
“FILXHANI ME BUZË TË KAFSHUAR”
Nga Bashkim SALIASI
Sapo mbarova së korrektuari dhe së faqosuri librin më të ri, me titull “Filxhani me buzë të kafshuar” të autorit Kadri Tarelli. Duke përfunduar më lindi ideja që të hedh në letër disa përshtypje të miat rreth këtij botimi me vlerë për lexuesin e pasionuar. Leximi i tregimeve është mjaft i këndshëm dhe të lë mbresa të thella në kujtesën e gjithsecilit këndonjës.
Që në krye të herës, e përgëzoj autorin, për punën me shumë përkushtim që ka bërë, për grumbullimin e këtyre copëzave nga jeta e përditshme, dukuri me të cilat ndeshemi çdo ditë. Tregimet janë si ëmbëlsirë që të lënë një shije të këndshme pas një dreke me prodhime nga brigjet e detit Adriatik, kur kam në mendje lokalet në Currila.
Libri hapet me tregimin me titull “Kambana e dashurisë”, një ndodhi e përjetuar madhërisht bukur, ku ndeshem me një domethënie që lë mbresa të thella te çdo lexues. Ja si e përshkruani ju gjetjen e kambanës:
... Për aq vite sa kambana qëndroi në muze, kujtoj se shumë vizitorë, banorë të fshatrave përreth, si nën zë më thoshin: “Sa mirë që e gjetët dhe e mbajtët kambanën tonë!” Uleshin, e preknin sikur e ledhatonin, ndërsa unë bëja sikur nuk e vrisja mendjen për çka bënin ata…….
Është zotësia e autorit që në këtë trgim, gërsheton mendimet e dy gjeneratave. Edhe pse e reja ecën, ndryshon e përparon, ajo përsëri qëndron e fshehur si prushi në hirin e zjarrit në vatër.

.... Ende i kam në kujtesë ndjesitë e atyre viteve dhe fjalët e një të riu: “Kjo kambanë nuk mund të zhduket! Është e bekuar nga zoti, sepse përjetësoi një dashuri hyjnore. S’besoj se ka në botë një kambanë të tillë, si kjo e jona, që këndon për dashuri!”
Suksesi i krijimtarisë së shkrimtarit Kadri Tarelli në shumë zhanre, si tregimet, poezitë, reportazhet i dedikohet talentit dhe kulturës artistike, si dhe punës së palodhur dhe plot dashuri që ai kryen. Edhe pse në moshën e pensionit, përsëri vlaga e krijimtarisë së tij vazhdon pa ndërprerje. Tregimet e Kadriut i sjellin lexuesit jetën e përditshme, ato kanë limfë që vë në lëvizje jetën dhe, pasi mbaron së lexuari tregimin, të lind pyetja:
- Mos vallë edhe unë jam pjesë e këtyre rrëfenjave të shkrimtarit që tregon kaq bukur me një gjuhë të pastër dhe pa devijime të fjalëve shqipe?
Në tregimin e dytë, “Nga loti i nënave, deti u bë i kripur”, ai përshkruan ditët e trishta që pësoi vendi ynë në braktisjen e atdheut dhe ikjen në drejtim të paditur drejt një jete më të mirë, drejt shpresës, pjesë e së cilës është dhe i biri. Ja si e përshkruan autori atë ditë kobzezë të hipjes në anije dhe largimit në det të hapur pa marrë parasysh pasojat se çfarë mund t`u ndodhte në atë rrugëtim pa kthim. Shqiptarët po iknin sikur po i ndiqte pushtuesi nga prapa. Askush nuk po na sulmonte. Vallë ç’të ishte ky hasmë i padukshëm? Varfëria? Mbase! Armik i egër është, po nuk e besoj, pasi ne varfëri kemi pasur edhe më pare…….
