top of page

Bashkim Saliasi: RRETH KRIJIMTARIS DHE LIGJËRIMIT ARTISTIK DHE SHKENCOR TË RRAPI BARDHIT



Një ndër autorët që kohët e fundit të jetës së tij doli para lexuesit me një seri botimesh artistike dhe shkencore për trevën e Libofshës, është dhe Rrapi Bardhi.

Subjektet dhe problematikat që trajton në veprat e tij Rrapi janë sa artistike dhe shkencore.

I mbështetur në një hulumtim dhe shfletim të arkiveve të kohës ai solli para lexusit veprat monument të cilat për nga vlerat ua kalojnë dhe studjuesve akademik.

Duke shfletuar librat e tij, të shkruara me një realizëm për t’u pasur zili, kur i merr në dorë për të lexuar të duket vetja se dhe ti je pjesë e kujtimeve të cilat i ka përshkruar i bazuar në fakte dhe dokumenta që ruhen në arkivat e shtetit tonë. Me një fjalor të pastër dhe të pasur në veprat e tij gjejmë  larmin dhe kujdesin që tregon Rrapi për sintaksën dhe përzgjedhjen stilistike e leksikore frazologjike të veprave të tij, të cilat meritojnë një studim të hollësishëm, punë e cila shërben si arkiv për brezat e ardhshëm. Po kush ishte Rrapi Loni Bardhi?

Rrapi lindi në 1933 në Libofshë të Fierit, në një familje patriote. Shkollën 7-vjeçare e kreu në vendlindje, shkollën e mesme pedagogjike e kreu në qytetin e Shkodrës, Istitutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” për gjuhë-histori në Tiranë dhe studimet universitare në Fakultetin e Historis e Filologjisë, në degën gjuhë e letërsi shqipe në Tiranë.

Ka punuar si mësues, drejtor dhe drejtor inspektor në zonën e Libofshës të rrethit Fier. Ka dhënë lëndën e gjuhës shqipe në shkollën 8-vjeçare dhe të mesme. Ka dal në pension në vitin 1990. Ka dhënë një kontribut me vlera shkencore në fushën e historisë së arsimit, në fushën e folklorit dhe në atë të gjuhësisë shqipe me kumtesa të veçanta në shkallë rrethi e kombtare. Bashkëpuntor i Istitutit të Studimeve Pedagogjike. Në vitin 1983 ka punuar “Historinë e arsimit të zonës së Libofshës në (maket) “Historinë e arsimit dhe e mendimit pedagogjik të zonës së Libofshës” dhe e ka arkivuar në Istitutin e Studimeve Pedagogjike, të cilin më vonë e ka botuar në vitin 1998.

Në vitin 1988 ka dal para lexuesit me veprën historike “Historia e arsimit të Myzeqesë” 1, ku jep sinteza shkencore e rrugës historike, e zhvillimit të edukatës dhe mendimit pedagogjik në Myzeqe, evidentohet fizionomia arsimore pedagogjike, karakteristike për periudhën historike. Në vitin 2002 ka dal para lexuesit me veprën “Pishtarët e dritës të Myzeqesë” 1, dhe në vitin 2003 me “Pishtarët e dritës së Myzeqesë 2. Po në vitin 2003 ka dalë para lexuesit me përmbledhjen folklorike “Folklor Myzeqar” 1, ku përmblidhen materiale të gjurmuara në krahinën e Myzeqesë, thesar të kulturës popullore, që dëshmojnë për vitalitetin krijues të popullit myzeqar në fushën e jetës së tij. Në vitin 2005 ka dalë para lexuesit me veprën “Onomastika e Myzeqesë dhe e folmja e saj dhe “Pishtarët e dritës të Myzeqesë” 3.

 Në vitin 2006 ka dalë para lexuesit me veprën historike “Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik të Myzeqesë II dhe me veprën “Folklorike myzeqar” 2. Në vitin 2007 ka dalë para lexuesit me veprën “Pishtarët e dritës të Myzeqesë4” dhe “Fieri-vendlindja ime” (tekst mësimor). Serisë së veprave të tij i shtohen dhe “Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik të Myzeqesë” 3 dhe “Folklor Myzeqar” 3, “Krishtërimi dhe Myzeqeja” etj.

Një seri e tërë dorshkrimesh “prehen” në biblotekën e tij të pasur, të lëna përgjysëm që nuk e panë gëzimin e tij të botimit për të cilat gëzohej ashtu sikundër gëzohemi kur rritim një fëmijë nga vdekja e papritur në Amerikën e largët ku jeton familja e tij si emigrant. Amaneti i tij u çua në vend. E shoqa Jorgjia, djali Agroni, vajza Monda dhe kunati Rrapi (emigrant) e sollën në vendlindjen e tij Fier, ku ai prehet i qetë midis bashkëkombasve të vet.

Në veprën e tij monument “100 vjet shkollë shqipe”, Rrapi analizon me fakte dhe dokumenta ecurinë e evolucionit të shkollës shqipe në zonën e Libofshës.

Me mendjen e tij të hollë dhe penën e mrekullueshme e njeh lexuesin me kontributin që dhanë rilindasit në hapjen e shkollës së parë shqipe në Libofshë më 1908.

Në parathënie të librit autori shkruan: ….”është shprehje e vullnetit historik të popullsisë myzeqare, e vetëdijes kombtare, e mbijetesës.

Më tej ai vazhdon: “në kujtesën historike të popullit tonë, përulemi përpara veprës së ndritur të pishtarëve të dritës, pionerve të shkollës shqipe, pasuesëve të tyre gjatë gjithë kohëve, si Jani Minga, Jovan Ndreko, Anastas Laska, Kovi e Spiro saqellari, Zoi Ndreko, Jani Nushi, Rrapi Mërtiri, Llazi Bozo, Elmaz Boce, Llambër Deda, papa Kozma Dhima, Tuni Gjergji, Petro Muzaka e shumë të tjerë. Lexuesi gjen te veprat e Rrapi Bardhit, një eksperiencë emocionale që të vë në mendime, ku tregohet sesa me zell ka hulumtuar dhe gërmuar autori duke sjell fakte bindëse të mbështetura në dokumenta të kohës për secilin personazh që ai përshkruan në librat e tij.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page