top of page

Bashkim Saliasi: PËRJETIME PAS LEXIMIT TË LIBRIT “DIELLI ËSHTË I IMI” TË VIRON KONËS


“DALLGËT” E NDJENJAVE PAS LEXIMIT TË NJË LIBRI


PËRJETIME PAS LEXIMIT TË LIBRIT “DIELLI ËSHTË I IMI” TË VIRON KONËS

 

As vet nuk e di si më erdhi në mendje ky titull, për të shprehur mendimet që më lindën pasi mbarova së lexuari librin “Dielli është i imi”, i shkrimtarit Viron Kona, mjeshtër i letërsisë për fëmijë.     

Gjithkush ka mënyrën e vet të leximit të një libri, por, unë, parathënien e lexoj pasi kam mbaruar së lexuari atë.

Më ngeli në mendje përshkrimi që i bënë Fran Gjoka në reçensën e tij, ku shkruan:

- “Nuk është fjala thjesht te numri i librave, që tashmë, i kalojnë tridhjetë tituj, por në vlerësimet e shumta që bëjnë lexues, studiues, kritikë të letërsisë, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë”. Dhe, më poshtë, nënvizon pohimin e autorit në një intervistë: “Ashtu sikurse lumi e gjen vetë rrugën e tij, edhe letërsia e mirë, e gjen vetë rrugën për te lexuesi”.

Të shkruaj, a mos të shkruaj! Atë që ndjeva pasi mbarova faqen e fundit dhe përsëri nisa ta shfletojë librin për herë të dytë. Në secilin tregim që lexova e ndjeva veten pjesëtar të përshkrimit që autori i tregon ngjarjet aq bukur, sa është vështirë ta lëshosh librin nga dora dhe të kujtojnë copëza historish që i ke kaluar vet në bankat e shkollës, në kryerjen e shërbimit ushtarak, në aksione, marshime, aventura me kafshët etj. Unë nuk mund të jap vlerat që jep Frani si autor i parathënies, por si lexues i rregullt i letërsisë dhe, sidomos e asaj për fëmijë të shkruara nga kolosi i letërsisë Bedri Dedja dhe, vazhduesi i saj Viron Kona, do t`i shfaq mendimet e mija ashtu siç i ndjej e i përjetoj kur lexoj një libër artistik.. Në fushën e artit, zhvillohet konkursi “Gjeniu i vogël”, po në fushën e krijimeve cilat janë vlerësimet morale profesionale që marrin krijimet e krijuesve shqiptar?

Kjo pyetje e bërë disa herë brenda vetes bëri që, mendimet e mija t`i titulloja “Dallgët e ndjenjave”, sepse çdo linjë ka sekretet e veta të ecurisë së dhënies së mesazheve, por mendoi se, tregimi dhe fabula janë dy linja që jo gjithkush mund t`i lëvroj.

Nuk dua të bëj kritikun, as dhe analistin, sepse nuk është fusha ime e njohjes, por si një lexues i veprave të Konës, mendoj se ai në të gjitha veprat që i ka dhuruar lexuesit shqiptar dhe jo vetëm shqiptar, ka arritur të krijojë një arkiv vlerash që vërtet shoqëria shqiptare duhet të hedh sytë dhe të njohë vlerat e këtij eruditi që po vlerësohet nga lexuesi suedez, ku ai qe i ftuar muajin që kaloi dhe u ftua nga botuesit suedez për promovimin e librit “Eh, more Bubulino!” të përkthyer në suedisht në qytetin e Borasit nga personalitetja shqiptare Qibrije Hoxha, (disa herë deputete në kuvendin e Kosovës, sot përkthyese në Stokholm) dhe që mendoj se duhet të njihet akoma më shumë në letërsinë që zhvillohet në shkollat tona. Dëshiroj të theksoj se, suedezët, e kanë futur në programin shkollor Bubulinon, duke krahasuar për nga vlerat dhe forca artistike  edhe me Pipi Çorapegjatën.

Jo më kot, në gazetën “Boras Tidning”, gazetari i njohur suedez Erik Jullander, shprehet: “Bubulino dhe Pipi pajtohen shumë mirë me njëri -tjetrin. Absolut!”

Gjithsesi, po i kthehem librit më të ri të Viron Konës, ”Dielli është i imi”. Të dymbëdhjetë tregimet që trajtojnë ky libër, tematikat dhe subjektet shfaqin një mesazh të thjeshtë: -Le të shpërndajmë mesazhe paqe dhe të krijojë ura lidhëse mes njerëzve”...

Të gjitha tregimet, që nga i pari “Duke pirë kafe”, “Ne ishim ushtarë”, “Yllkoja”, “Kur digjesh nxjerr mësim”, “Këpucët e mëdha”, “Mësuesit”, “Gjithçka mund të ndodhë” etj, janë copëza emocionesh, të cilat kanë hedhur rrënjë të thella në kujtesën e Vironit që, ai, me atë thjeshtësinë karakteristike dhe, magjike, na i sjellë sikundër ai i ka jetuar edhe vet.

Të gjithë tregimet, të krijojnë aq shumë emocione, sa lotët rrëshqasin nga sytë dhe të thonë; “mbaje veten po deshe”, se kështu të ka ndodhur dhe ty. Por, ja që i ke harruar dhe, tani leximi i librit që të njeh me ngjarjen që ka jetuar autori, të ka ndodhur dhe ty dhe, të krijojnë emocione të  dala nga vetëdija jote”.

Çdo kush ka të drejtë të shprehë konsideratat e tij ashtu sikundër i mendon për vëllanë, motrën, shokun apo shoqen, por të flasësh për vlerat e një shkrimtari që e ke për zemër, është disi e vështirë sepse mendimet rrjedhin si lumenjtë që kërkojnë të derdhen diku dhe nuk lejojnë t`u ndryshohet drejtimi.

Populli ynë thotë: “Populli ku ka shkuar, do shkojë.”

E përdora këtë frazë për të thënë mendimin tim se Viron Kona nuk vjen para lexuesit me veprën e tij të parë, por me një ecuri veprash që nga viti në vit po i dhuron lexuesit vlera kolosale që jo vetëm flasin për njohje të traditës me taban kombëtar, ku njerëzit tanë në periudha të ndryshme e kanë treguar veten dhe kanë ditur që të falin kur është për të falur.

“-E shleve fajin që bëre, o djalë. M’ u duk sikur ia more hakun Yllkos tim”!

Nuk dua të humbas kureshtjen e lexuesit, por kush ka mendimin e mirë që ta lexoj këtë libër, ndoshta do ketë mënyrën e tij që të jap vlera më të arrira se unë që nuk jam i fushës së letërsisë.

Nga ana tjetër, Vironi jep mesazhe filozofike se, njeriu në jetën e vet, edhe vidhet, poshtërohet, mbetet i pa punë dhe pse ka mbaruar arsimin e lartë, por asnjë herë nuk duhet të humbasë shpresën për ta jetuar jetën. Mesazhi është aq aktual në këtë fillim shekulli sa, kur dëgjojë kronikat e mbrëmjes, mendimi më shkon në ato copëza jete nga jeta ime e pas viteve ’90, që kam lënë pas dhe me vete pëshpërit: “mos na rënçin  në pjesë”.

 
 
 

תגובות


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page