top of page

BANJA E PËRGJAKUR*


Resmi Osmani

Novele

BANJA E PËRGJAKUR*

I

Era nga brigjet e Thrakës frynte me tërbim. Nata ishte e zezë pisë.Rrufetë shkrepëtinin rrafsh mbi ujërat e detit dhe bubullimat përzieheshin me rrokopujën e dallgëve. Anija e mbretit Agamemnon e rënduar nga plaçka e luftës hepohej sa majtas- djathtas, zhytej mes dallgëve dhe prapë ngrihej duke kërcitur dhimbshëm. Velat ishin çjerrë e leckosur dhedirekët ishin thyer. Timonieri nuk e drejtonte dot. Ishin në mëshirë të Zotave. Ishin nisur nga brigjet e Helespontit dhe kishin marrë udhën e detit për tu kthyer në shtëpi. Ky kthim ishte si një ëndërr dhe secilit i gufonte zemra që do të kthehej në atdhe pas aq vite luftrash, gjaku e djerse, në shtëpinë e dashur,te prindërit, gratë dhe fëmijët. Por zotat kishin marrë mëri. E drejta ishte tepruar dhe tempujt ishin dhunuar. Ata për ndëshkim kishin dërguar stuhitë, rrufetë e bubullimat, ishin bashkuar zjarri dhe uji, për tëshfarosur flotën e Argosit. Fatkeqësia u ngrit në formë shkulme e dallgësh. Anijen me anije e përplaste era. Tërbueshëm, nën rrebesh dhe kamzhikun e tufanit, anijet silleshin rrotull si kuaj të verbër dhe në humnerë zhdukeshin. Uragani kishte trazuar detin, errësuar qiellin dhe në natën e zezë e kish shpërndarë flotën e akejve, siç shpërndan gjeratorja e erës një tufë gjethe. Ku gjendej tani Menela trimi, me gjithë Helenën? Po Odise dinaku dhe mbretërit e prijësit e fiseve të tjerë? Askush nuk mund ta dinte. Askush nuk kishte kush t’ia thoshte në këtë natë blozë të zezë, mbi ujërat e detit tallazshumë, të pushtuar nga tërbimi i erës së Thrakës.

Troja kishte rënë. U deshën dhjetë vjet trimëri e gjak dhe një ditë dinakëri që qyteti të rroposej nën hi. U vra Hektor trimi nga dora e Akil Fatosit, Paridi, ngashnjyes e bukurosh, vrau Akilin e Mirmidonëve, me një shigjetë në thembër, aty u vra Ajaksi i Telamonit dhe sa e sa trima nga lulja e akejve. Mbreti Priam u vra dhe ra përmbys në gjakun e tij mbi pluhur. Mirë t’i bëhej se i lëshoi të bijtë azat si kuaj të hazdisur. Dheun kafshoi edhe Paridi, shkelësi i zakonit të mikut dhe tryezëdhunuesi, Helenërrëmbyesi. Menelau mori gruan e rrëmbyer, Helenën, bushtrën, bishtdredhurën, që qante me lot të hidhur, që t’u këpuste shpirtin, gjoja e penduar për gjëmën që shkaktoi. Qante për grekë e trojanë. Eh, lot gruaje! E rrente mendja Menela Brinarin se pas asaj ploje, do të gjente sërish lumturi. Sa herë që do të flinte me të, Helenës në sytë e mendjes do t’i fanepsej Paridi, i bukur si trandafil i bardhë dhe do t’i dukej se ai flinte në brinjë të saj.

Thesari u grabit. U nda plaçka e luftës. Pjesa e mbretit ishte e pasur në ar e xhevahire, argjend, bronz dhe enët e bakrit, mrekullisht punuar që feksnin si flaka vetuese. Por plaçka më e shtrenjtë e luftës që i ra në pjesë, ishte një vashë, e pashoqe nga bukuria dhe mençuria, bija e mbretit Priam, Kasandra.

Kështu përfundoj ajo luftë dhjetëvjeçare: Kështjella dhe pallati mbretëror të rroposur, të vëna në zjarr e flakë, mizëria e të vdekurve, gjaku që u derdh lumë dhe qindrat e skllevërve. Këtë luftë e bëri ai, Agamemnoni, biri i Atreut, sunduesi i Argosit, zot i Mikenës, krenaria e Akejve. Tani ai po kthehej në shtëpi, të gëzonte në paqe gruan, fëmijët, gjënë e kamjen.

Aty pas mesnate era prajti e nuk vërshëllente më si gjarpër pas litarëve. Lëkundjet e anijes u zbutën. Dëgjoheshin urdhërat, komandat dhe zërat e detarëve. Ndoshta Zotave u kishte rënë zemërimi. Fati i kishte kursyer dhe nuk i la t’i përmbyste në fund të detit dallga, as t’i përplaste pas shkëmbenjve. Në kthinën e mbretit, kandili me vaj që cërriste duke u djegur, me flakën e vogël që luhatej, hidhte hije dhe bënte një dritë të mugët. Në shtratin e ngushtë, në krye të tij, ulur mbi shtresat, Robina fisnike,bija e mbretit Priam Kasandra, kishte mbledhur gjunjët pranë gjoksit. Ajo i kishte lidhur me të dy duart dhe e kishte ulur kokën mbi ta. Flokët e bukur, të zez e të rëndë i mbulonin fytyrën. Ashtu symbyllur, ajo ishte në tjetër botë dhe u drodh kur Agamemnoni i vuri dorën mbi sup. I mbushur me zëmëratë e mllef nga prapësitë e motit, kur pa vajzën e bukur, ai ndjeu thirrjen e instiktit mashkullor që vinte së brendshmi, nevojën të çtendosej, të shkrifte trupin dhe të gjente njëfar prehje, nëse vërtet mund të kishte prehje. E ngriti para duarve, e shtriu dhe bëri me të seks të egër, shtazor e të vrazhdë, me tërbim. Ia dërmishi mishrat dhe ia shtrëngoi eshtrat sa i kërcitën. Të puthuarat ishin si ca kafshime të jargosura, të shoqëruara me gulçe e rënkime. Nga era e firomës, që kundërmonte verë, hudhër dhe pastërma asaj i erdhi për të vjellë. Ishte si një përdhunim. Ajo heshti, iu bind, ishte robinë e tij. E duroi, por e dërrmuar dhe e poshtëruar qau me lot të hidhur. Agamemnoni u shtri brinjë saj në shtratin e ngushtë dhe s’kaloi shumë që e zuri gjumi. Gërhiste si derr, aq sa dridheshin muret e kthinës së anijes.

Kasandra qëndroi ndenjur. Edhe në gjumë pamja e mbretit të grekëve ishte e egër. Po të donte ajo mund ta vriste, që të lante gjakun e gjithë familjes së saj të gjorë që në gjak u shua. Ja ku ishte thika majëmprehtë. Mund t’ia ngulte në grykë, te gabzherri. Ai do të pingërronte si derri kur e therin dhe do të mbytej në gjakun e tij të nxirë nga vreri i zemërimit. Shpirti I tij do të zbriste në Had. Jo. Ajo nuk do ta vriste. Nuk donte të bëhej vrasëse. Ai vdekjen e kishte me vete. Pelerina e mbështillte si qefin. Le të shkonte në shtëpi. Aty e priste e thëna.

