top of page

Bashkim Hisari: BOMBARDIMET E NATO-S PARA 26 VITEVE NGJARJE E MADHE HISTORIKE PËR SHQIPTARËT


BOMBARDIMET E NATO-S PARA 26 VITEVE NGJARJE E MADHE HISTORIKE PËR SHQIPTARËT

 

Nga: Bashkim Hisari

 

Bombardimet e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), mbi caqet ushtarake dhe policore në ish Jugosllavi para 26 viteve dhe përfundimi i luftës në Kosovë, krijoi kornizë të re të sigurisë dhe stabilitet në rajon dhe ishte e mbetet ngjarje më e madhe historike për shqiptarët e Kosovës.

Pas shumë  përpjekjeve të pasuksesshme për zgjidhjen e konfliktit mes Prishtinës e Beogradit në rrugë diplomatike me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, dy konferencave të dështuara në Rambuje e Paris dhe pasi zyrtarët e lartë të NATO-s, nuk arritën të bindin udhëheqësin e atëhershëm jugosllav, Sllobodan Milosheviq, që të tërhiqej, më 24 mars 1999, avionët e        NATO-s, nisën fushatën ajrore dhe qëlluan një numër objektivash të ushtrisë e policisë serbe në disa nga qytetet e mëdha në Serbi, Kosovë e Mal të Zi.

Fushatën e bombardimeve ajrore mbi Federatën jugosllave (Serbi-Mali Zi), NATO e ndërmorri për të ndaluar krizën e krijuar humanitare, spastrimet etnike, vrasjet masive dhe aktet e gjenocidit ndaj civilëve shqiptarë që i kryenin forcat serbe. Ishte e qartë dhe nuk kishte fare dyshim se këto krime në Kosovë janë kryer me urdhërin e autoriteteve serbe në Federatën jugosllave. Ata kishinë hartuar projektin e fsheht strategjik luftarak “Patkoi”. Në te ishin të përcaktuara masa të menduara e të planifikuara që më parë për shfarosjen e pamëshirueshme të shqiptarëve të Kosovës. Sipas këtij plani, tërësia e detyrave duhej të zbatohej në tri faza. Ishte parashikuar që faza e parë të kryhej gjatë muajit janar 1999, e që kishte për qëllim spastrimin etnik të popullsisë shqiptare në pjesën veriore të Kosovës. Faza e dytë ishte planifikuar të zbatohet gjatë muajit shkurt, që përfshinte pjesën qendrore të Kosovës, Drenicën dhe rajonin përrreth, ku përveç vrasjeve dhe dëbimit të popullsisë shqiptare, synonin edhe shkatërrimin e njësiteve të UÇK. Faza e tretë, gjatë muajve mars dhe prill 1999, përfshinte veprimet për spastrimin etnik në tërë Kosovën. Për këtë qëllim, strukturat ushtarake komanduese dhe politike të Serbisë, kishin hapur tri vendkalime kufitare, dy me Shqipërinë, në Vërmicë dhe Morinë, një me Maqedoninë, në Han të Elezit - Bllacë dhe një tjetër pikëkalim kufitar me Malin e Zi, në Kullë. Mëse 150 mijë forca ushtarake, policore dhe grupe paramilitarësh si: "Dora e zezë"; "Shqiponjat e bardha"; "Ujqit gri"; "Ujqit e zinj"; “Skorpionët”; "Tigrat e Arkanit", të njohur edhe si “Garda e vullnetarëve serbë”; “Leopardët e përgjakshëm”; "Çetnikët e Zhupës” të   kriminelit Vojisllav Sheshel etj.,  me tërë arsenalin e tyre vrasës ishin të dislokuar gjithandej Kosovës. Meqë nuk ishin në gjendje të përballen me fuqinë ajrore të NATO-s, ata intensifikuan veprimet e tyre të krimeve më të rënda. Ndaj civilëve shqiptarë silleshin si trupa sulmuese ndëshkimore, vetëm për të vrarë, për të djegur e për të plaçkitur gjithçka. Afro një nilionë shqiptarë u larguan nga Kosova, shumica me dhunë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Procesin e dhimbshëm të dëbimeve, autoritetet serbe e shoqëronin me justifikime dhe manipulime se kinse shqiptarët po largohen nga trojet e tyre për shkak të “bombardimeve të NATO-s dhe sulmeve terroriste të UÇK-s”.

Sipas të dhënave të vërtetuara dhe publikuara, 13.535 persona janë vrarë, nga numri i përgjithshëm i viktimave 10.317, mbi 80%, kanë qenë persona civilë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në luftë. Ndërkaq, numri i personave të pagjetur sipas të dhënave të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe të organizatave të tjera që mirren me të drejtat e njeriut, ishte 1612 nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s, vrasjet ishin të përditshme, të qëllimshme, ëë paligjëshme dhe rrezikonin gjithë shqiptarët pa dallim. Ish Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në akademinë përkujtimore që u organizua në 20-vjetorin e masakrave në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan, përmendi 400 masakra kundër shqiptarëve.

Ndër masakrat masive më të njohura dhe të dokumentuara janë: Masakra në Fortesë (ish Bellacerkë), më 25 mars1999, ku serbët masakruan 65 civilë shqiptarë. Në Celinë, më 25 e 26 mars 1999, u vranë 86 civilë. Në Krushë të Madhe, më 25, 26 e 27 mars 1999, u ekzekuatuan mbi 264 civilë shqiptarë. Në Krushë të Vogël, më 25 e 26 mars 1999, u ekzekutuan dhe u dogjën trupat e 113 martirëve. Në Izbicë, më 28 mars u masakruan 147. Në Rudin (ish Pastasellë) më 31 mars 1999 u masakruan 110 civilë. Në komunën e Gjakovës u vranë rreth 1600 civilë. Në Poklek më 17 prill 1999 u masakruan dhe u dogjën trupat e 53 viktimave. Në Meje, më 27 prill 1999 u vranë 376 civilë. Në komunën e Therandës (ish Suharekë) janë vrarë 379 civilë, ndër ta 76 fëmi. Në  Burgun e Dubravës, 19-24 maj 1999,  brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur politik shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.