Duke kaluar nga njëri tregim në tjetrin, dehesh me figuracionin që përdor autori në përdorimin e figurave letrare si metafora, sarkazma, ironia, epiteti, krahasimi etj, të cilat pasqyrojnë me vërtetësi plagët e shoqërisë shqiptare. Çdo tregim të bën të besosh e të mendosh, se edhe unë jam pjesë e këtyre rrëfenjave të Kadriut ...!
Në tregimin e tretë “Në kërkim të Nënë Terezës”, autori shtjellon mjaft bukur merakun e të vëllait, artisti Hytbiut, mërgimtar në Kanada dhe e përshkruan mërzitjen e tij me pyetjen fshikulluese ndaj pushtetit vendor.
- Ndjeva se vëllait iu prish qejfi. – “Ç’do me thënë, këtej rrotull është?! –mërmëriti me vete. Me siguri, nuk e priste një përgjigje të tillë për Nënë Terezën, shenjtoren e ndritur që ka nxjerrë kombi shqiptar. I iku e qeshura. Nuk foli edhe kur …… E kundroi nga të gjitha anët. I erdhi rrotull. E preku duke i ledhatuar këmbën e dalë nga manteli i gjatë i bronztë. …… Kur zbritëm përsëri te sheshi, vetëm kaq më tha: - Prisja ta shikoja bustin në qendër të sheshit…
Nuk po zgjatem në komente të tregimeve, sepse do humbiste kureshtja e lexuesit, por unë po ju them: “Hidhni sytë dhe merrni e lexoni rrëfenjat e shkrimtarit Kadri Tarelli dhe do të mbeteni shumë të kënaqur, dita do t’ju kalojë mes të qeshurave dhe adrenalina do të vërshojë vrullshëm në damarët tuaj”. Në pesëdhjetë e dy tregimet e Kadriut, ju, i nderuar lexues, do të ndjeni jetën në lëvizje, sepse autori është vetë një nga personazhet e këtyre rrëfenjave që i tregon kaq bukur. Në këto tregime autorin e hasim herë si kronikan, herë si historian dhe herë si rrëfimtar e gjeograf, që me stilin e tij të përdorimit të fjalës shqipe, qëndis bukur qilimin me motive devollite.
Aftësia intelektuale e Kadriut për të mbledhur nga gurra e popullit rrëfenja ku spikatin emocionet frymëzuese të një gazetari erudit, të kënduar në shumë hapësiar letrare, që ka shëtitur shumë sa në Shqipëri, në Dardani, Maqedoni, Mal të Zi, Itali Turqi, Greqi, dhe me një mendje të kthjellët dhe syrin mprehtë, i kanë dhënë mundësinë atij të na sjellë jetën e gjallë në lëvizje duke portretizuar tipa dhe karaktere që ne hasim në jetën e përditshme. Tarelli përcjell te lexuesi mesazhe modeste të stisura në të gjitha këndvështrimet, të kompozuara me të gjitha llojet e ngjyrimeve artistike, falë kundërshtive të ndjesive, mendësive, vlerave morale, aftësive që ka secili personazh në çdo tregim, si pasqyrë e kohës. Përvoja e pasur në fushën arsimit dhe letrave, si drejtues shkollash, poet e shkrimtar me vlera të spikatura në botimet e deritanishme, kanë lejuar edhe në frymëzimin e kësaj vepre, duke vjelë nga gurra e popullit copëza jete, që di t`i mbërthejë e zbërthejë mjaft bukur. Rrëfimet e këtyre tregimeve nuk të lodhin, përkundrazi, gjuha e pastër letrare dhe rrjedhshmëria në përcjelljen e kumtit filozofik, ngërthyer mes figurave letrare, si metafora, sarkazëma, etj. Të gjitha së bashku i japin vlerë librit. Është një gjetje e goditur artistike titulli i tregimeve të këtij libri që lidhet me një ndodhi të ndodhur në vitin ’92, në qytetin e Durrësit, të cilin autori e përshkruan mjaft
bukur.