Sado e mbështjellë me shkorsën e leshtë, nuk po gjente ngrohtë. Gjumi ishte arratisur. Ajo ishte si një det pikëllimi, pa prehje dhe valët e së keqës vinin së thelli. Shpirt helmuar, fati e kishte kallur në vorbullën e së keqes, midis dy mokrave, që i bluanin trup e shpirt. Vuajtja s’po kishte fund. Sa mirë që kjo anije të vidhisesh në katakombat e detit, jeta të fikej, por siç duket Poseidoni, që i tallandisi në shkulmin e egër të dallgëve, po i kursente për një short më të zi. Nuk i kishte mbetur gjë tjetër veç të mendohej, të shihte në pasqyrën e shpirtit e të mëndjes jetën dhe fatin e saj fillim e fund. Mendimet ishin të pështjelluara, të rrëmujshme, pa rend, si një ëndërr e makthshme, ku gjeratorja e fatit përsillte që nga honet e thella ngjarje marramendëse, ku shfaqeshin me një dritë të fortë verbuese vullnetet e epërme dhe ato njerëzore që formonin zinxhirin e ngjarjeve. Shfaqeshin dhe fshiheshin shpirtra e fytyra të dashura e të urryera, por që tashmë të shumtit s’ishin më. Ajo ishte viktimë e bukurisë së saj. E keqja mund të vijë edhe nga e mira. Ende vashë e re, e hajthme nga shtati si selvi e re në rritje, me freskinë e zambakut, bukurinë e trandafilit, hijeshinë e mëngjesit pranveror, me kaltërsinë e qiellit në sy, hojet e mjaltit në gjuhë dhe këngën e zogut në buzë, në malin e Idës, te burimi iu shfaq djaloshi i ri i bukur si hyjni,si një bari që ruante grigjën, me harkun dhe kukuren e shigjetave në sup. Ishte Apoloni, biri i Zeusit i bukur dhe i hirshëm. Ajo mbeti pa fjalë dhe e kaploi një topitje dhe ligështim i ëmbël i zemrës. Ishte një dashuri e perëndishme. Lodruan dhe u deshën, si në jerm e me dalldisje mes luleve të livadheve, burimeve, zefirit flladitës dhe dritës lbyrëse të diellit. Oh, aq i dashur, aq i ëmbël! Por ajo e shmangu, nuk iu dha. Ai i mësoi profecinë, të parashikonte, të shihte me sytë e mendjes dhe të ndjente me zemër e me shpirt atë që do t,u ndodhte njerëzve. Por, të epërmit nuk deshën që kjo lumturi të zgjaste. Në mes u hyri Afërdita ziliqare, afshndezur, e pa nginjur me dashuri dhe ajo me padëshirë i doli fjale dhe e braktisi Apolonin. Ai u dëshpërua, nuk e fali. Për hakmarrje e dënoi që profecitë e saj të vërteta të dukeshin si të rreme dhe të mos i besonte askush.

Ashtu edhe ndodhi. Për të ky ishte mjerim i vërtetë, që i dyzoi mendje e shpirt. Ajo ishte si një qyqe, që askush nuk ia dëgjonte këngën e përvajshme. Kur erdhi nga Sparta Paridi me Helenën e rrëmbyer, ajo paralajmëroi gjëmën që do të ndodhte, si shkak i shkeljes së zakonit të mikpritjes, i përdhosjes së banesës, i thyerjes së besës, gjakun që do të derdhej dhe zezonën që do të shkaktohej nga bukuria dhe dashuria e asaj gruaje burrëbraktisëse, prandaj Paridi duhet ta kthente te i shoqi, Menelau, që ishte mbret i Spartës. Askush nuk ia vuri veshin. Zëri i saj qe si jehonë në shkretëtirën e mosbesimit. E pranuan si nuse të familjes mbretërore dhe ndodhi ajo që ndodhi. Mbi Trojën hyjnore u derdhën gjithë fiset dhe mbretërit e Greqisë. Dhjetë vite luftë, rrethim, sulme, jetë të shkymura, heronj e fatosë të vdekur.

Ajo paralajmëroi se barku i kalit të drunjtë , që akejtë e lanë si dhuratë para portës, ndërsa u nisën gjoja për të ikur, do të pillte vdekjen e Trojës. Akejtë kishin dhuruar mortjen. Donin të arrinin me dinakëri atë që nuk e arritën dot me trimëri. Përveç të vëllait Laokontit, atë askush nuk e dëgjoi dhe kalin e përbindshëm e futën brenda mureve të qytetit.

Medet, medet për atë gjëmë! Ajo pa sesi Neoptolemi mizor e gjakësor, biri I Akilit, shkoi në thikë atin plak, mbretin Priam, që ishte strehuar në tempullin e Zeusit dhe nënën Hekubën. Pa sesi iu vranë vëllezërit, pastaj fillikat e lemerisur për ti shpëtuar mizorisë u fsheh në tempullin e Atenës. Aty e gjeti Ajaksi i Ojleut. Ah sa mirë do të kishte qenë ta kishte vrarë, por më keq, ai e rrëmbeu në krah si ujku shqerrën dhe e përdhunoi egërsisht në altarin e Atenës, si të donte të turpëronte gjithë gratë e Trojës. Kur si robinë e shpunë në lëmin e akejve, ajo pa të motrën Poliksenin, që e therën te murana e varrit të Akilit, ngaqë ajo u dashurua prej tij. Dashuria dhe vdekja janë motra binjake. Kur u ndanë robinat si plaçkë e luftës, ajo i ra në pjesë Agamemnonit dhe ai e pëlqeu për hiret dhe bukurinë, ndërsa Andromakën fisnike të Hektor trimit e mori për grua Neoptolemi. Ajo pa sesi zjarri dhe flakët shkrumbuan qytetin, tymi mbuloi diellin dhe muret u gremisën. Ishte si botës t’i kishte ardhur fundi. E përhumbur në këto vegime e zuri gjumi, që është i pushtetshëm si vdekja, i mbërtheu qepallat dhe ajo ra në honin e tij të harresës.

