DUHET TË ISHA JO VETËM BESIMTAR, POR EDHE BESTYT, QË TA BESOJA KËTË. E UNË ISHA ATEIST I MODËS!
Begzad Baliu
Është Nata e Kërshëndellave dhe të gjithë nguten të bëjnë diçka për këtë ditë të shënuar, sado shumica e popullit janë të përkatësisë fetare myslimane, ndërsa unë me Myrvetin dhe fëmijët shkojmë në Shkup, ku jemi të ftuar nga kolegu Profesor Mustafa Ibrahimi të marrim pjesë dhe të flasim për librin e tij “Blende dhe zhargone”.
Në sallën e mbushur përplot me kolegë të tij nga universitet e Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe madje Beogradit, me kolegë shqiptarë, maqedonas, serbë, turq e të tjerë; me kolegë të albanologjisë, sllavistikës, frankofonisë, gjermanistikës, osmanistikës e turkologjisë, fola unë, i ftuar nga Prishtina dhe Profesoresha Adelina Çerpja, përmes skajpit nga Tirana, ndërsa takimin e drejtoi kolegu nga Shkupi, nga seksioni i gjermanistikës, Izer Maksuti. Ishte edhe zv. kryeministri Lulzim Aliu.
Pas fjalës së hapjes, me shumë kulturë dhe ndjenja nderimi, Profesor Izeri ma dha fjalën mua. Kisha një tekst prej shtatë faqesh. Shumë, për një përurim! Që në faqen e tretë të pranishmit filluan të lëviznin nga vendi, një vërejtje për mua, që të mos e zgjas, prandaj lexova edhe ndonjë paragrafë të faqes së katër, të pestë, të gjashtë dhe përfundimin në faqen e shtatë. Paraqitje modeste, shumë modeste sa të meritoja edhe duartrokitje. Në të vërtetë nuk e di pse më duartrokitën. Për të shpreh gëzimin që e përfundova apo për kortuazi!
E mori fjalën Adelina. Nga Tirana. Një fjalë përurimi e vlerësimi për autorin dhe veprën. E tha bukur dhe pa u ngutur! ProfesoreshaAdelina Çerpja është studiuese me formim të lartë filologjik dhe me kulturë të lartë komunikimi. Edhe të pranishmit po e dëgjonin me respekt e pa lëvizur nga vendi, ndërsa unë “ika” në ditët e fëmijërisë sime, kur komunikimi me Shkupin dhe sidomos me Tiranën ishte një ëndërr. Një ëndërr për të dërguar një letër në ditë festash, e le më pastaj komunikim trepalësh, shto këtu edhe internetin e panjohur edhe për qendrat e mëdha akademike të Europës.
*
Në vitin 1979 apo 1980 nuk më kujtohet saktë, këngëtarja me origjinë shqiptare Ana Oxa mori pjesë në Festivalin e San Remos dhe u nderua me çmimin e dytë. Nipi im Shefqeti nga Gjilani e kishte incizuar Festivalin në dy kaseta magnetofoni dhe gjatë pushimeve dimërore në fshat, e dëgjuam disa ditë me radhë, njëherë pasdite e herën tjetër në mbrëmje.
Në ndërkohë unë solla në shtëpi disa CD të muzikës argëtuese, që i kishte sjellë një dajë nga qyteti bregdetar i Budvës: ABBA, Boniem, Guren, Majkël Xhekson, disa CD me emrin e përgjithshëm Top Italia etj., të cilat i dëgjonim në fundjavë deri në pranverë.
Në shtëpinë tonë prej vitesh dëgjohej vetëm Radio Tirana sipas dëshirës së vëllait, studentë në Prishtinë dhe Radio Kukësi, sipas dëshirës së babait, përjashto lajmet e Radio Prishtinës. Kasetat e Shefqetit me Festivalin e San Remos dhe sidomos CD-të e mia kishin sjellë shqetësim në shtëpi dhe në këtë diskutim ishte përfshirë edhe babai, me një pyetje të vetme:
- A janë shkie (trajta popullore për serbët), këta që po i dëgjojnë Begu e Shefqeti?- kishte pyetur babai duke e ngritur gishtin.
- Jooo! – ishte ngutur të përgjigjej motra ime Sela, duke e zgjatur zërin, sikur donte që edhe me zërin e saj të na mbronte prej babait. – Janë amerikanë, anglezë, francezë, gjermanë, nuk janë serbë, po... megjithatë janë të huaj.
- Në rregull, e kishte mbyllur bisedën babai, me rëndësi është të mos jenë shkie, me amerikanë, taljanë, gjermanë, inglizë e francuzë, ka pasur lidhje Tafa i shkretë, po e vranë partizantë pa përfunduar Lufta e Dytë Botërore.
Të ‘mbrojtur’ nga babai, unë dhe Shefqeti vazhdonim të dëgjonim muzikën e huaj në fundjavë, madje duke e ngritur zërin e kasetofonit a të gramafonit një “trohë më shumë”, por duke u kujdesur që lajmet e Radio Tiranës, emisionin për bashkatdhetarë, Radio-revistën letrare- artistike, Radio dramën “Heroizmi i popullit shqiptar në shekuj”, e ndonjë tjetër, t’i dëgjonim ‘me vëmendje’, si shenjë e pjekurisë sonë patriotike.
Pastaj erdhën Festat e Majit!
Shabani kishte ardhur në fshat një ditë më herët për të përforcuar antenën e televizionit me ca hekura e letra vizlluese të pakove të cigareve. Kishte punuar e provuar gjithë natën që të mos e vërente “ai”.