– Nuk mund ta pi kafenë me këtë filxhan! - i thashë me qetësi dhe nxora nga xhepi lekët, që i vendosi mbi tavolinë.
– Edhe këtë e paske bërë? Si munde të paguash? – foli Vasoja. – Shumë i duruar je treguar.
- Unë sapo kam filluar punë këtu në plazh, - i thashë, - dhe mendoj ta pi kafenë këtu, se nuk ka lokal tjetër. Nëse nuk e kini bezdi, nesër po ju sjell një filxhan nga shtëpia ime.
Fytyra e gruas përballë u skuq, si spec djegës. Mbase u habit nga sjellja e papritur dhe fjalët e fundit, ndaj nxitoi të përgjigjet….
Po çfarë ndodhi në fund të javës, do të thoni ju? Sepse historia nuk u mbyll me kaq. …… Kamerierja me tabaka në dorë solli porosinë. Në fillim tek unë, pastaj me radhë. Sytë e kolegëve lëviznin sa tek filxhani im, te filxhani i tyre. Unë me filxhan të mirë, ndërsa ata me filxhanë me buzë të kafshuar. Ata nuk e pinë kafenë, por Ademit, sekretarit të shkollës, nuk ju durua, e tha:
- E, o drejtor! Ç’na u bëre, si Sela qëmoti! - Të gjithë i hodhën sytë te mësues Sela. (Selimi me origjinë nga Rugova e Dardanisë). Ai u ndie ngushtë dhe nxitoi të përgjigjet……
Në tregimet e tij Tarelli shpalos bukur dhe besën e shqiptarit dhe terrorin që u bë nga ushtria paramilitare serbe në trojet e Dardanisë, me të cilat është shumë i lidhur dhe pothuajse i viziton çdo vit. Ja si shkruan ai në tregimin me titull: “Dush Zeqiraj, çdo fund marsi vjen në Durrës”.
-Kur bëj këtë bisedë me veten, më del parasysh miku im Enver Lipaj nga fshati Kamenicë, komuna e Istogut, i cili sapo u kthye në shtëpi, (ishte si ne i shpërngulur), - vazhdoi mendueshëm Dush Zeqiraj, - kërkoi rreth e qark e, kur s`gjeti gjurmë njeriu, u drodh, sapo i shkuan sytë te pusi…Shpërthimet e shkrimtarit tonë, të befasojnë: Ja disa prej tyre: “Mendtë janë në krye të burrit, jo në hunjtë e gardhit”, “Përsëri mbetëm me mendtë tona”, “Sa keq
kur u shkrinë pakot e gjalpit!”, “Tregtarët durrsakë t`i çoni në Amerikë”, “Kryetar, ndërroje atë pesëqindëshe!”, “Kapelja i solli drutë”, “Kamerier! Jepi dhe kusurin!”, “Thyej qafën! S’je për libër ti!”, “Filxhani me buzë të kafshuar”, (Ku e ka marrë edhe titullin libri), “Po iki me faqe të bardhë”, “Gratë dhe muhabeti te porta”, janë tregime që të lënë pa frymë. Lexo dhe qesh... qesh edhe pasi e mbaton së lexuari. Ato kanë brenda tyre majanë e jetës, jetën në lëvizje, të cilën Kadriu e përjeton shumë bukur edhe vetë. Ja disa pjesë të shkëputura nga tregimi “Përsëri mbetëm me mendtë tona ...”:
- Mirë e ke menduar, kryeplak, po sikur mendtë e tua, si më i mençuri nga ne, t’i marrë, bie fjala tellalli i fshatit, ti si do të bësh dhe ne si do të bëjmë?
Se helbete, do të mbetemi pa kryeplak……!