II

Nata e zezë dhe e stuhishme polli ditën e bardhë e të paqtë. Agamemnoni doli në kuvertë. Lindja kishte nisur të kuqëlonte, por agu ende s’e kishte pasqylysur syprinën e detit. Ajo që i panë sytë ishte llahtari: mbi dallgë pluskonin partallat e anijeve të shpartalluara nga stuhia, vela, direkë, pajorë dhe ushtarë të mbytur, që dallgët i hidhnin e i prisnin. Mbi arën e detit ishte mbjellë fara e vdekjes. Fatzeztë, mendoi Agamemnoni. Kishin shpëtuar nga furia e luftës, nga prerja e hekurit të shpatave dhe kafshimi i majave të shtizave dhe shigjetave, kishin luftuar trimërisht, por ja ku e kishin pësuar nga zemrimi i detit, një armik që s’mundej dot dhe lulja e ushtrisë së Akejve ishin kthyer në ushqim për peshqit. Anija e tij ishte fillikat, velashqyer, direkthyer, si një trup i vrarë e i vdekur në atë shkretëtirë ujore të frikshme e armiqësore, që ishte bërë varri i flotës mbretërore. Në largësi, të hapërdara, shquheshin edhe disa anije. Po të tjerat? Të qenit e tij gjallë ishte dëshmi e mëshirës dhe dashurisë së ndonjërit prej Zotave. Tashmë rruga për në shtëpi ishte e hapur.

Agamemnoni, i pështjellë me mallotën e leshtë, eci duke u hepuar dhe qëndroi te bashi i anijes, që kishte formën e qafës së mjellmës. Sakaq u afruan truprojtësit dhe kapiteni Harilao. Në kuvertë nisi gjallëria

-Mbreti im, presim urdhërat e tua, - tha ai.

-Bëje gati anijen që të kthehemi në shtëpi.

Zdrukthëtarët rrokën sëpatat,sharrat e sqeparët, ashklat e drurit dhe tallashi u shpërndanë gjithandej. U ngrit e u vendos direku, u shtrinë dhe lidhën konopët, u sajua vela e madhe dhe vela trekëndore e bashit. Si vuri njerëzit në punë, Harilao shkoi e zuri vend që t’i bënte shoqëri mbretit. Nuk ia shqiste sytë detit Egje, që ishte kthyer në banjë vdekje.

-E gjithë kjo për një grua,- tha ai si t’i fliste vetes.

-Për një grua, por jo edhe vetëm për një grua, - tha Agamemnoni enigmatik si të mos donte të zbulonte misterin.

- Kështu ngjau. Erdhi Paridi, një natë mik te Menelau. Si princ me gjithë të mirat u prit, por zakonin e mikpritjes shkeli dhe zonjën e rrëmbeu. Ngashnjeu atë bushtrën e pabesë, që kish patur edhe burra të tjerë. Helena, guxoi atë që nuk guxohet, pa menduar për pasojat e për në Trojë fluturoi. Im vëlla, teveqeli, që të madh e ka trupin dhe forcën, por të pakët mendjen dhe gjykimin, shumë e donte gruan, paçka se i vuri brirë. E ndoqi por nuk e arriti anijen e saj era e mbarë përtej detit e përcolli. Për të ra në hidhërim të madh, e piku malli. Si të mos kishte gra të tjera, rrinte në një qoshe i çnderuar, për t’u dhimbsur e mishëruar, pa nxjerrë nga goja sharje apo fjalë kundër saj. Edhe pse e ikur përtej detit, si ndonjë fantazmë, ajo kthehej dhe hija e saj sundonte pallatin e tij. Ashtu e gjeta Menelaun kur shkova. Për tu dhimbsur e vajtuar dhe vendosëm bashkë që edhe me prijsat e tjerë të akejve, të shkonim për t’u hakmarrë ndaj besëthyesit dhe besëqënen Menelaut t’ia kthenim në pallat.

- Dhe, imzot, dhjetë vite luftë. Tremijë e gjashtëqind ditë, njëqind e njëzet hëna të ndërruara, ditë e netë të ftohta, me shqotë e acar, zheg e përcëllime! Prindërit, gratë e motrat atje, në Argosin e dashur, u harruan fytyrat djemve, burrave e vëllezërve. Në vend të tyre nga Troja mizore u shkonte një arkëz e lehtë me hi që mbante zi të rëndë. Dhe ata thoshin: “ Eh për një grua shkoi e u vra, një grua që s’e kish asgjë” . Dhe dhimbja plekset me urrejtjen për ata që në atë luftë i dërguan. Është ndoshta edhe pezmi i të vdekurve të pafajshëm, që zgjohet për të sjellë papritur zi të re e kobe, në këtë kthim, kur s’jemi veç një ditë udhë larg shtëpie.

- Jo vetëm për një grua,- përsëriti mbreti. - Harilao, të dija më të mençur. Edhe po të mos ishte ajo kuçka, Helena, ne do të gjenim një shkak për të mësyrë Trojën e dardanëve të Priamit. Argosi, Sparta dhe gjithë Atika, janë të thata, kanë më shumë gurë sesa tokë, kullotat nuk mjaftojnë për gjënë e gjallë. Polemi është shtuar. Akejtë s’i mba më vendi i tyre. Matanë Helespontit janë hapësirat pa fund të Azisë së Vogël. Troja ishte pengesa. Rënia e saj na e hapi rrugën për begatitë dhe tregjet e atyre vendeve. U derdh shumë gjak, por plaçka e luftës, ari dhe skllevërit mënjanë dhe ndëshkimi për besëthyerjen në anën tjetër e vlejnë. Burrit i ka hije të vdesë më mirë në fushë të luftës e për të aedët të këndojnë këngë, sesa jeta e tij të shuhet si kandili pa vaj në shtratin e shtëpisë.

Teksa mbreti ishte duke folur, si hije haplehtë e bukuri pikëlluar, u afrua Kasandra, që i dëgjoi fjalët e fundit të Agamemnonit. Ai i bëri vend pranë vetes por ajo nuk u ul.

-Medet, medet! - rënkoi ajo.- Ç’është kjo që po shoh? Si s’u verbuan këta sy, që veç dhjetë vjet s’shohin tjetër veç gjak, vdekje dhe çurk derdhin lotë. Kjo gjëmë e zezë, nisi kur erdhi në Ilion Helena: e qetë,e kthjellët si vetë paqja, si një gur I çmuar për thesar, si një plagë e ëmbël për çdo sy, lule me epsh që deh çdo zemër. Dhe u bë dasma e hareshme. Atë dasmë zhurmëmadhe të Paridit dhe Helenës së rrëmbyer, ku vëllezërit e mi gazmend si krushq ogurzi, festonin e këndonin, nuk vonoi që Zeusi mbrojtës i mikpritjes, për shkeljen e besës e ndëshkoi. U luta e u përgjërova, me ah e oh, me vaj e me lot, që nusen ogurzezë e kobmadhe mbrapsht ta kthenin, por për mallkimin tim askush nuk më dëgjoi. Nuk mënoi, që pas dasmës, këngët u kthyen në vaj, si nëmë për dashurinë ogurzerzë dhe para mureve të Ilionit, fund nuk kishte ploja dhe gjaku i derdhur. Nisi në një pallat mbretëror dhe në një pallat tjetër do të mbarojë!

Dielli u ngrit në lindje, deti ndriti, nisi të fryjë zefiri. Anija lëkundej lehtë mbi valë. Mbreti dha urdhëra të shpejta, që anija për lundrim të gatitej. Harilao me kërbaç në dorë u turr mbi rremtarët. Velat duheshin ngritur, ishte koha për t’u nisur.

