top of page

BASHKËBISEDIM ME KADRI TARELLIN


Kadri Tarelli dhe Avdyl Buçpapaj

Avdyl Buçpapaj, shkruan:


Shumë prej nesh kanë lexuar ose dëgjuar për personalitete të fushave të ndryshme dhe do të gëzoheshin po të kuvendonin me ta, t’i njihnin nga afër bashkë me mendimet që kanë për gjithçka që na rrethon.

Chilton R. Bush


BASHKËBISEDIM ME KADRI TARELLIN

Koleg mësues e drejtues, gazetar, shkrimtar, poet dhe studiues.


1. Kam vene re, se edhe pas kaq vjetësh, vazhdon të kesh lidhje me revistën “Dituria”, që botohet nga mërgimtarët shqiptar, në Boras të Suedisë. A je i kënaqur nga botimet e saj?

- Më vjen mirë që e fillojmë këtë bashkëbisedim, me revistën me emër të ndritur “Dituria”. Është e vërtetë. Kam botuar që në fillimet e kësaj reviste artistike, arsimore dhe letrare, me fryme atdhetarie. Me pëlqente t’i bashkohem zërave te mërgimtarëve tanë që jetonin dhe punonin në Suedi. Më ngazëllente dëshira dhe guximi tyre, që krahas vështirësive për mbijetesë, përpiqeshin ta mbronin kulturën tonë, si pasaportë identiteti dhe krenarie, për t’i thënë botës, se jemi edhe ne pinjollë të një kombi të lashtë e me vlera. Unë jam i kënaqur që sado pak kam përcjellë shumë shkrime, mes tyre edhe që i përkasin vizitave të ndërsjellta të shqiptarëve dhe suedezëve, shpesh grupe të përbashkëta, që i kam pritur në të gjitha takimet në shkollën “Demokracia”, ku ju ishit drejtor, por edhe në shkolla e institucione të ndryshme në Durrës dhe Tiranë.


2. Ç’ raporte ke me drejtuesit e revistës dhe të shoqatave atdhetare në Suedi?

- Vazhdimi i shkrimeve dhe botimeve flet vetë. Takimet dhe sidomos jehona e shkrimeve më ka miqësuar jo vetëm me atdhetarin dhe veprimtarin e njohur Sokol Demaku, si drejtues i revistës, dhe shoqatës atdhetare “Migjeni”, por edhe me disa personalitete të letrave shqipe, si Sadulla Zendeli-Daja, leksikograf, hartues i fjalorit shqip-suedisht, Hamit Gurguri shkrimtar i njohur, Hysen Ibarhimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistike “Papa Klementi XI. Albani” në Suedi, Fetah Bahtiri studiues, Idriz Gashi shkrimtar e poet, Bajram Muharremi poet e studiues, Emine S. Hoti “Marigoja shqiptare në Norvegji”, stiliste dhe poete, etj.

E gjitha kjo është po aq e vërtetë sa unë tashmë jam anëtar nderi i “Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistike “Papa Klementi XI. Albani”, në Suedi, madje emri dhe veprimtaria ime është përfshirë edhe në librin “Biografi e anëtarëve”, botuar së fundmi nga Fetah Bahtiri.

Me që e prekëm këtë temë letrare dhe historike, dua të shtoj se kam qenë i pranishëm edhe në paraqitjen e librit “Thesari kombëtar”, 1-2-7-8-9, në Tiranë, Durrës, Lezhë dhe në Bajram Curri të Tropojës. Më tej edhe në një vizitë e pa harruar, në Mitrovicën Dardane, ku secili nga miqtë tanë, Viron Kona, Nuri Dragoi e Zyhdi Dervishi, dhamë edhe intervistë në TV. Mitrovica.

3. Si është raporti i botimeve tuaja, me shtypin që publikohet në Shqipëri dhe në botën shqiptare?

- Kam gati 30 vjet që shkruaj dhe publikoj shkrime të natyrave të ndryshëm. Si fillim në gazetat që botoheshin dhe botohen në Tiranë dhe Durrës, si, “Mësuesi”, “Republika”, “Gazeta 55”, “Muzgu”, “Durrësi Bulevard”, “Telegraf”, “Nacional”, “Mapo”, “Veterani”, “Dita”, “Fjala”, etj. Më pas me shtrirjen e Internetit, publikoj në disa gazeta e portale elektronike, si te “Dielli” dhe “Illyria” në SHBA, “Fjala e Lire” në Londër, “Dituria” në Suedi, “Bota sot” në Kosovë, “VOAL” (zëri shqiptarëve) dhe “Zemra shqiptare”, në Zvicër dhe, dikur edhe te “Tribuna shqiptare”, etj. Unë nuk i ndaj dot, të gjitha janë me frymë shqiptarie. E rëndësishme është që shkrimet e mia publikohen dhe shkojnë te këndonjësi i çdo moshe. Besoj se pëlqehen e vlerësohen. Këtë e vë re nga komentet që bëjnë lexuesit anembanë botës shqiptare.