Shumë trupa nga këto masakra u gjetën më vonë në Qendrën për trajnimin e njësive speciale të Ministrisë për Punëve të Brendshme kundër Terrorizmit në Batajnicë, afër Beogradit, ku regjimi serb përpiqej të fshihte gjurmët e krimeve të luftës.

Përgjegjësia për krimet gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, sidomos për krimet e rënda si vrasjet, masakrat, përdhunimet, krimet kundër njerëzimit dhe aktet e gjenocidit, nuk janë trajtuar si duhet. Shumë përgjegjës për këto krime nuk janë ndjekur penalisht. Serbia refuzon të bashkëpunojë me drejtësin ndërkombëtare. Mbron kriminelët e akuzuar për krime lufte gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Nuk ekstradon shtetasit e saj të akuzuar për krime lufte. Shumë ish-zyrtarë të regjimit të Millosheviqit dhe ish-ushtarakë serbë jetojnë të lirë në Serbi pa u përballur me drejtësinë. Disa ish-zyrtarë serbë të dënuar nga Tribunali i Hagës trajtohen si heronjë në Serbi. Kriminelët e luftës si të dënuarit në Hag, gjenerali Vladimir Lazareviq, Vojislav Sheshel e disa të tjerë mbajnë poste publike dhe zhvillojnë aktivitete politike. Mediat pro-qeveritare në Serbi promovojnë narrativa që minimizojnë ose justifikojnë krimet e kryera nga forcat serbe. Shumë politikanë serbë si presidenti Aleksandar Vuçiq, Vojisllav Sheshel, Ivica Daçiq, Aleksandar Vulin, Ana Brnabiq, Aleksandar Shapiq e shumë të tjerë, bashkë me shërbimet e tyre sekrete, me vrasësit, kriminelët dhe hajdutët që janë ende të përfaqësuar në institucionet shtetërore, në media, në arsim, ekonomi, kulturë e sidos në  parlamentin serb ku fjalët, temat sjelljet dhe çdo gjë është kontestues dhe të përcjellura me rrena, urretje e ofendime, mohojnë krimet më barbare dhe masakrat e kryera në Kosovë.                                                                                                                              Ata, me gënjeshtra të dëshmuara dhe të verbuar nga ideologjia e politikës luftarake, ende pretendojnë se Kosova është Serbi. Njerëzit e tyre I shpiejnë në deluzione që nuk kanë të bëjnë fare me realitetin.

Kuvendi i Kosovës, njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Kosova tani është faktor në skenën ndërkombëtar. Ka kufijtë, Kuvendin, flamurin, himnin e saj. Shumica e shteteve anëtare të BE e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Këtë të vërtet duhet të dijnë të gjithë në Serbi duke përfshirë edhe filloristët që lexojnë abetaren. Por, Serbia po qeveriset nga diletantët e plotfuqishëm politikë, që po e mbajnë popullin serb peng me "politikën e tyre kombëtare". Manipulojnë me Kosovën, tregojnë  përralla dhe bëjnë pazare pas krahëve duke theksuar se “Kosova është Serbi”, “Kosova është fjala më e shtrenjët serbe” dhe krijojnë privilegjë dhe pasuri.                                                                                                               Kosova kurrë nuk ka qenë serbe. Në vitin 1912, u bë pjesë e Serbisë, nën okupimin ushtarak. Edhe gjatë viteve 1918-1941, në Mbretërinë Jugosllave, nuk ishte  e Serbisë sepse Mbretëria përbëhej prej “Banovinave”-njësive administrative të Maqedonisë, Malit të Zi, Sanxhakur, Kosovës. Pas Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët e Kosovës organizuan, ngjarjen e madhe në historinë e kombit shqiptar - Konferencën e Bujanit ku u afirmua e drejta e vullnetit të popullit kosovarë për liri, vetëvendosje dhe dëshirën për t’u bashkuar me Shqipërinë. Por, çështjet e Kosovës dhe të vetëvendosjes nuk u morrën parasysh dhe Kosova sërish me dhunë mbeti pjesë e Jugosllavisë. Me miratimin e Kushtetutës të vititi 1974, Kosova arriti një status pothuaj të  barabart me republikat që përbënin Jugosllavinë - status që shërbeu si një ndër pikat mbështetëse të kërkesave për Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Por, Sllobodan Millosheviqi, me forcë tentoi ta rrëmbejë Kosovën. Pastaj ndodhi lufta e UÇK-s dhe bombardimet e NATO-s. Në fund u nënshkrua një marrëveshje ushtarako-teknike në Kumanovë, me të cilën Serbia pranoi të tërhiqej nga Kosoava.

Pas shpalljës së pavarësisë, shqiptarët në Kosovë, bashkë me komunitetet tjera jetojnë të lirë, por me plagë të rënda që ka shkaktuar regjimi serb. Pjesa më e madhe e popullsisë në Kosovë nuk duan të jetojnë me Serbinë, por dëshirojnë të jenë antarë të BE.  Javë më parë, nënshkrimi i Dekleratës për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, midis Kosovës dhe dy shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë dhe Kroacinë që janë pjesë e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), me siguri do të shpejtoj integrimin e Kosovës në strukturat evropiane-atlantike.

 

 
 
 

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page