top of page

Begzad Baliu: KOHA E EULOGJISË





Shkruan: Begzad Baliu


Libri i Profesor Agim Vincës, Jetë e vdekje përqafuar, pavarësisht dallimeve të caktuara është një vazhdimësi e botimeve të gjetanishme. Ai përbëhet prej pesëdhjetë esesh, pjesa më a madhe e të cilave janë shkruar, sikur thekson autori “në periudhën dyvjeçare të epidemisë Covid-19, gjatë së cilës jeta dhe vdekja nuk kanë qenë kurrë më afër njëra-tjetrës”. Por ato janë shkruar edhe për periudhën e krimeve makabre, masakrave, gjenocidit, varreve masive, njerëzve të zhdukur që nuk kanë varr. Pati vdekje heroike burrash me armë në dorë, por edhe vdekje tragjike grash shtatzëna dhe fëmijësh të mitur, që u vranë në djep ose duke luajtur në oborr”. A është e rastit pse në këtë vëllim kanë zënë vend kaq shumë eulogji, një term për nekrologjitë, për të cilin Profesor Agim Vinca jep shpjegime të gjerë në parathënien e këtij libri, sigurisht edhe për faktin se po e farkon për herë të parë në letrat shqipe. Një numër i vogël i trajtesave, eseve e polemikave, ndërkaq, janë shkruar në vitet ’70 dhe ndonjë tjetër, vetëm pak kohë para se të përmbyllej kjo vepër.

Si të tilla, të radhitura nga aspekti kronologjik dhe pa ndonjë ndarje të veçantë, ato sikur rrinë krahas njëra tjetrës, sikur përplotësojnë njëra tjetrën. Megjithëse janë ese, reagime, trajtesa, polemika, që merren me gjëra të vogla epo me tema universale, sikur do të shprehej Dritëro Agolli, “nga kokrra e grurit deri te gjithësia”, ato reflektojnë njësishëm në rrafshin horizontal dhe vertikal. Të parat (Frashërlinjtë, Adem Demaçi, Rexhep Qosja, Murat Isaku, Latif Berisha, Skënder Drini, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Rexhep Ferrin etj.) konceptualizohen si ridimensionim historik të fatit të individit, ndërsa të dytat (Jeta dhe vdekja, frika, feja dhe ideologjia, ideja europiane, lufta dhe liria, dhe përditësohen si dimension historik i fatit të një populli.

Agim Vinca, Jetë e vdekje përqafuar (Ese & eulogji), Bard Books, Prishtinë, 2023.

Po kështu mund të thuhet edhe për trajtesat që merren me ridimensionimin artistik të historisë dhe përbërësit historik të letërsisë. Le të theksojmë këtu trajtesat e temave me karakter jo vetëm kombëtar, po edhe ballkanik e më tej: “Jetë e vdekje përqafuar”, Fenomeni i frikës në letërsi, Universi Ricos , Shqiptarët dhe “ideja evropiane”, Për kë bie kambana?, Figura e Serembes në fokusin e një shkrimtari, Pajtim gjaqesh, “Të pagjumët nuk i zë gjumi as në varr!”, Letërsia si diskurs lufte, Në Frashër, tek perënditë!..., Im nip, Tolstoi dhe Ukraina, Viti e meriton epitetin e motit të madh, Kultura shqiptare dhe sindroma e ndarjes etj.

Të shkruara në kohë të vështira, në kohë specifike apo edhe në ditët më të mira, tekstet e këtij libri sikur bartin mesazhin e kohës, ambientin ku janë shkruar dhe frymën shoqërore në të cilën jetojmë. Duke qenë ligjërues me një përvojë të gjatë prej Profesori universitar, nuk është vështirë të ndjehet edhe në këto tekste fryma iluministe e edukatorit; duke qenë kritik letrar dhe për më tej historian i letërsisë, që ka njohur me kohë përvojat historike të shumë kulturave ballkanike, europiane e më gjerë, nuk është vështirë të mos diktosh përbërësit polemikë të këtyre teksteve; ndërsa duke qenë shpirt poeti, një lirik i lindur, nuk është vështirë të mos e vëresh në strukturën e shumë prej tyre teksteve kurorën prej eulogjie, edhe nëse vërtetë nuk janë shkruar me atë synim.

Ata që e kanë njohur angazhimin intelektual të Profesor Agim Vincës që në fund të viteve ’60 (shih veç tjerash letrën e tij rreth mësimit të gjuhëve të huaja); ata që e kanë njohur angazhimin kombëtar të Profesor Agim Vincë për studimin dhe botimin e letërsisë si tërësi integrale në vitet ’70; ata që i kanë dëgjuar diskutimet e tij dhe i kanë lexuar dhe njohur polemikat në shtypin jugosllav të Profesor Vinces në mbrojtje të letërsisë, kulturës dhe çështjes shqiptare në Jugosllavi; ata që e kanë dëgjuar dhe ia kanë lexuar artikujt dhe veprat polemizuese të Profesor Agim Vincës, pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe deri në prag të fillimit të luftës në Kosovë, pasi ta lexojnë këtë vepër, sigurisht do të thonë:

Ishte lehtë të ishte luftëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe t’i ndërtoje një monument lirisë e pavarësisë së atdheut; ishte lehtë të ishe politikan i rreshtuar që del në zgjedhje në flakët e luftës dhe i dhuron një votë presidentit historik të Republikës së Askundit; vetëm intelektualë, intelektualë dhe eulogjistë ishte vështirë të ishe dhe t’i shkruaje një poezi përflakjes së Prekazit; ta mbroje publikisht të drejtën e bashkimit kombëtar; t’i thoshe lamtumirë patriotit revolucionar në Tiranë, mbi mortin e të cilit neokomunistët e demokracisë, shtinin me gisht: komunist, komunist, komunist!

I tillë ishte me veprën e tij intelektuali, studiuesi e Profesori Agim Vinca, i tillë ishte me veprën mendore dhe jetësore, i tillë shfaqet edhe me këtë vepër: lirik, fjalëzgjedhur, i pakompromis!

Prishtinë, më 1 mars 2023

10 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page