodat krahasuese e përqasëse, Profesor Ruzhdi Ushaku ka krijuar aureolen e filologut dhe brenda gjirit të saj etnolinguistin e sintezave serioze, leksikologun e përkushtuar, terminologun e pazakonshëm, morfologun e sintaksologun e merituar, etimologun e semasiologun e kujdesshëm, onomasticientin (toponimimistin e antroponimistin) e vlerësuar në përmasën albanologjike, ballkanologjike e europiane.

*

Në biografinë e një studiuesi jo njëherë ndodh të ndahën rrugët e formimit shkencor: referenca profesionale dhe përkushtimi i kërkimit. Profesor Ruzhdi Ushaku është një model i përkryer i këtij gërshetimi. I specializuar në sintaksën krahasuese të gjuhës frënge, ai në parim është një purolinguist që në rrethet shkencore është identifikuar si romanist, por i përkushtuar pas kërkimeve të shtresave kulturore, përkimeve ndërgjuhësore e historike në hapësirën kryesisht mesdhetare, profesor Ruzhdi Ushaku përtej formimit linguistik është bërë sinonim i filologut, pa kontributin e të cilit nuk mund të shkruhet historia e filologjisë shqiptare në përgjithësi dhe historia e albanologjisë në veçanti.

*

Duke hulumtuar dhe studiuar në disa nga institucionet universitare e shkencore të Europës në përgjithësi dhe botës frankofone në veçanti, Profesor Ruzhdi Ushaku ka përvetësuar njëkohësisht metodat dhe modelet më bashkëkohore të kohës, prandaj është e kuptueshme pse, pas studimeve komparative, fillimisht mes frëngjishtes e gjuhëve të tjera, ai me kohë gjuhën, letërsinë, kulturën dhe historinë shqiptare i bëri pjesë të këtyre kërkimeve, pjesë të këtyre përkimeve dhe madje përfundime të domosdoshme me interes jo vetëm për albanologjinë, por edhe për ballkanistikën e kulturën mesdhetare në përgjithësi. Në biografinë e tij shkencore Profesor Ruzhdi Ushaku, shenja referenciale (shkencore, metodologjike dhe madje morale) të arritjeve të tij i ka theksuar jo njëherë: romanistët Vlado Drashkoviq e R. L. Wagner, si dhe albanologët Eqrem Çabej, Mahir Domi e Idriz Ajeti. Rezultat i këtij formimi profesional dhe i kërkimit jetësor janë një varg studimesh me karakter monografik dhe disa monografi, temat e të cilave janë shtruar me metodën kryesisht interdisiplinare dhe krahasuese me gjuhë dhe kultura të tjera.

Nëse në shtresën e parë të këtyre kërkimeve me metodën interdisiplinare kanë zënë vend disiplinat e kodifikuara si fonetika historike, gramatika historike, e leksikologjia me semantikë, të cilat njëkohësisht identifikohen me përmasën e kërkimit të një linguisti, në kontekstet të temave të trajtuara në vazhdim është investuar dija e tij prej njohësi të problemeve më të gjera të trashëgimisë gojore e folklorike të shqiptarëve, duke përfshirë këtu madje edhe mitet e arkeologjinë, në gjirin krahasues të kulturave dhe gjuhëve të tjera të Ballkanit, Mesdheut e më gjerë. Le të kujtojmë këtu vetëm përpjekjen e tij prej gjurmuesi të pasionuar e përimtuesi të kujdeshëm që me durim dhe guxim të hapë temën e autoktonisë bregdetare të shqiptarëve dhe atë ta ndërtojë jo vetëm mbi leksikun autokton të jetës në breg të detit, po mbi përbërësit arkaikë të përrallave, tregimeve, ritualeve, proverbave dhe shprehjeve me motive detare shqiptare, si kategori etnolinguistike të jetës shpirtërore dhe materiale të popullit shqiptar.

I kësaj natyre, pra i karakterit multidisiplinar dhe rindërtuas është studimi për emrin rrashtë të shqipes dhe testa të latinishtes, në të cilin është dalluar gërshetimi etimologjik e semantik; studimi i përdalluar në gjuhësinë shqiptare në fushën krahasuese për togfjalëshin Burri i Dheut, ku gërshetohen aspektet e studimit gramatikor, sintaksor dhe leksiko-semantik, antropolinguistik, psikolinguistik, gjithnjë në planin krahasues me kulturat më të lashta të Ballkanit dhe më gjerë; studimi monografik për Bindin ilir, zotin e ujërave, një studim i mbështetur në materialin epigrafik, folklorik, mitik-religjioz, gjuhësor, gjithnjë në aspektin krahasues me kulturat gjegjëse të Ballkanit dhe ato të Mesdheut.

Në studimet filologjike të Profesor Ruzhdi Ushakut, fusha e onomastikës zë një vend të rëndësishëm. Duke sjellë rezulatet e tij nga kërkimet arkivore, duke krijuar regjistra personal të terrenit, duke rimarrë për të satën herë hidronimet, antroponimet e toponimet e hapësirës historike ilire etj., autori ynë ka sjellë rezultate të reja, e rishikime të reja të qasjes në metodologjinë e studimit. Sigurisht për shkak se kërkimet dhe rezulatet e kësaj fushe kërkojnë nga autori nënshtrimin e një hulumtimi afatgjatë dhe durimin e pasionin e studiuesit, për shkak se kërkimet e kësaj natyre i nënshtrohen një diskutimi kolegial e institucional, Profesor Ruzhdi Ushaku, shumë nga punimet e përfshira në këtë vëllim i ka paraqitur dhe lexuar kryesisht në tubimet e shumta shkencore me karakter vendor dhe ndërkombëtar, në vend dhe botë, duke i botuar njëkohësisht në revistat ose botimet e veçanta.

Me emrin dhe veprën e tij lidhen shumë studime, recensione, referenca, ese dhe madje intervista, të cilat i kanë shkruar studiues të shumtë, në mesin e të cilëve janë edhe publicistë, studiues e profesorë të shquar universitar: Idriz Ajeti, Vlado Drashkviq e dr. Pera Polovina, Abdullah Karjagdiu, Basri Çapriqi, Simë Gjon Dobreci, Jahja Drançolli, Christian Duhamel, Elsie Robert, Gjokë Gjonaj, Shefkije Islamaj, David Luka, Vladimir Osipov, Mihailo Popović, Ali Salaj, Moikom Zeqo, etj.

Me të gjitha këto dhe çështje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me metodën, gjuhën, kulturën dhe sidomos durimin e kërkimit Profesor Ruzhdi Ushaku rradhitet ndër ata filologë shqiptarë, të cilët me metodat më bashkëkohore të kërkimit kanë prekur epokën homerike të gjuhës, traditës, historisë dhe kulturës shqiptare. Sigurisht kjo është arsyeja pse veprës së tij përgjithësisht në vazhdimësi i janë referuar studiuesit nga radhët e shkencëtarëve shqiptarë e të huaj. (Pjesë të një studimi më të hapur)

12 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page