4. Cila është tematika më e pëlqyeshme? Sepse siç jam në dijeni, ke publikuar rreth 500 shkrime, shumë prej tyre të përmbledhura në katër librat e tu.

- Si fillim e kam nisur me temat që i përkasin arsimit. Ishte sektori që me dhembte e më shqetësonte më shumë. Kohë më pas u përfshiva edhe në artikuj e reportazhe me karakter veprimtarish artistike, letrare, më pas studime historike dhe monografi. Si thonë fjalës “Oreksi vjen duke ngrënë”, u përfshiva në analiza e kritikë letrare, duke krijuar edhe tregime dhe poezi, shumë prej tyre të publikuara në shtyp.

Mbaj mend se shkrimtari e studiuesi durrsak, Shpendi Topollaj, me tha: - Ke poezi të bukura, pse nuk i mbledh në një libër. Si fillim ngurova, duke arsyetuar se janë pak, kur në fakt ishin rreth 50 copë. Kështu shtova edhe disa të tjera dhe u bë një libër i këndshëm. Po shoh se janë bërë mjaft sa për një libër tjetër. Besoj se është bukur të jesh i pranishëm mes njerëzve dhe krijuesve.

5. Ç’të shtyu që u lidhe kaq fort me gazetarinë dhe të shkruarit, pasi gjithë jetën e kalove në arsim, si mësues dhe drejtues shkolle?

- Është një pyetje që më pëlqen ta dëgjoj dhe t’i përgjigjem, pavarësisht se është disi e njohur për “Punëtorët e letrave”, siç dua t’i quaj të gjithë krijuesit, gazetarë, historianë, shkrimtarë, poetë, dramaturgë etj. Shkrimi është diçka e brendshme, që lind vetvetiu nga dëshira për të shprehur atë që mendon, pavarësisht formës që zgjedh. Nuk e di sa jam i saktë, kur bëj krahasime të tilla: A mund t’i thuhet këngëtarit pse merresh me këngën, apo pse këndon? Njësoj si t’i thuash humoristit: - “Na shkrive gazit. Mjaft më, tani na bëj një muhabet serioz!”. As njëri as tjetri nuk bëjnë kthesë. Nuk e di pse, veç secili vazhdon në udhën e tij, duke gjetur suksesin sipas aftësive vetjake.

Kultura e të shkruarit, them se nuk më mungonte, pasi që herët jam marrë me studime historike në interes të shkollave ku kam punuar, më tej edhe të fshatrave dhe komunave. Natyrisht ishin punë ku mund ta tregoja veten se ç’ mund të bëj, si të thuash ishte një investim vetjak dhe i padukshëm. Të them të drejtën s’di pse më pëlqente të bëja diçka më shumë se puna normale e një mësuesi, i ngujuar në klasë me nxënësit e tij. Nuk them se kisha ambicie, sepse edhe dëshira për punë, në vetvete nuk është ambicie, aq më tepër kur unë e kuptoja që kjo formë nuk më siguronte karrierë dhe ofiqe. Thjesht “ushqeja” veten se po bëj diçka të mirë dhe të dobishme.

Tani pas kaq vjetësh, them me bindje se paskam bërë mirë, sepse më mban të përfshirë në shoqëri dhe veprimtari të shumta e të larmishme. Mendoj se kjo është një dëshirë e brendshme për t’u shprehur, forma nuk ka rëndësi. Sot pas kaq vitesh, ato punime i quaj “të vogla”, por që në fillimet e mia, unë i vlerësoja dhe i kushtoja vëmendje të madhe, sepse nuk dëshiroja të humbisja besimin ndaj vetes. Ishte një lloj pune për t’i bërë vetes vend në shoqëri. Kurdoherë dhe kudo nderohet puna. Populli e shpreh me dy fjalë: “Shiko punën, jo gunën”. Isha i bindur se dikush në kolektiv dhe më gjerë, do t’i lexonte, do t’i dëgjonte e diskutonte dhe vetvetiu do të jepte një farë vlerësimi, qoftë me lavdërim dhe duartrokitje, mbase edhe me heshtje, apo rrudhje buzësh.