-Princeshë e bukur. Sado me dhunti profetike, ti s’mund t’i dish të gjitha, por meqenëse të kam përzemër dhe e imja përjetë do të jesh, dëgjo se ç’do të them: Në Aulidë u mblodhën njëmijë anije. Ishin atje Odise dinaku, Akil trimi, Mentor dijeshumi, Ajaks divi dhe lulja e trimave të akejve. Prisnim të niseshim, por frynte era e kundërt e Strimonit. Anijet përplaseshin, velat griseshin. U shfaq uria dhe ushtrisë i humbi durimi. Rinia helene nisi të squllej e të humbte vrullin. Pyetëm falltarin Kalkant. Na tha se zotat kërkonin një fli njerëzor, nga prijësi i ushtrisë, një pjestar të familjes mbretërore. Nga tri vajzat e mija, shorti i ra Ifigjenisë, që ishte lulja më e bukur e kopshtit tim dhe veç të tjerave e doja. I egër ishte ky fli i vajzës. Si ta çoja gëzimin e shtëpisë në altar të flisë? Me gjak virgjëreshe të skuqja duart? Kështu ishte e thëna: të vritej vajza që të nisej flota, t’i ndihte një ushtrie që të rikthente një grua të ikur. Me gjak po nisej ajo luftë. E lemerisur dhe e tromaksur ishte vajza, po as lutjet e saj, as mosha njomzake prej vergjine nuk i prekën zemrat e krerëve të ushtrisë. E kam në sy si të kishte ndodhur dje: e sollën në altar, si një drenushë të mbështjellë me vel dhe që të mos mallkonte, se mallkimi i të pafajshmëve të ze, gojën ia kishin lidhur me çember. Veç në sytë e saj kishte tmerr lutje e llahtar, por koka iu pre mbi altar. Zemra ime u ngurtësua si gur. Flijova gjënë time më të shtrenjtë, dhe nuk mund të mos kërkoja që çdo prijës apo ushtar të bënte për atë luftë fli qoftë edhe jetën e vet. Por më i rëndë se për këdo, ky flijim I gjakshëm ishte për zemrën e nënës, Klitemnestrës. Flija e paligjshme, grindje solli në familje. Zonjë shtëpie në pallat vjen e bëhet hakmarrja, që mos qoftë e thënë shpagim për fëmijën e vrarë të kërkojë. Nuk vonoi dhe era fryu së mbari dhe flota për në Ilion u nis.

Agamemnoni tha këto dhe heshti. Shpirtrazimi nga kujtimi ishte dërrmues. Që nga ai altar, gjaku rrodhi si lumë e më nuk u ndal, sa skuqi det e stere. Ishte bërë ajo që ishte e thënë! Të thënës nuk I shpëtojnë dot as perënditë!

-Dhe kështu ra Troja,- tha Kasandra si t’i fliste erës,- Barku i kalit polli vdekjen. Një palë humbës të rënë përtokë, në hi, pluhur e baltë, në zjarr e flakë, plagësh përgjakur e mbanë syresh pleq, gra e fëmijë, që hiqnin zvarrë kufoma burrash, që dikur ishin etër të lumtur dhe rënkim të thekshëm nxjerrin për të vdekurit. Në krah tjetër fitimtarët hakmarrës, nga furia e vdekjes të pushtuar, që vrasin, dhunojnë , grabisin e plaçkisin, brohorisin e festojnë. Por dijeni, ai që shkak u bë që gjaku të derdhet si lumë, ditë e natë nën sy hyjnish është në përgjim, derisa të japë shpagim. Se krimi pjell krimin dhe vrasja vrasjen si ndëshkim. Mallkimi shkon nga etërit te bijtë dhe gjaku ndjell gjakun….

-Boll më!- u hakërrua Agamemnoni, - Nga ajo gojë e bukur s’dua të dëgjoj fjalë të shëmtuara që përgjakin bardhësinë e kësaj dite. Në pallatin mbretëror po shkojmë për të festuar fitoren e jo për të vajtuar humbjen.

Gatitjet kishin përfunduar. Rremat llapashitën ujin, zefiri fry velat dhe anija shkau drejt perndimit, duke lënë pas një hulli uji shkumëbardhë.

Harilao,që kishte vite në shërbim të mbretit,vërejti se me vështrimin drejt perëndimit, ku gjendej Argosi i dashur, ai ishte i vetpërmbajtur, i ftohtë, s’e jepte veten. Nuk ishte shtatmadh si Menelau, por krenar. Shpirti dhe zemra e tij ishin të hekurta, gjykimi i hollë, fjala kumbuese, plumb e rëndë dhe me çdo veprim ngjallte besim e shpresë. Flokët e gjatë dhe mjekrën ia merrte era. Fytyra i ishte ligur si pas një lëngate. Ndër grekët,kishte që ishin edhe më trima se ai, por burrë prijës, të rrepte, të vendosur, urdhërues,vullnetpathyer e komandues, asnjë si bëhej shok, ndaj akejtë e zgjodhën të parin e tyre.

Harilao deshi të hapte një bisedë të këndshme.

-Mbretëreshën duhet ta ketë pikur malli,- tha Harilao dhe e pa mbretin me çapkënllëk, por e kuptoi që gaboi, kur vërejti nënqeshjen e hidhur të mbretit.

-Lere fare atë bisedë,- i tha Agamemnoni në mënyrë kuptimplotë,- Të mos flasim për të.

“Eh,Klitemnestra, - mendoi ai,- S’ishte nga ato që e merrte malli.

E bukur në pamje por demon në shpirt, krenare për fisin nga lisi i tamlit dhe lisi i gjakut , një grua me zemër burri, ajo kërkonte, por nuk falte dashuri. Donte ta ledhatonin, por jo të miklonte, kërkonte ta nderonin, por askend nuk respektonte, ta lavdëronin, por jo të vlerësonte. E tillë ishte ajo, por burri ka nevojë për grua dhe jo për padrone. Ai kishte ndjerë më shumë prehje dhe dashuri në tendën e fushimit me Briseidën dhe robina të tjera, sesa me Klitemnestrën në shtratin martesor. Prandaj në këtë kthim, nuk ishte Klitemnestra, që i falte gëzim, por toka e dashur e Argosit dhe pragu i shtëpisë atërore.

III

Në pullazin e pallatit mbretëror, qyshkur ushtria ishte hedhur përtej detit, që me armë ta zgjidhnin sherrin, kishin ngritur një karakoll, ku ditë e natë ngrysej e gdhihej vigjëluesi. Në zhegun përvëlues apo thëllimin e acartë, atje gdhihej duke numëruar yjet dhe atje ngrysej duke numëruar perëndimet. Ishte flokë e mjekërzi, kur u vu të vigjëlojë dhe krejt i thinjur ishte tani. Si rruaza dhembë e dhëmballë i kish, si bedenat e kalasë të rralluar tani. E çonte jetën si qeni i lidhur në zinxhir. Sytë ditë e natë të ngulur mbi majën e kodrës së Araknes, pret shenjën e një pishtari, i cili i nisur nga mali i Idës, kodër më kodër,ujdhesë pas ujdhese,mal pas mali, duke përshkënditur e çarë terrin në largësi, flaka do t’i fliste flakës dhe do të jepte lajmin e gëzuar se Troja ra.

