NAIM FRASHËRI DHE KOHA JONË
Prof. Begzad Baliu
Naim Frashëri është atdhetari i madh, shkrimtari më me ndikim në letërsinë shqipe, bardi i Përlindjes Kombëtare, i cili me jetën dhe me veprën e tij, si asnjë shkrimtar tjetër, i ka bashkuar shqiptarët e ndarë mbi baza krahinore, fetare, kulturore. Naim Frashëri është shkrimtari, i cili më parë se sa me përbërësit estetikë, të cilat para tij i kishte sjellë dukshëm më shumë romantiku i madh Jeronim De Rada dhe më parë se sa me përbërësit historikë, të cilat më vonë i ka sjellë postromantiku i madh Gjergj Fishta, Naim Frashëri shqiptarët i ka bashkuar me gjuhën e tij. Prandaj nuk është e rastit që Projekti enciklopedik për Naim Frashërin ka filluar me artikujt, me vlerësimet, me studimet dhe madje me fragmente nga monografitë shkencore kushtuar gjuhës së Naim Frashërit.
Sot që e përurojmë këtë vëllim për gjuhën e veprës së tij, a nuk e ndjejmë nevojën për fjalën e tij tejshquese për gjuhën që na bashkon, në të vërtetë, a nuk e ndjejmë mungesën e tij?
Naim Frashëri është gjuhëtari i madh, i cili me fjalën e tij, në të vërtetë me veprën e tij për fëmijë, me tekstet e tij didaktike, me filozofinë e tij universale, me lirikën dhe epikën e tij, me përkthimet e tij, me temat e mëdha përbashkuese kombëtare dhe historike, së bashku me bashkëkohësit e tij, i ka paraprirë bashkimit gjuhësor, kulturor, politik, kombëtar e gjeografik, të shqiptarëve dhe në këtë mënyrë me ligjërimin paravajtës ai e ka ngritur vetëdijen e popullit shqiptar përtej kufijve krahinorë, përtej besimeve fetare dhe përtej të folmeve dialektore.
Sot që e përurojmë këtë vëllim për gjuhën e Naim Frashërit, ndërkohë që gjuha e provincialistëve krahinorë, metagjuha e demagogëve fetarë dhe madje gjuha dialektore në katedrat akademike, po shquhet gjithnjë e më shumë, a nuk e ndjejmë mungesën e tij?
Naim Frashëri është filozofi i madh, i cili në veprën e tij ka bashkuar filozofinë universale të qytetërimit Lindor e Perëndimor, ndërsa në kulmin e zhvillimeve politike dhe kulturore ndërkombëtare, shqiptarët, etninë dhe gjuhën e tyre, i ka orientuar drejt Perëndimit, pa i nënçmuar asnjëherë vlerat e të tjerëve, si pasuri universale, si dhe pa i parë asnjëherë të tjerët, gjuhën dhe kulturën e tyre, si mbetje të qytetërimeve kalimtare.
Sot që e përurojmë vëllimin për gjuhën e Naim Frashërit, ndërmjet gjuhës së dhunuar të bardëve politikë, arrivizmit intelektual në jetën akademike, si dhe gjuhës së folklorizuar në jetën tonë kulturore, a nuk e ndjejmë mungesën e fjalës së bukur dhe ligjërimit etik të tij?
Naim Frashëri është institucioni i gjuhës moderne kombëtare, i cili me përkushtimin e tij për gjuhën, fjalët e motshme i ka pasuruar dhe ridimensionuar me neologjizma dhe terma modernë; i cili kulturës së komunikimit etnografik i ka dhënë dimensione bashkëkohore të kohës; i cili gjuhën e popullit të tij e ka bërë gjuhë të vlerave estetike universale.
Tani që e përurojmë këtë vepër për gjuhën e Naimit, a nuk e ndjejmë shqetësimin e kujdesit tonë ndaj saj, a nuk kërkojmë pak mëshirë për gjuhën, sikur do të shprehej një postrilindas naimian, a nuk e ndjejmë mungesën e tij?
Naim Frashëri është institucioni i gjuhës shqipe, e megjithatë me emrin e tij nuk e kemi emërtuar asnjë institucion akademik nga të shumtët që i kemi në Shqipëri dhe përgjithësisht në hapësirën shqiptare. Pa dashur të bëjmë krahasime me popujt e mëdhenj të Europës, po ja lejojmë vetes në këtë rast të bëjmë krahasime vetëm me fqinjët dhe pak më tej. Me emrat e shkrimtarëve të tyre, bartës të rilindjes kombëtare, e që janë dukshëm më të vegjël se Naim Frashëri, Jeronim de Rada apo Gjergj Fishta, fqinjët tanë kanë krijuar institute të gjuhës, programe universitare, lëndë të specializuara, enciklopedi apo leksikone personale, seminare kombëtare dhe ndërkombëtare. Veprat e tyre ndërkaq i kanë botuar në seri të jashtëzakonshme me aparat gjuhësor, historik e kulturor. Për jetën e veprën e tyre, madje kanë botuar dhjetëra monografi publicistike dhe shkencore. Shikoni universitetet tona, institutet tona albanologjike (të gjuhës, të folklorit, të antropologjisë) dhe emrat me të cilët janë stolisur!
Sot që e përurojmë të parën vepër jashtë klisheve të botimeve të gjertanishme, pyetni, pyetni postmortum Profesor Çabejn, Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën, Fadil Sulejmanin, Fehmi Aganin, Aleksandër Mojsiun, Ismail Qemalin, a do të pranonin që emrat e tyre t’i gdhendnin në hyrje të Universiteteve, para emrit të Naim Frashërit?
Naim Frashëri është etniku i gjuhës, ligjëruesi etik i saj, përbashkuesi modern i saj, prandaj le ta bëjmë atë prijës tonin edhe në kohën, të cilën e quajmë epokë e globalizmit, e të cilën Naim Frashëri, mbase sot do ta quante kohë e rruzullimit. Le ta bëjmë emrin e tij emër prijës edhe sot në projektet e mëdha të kësaj natyre, në botën shqiptare. Le të jetë ky vëllim i parë i veprës Enciklopedia naimiane: Gjuha e Naimit (Përgatitur nga Mehmet Gëzhilli), një reflektim i ri për Naim Frashërin dhe rilindësit tanë në përgjithësi.
Comments