Me rastin e Shën Valentinit bleu një tufë me lule tek hollandezi për njëzet e pesë dollarë dhe një gjerdan floriri tek çifuti që kushtoi treqind dollarë. Kur kishte hyrë në dyqanin e hollandezit, i shkoi mendja të blinte një fermë dhe të merrej me kultivimin e luleve e shkurreve dekorative. Mirëpo ajo dëshirë agronomi iu fik në çast, mbasi ferma do acaronte më keq marrëdhëniet me të shoqen. Në folezën në formë zemre të varëses ngjiti një foto dyshe, të zvogëluar, pozim i hershëm rinor. Ai dhe ajo. Kokat ngjitur me njëri-tjetrin. Të qeshur e të lumtur. Ai nuk kishte qenë asnjëherë në ceremonitë festive që organizonte departamenti ku punonte e shoqja.
-Me që këmbëngul, eja, - i tha ajo. - Ama supozo se nuk njihemi.-
-Okay, do ta supozoj se nuk njihemi.
-Të rrish mënjanë dhe urtë, - e këshilloi ajo dhe ia tundi gishtin tregues para hundës. - Nuk dua që kolegët e mi të marrin vesh çfarë pune bën dhe në ç’gjëndje je me anglishten.
Ceremonia e dhurimit të luleve dhe mbërthimi i varëses të florinjtë në qafën e saj u krye në dhomën e
gjumit. Mirëpo edhe ditën e shenjtë të tё dashuruarve ajo u tregua e ftohtë dhe mospërfillëse. E falenderoi për dhuratat, ama nuk e lejoi që ai të çikte buzët e saj. Kishte veshur minifund të zi dhe bluzë grizo, të hapur, që nxirte në pah bardhësinë e kurmit dhe hovin e gjoksit. Lidhëset e sandaleve i gjarpëronin mbi pulpa. Ndryshe nga herët e tjera, qe spërkatur me një lloj parfumi tejet ndjellës, blerë enkas për Shën Valentin. Molekulat parfumiane i patën nxitur egon e mashkullit kokëkrisur:
-Ç’je kaq e bukur, dreqi të marrtë!
-Zbulim i vonuar, - u përgjigj ajo me ironi.
Pa hyrë ende në sallën e madhe të restorantit, ai ishte ndjerë keq. Në pasqyrën e hollit pamja e tij i kishte fanitur Barin e Kripës. Nuk e dinte se organizatorja e festës të Shën Valentinit ishte gruaja e tij. Porsi shtojzovalle doli në podium e shoqëruar nga duartrokitje të zjarrta. Atëherë ai qe bindur për popullaritetin që gëzonte e shoqja në departamentin e supermaketit, Woll Mart. Donte apo nuk donte, edhe ai, agronomi, duartrokiti gruan e tij. Atë çast i qe kujtuar porosia e saj, “të qëndrosh mënjanë e urtë“ dhe ishte ngjeshur pas banakut me buzëqeshjen e ngrirë të murgacit. Ajo recitoi në anglisht një poezi për dashnorët valentinianë dhe, sa filloi muzika, sikur të qe artiste e vërtetë dansi, doli në mes të sallës. Pikërisht atëherë e kuptoi se partneri që e shoqëronte në vallёzim, ishte bosi i saj. Përmendja e emrit të tij prej kohësh i kishte tingëlluar si këmbanë alarmi. Moria e pasqyrëzave
trekëndëshe mbi murin pas banakut i thëthinë shikimin. Hetoi siluetёn e tij gjatoshe, copëzuar në trekëndësha dhe iu kujtua sërish Bari i Kripës. Në dy trekëndësha pa kokën e tij tullace dhe në tre trekëndëshat e mëposhtëm fashën kryeneçe të flokëve të zeza kaçurrela, që fillonte mbi tëmtha dhe mbrapa qafës.
-Tungjatjeta, Bar i Kripës! - dëgjoi klithmën e pamëshirshme të metaforës dhe u ngjesh më tepër pas banakut, sikur donte të zvogëlonte siluetën e tij gjatoshe. Atëherë vuri re se bosi i të shoqes e përgjonte nga tavolina kryesore ku ishte elita e kompanisë. Ajo ishte ulur përkrah tij, i thoshte diçka në vesh, kurse ai çaplonte gojën e madhe nga e qeshura. Të dyve u xixëllonin dhëmbët nga shkrepja e dritës të aparateve fotografike. Në atë gjëndje, gjysëm të dehur e me pamje murgaci, e gjeti njëra nga biondinat.
-Vetmia është vdekje, - tha ajo dhe u prezantua me emrin sllav Lilinova. Ai flaku petkun e murgacit dhe u tregua xhentëllmen kur ajo i nderi dorën për t’u prezantuar. Demonët i pëshpëritën “gënjeje” dhe ai, për ta lajkatuar, i tha:
-Je simpatike, si të kam përfytyruar.