Dita ishte ndaj të aguar. Vigjëluesit iu meh fryma dhe vuri dorën në zemër. Fërkoi sytë. Mos vall po shihte një vegim, një ëndërr me syhapët? Jo. O Zota të Olimpit! Ishte vezullimi i flakës së fitores që prej dhjetë vitesh prisnin që ta shihnin. Drita lajmbardhë kishte çarë terrin. Ai do ta jepte lajmin dhe shpërblesa e pasur do të ishte nga bujaria e mbretëreshës.

-Ohej! Ohej! Mbretëreshë Klitemnestra, po të thërres që shpejt të çohesh prej shtratit dhe me klithma gëzimi t’i përgjigjesh flakës së zjarrtë që thotë se Ilioni ra.

Ai po thërriste si i marrë sa u ngjir, s’e mbante më vendi dhe ai vraponte nëpër terracën e gurtë të pallatit.

Në pullaz u ngjit Klitemnestra me Egjistin. E kapur nga befasia, u çua shpejt nga shtrati i ngrohtë, tok me dashnorin, flokëlëshuar, hedhur supave një pelerinë. Sa e kishte pritur këtë lajm! Dhe ja, kishte ardhur papritur! Flaka e ushqyer nga drutë dhe era, si një sy i zjarrtë ndriste mbi kodër të Araknes.

-Egjist i dashur. Shihe dhe ti që t’u besojmë syve. Ky agim, mëngjes të mirë pastë për bir! Lajmi që sjell kaptoi çdo shpresë: qytetin e Priamit tanët morën.

Lajmi sakaq u hap në gjithë Mikenën. Paria dhe aristokracia u mblodhën në Agora. Qyteti gumzhinte. Nuk flitej tjetër veç për fitoren.

-Shko, festo dhe gëzo !- I tha mbretëresh vigjëluesit,- Detyra jote me gëzim mbaroi.- Dhe i vuri në dorë një qese plot monedha të arta.- E varfër është kjo shpërblesë ndaj mundimeve që ke vuajtur dhe shkëlqimi i arit i zbehtë ndaj shkëlqimit të fitores.

Vigjëluesi zbriti rrufeshë shkallët. Në oborrin e pallatit e pritën si hero dhe me brohoritje.

Pleqtë e këshillit mbretëror, të thinjur e të mbështetur mbi shkop, që për ta ishte si këmbë e tretë, prisnin të zbriste Klitemnestra. Ata ende nuk besonin te mrekullia dhe prisnin fjalën e saj. Kur ajo zbriti nga pullazi, ata iu mblodhën rrotull.

-Ç’po thuhet,mbretëreshë? Veshët s’po duan të na besojnë.

-Grekët e morën Trojën. A flas qartë?

-Po kur ushtria jonë hyri në Trojë?

-Ja,këtë natë që polli këtë mëngjes.

-Po kush vallë që së largu kaq shpejt e solli lajmin?

-Hefesti që nga Ida dërgoi flakën. Besoni, gëzohuni! Të rinjtë të këndojnë e të hedhin valle, se etërit në atdhe po u kthehen!

Klitemnestra nuk e shpërndau polemin. Le të gëzoheshin. Pas çdo hidhërimi vjen një gëzim dhe pas çdo gëzimi një tjetër hidhërim. Muret e këtij pallati kishin ende shumë për të parë e për te dëgjuar.

Thirri kujdestarin e pallatit dhe dha porosi që nga qilaret të nxirnin vaj të mirë ulliri, që të ushqenin zjarret e altarëve të flive. Altaret e tempujve të mbusheshin me dhurata, statujat të ndriçoheshin me pishtarë e zbukuroheshin me kurora dafinash, që perënditë të zbusnin hakmarrjen e Erinive, që rrinin të fshehura në skutat e pallatit. Në tempullin e Zeusit,të Atenës, Hermesit dhe Apolonit, kori i grave të këndonte ditirambet e perëndishme dhe brohorimat ogurmira, sa të dukej sikur gjithë qyteti mërmërinte hareshëm për lajmin e mirë.

Klitemnestra me Egjistin u mbyllën në tempullin e Erinive. Ajo i mori dorën në të sajën, që i dridhej nga vrulli i gjakut që zemra e tronditur pulsonte.

-Egist i dashur, që m’u gjende në netët e gjata të vetmisë e me mua ndave shtratin. Si balsam ishe ti për zemrën time të lënduar dhe mjaltë e ëmbël dashuria jote. A më do sa të dëshiroj edhe unë? Mbreti po vjen. Edhe muret kanë sy e veshë e se çfarë kanë parë do t’i thonë. Po me ne ke menduar se çdo të ngjasë ? Ai s’është nga ata që falin.

Në vend të përgjigjes,Egisti i bëri një pyetje të çuditshme:

-Si është në shtrat Agamemnoni?

-Kur kujtohet, si hamshor, i ashpër e i vrazhdë. Nuk di të japë dashuri. Jemi si vaji me ujin. Shpesh ai zuzëronte me vajza të reja. Të njëjtën më ka thënë edhe Helena për Menelaun. I madh, i fuqishëm por i vrazhdë kallp e kaba. Më së shumti ai e donte atë si një stoli për pallatin, por ajo është krijuar për dashuri. Të qe ndryshe ajo s’do ta braktiste atë për Paridin e bukur e të ëmbël, zambakun e bardhë të Trojës, që në shtratin dashuror diti të zbresë për të yjet dhe hënën.

-Po unë,si jam?

-Vogëlush, mos u llasto. Të dua shumë dhe…

-Dhe?

-Nuk rri dot pa ty. Kjo është e vërteta. Agamemnoni më bëri katër herë nënë, të ndjeja dhimbjet e hidhura të lindjes, kurse ti më bëre të ndjehem femër e më mbushe me dashuri. Është edhe kjo një nga arsyet përse ai gjaksori, katili, zemërguri, vrasësi gjakftohtë i sime bije, duhet të shpaguaj krimet. Gjaku kërkon gjak dhe jeta e shuar një tjetër jetë. Agamemnoni duhet të vdesë!

Më pas, se çfarë thanë dhe çfarë vendosën ata të dy, vetëm Erinitë, që përgjonin skutave, ato bushtrat gjaksore të hakmarrjes e dinin.