Apo te tregimi “Shaka e hidhur e mësues Çanes”: - Kot i tha se më njihte, sa për ta larguar. Siç duket, me zë të ulët e sqaroi, se “Lena” është agjenci funeralesh, sepse pas tre-katër hapash u dëgjua një e qeshur e fortë.
… - Gjysh! Ta kam borxh një kafe edhe një raki dopio, sapo të hiqet karantina. Dhe më i bukuri është tregimi “Sa keq ...! Kur u shkrinë pakot e gjalpit.”:
- Nuk zgjati shumë: Tëlyeni që kishin filloi të rrjedhë e të mbulojë dyshemenë. ……. fshehur ca në gjoks, e ca në mbathje, Drejtoresha nuk u tha asnjë fjalë. Si duket edhe asaj i erdhi keq, vetëm shtoi: -
Shkoni pastrohuni se latë nam! Turp t’u vijë! Jeni goxha gra ...!
Ja dhe një perlë tjetër, ku autori e stis dhe ujdis mjaft bukur në tregimin:
“Tregtarët durrsak t’i çojnë në Amerikë”:
…. ”Mendoj se nuk është vonë, që Partia në qendër, me propozimin e masës këtu poshtë në bazë, të veprojë sa më shpejt të jetë e mundur, t’i ndëshkojë rëndë, të hartojë listat e të gjithë tregtarëve durrsakë dhe t’i degdisë në Amerikë, ku të vdesin për bukë, sepse nuk do të gjejnë dot punë”. Kaq, dhe u ul qetësisht, si shenjtor në “qetësinë” durrsake, duke parë majtas e djathtas, shokët të nxirë në fytyrë”.
Duke qenë një njohës i mirë i realitetit shqiptar, i jetës shoqërore e shpirtërore, autori pa shumë naze, zgjedh tematikën e tregimeve, që e merr nga veprimtaria jonë e përditshme. Tregimet janë e ndodhin, ndaj bëhen të prekshme, të besueshme, sepse sjellin brumin e jetës që lë gjurmë në vetëdijen dhe lëkurën e shkrimtarit dhe të lexuesit.
Figurat letrare, mbase nektar lulesh, që zgjedh Kadriu gjatë tregimit, të bëjnë të qeshësh, të gudulisin, mbase edhe të shpojnë si gjemb murrizi, por edhe nuk të lëshojnë. Ato janë si kthetrat e jaguarit që mbërthen prenë dhe nuk ka shanse të shpëtojë nga thonjtë e tij. Edhe Kadriu i tregon aq mjeshtërisht, sa në fund thua: Sabukur! Ndonëse diku qesh, diku rrudh buzët, diku ndjen dhimbje për personazhet qëtregohen të paskrupullt. Kështu është jeta, dhe e vërteta, që duhet shijuar ashtu siçna vjen.Kam përshtypje se ky libër i Tarellit shërben si një himn dashurie që përcjell kumt mirësie, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi miqësor, shoqëror e njerëzor.
Më në fund, pa frikë i them lexuesit: - Merreni dhe lexojeni librin e Kadriut dhe ashtu si unë, do të mbeteni të kënaqur!
Urime, Kadri, në botime të tjera me vlera krijuese artistike! Pena plug t’u bëftë dhe mos u shkëputsh asnjëherë nga krijimtaria letrare. Sepse të frymëzon dhe të mba përherë të ri, mes shokësh në shoqëri……!
Miqësisht,
Bashkim Saliasi!
Tiranë, më 24.02.2025
Përshëndetje Bashkim! Të falënderoj së tepërmi për këtë analizë të thekur në përmbajtje dhe të bukur në formë, me të gjitha nngjyrat e ylberit në frymëzim. Ke kapur thelbin e kumtit që përcjellin tregimet, që në një farë mënyre jetohen e përjetohen normalisht në mjedisin tonë shoqëror, miqësor, familjar dhe shpesh edhe politik.
Faleminderit edhe "Fjala e lire" dhe drejtuesit të saj z. Fatmir Terziu.