Barie Boba Çupi ka lindur në Bulqizë në vitin 1972.Studioi Gjuhët e Huaja, dega (frëngjisht) Punoi si mësuese për 31 vite në qytetin e lindjes.Që në moshë fare të re shkroi vjersha,ese të ndryshme,ku spikati besimin në vetvete për të shkruar poezi. Prirjet dhe ky talent i saj u prezantua në gazetat lokale dhe në portale të ndryshme elektronike. Sot vlerësohet nga kritika dhe nga mediat letrare shqiptare. Është autore e pesë librave me poezi:
“Vargonjtë e fatit”
“Me zemër të zhveshur”
“Orët e përhitura”
“Ej,ti grua…”
“Fjalë të palexueshme”
DO IKI QIEJSH
Do iki reve,
gjërat dëfryese duken shëmtuar,
fjalët do t'i njom me prushin e bardhë,
veç syte dhe aromën tënde strehuar,
nën lëkurë ka zbritur i tëri mall.
Do iki hapash,ngjitur në yje,
ditës për diell,m’janë dridhur këmbët,
krahët lënduar,zgjidhur çdo nyje,
e krisur bota,të mprehta dhëmbët.
Do iki flaktë,me buzën akull,
nuk mundem,ky ajër puhizë e vdekur,
gufosur jeta si baltë e kalbur,
sa gjurmë ngrirë,në gjoksin e ndezur.
Do iki jehonash tempullit të ri,
shpirtin qiejsh,në kërkim të dritës,
e humbur betejash,heshtur nuk rri,
do iki prej dhimbjesh,nuk iki prej frikës.
(e botuar në librin “Ej,ti grua…” )
Comments