Në vazhdim, po i përgjigjem pyetjes: pse u lidha fort me gazetarinë? Nuk them se kisha kulturë gazetarie, as interes material, aq më tepër që gazeta nuk ishte profesioni im. E ndjeja se shkrimet e mia të fillimit, ngrinin probleme të shkollës, mësuesve, nxënësve, apo të arsimit në tërësi. Kështu që udha më e shkurtër ishte gazeta dhe gazetaria, për t’i bërë të njohura shqetësimet dhe dukuritë me të cilat ndesheshim çdo ditë. Ishte një dëshirë që të rrëfeja qëndrimin apo opinionin tim, si rrahje mendimesh mes kolegësh, mësuesish dhe drejtuesish. Si të thuash, një zë që kërkon përgjigje.

Tani them me bindje, se gazetaria është një shkollë e madhe, që nuk bëhet me urdhër, por që mësohet duke punuar pak nga pak. Ajo që vlerësoj së tepërmi tani, është se gazetaria më njohu me shumë shokë e krijues, jo vetëm mësues dhe drejtues shkollash, sepse si pa dashje u futa në udhën e studimit dhe krijimtarisë letrare, poetike, artistike dhe historike.

6. Kam parë disa shkrime nëpër gazeta, ku tregohet se je pjesëmarrës në konkurse poezie. Je i kënaqur me vlerësimet?

- Po është e vërtetë. Kam marrë pjesë në disa konkurse, apo festivale poezie dhe proze, si në Durrës, Tiranë, Istog, Gjakovë, Pejë, Prizren, “Bajram Curri”- Tropojë, Përmet, Boras në Suedi, etj. Të gjitha krijimet janë futur në antologji, të botuara mbas çdo veprimtarie. Jam vlerësuar me çmime, por unë jam i mendimit se çmimi më i mirë është vetë pjesëmarrja dhe vlerësimi i lexuesit. Nuk lakmoj të dallohem apo të shquhem e të krahasohem me krijuesit e tjerë. Të gjithë së bashku i shtojmë vlerë kulturës dhe letërsisë shqiptare. Po përmend vetëm dy vargje: “Koha është gjykatës, ajo mpreh hanxharë,/kë le të dytë dhe kë e tërheq zvarrë”. K. Tarelli. “Koha në Vargje”. Poezia. “Dritero dhe Kadare”

7. A ke pasur ftesa për të vizituar Suedinë?

- Po, kam pasur ftesë para disa kohësh, por nuk është realizuar. Jo gjithmonë përputhen dëshirat me kushtet që krijohen. Kam udhëtuar në disa vende të botës, Suedia mbeti një ëndërr e pa plotësuar. Do të kisha mundësi të takoja miqtë e mi, shqiptarë që banojnë prej kohësh në atë vend, dhe do të grumbulloja material për të bërë disa shkrime.

8. Bashkë kemi pritur dhe përcjellë të gjithë grupet me suedezë dhe shqiptarë, të cilët kanë vizituar Durrësin, disa institucione e shkolla të qytetit tonë. Me ç’ përshtypje je ndarë?

Po është e vërtetë, u bë shumë vite që nga viti 2007, që kam qenë dhe jam i pranishëm në pritje dhe përcjellje të vizitorët që vinin dhe vazhdojnë të vinë nga Suedia, ku përfshiheshin drejtues arsimi, drejtor shkolle, mësues shqiptarë e suedezë, kryetar komune, shkrimtarë, gazetarë, prindër dhe grupe nxënësish, etj, etj. Mund t’i përmend me emra, pasi nderojmë veten, njëkohësisht nderojmë edhe miqtë: Peter Loberg (n/kryetar komune), Gylsen Ozdekan (Drejtoresha e arsimit për rajonin Boras), Per Kettissen, drejtor i shkollës “Fjardingskolar”, Znj. Tuulla Elfstrom, drejtore e shkollës “Sandaredskolan” dhe dy mësueset Annet Ekelund e Sonja Person. Kohë më pas një takim i rrallë, me dy shkrimtare suedeze, Anna Mattsson, dhe Britta Stenberg.