Kur qyteti gazmonte nga hareja, si për t’i vënë vulën, erdhi duke vrapuar e dihatur lajmësi i mbretit, me kurorë degësh ulliri kokën kurorëzuar. Ai ra më gjunjë dhe puthi pragun e pallatit:

- O vend I lindjes së tim eti, tokë e Argosit, atdhe i shtrenjtë, pas dhjetë vjetësh të shoh ty përsëri dhe vij të të them:Troja ra. Pallat i mbretërve të mi, ngrehinë e shtrenjtë. Mbreti po vjen, fytyrëqeshur! Priteni mbretin fitimtar, që për kaq kohë të gjatë Argosit i ka munguar! Priteni ashtu si i takon rrënuesin e Trojës.

Lajmësi u ngrit dhe u përul para mbretëreshës.

- I lumtur qofsh lajmës i mbretit të ushtrisë greke! - I tha ajo.

- I lumtur jam edhe sikur të vdes, - qe përgjigja.

-Më mjafton vetëm lajmi që solle. Nga mbreti vetë, gjithçka do të mësoj, mezi pres që ta takoj, ta pres siç e meriton burrin-sovran. Më e lumtur për një grua ç’gjë mund të jetë se dita kur t’i hapë portat burrit, që atje në luftë zotat e shpëtuan?. Nisu lajmës dhe ia thuaj burrit tim këto. Gruaja besnike dhe e dashur, nëna e fëmijëve të vet ashtu siç e la, ashtu po e pret. E pret qyteti, e presin shtetasit , e pret argosi. Le të nxitohet!

IV

Anija velagufuar nga era e mbarë e lindjes, si të ndjente aromën e brigjeve notonte si një peshk i stërmadh. Timonieri e drejtoi për nga skela e veriut, aty ku niste rruga për në Mikenë dhe pas manevrave të kujdesëshme, e mbështeti te bankina e drunjtë. Hodhi konopët që detarët e bregut i lidhën, pastaj urën për të zbritur në stere. Aty i prisnin qerrengasi i mbretit, Aristandri, me tre kuaj mbrehur në koçi dhe një tjetër karro për Kasandrën. Karvani I mushkave priste të ngarkonte thesarin e pasur.

Agamemnoni e zuri Kasandrën për dore dhe zbriti nga Anija.

-Rroftë mbreti!- përshëndeti gjindja.

-Të rroni ju, të rrojë Argosi!- tha ai dhe ra në gjunjë,u përkul dhe puthi tokën, - Të përshëndes Argos, tokë e shtrenjtë, trashëgimi e vyer që të parët na e lanë e ne bijve tanë do t’ua lemë. U falem o zota, që fitoren më dhuruat dhe më ndihtë të kthehem në atdhe pas ndëshkimit që Trojës i dhashë!

Aristandri i zgjati dorën dhe Agamemnoni hipi në koçi. Kuajt turfullonin, hingëllinin dhe çukërmonin truallin me patkonj me padurimin për t’u sulur përpara. Kasandrën e hipën në koçinë tjetër. Ishte si të kishin hipur një statujë të ngrirë, me sy të akullt të ngulur diku në largësi. Rruga kalonte mes arave,vreshtave,ullishtave dhe lakohej anash kodrave të buta barmbuluara ku kullosnin grigjat. Kuajt ecnin me trok të shpejtë e prapa mbetej një vazhdë pluhuri që e shtynte era. Agamemnoni nuk nginjej me ato që shihte dhe vetëm tani që shkeli në vendin e tij, e kuptoi sesa e kishte pikur malli. Ai që nuk mallëngjehej lehtë, ndjeu së brendshmi ligështim dhe angështi. Në largësi u shfaq qyteti ngritur mbi kodër, me mure të larta rrethuar e tri porta për të hyrë. Rruga e gjerë kalldrëm shtruar, oshëtinte nga trokëllima e patkonjve. Mes dy mureve të larta, hapej “Porta e Luanëve” e gurtë, madhështore . Rojet u rane brirëve. U hapën kanatat e rënda nga dru lisi dhe koçitë hynë brenda qytetit. Në anën e djathtë ishin banesat e dinjitarëve dhe parësisë. Ata kishin dallë dhe po brohorisnin për ardhjen e mbretit. Pallati mbretëror ishte në fund në të majtë. Aty e priste mbretëresha Klitemnestra dhe pleqësia e këshillit mbretëror.

Agamemnoni u hodh me shkathtësi nga koçia dhe qëndroi para pritësve.

-Klitemnestër, bijë mbretërish dhe mbretëresha ime! Burra fisnikë të Argosit! Mirëse ju gjej! Zotat ma përmbushën misionin dhe më ndihmuan të kthehem në vatrën time. Tani veç tymi ngrihet atje ku ishte qyteti I Trojës. Era e vdekjes fryn mbi Iljonin e shuar. Nga kamja dhe luksi i saj të bërë shkrumb , hiri i vdekjes ngrihet lart. Ky ishte ndëshkimi, që i dhamë për grabitjen e asaj gruaje, që ishte kunata dhe motra jonë. Tani në pallat do të hyj dhe te vatra të përshëndes hyjnitë, që aq larg më çuan dhe më kthyen prapë këtu. Si edhe gjer më sot, fitorja ndjektë pas hapat e mija!

-Imzot e mbret!- nisi Klitemnestra zëdredhur, me duart të ndera përpara si një lutëse – Kam qarë sa më është shterruar burimi i lotëve, rrodhi dhe pika e fundit e s’mbeti më. Të shuar i kam sytë nga pagjumi, kur qaja veç për ty dhe midis vetmisë e heshtjes prisja më kot shenjën e flakës prej teje. Dhe ja ku erdhe. Tani pas kaq shumë makthesh e hidhërimesh, shpirtngazëllyer, unë mund të të them o mbret se ti je për ne si trari i pullazit nën shtëpinë e lartë. Ti je si toka që pas brengosjes sheh detari, si kthjellimi aq i ëmbël pas stuhisë, gurra ku etjen shuan udhëtari, si drita që çan errësirën, si shpresa që mund dëshpërimin. Fat të mbarë e të paerrësuar paç përherë! Prej teje larg qoftë cmira,mëria e njerëzve dhe e Zotave! Mjaft pësuam të liga e mjerime. Tani, i shtrenjti im, pa zbrit nga ajo karrocë!

Klitemnestra hodhi vështrimin nga Kasandra dhe nuk mundi të fshihte përbuzjen, mllefin dhe frikën që i shkaktoi pamja e asaj robine të bukur me atë shikim të ngrirë të syve si dy rruzuj qelqi.Teksa mbreti po bëhej gati të hidhte hapin për të hyrë në pallat, ajo e ndali:

- Jo i dashur! Ti nuk mund të shkelësh tokën e bekuar të Argosit me këmbët që ke shkelur tokën e mallkuar të Trojës. Shtroni qilimat dhe halitë e kuqe, shpejt!- urdhëroi ajo skllavet,- Se me të tepërt i kemi në depot e pallatit!

