Begzad Baliu: NUK JEMI TË HUAJ
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 6 days ago
- 5 min read

NUK JEMI TË HUAJ
Prof. dr. Begzad Baliu, albanolog, shkrimtar
E nderuara Zonja Magna Aspasia Fontenelle, kryetare e Akademisë Alternative Pegasiane në Brazil
Të nderuar anëtarë nga e gjithë bota shqiptare dhe braziliane!
Të nderuara Zonja e Zotërinj!
Jam shumë i nderuar që mund të ju dërgoj një mesazh vlerësimi e nderimi Juve dhe institucionit të nderuar, Akademisë Alternative Pegasiane në Brazil.
Jam shumë i nderuar që në këtë ngjarje kurorëzimi e nderimi për Akademinë mund t’ju kujtoj gjithë ata burra e ato gra, gjithë ata shkrimtarë, kritikë e përkthyes të letërsisë, të cilët me punën e tyre, më shumë dhe madje më shpejt se cila do anije tejoqeanike dhe lloj i Boingut, i lidhin popujt, kulturat dhe shtetet.
Brezi im që pak a shumë ka njohur periudhën gjysmëshekullore të mijëvjeçarit të kaluar dhe dy dekadat e kohës sonë kujton me nderim gjithë ata mësimdhënës, studiues e përkthyes, të cilët në lëndën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, të gjeografisë dhe të historisë, na rrëfenin me përkushtim për Brazilin e brazilianët, brenda së cilave kishte krenari, dashuri po edhe ironi e ideologji. Kujtoj se si arsimtari i historisë na fliste për historinë e betejave të popullit brazilian, për shtetin e madh (apo gjysmëkontinentin e Amerikës së Jugut etj.), sado brazilianët ashtu sikur edhe populli shqiptar nën Perandorinë Osmane edhe Brazili për një kohë të gjatë ishte koloni e europerëndimorëve; ata na flisnin për lumin Amazona, i cili ka shumë ujë, por brazilianët për kokë banori nuk kanë më shumë ujë se sa shqiptarët!, - thoshte arsimtari i gjeografisë etj.
Mes tyre qëndronte arsimtari i letërsisë shqipe, i cili shpjegonte se si gjuha antike dhe letërsia e popullit të vogël shqiptar në jug të Ballkanit, ndërmjet letërsisë greke e latine, në kontekstin modern është pothuajse e njëkohshme me letërsinë braziliane; se letërsia braziliane shfaqet me ca dokumente në shekullin XV, atëherë kur botohet edhe libri i parë fetar në gjuhën shqipe; se vepra e parë e letërsisë së romantizmit është botuar në vitin 1836 nga një shkrimtar me mbiemrin De Magalaesh (krahasojeni këtë me shkrimtarin tonë të parë të romantizmit De Rada për mbamendje, theksonte arsimtari i letërsisë shqipe), veç se titulli i veprës së parë të letërsisë së romantizmit shqiptar “Këngët e Milosaos” përkon më shumë me titullin e veprës së shkrimtarit të dytë të romantikëve brazilianë Entonio Diash, “Këngët e para”(1846). Me veprën e shkrimtarit të parë të letërsisë shqipe, shkrimtari i dytë i letërsisë së romantizmit brazilian na ofron edhe përmbajtja e tyre: paradigma komplementare e tragjikes dhe dashurisë, si fat individual dhe kolektiv, si dhe këndimi i jetës mesjetare indiane/shqiptare, duke e parë atje të bukurën, tragjiken dhe shpirtin e pastër të njeriut, mbi të cilën duhej ndërtuar civilizimin bashkëkohor indian/shqiptar.
Le të theksojmë këtu se në kulmin e periudhës së romantizmit, ndërkohë që kryeshkrimtari i romantizmit Bajroni pritej nga Pashai shqiptar Ali Pashë Tepelena në oborrin e tij mbretëror në Tepelenë(1809), disa dekada më vonë, një prej romantikëve më të shquar shqiptar Zef Serembe (1844-1901), një aventurier romantik, në rrugë e sipër për ta takuar të dashurën e tij të shpërngulur në Buenes Aires u prit në Pallarin mbretëror nga Dom Pedro II (1874). Në historinë e letërsisë shqipe ka shumë shpjegime për humbjen e dorëshkrimeve të Zef Serembes (i dogji te varri i së dashurës në Brazil, ja morën kusarët në një nga udhëtimet me anije pasi dorëshkrimet ai i mbante në një thes dhe kusarët mendonin se janë para, i la në një nga institucionet ku ishte pritur, duke përfshirë edhe ndonjë kishë apo oborr mbretëror, ja morën në Marsejë (Francë), ja morën rrugës tek po kthehej këmbë në Kozencë (Itali) etj. Por si duket mikpritja e njohur tipike braziliane që nga aspekti etnolinguistik e etnopsikologjik ngjanë shumë me shqiptarët, bëri që ky shkrimtar i madh i romantizmit shqiptar të kthehej përsëri në Brazil dhe të vdes atje në San Paolo, më 1901. Për shkak se ky është njëri prej shkrimtarëve më të adhuruar të romantizmit shqiptar në atdhe dhe në Koloninë historike të shqiptarëve në Itali, a nuk është kjo një prej arsyeve që shqiptarët ta vizitojnë Brazilin edhe si një vend pelegrinazhi.