Lilinova kapërdiu një gllënjkë uiski nga gota e tij dhe qeshi hareshëm. Nga që iu miklua sedra femërore, dërdëlliti se para dhjetë viteve ajo kishte qenë më e bukura e Nju Jorkut.
-Kurse tani, - shtoi me zë të ulët, por krenare, - unë dhe jot shoqe jemi dy shpirtëra gazmorë që mbajmë gjallë departamentin e Woll Martit.
Lilinova piu një gllënjkë tjetër nga gota e tij dhe iu afrua më pranë, aq sa këllku dhe supi i saj u prekën me të tijat. Duke i pëshpëritur në vesh, tregoi një çast nga beteja me të shoqin. Fillimisht ai nuk mundi të kapë shkakun e luftës bashkëshortore, por kuptoi se i shoqi i Lilinovës ish kirurg i ardhur nga India, pikërisht ai që kishte zvogëluar hundën e të shoqes dhe që i kushtoi dhjetë mijë dollarë. Lilinova vuri gishtin në kokë, për të treguar ekzaktësisht vendin ku ishte shkulur tufa e flokëve.
-Pas divorcit m’u kthye lumturia, - tha.
Ndërkohë që ajo u rehatua në stolin e lartë, fustani rozë iu mblodh mbi gjunjë. Lilinova kishte lëkurë të butë, esmere dhe gjinj të mëdhenj si pjepra; ishte pa sytjena. Kamarieri i solli asaj një gotë me uiski pa akull dhe ajo çukiti gotën e saj me gotën e tij, -sipas traditës bullgare,- tha. -Prindërit e mi janë sllavë të mirëfilltë-, shtoi dhe në pak minuta krijoi atmosferёn sikur të dy njiheshin prej kohësh. Megjithëse ajo e fliste shpejt anglishten, ai mundi të kuptojë se bullgarët dikur mburreshin me Aleksandrin e Madh por, kur e morën vesh se paskej qënë homoseksual, ia bënë dalje grekëve. -Tani e lakmojnë shqiptarët,- shtoi Lilinova, ia shkeli syrin djallush dhe qeshi. Përmendi piktorë, skulptorë, poetë, shkrimtarë e kompozitorë bullgarë, emra që ai i dëgjonte për herë të parë. Ajo kërkoi hamendazi në çantën e dorës dhe nxori një stemë me Aleksandrin e Madh. Ndërkohë që ia mbërtheu stemën në cep të jakës së këmishës, ai u kënaq me aromën e këndshme që
shpërtheu nga gjoksi i saj, por nuk mundi ta përcaktojë se prej çfarë lulesh ishte sajuar parfumi. Befas Lilinova e ftoi të vallёzonin së bashku.
-Sipas traditës ballkanase, vallёzimin e parë duhet ta bëj me gruan time, - u përgjigj ai, por Lilinova buzëqeshi hidhur. Atëherë u ndërmend se ishte nata e Shën Valentinit, ai dhe e shoqja kishin harruar njëri-tjetrin. Mirëpo ja, një femër tjetër, bionde e bukur, po i bënte shoqëri erotike. Gjaku i vërshoi nëpër damarë si kurrë ndonjëherë dhe demonët gazmorë filluan të hedhin valle në zemrën e tij. Në pak sekonda u shkrinë me gjakun dhe organi mashkullor përpëlitej si ketër i zënë në çark. Atëherë pa sozitë e tij në morinë e pasqyrave trekëndëshe. U buzëqeshi, mbasi zbuloi se përthyerja e dritës mbi copëzat e xhamta ia patën shpërfytyruar pamjen. Edhe buzët e shumëfishuara të Lilinovës dukeshin më sensuale, flegrat e hundës të zgjeruara. Fytyra e saj iu duk më e bukur se e të shoqes. Fare pranë, një pëllëmbë larg hundës, ishin buzët e saj. Lilinova kishte hundë poçore dhe jo vetëm hunda, por edhe tiparet e lëkura esmere, tregonin përzierjen e gjakut sllav me atë turk. Ajo, siç dukej, ia përgjoi frymëmarjen e shpejtuar dhe i mëshoi supit gjersa u mbështet plotësisht pas tij. Atëherë ai mori guxim dhe, si pa dashje, preku me gju gjurin e saj. Pas prekjes asaj i përndritën sytë e zinj, por edhe sytë e sozive të tij nëpër pasqyrëza. Pas njëzet vjet martesë, për herë të parë iu bë sikur pa frymën e tij që lodronte me qerpikët dhe me bajluket e saj. Pikërisht atë çast demonët i pëshpëritën:
“Bëje xheloze tët shoqe që të pëlcasë nga marazi.“
Mirëpo shtrirja e hapit të saj përmes sallës, sidomos lodrimi i pulpave mbi takat e gjata, e lanë të pashlyer mospërfilljen bashkëshortore. Pikërisht atë çast e ftoi Lilinovën për të vallzuar:
-Eja kërcejmë tango.