Pastaj ajo u kthye nga tempulli i Zeusit dhe mërmëriti : ” Nën këmbët e tij e purpurt si gjaku qoftë rruga dhe nëpër gjak e çoftë drejtësia, atje në atë shtëpi që është e tija , por ku nuk e presin! Zeus, o Zeus i epërm! Ti Zot i rrufeve, që vendos pë çdo gjë drejtësi , zemrës m’i jep fuqi, mendjes kthjelltësi e krahut fuqi! Dëgjoma lutjen dhe ç’kam ndër mend ta bëj, nxitmë ta kryej shpejt!”

-Mi hiqni sandalet shpejt nga këmbët,- tha mbreti,- Që kur të shkel mbi purpur ndonjë sy hyjnor me cmirë të mos më shohë.

Pastaj u kthye nga Klitemnestra dhe hijerëndë, me fjalë të shkoqura i tha:

- E sheh këtë të huaj? Është princesha Kasandra, bija e mbretit Priam dhe mbretëreshës Hekuba. Merre në pallat dhe sillu butësisht me të, se kush ëmbëlsisht e bujarisht sundon, zotat e duan. Askush se dëshiron fatin e skllavit, por asaj ai short i ra. Lulja e thesarit është kjo grua, dhurata që ushtria ma blatoi dhe që si manare e bindur më ndoqi pas, për të mirën apo të keqen e saj.

Klitemnestra i hodhi sytë me përbuzje robinës dhe një buzëqeshje e hidhur ia ravijëzoi fytyrën. “ Bashkë erdhët bashkë do të ikni, do ta kesh si dhuratë edhe për atë jetë”, - mërmëriti ajo.

Duke shkelur mbi qilimat e purpurt, i shoqëruar nga Klitemnestra, mbreti hyri ne tremen e gjatë të pallatit, që ndrinte e llapste nga qirinjtë e llambadhet. Në vatër ishte ndezur zjarri i bollshëm i ushqyer nga vaji i ullirit dhe ishte afruar froni ar stolisur, ku ai do të ulej që tu falej e lutej perëndive të shtëpisë.

-Sa tu falesh e lutesh perëndive që mbrojnë vatrën e shtëpisë, po shkoj ta marr “ lulen tënde të thesarit”, që pas të të ndjekë e fatin me ty ta ndajë.

Agamemnoni i mallëngjyer nuk vuri re nuancat tallëse të zërit dhe dykuptimësinë e fjalëve të saj.

-Banja e ngrohtë të pret, që pluhurin dhe lodhjen aty të lesh. Vetë me duart e mia tim zot dua ta laj, e me vajra erëmira trupin t’ia lyej. Sot jo mbretëreshë , por skllave e tij dua të jem!

Kur mbretëresha shkoi te porta, Kasandra ishte ende në karrocë. E ngrirë si një statujë, me sy të tromaksur ngulitur në tempullin e Apolonit, zotit që kishte qenë dashuria dhe ndëshkimi i saj. Në pamje të saj kishte veç tmerr e llahtar. E kishte pushtuar deliri i profecisë. Ndjente duhmën e vdekjes, të gjakut, rënkimet e të vdekurve të pafajshëm në atë pallat. Shihte hijet e tyre të përgjakura, shpatat dypresëshe, që mpreheshin, mynxyrën që gatitej të ndodhte e që do të bënte të dridheshin muret dhe gurët e atij pallati të nëmur. Mbreti do të shpaguante, brenda mureve të pallatit të tij, gjith krimet, plojen dhe mynxyrën që brenda mureve të Ilionit i shkaktoi. Kush ngre shpatën, nga shpata do të mbarojë. Me gjak do të lante gjakun e atit plak e mëmës mbretëreshë, motrave si drita dhe vëllezërve si petrita. Ajo e parashihte, por askujt nuk do t’ia thoshte. Pas tij si e huaj dhe skllave e pambrojtur, ende e re dhe jetën pa gëzuar, nga hakmarrja, xhelozia dhe urrejtja e kësaj gruaje gjaksore, nga goditja e kamës edhe ajo do te shkonte. Por Zotat shohin e nuk falin. Një tjetër do të vinte dhe hakën do t’ia merrte.

Klitemnestra u afrua dhe i tha:

-Kasandër! Zbrit nga karroca dhe tok me skllavet, shko brenda, në vatrën e altarit të shtëpisë, ku kafshët e flijimit veç thikën presin. Më dëgjon? Bëj si të thashë! Harroje kush ke qënë. Një skllaveje i takon veç të bindet. Më pret mbreti e kohë të tepër s’kam të bjerr me ty.

Klitemnestra zbriti nga karroca. Vegimet profetike s’i ndaheshin.

“ O hyj! Çpo përgatitet vall atje? Ç’mynxyrë e re te ky pallat gatuhet? Kjo bushtër e ligë, gjarpër me dy koka, që të shoqin e priti sot me gaz të shtirë e fjalë ëmbëlcake, në gjak atë e mua do të na mbysë. Oh ç’guxim! Gruaja po vret burrin-mbret!”

U nis për të hyrë në pallat, por ngadalsoi hapat: erë gjaku e vdekje mbante pallati. E dinte, e ndjente. Në këtë pallat - thertore dysheme gjakosur, ky për të dhe mbretin ishte fundi.

Banja ishte mbushur me avull. Dritat ishin të pakta dhe gjysmë mugëtira ndillte përgjumje dhe e shtonte misterin e prehjes. Nën ujin e ngrohtë fekste argjendi, që vishte hauzin. Në pezulet e mermerta ishin sfyngjerët,vajrat e parfumet, taset e artë për të hedhur mbi trup ujin dhe mbi nje stol bronzi, të palosura të linjtat e bardha kundërmuese.

Agamemnoni i zhveshur, hyri në banjë dhe u shtri. Ngrohtësia e ujit i prehu trupin. Qëndroi ashtu i shtrirë, duke u pllaquritur lehtë, në pritje që të vinte e shoqja apo skllavet e shtëpisë.

Klitemnestra në kthinën e banjës, ku nuk dukeshin, po mërmëriste me Egjistin.

-Gjithçka gati? – e pyeti ai.

-Po. Ashtu siç e kishim menduar.

-Shko, pra. Erdhi çasti i shumëpritur. Ç’është ajo gjë, që vullnetin ta mpin dhe urrejtejn ta zbut? Eja se deri aty po të shoqëroj, që zemrës sate t’i jap guxim dhe krahut forcë. Mund ta bëja edhe vetë, por do të bija në sy.Fshehtësia vlen sa edhe trimëria. Pastaj dinakëria i shkon më shumë gruas!- e nxiti ai.

Klitemnestra, hyri vrullshëm në banjë, gjasme shend e verë u ul në sofatin e mermertë pran kryes së të shoqit. Mori sfyngjerin dhe tasin e artë për t’i hedhur ujin e ngrohtë mbi krye.

-Mos e deshe ujin më të ngrohtë?

-Jo, është si një bekim që trupin ma preh.

-Si me magji lodhjen do ta heq e prehje të ëmbël do të sjell.

Ajo e fërkoi me sfungjer, me majat e gishtave,lehtë,butësisht, në gjithë trupin: shpatullat e gjera, gjoksin leshtor e të fuqishëm, krahët muskulozë, kofshët e forta, aq sa atij po i vinte përgjumje dhe i puliti kapakët e syve.