Po vazhdoj të përmend edhe personalitete të tjerë, si, i palodhuri Sokol Demaku, veprimtar, shkrimtar, anëtar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Suedisë, poet, drejtues i revistës “Dituria”, i radios dhe TV. në gjuhën shqipe në Boras, Sadulla Zendeli-Daja, leksikograf dhe hartues fjalorësh dy gjuhësh Shqip-suedisht, Hysen Ibrahimi, kryetar i shoqatës letrare, artistike “Papa Klementi XI. Albani”, në Suedi, Bajram Muharremi, poet dhe n/kryetar i kësaj shoqate, Hamit Gurguri, anëtar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Suedisë, Kadrije Meniqi, drejtore e shkollës Vushtri, Kosovë, Emine R. Hoti. “Marigoja shqiptare” në Norvegji, etj, etj. Për disa prej këtyre miqve kam bërë shkrime që janë publikuar në shtyp. Tani së fundmi kam bërë një shkrim të gjatë për ish drejtorin Per Ketisen, si mik i mirë i shqiptareve, tashmë në pension. K. Tarelli. “Suedezi Per Ketisen, i dashuruar me Shqipërinë dhe shqiptarët”. Publikuar. Gusht 2021, tek Gazeta “Bota sot”, Gazeta “Dielli”, “Zemra shqiptare”, “VOAL. Zëri shqiptarëve”, “Fjala e lirë”. Revista “Dituria”.

Nuk po shtoj asgjë të re, pasi bashkë i kemi shoqëruar të gjitha takimet nëpër institucione dhe shkolla, në Durrës, si: “Demokracia”, “14 Nëntori”, “Neim Babameto” Spitallë, shkolla jopublike “Kasa” në Plazh, Kolegji “Turgut Ozal”, shkolla jo publike “Iliria” Plazh, QKF (Qendra Kulturore e Fëmijëve), “PLM (Shkolla e fëmijëve me probleme mendore), përfshi edhe takimet në Bibliotekën Publike të qytetit, shtojmë këtu: DAR (Drejtoria Arsimore Rajonale), dhe në Bashkinë e Durrësit. Po së bashku kemi ndjekur koncerte fëmijësh në sheshin e qytetit dhe disa takime në Tiranë, me Ministrin e Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj, dhe z. Viron Kona, punonjës i asaj ministrie, më parë redaktor i gazetës “Mësuesi”.

Ajo që më ka bërë përshtypje dhe dua ta theksoj, si një mesazh urtësie për ne, ishte disiplina në punë. Ata kishin ardhur për punë dhe ishin fanatik në zbatimin me përpikëri të programit, me të gjitha hollësitë dhe kohën e duhur, që fillonte ora 08.00 e mëngjesit dhe përfundonte ora 15.00 mbas dite. Herë-herë edhe më vonë, sipas ciklit të shkollës. Ishin të përkushtuar, ndaj nuk kishin nevojë t’i kontrollonte dikush, apo t’u thoshte: - Ngrehu se kemi këtë veprimtari mësimore apo edukative. Pas pune mbeteshin veprimtaritë e tjera, si kafe, drekë apo edhe shëtitje në qytet dhe buzë detit. Besoj se ishte përvojë e bukur dhe e dobishme. Ju ishit dhe jeni vete drejtor, ndaj i dini më mirë përfitimet reciproke.

8. Nuk çuditem, por më bën përshtypje se në librat e tu, ke shumë shkrime që i kushtohen Dardanisë dhe dardanëve.

- E prisja këtë pyetje dhe më vjen mirë, pasi edhe miq e lexues të tjerë e kanë vënë në dukje. Po është e vërtetë që një pjesë të mirë të librave të mi, ka tema nga Kosova, ose siç më pëlqen mua, emri i lashtë “Dardania”. Aq e vërtetë është kjo, sa Bajram Halil Gashi, koleg, ish mësues e drejtues shkolle në ShënVlash të Durrësit, këto dit publikoi një shkrim: “Kosova në penën e shkrimtarit Kadri Tarelli”, që u publikua në gazetën “Bota sot” në Kosovë dhe në portalin “Zemra shqiptare”. Gjej rastin ta falënderoj, pasi po më nxit t’i mbledh të gjithë shkrimet dhe t’i botoj në një libër. Besoj se e vlen. Është një përvojë e gjatë jete dhe pune, e hedhur nëpër shkrime të ndryshme, por të shpërndara si kokrrat e grurit që nuk janë futur në hambar.

Unë nuk jam besimtar i mirë, por nuk bëhet shaka me të papriturat e jetës. Çuditërisht ka një vazhdimësi të asaj që e quajmë rastësi, sepse unë që në moshë fare të re, porsa mbarova Gjimnazin në Durrës, më 1961, më dërgojnë mësues në fshatin Qerret të Kavajës, ku kishte një komunitet mjaft të madh kosovarësh, të vendosur aty rreth viteve 1923-24. Pas pak vitesh, si mbarova edhe studimet e larta për Histori-gjeografi, në Universitetin e Tiranës, emërohem mësues në Qerret dhe Katund të Ri, në rrethin e Durrësit, ku ndeshem përsëri me një komunitet të madh kosovarësh, të vendosur aty rreth viteve 1930…. e në vazhdim. Këtu unë punova rreth njëzet vjet, pjesën më të madhe, mësues në shkollën e mesme të Katundit të Ri. Me pak fjalë, u rrita në mjedisin kosovar, ku më lidhte jo vetëm nxënësi, por edhe me të rriturit, pasi ma detyronte puna studimore për historinë e arsimit dhe më tej, historiku i komunës dhe fshatrave për-rreth.