-Tango është për të vdekurit, - tha ajo dhe atëherë ai hetoi siluetën e saj veshur në rozë.
-Më dukesh si lule jargavan, - ia bëri qejfin, pikërisht kur e shoqja shpërtheu në një kërcim të çakërdisur xhazi. Bosi i saj mbante ritmin duke përplasur pëllëmbët, njërin gju e kishte mbështetur mbi dyshemenë e sallës dhe vështronte pa drojtje kurmin e saj nga poshtë lart. Atëherë atij iu errësuan sytë nga inati. Ndjeu marrje mendsh, jo për shkak të uiskit, por nga lëvizjet e shkathëta të pulpave të gruas së tij. Ajo po realizonte figura dansimi fugore, njëlloj si në rini. Pa shalën e saj harkuar mbi kryet e bosit. Ishte figurë sa e turpshme aq e mahnitëse e një akrobateje që u pasua me duartrokitje të zjarrta. Donte ta mbërthente për flokësh e t’i thoshte “paske marrë përsipër ta gjallërosh vetëm ti këtë mbrëmje”, por u step nga thirrma eksituese e banakierit:
-Uaaauuu, femër gjeniale!
Pyeti banakierin për banjat dhe u çapit këmbëkëmbyer, me gotë në dorë, për nga ana tjetër e restorantit. Në pasqyrën e madhe të hollit pa veten kur doli nga banjat, me gotën shtrënguar mes dhëmbëve e
duke kopsitur pantallonat. Porsa doli në verandën e restorantit, spazmat e dallgëve në stomak u përsëritën. Volli me njërën dorë mbështetur pas një kolone. Pas vjelljes shpëlau gojën me uiski, por isht e pamunduar të vinte cigaren në buzë. Duart i dridheshin si kurrë ndonjëherë në jetën e tij.
Në sallën e madhe shpërthyen ovacione dhe ai njohu kurorën e shprishur të flokëve të së shoqes, gati në lartësinë e shandanëve. Kolegët e kishin ngritur lart, kurse ajo qeshte tejet e lumtur, me krahët e hapura si pulëbardhë. Fluturimi shoqërohej me duartrokitje dhe klithma histerike. Demonët patriarkalë e shkelmuan në zemër dhe befas, pa vetëdije, ngriti krahun e qëlloi kolonën me grusht. Ofshau nga dhimbja dhe shkundi krahun lart e poshtë buzëkafshuar.
-Shkërdhatë!
Sharja jehoi në akustikën e harqeve të verandës. Gotën e flaku, me sa i hante krahu, diku nga fundi i parkingut. Kërcitja e qelqit e zgjoi nga ëndrra e keqe e hakmarrjes. Parkingu lëshonte duhmat e nxehta me kutërbim zifti, kurse ai ia mbërtheu sytë qiellit dhe mezi dalloi disa yje të mekur, të ftohtë e të largët. Bulëza djerse i kullonin përmes shpinës. Dallgët e muzikës rok shpërthyen jashtë sallës dhe përmes asaj zallamahie dalloi ritmikën e takave femërore. I ngjasuan me të sandaleve të së shoqes dhe nuk e kthye kokën pas.
-Eja të luajmë tango në makinën time.
Lilinova e kapi miqësisht për krahu, kurse ai shkëputi vrullshëm bërrylin nga mbërthimi i pëllëmbës
të saj e thirri porsi i shkrehur:
-Zhduku, djall Lilinova!
Lilinova ngau makinën si e çmendur, fishkëllimat e gomave përcëlluan parkingun dhe atij i shkoi ndërmend se atë natë ajo do të bënte aksident. Ndërkohë që përgjoi zhurmën karakteristike të skarpamentos të makinës, shkuli nga jaka e këmishës stemën e Aleksandrit të Madh dhe ia lëshoi zemërimin natës së nxehtë:
-Kokën hëngërsh, kurvicë e djallit!
E shoqja pranoi se kishte vjellë dy herë në banjën e restorantit dhe iu lut të ndalonte makinën. Ishte hera e parë që e shihte të shpërfytyruar nga alkooli. Mbi pëllëmbën e ashpër të dorës, të asaj dore që një orë më parë kishte goditur kolonën, ajo mbështeti ballin dhe volli; damari femëror dënkiste fort.
-Kjo është jot shoqe. E bukur, ndjellëse dhe padrone, - i tha vetes ndërsa ajo rënkonte e villte.
Atë çast u ndërmend se në short i pati rënë një femër që të ndjell ta dashurosh, por njëkohësisht edhe ta urresh.
(sipas librit me tregime DEMONËT BËJNË SIKUR FLENË publikuar në Lulu . com 2019)
Yorumlar