- Në Festën e 1 Majit do të mbante fjalim Shoku Enver, -thoshte me entuziazëm Shabani.
- Dhe sigurisht do ta përmend edhe Kosovën, -vazhdonte babai.
- Do të shihet ushtria shqiptare, do të dëgjohen këngët e Vaçe Zelës dhe vargjet poetike të Dritëro Agollit, - vazhdonte Sela. - Poezitë dhe këngët më të bukura “për Partinë dhe për Atdheun”...
Pasi e përgatiten me “xingla e me mingla” antenën për pamjen sa më të mirë të Televizionit të Tiranës, Shabani dhe Sela e gjetën rastin të më dënonin për muzikën e huaj, që po e dëgjoja në fundjavë.
Në orën 9 filloi Parada e 1 Majit në Tiranë dhe parada ime e mbajtjes së letrave vizlluese. Do të mbaja me njërën dorë telin e antenës dhe me dorën tjetër drurin e gjatë, në majën e të cilit ishte vendosur antena me gjysmërremat e saj shumë herë të përplasur nga era.
Në Televizion shfaqen pamje nga qendra e Tiranës: punëtorë, qytetarë, fëmijë të veshur solemnisht dhe faqekuq, grupe punëtorësh, që lëvizin si një, krenarë e të lumtur!
Gazetari thoshte se kjo është ditë e besës së madhe mes popullit edhe partisë... ai thoshte se në këtë ditë të gëzuar mes nesh gjendet edhe sekretari i parë i partisë, shoku Enver Hoxha... Muzikë e një njëtrajtshme dhe revolucionare...
Radhën e kishte Enver Hoxha. Shabani lëvizi nga vendi, i shndriti fytyra dhe u ul në gjunjë. Nëna vendosi dorën në faqe, më shumë nga frika se çka do të thoshte shoku Enver. Nuk kishte faj. Serbët ia kishin vrarë shumë anëtarë të familjes, që në fëmijëri, prandaj fjalimet politike, qofshin edhe në ditë festash, e frikësonin shumë. Sela, lëvizi nga vendi sa për të treguar se ishte aty, mes nesh,... Një brez i bardhë puplash të bardha dhe një zhurmë bezdisëse e përshkoi ekranin... Babai, që fliste rrallë po ne e kuptonim çdo shenjë fizike apo zanore të tij, lëshoi një kollë të thatë, sa për të më bërë me dije se duhej të shkoja te druri i antenës.
E kapa drurin me të dy duart. Shoku Enver po fliste për arritjet e klasës punëtore në Shqipëri, por zhurma që i shkaktonte vala e Televizionit të Beogradit 2, ja humbte kuptimin mendimit të tij. Foli për fatin e klasës punëtore në Lindje dhe në Perëndim. Edhe në Amerikë. Në një rast tek po e theksonte me forcë fjalën “klasë”, babai e pyeti Shabanin nëse ai e përmendi fjalën Kosovë, por Shabani e kishte mendjen te unë, tek hakmarrja, prandaj sapo fillonte zhurma në ekran: shshshsht, ai thërriste: në të majtë, në të majtë....; pastaj zzzzzz, dhe zëri i Shabanit: në të djathtë, në të djathtë....., pastaj zhzhzh... dhe përsëri zëri i Shabanit: pak më poshtë, pak më poshtë.... Vetëm Sela heshte e ndrojtur dhe priste zërin rënkues të nënës: po çohu moj Selë e ndihmoje Begun se ju thanë krahët! ...dhe ai zë u dëgjua, e Sela kërceu si e trembur. Erdhi duke shpejtuar dhe e mori në njërën dorë drurin e në tjetrën telin e mbështjellë me letra vizlluese, duke lëshuar një “ëh -përjashtuese”.
U ktheva dhe u ula në gjunjë në fund të dhomës, i gëzuar se tani e kisha radhën që unë t’i hakmerresha Selës pse i kishte treguar Shabanit për muzikën e huaj që po e dëgjoja, por Shabani ishte i hallakatur i tëri nga shqetësimet që i sillnin puplat e bardha në ekran dhe zhurma e valëve të Televizionit të Beogradit, me të cilat rrëgjohej sinjali i Televizionit të Tiranës.
Shabani: Selvi, anash, anash..., Unë, me zë të ngritur: anash, anash....,
Shabani: ndal aty, aty... unë: aty!
Për një çast dora e babai lëvizi nga lart-poshtë dhe fjalët, në të vërtetë kakofonitë, m’i ngriu në fyt. Lëvizja e dorës së tij ishte një vërejtje që unë të ulesha në b.... Futa duart mes këmbëve dhe shtiva gishtin e vogël në gojë, që të mos bëzaja. Por, as kjo nuk zgjati shumë.
- A po del pak te dyert e oborrit, se mos po kalon “ai” e po e dëgjon zërin e Televizionit të Tiranës! - kumboi zëri plot ironi i Shabanit. U ngrita shpejt dhe dola.
*
Duartrokitjet në sallë dëshmonin për përfundimin e fjalës së koleges nga Tirana, zonjës Adelina Çerpja për librin e Mustafa Ibrahimit, “Blendet dhe zhargonet”.
Kush do ta besonte se pas 45 vjetësh do të vinte kjo ditë, kur në Shkupin e ëndrrave të gjyshërve tanë për të Shpallur Pavarësinë, do të flasim kush nga salla e kush nga ekrani: Prishtina-Shkupi-Tirana.
Unë: Jo!
Duhet të isha jo vetëm besimtar, por edhe bestyt, që ta besoja këtë.
E unë isha ateist i modës!
Comments