E kam thënë edhe diku tjetër, se nuk mjafton vetëm koha e punës që unë të dashurohem, apo të trishtohem, me historinë e lavdishme dhe tragjike të Dardanisë shqiptare, që padrejtësisht historia e preu, duke e lënë jashtë kufijve tanë. Jam rritur në mjedis atdhetarie, ku flitej me mall dhe dhimbje për Kosovën dhe Çamërinë.

Rrethanat e viteve 1996-1998-1999, pavarësisht se unë isha drejtor i shkollës 8-vjeçare “Bajram Curri”, në Plazh të Durrësit, më shtynë të bëhem pjesë e asaj lufte të lavdishme, duke u përfshirë tërësisht në ato ngjarje të paharruara ankthi, guximi, dhimbje e trishtimi e në fund ngadhënjimi, kur Dardania u çlirua. I kujtoj me krenari ato vite, duke u marrë me nxënësit dhe fëmijët e ardhur nga lufta, njëkohësisht me organizimin e mitingjeve “Një komb një qëndrim”, në sheshin qendror të Durrësit. Kam shkruar për ato ngjarje madhore, por edhe për dëshmorët e luftëtarët, që nuk kursyen jetën në emër të lirisë.

Ngjarjet që erdhën më pas, më dhanë mundësi të shkoj në Dardani, ta prek atë tokë të shenjtë e të adhuruar. U lumturova, pasi që njoha edhe njerëzit e asaj treve, që me aq trimëri, guxim e durim, i mbyllën plagët e luftës, pavarësisht dhimbjeve të shpirtit. S’besoj se është çudi, por pas vitit 2007 e në vazhdim, dy apo tre herë në vit, do të jem në Kosovë, shumicën e herëve i ftuar nëpër veprimtari të ndryshme, konkurse letrare, përurim librash, veprimtari historike dhe shkencore, madje edhe turistike. Për këtë të fundit, më duhet të përmend vizitën tre ditore në Pejë, Istog, Vrellë, Kamenicë, Qysk, Burimi i Drinit të Bardhë, Gryka e Rugovës, Prizren, Rrahovec, ku unë dhe ju, ishim bashkë me disa drejtorë nga Durrësi. Ishte dhe mbetet një kujtim i paharruar.

Nuk është e tepërt ta them, se në vitin 2014, shoqërova vëllain tim Hytbi Tarelli, piktor dhe skulptor, i cili erdhi nga Toronto në Kanada, duke sjellë në Prekaz, shtatoren e komandantit legjendar Adem Jashari. Dhuratë që u vendos në muzeun e familjes Jashari. Këto ngjarje i pasqyrova në shkrime të publikuara në shtyp, të cilat i kam përmbledhur në librin “Hytbi Tarelli. Mjeshtër i peneli dhe daltës”. (Monografi). Të them të drejtën, është një temë që nuk tretet lehte, aq sa do të duhen net dimri për t’i rrëfyer.

I nderuar Kadri, koleg, ish mësues dhe drejtues shkollash! Ju uroj jetë dhe shëndet të mirë! Vullneti, dëshira dhe energjia nuk ju mungon për të vazhduar shkrimet dhe botimet tuaja. Kështu na nderoni ne “Misionarët e dijes’, njëkohësisht edhe krijuesit durrsak, si anëtar i klubit të shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit.

Faleminderit dhe mirënjohje për intervistën dhe urimet që do më shoqërojnë për një kohë të gjatë!

Faleminderit që pranuat ftesën!


Avdyl Buçpapaj

Drejtor i shkollës Jopublike “Planetary”. Durrës.

Vjeshta e parë. 2021.

35 views1 comment

1 則留言


kadritarelli
2021年10月17日

Pershendetje "Fjala e lire" per publikimin e ketij shkrimi-interviste. Falenderim dhe mirenjohje autorit Avdyl Buçpapaj, qe u kujtua dhe u kujdes per intervisten, si te thuash nje falenderim shoqeror e miqesor mes kolegesh dhe krijuesish!

按讚

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page