Të nderuara Zonja dhe Zotërinj!
Populli dhe kultura e gjysmëkontinentit në jug të Amerikës dhe gjuha e kultura e popullit shqiptar në jug të Europës sigurisht patën edhe fate të ndryshme: brazilianët shpallën pavarësinë në fillim të shekullit XIX, ndërsa Shqipëria në fillim të shekullit XX dhe Kosova vetëm pak vjet më parë (2008), prandaj letërsia shqipe dhe letërsia braziliane patën zhvillime të ndryshme, por shkolla dhe drejtime të njëjta letrare e të përbashkëta.
Shqiptarët e pasionuar pas Servantesit në mesjetë, Lorkës gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX dhe letërsisë magjike të Markezit në shekullin tonë, pak a shumë lanë mënjanë letërsitë e tjera të Amerikës së Jugut dhe ju afruan më shumë asaj që quhej letërsi hispanike, ashtu sikur shkrimtarët brazilianë të pasionuar pas këngëve homerike e tragjedive të letërsisë greke, të cilat kanë aq shumë përbërës të kulturës shqiptare e mesdhetare, sigurisht lan pak anash letërsinë shqipe, por kjo nuk na ka bërë të panjohur mes nesh.
Më parë se sa letërsia na bashkojnë me gjasë karnevalet, që në Brazil janë aq të popullarizuara ndërsa tek ne vetëm në disa qytete dhe madje fshatra. Në një nga qytetet më të bukura shqiptare, Korçë, jo vetëm karnevalet po edhe njëra nga dramat më të bukura shqiptare mban titullin “Karnevalet e Korçës”, e shkrimtarit Spiro Çomora; vetëm pas viteve ’90 kuptuam se Silva, një prej personazheve më të popullarizuara të romanit “Koncert në fund të dimrit” (1981) të shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare ishte njëkohësisht edhe antroponimi më i popullarizuar në Brazil; se shqiptari Olen Çezari, njëri prej mjeshtërve më të shquar të violinës, ka përfomuar këngën “Ave Maria” në majë të statujës së Jezu Krishtit në Rio de Janeiro të Brazilit (2018) etj.
Letërsia braziliane tashmë ka një vitrinë të vogël veprash në gjuhën shqipe, gjysmën e së cilët e zë Paolo Kohelo. Vështirë të gjendet një shqiptar që ka lexuar sado pak literaturë ndërkombëtare, e të mos ketë lexuar romanin “Alkimisti”, “Buzë lumit Piedra u ula dhe qava” etj. Vinë më tej veprat letrare, sikur janë: “Jeta me fjalët e Ines Tavaresit” e autores Alice Vieira; vepra “Vështrim i shpejtë” e autores Alves Redol; po edhe veprat e shkrimtarëve të tjerë: Hilda Hilst, Fernando Pessoa, Machado de Assis, Clarice Lispecto, pasionanti i letërsisë së shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, shkrimtari Alberto Mussa etj.
Le të thuhet në fund të kësaj fjale se kolegu im shkrimtari e eseisti Kristaq Shabani nga Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI” ALBANIA dhe Z. Magna Aspasia Fontenelle nga Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI” Brazil, me anëtarët e tyre nga gjithë bota, këto raporte po i plotësojnë e zhvillojnë, çdo ditë, jo në interes të tregut, sikur ndodh përgjithësisht në botën e librit, po si rezultat i dashurisë që i shquan ata për letërsinë dhe artin.
Le të jetë edhe ky aktivitet në këtë frymë miqësie e dashurie mes krijuesve, popujve dhe vendeve tona.
Mirupafshim në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, shtetin më të ri në botë!
Yorumlar