“Tani, pëshpëriti ajo. Le të bëhet ajo që është parathënë dhe ky njeri të paguajë ato që ka bërë.” E mposhti druajtjen e shpirtit dhe mpirjen e zemrës. U thirri në ndihmë urrejtjes dhe perëndive të hakmarrjes, që rrinin të fshehura skutave të errëta. Trupi iu tendos, zemra i rrahu fort. Haplehtë ashtu si pabesia, mori thikën dytehshe majëmprehtë dhe rrjetën si prej merimange fijeendur. Agamemnoni prehej i shtrirë e i përgjumur. Egisti, i fshehur te cepi i murit, ia bënte me nojmë dhe i jepte zemër. Me shpejtësi rrufeje i hodhi rrjetën e në të mbreti u kap si peshku. Hapi sytë. Pa arritur të kuptonte se çfarë po ngjiste, diçka desh të thoshte, por nuk arriti. Vrasësja e goditi fort drejt e në zemër, aq sa ai lëshoi veç një “Oh”. Pastaj syerrur nga gjaku, pas goditjes së parë, ajo ia bëri gjoksin shoshë, duke klithur dhe gjaku pulsoi gulfa –gulfa dhe banja u skuq krejt. Pastaj ajo u ndje fuqiprerë.

Kur hyri në banjë Kasandra, gjithëçka kishte përfunduar.

-Ah e mallkuar, si guxove? Në banjë, në vend të ujit me gjak e lave shokun e jetës, o ulkonjë e tërbuar!

-Mirë që erdhe. Tani e jotja është radh e flijimit.Bashkë e keni ndarë shtratin dhe jeni zhgrryer me këtë zuzar. Tok erdhët dhe bashkë do të ikni! - i tha Klitemnestra dhe ia nguli thikën drejt e në gjoks. Kasandra lëshoi vetëm një “Oh” dhe u rrëzua ngadal mbi pllakat e mermerta e mbytur në gjakun e saj.

V

Brenda pallatit u dëgjuan britma dhe thirrje të kobshme. Pastaj porta e pallatit u hap kanat më kanatë. Njerëzit të lemerisur panë të shtrirë në një pëlhurë të përgjakur mbretin Agamemnon dhe Kasandrën. Anash tyre qëndronte mbretëresha Klitemnestra e hakërryer dhe shfytyruar me teshat gjaklyer, shpatën e përgjakur në dorën e djathtë dhe dorën e Egjistit në të majtën. Ishte çifti vrastar. Nga turma shpërthyen britma dhe një “A aah” habitor i zgjatur.

-Ky është mbreti, burri im, Agamemnoni! Më të afërm se unë, asnjë nga ju se kish – u tha ajo si në përçartje. – Ky është babai, ai që pakeqardhje, dhjetë vjet të shkuar si bariu, që nga tufa zgjedh delen për ta therur, vajzën e vet të gjakut e shkëputi nga gjiri im, ja dorëzoi xhelatit dhe në Aulidë e bëri fli. Efigjeninë virgjëreshë, bijën e shtrenjtë që e kisha lindur përmes dhimbjesh. E përse? Veç për të qetësuar erërat e Trakës, që të shtynin flotën për të shkuar në një luftë, që zotat nuk e donin. E meritonte këtë dënim! Ja kjo dorë e gruas nënë e ktheu në kufomë. E kisha pritur gjatë këtë ditë, aq sa helmi zemren ma kish mpirë, por Zeusi mbarë e solli që ai të shpaguajë me të njëjtën monedhë: gjakun me gjak dhe jetën me jetë. Aq më bën nëse qortim apo lavde më bëni sot. Ishte një punë e paqme. Kështu e deshën zotat. Kaq e gjitha qe.

- Vrasëse!

- Gjaksore!

- Shtrigë!

- Medet,medet për mbretin!

- Kurorëshkelëse që shtratin e mbretit përdhose!

Rruga para portës u mbush plot. Gjindja gumzhinte, pamja e përgjakshme u vriste sy e shpirt. Klitemnestra i shihte me përbuzje e urrejtje dhe nuk vonoi t’u përgjigjej:

-Mos bërtisni! Mos kërcënoni. Nuk jam vetëm. Si dritën e ndezur midis vatrës, Egistin, shpirtin tim do të kem pranë, që do të më mbrojë e bashkë me mua do të mbretërojë. Ishte një burrë i pabesë, që për turp nën muret e Trojës me Kriseidat dhe Briseidat shtrihej dhe zhgrryhej. Ja dhe robina, skllavja tjetër, priftëresha e nëmur nga Apoloni, dashnorja e tij besnike. Së bashku janë shtrirë, ashtu siç shtriheshin të dy në shtrat të ngushtë të anijes. Një fat që e meritonin të dy patën. Ai pa folur vdiq dhe ajo përbri ju shtri. Tamam dashnore, nuk ke ç’i thua. Vetë im shoq e solli që më të plotë hakmarrjen dhe triumfin të m’i bënte.

Para se të mbyllej porta, ajo u tha turmës:

-Ai e solli i pari në pallat mortjen e pabesë, kur fëmijën e barkut tim Ifigjeninë e shkretë, e vrau siç u vra sot vetë. Ai lau veç krimet, që kish bërë vetë. Kush vret nga vrasja do të mbarojë. Do t’i varrosim, nuk do t’i lemë gjellë për qentë, por pa nderime, se nuk u takojnë!

Pastaj u kthye nga Egisti:

-Egist, o shpirti im!. Gjërat u bënë ashtu siç duheshin bërë. Ne të dy jemi zotër të këtij pallati dhe në Mikenë e gjithë Argosin do vendosim rendin.

Nga turma u shkëput Harilao dhe me çape të matura u afrua te kufoma e mbretit.

-Ajme, ajme o mbret! Lavdia e akejve dhe Argosit, heroi i Ilionit, tmerr i armiqve, rrënuesi i Trojës!. Krah teje luftova dhe të mbrojta dhjetë vjet. Ç’qe kjo mynxyrë që vdiqe si qyqar dhe lakuriq e të përgjakur të kanë zvarritur në oborr?! Nga kjo mizori nuk të shpëtova dot!

U përkul mbi Kasandrën. Ajo ishte duke dhenë shpirt. I vuri dorën nën kokë dhe ia ngriti pak. Ajo arriti të hapte paksa sytë e përgjakur, por pa mundur të shohë gjë dhe i pëshpëriti ajrit:

-E dija që kështu do të ndodhte, që ulkonja në banjë luanin në gjak do ta lante. Ia thashë por s’më besoi. Kështu perfundoi Agamemnoni i madh : u nis në luftë për një grua dhe nga dora e një gruaje u shua.

Pas atyre fjalëve ajo u shua dhe dha shpirt.

Harilao, u mbylli sytë. Hoqi nga supet pelerinën e tij , i mbuloi dhe doli jahtë oborrit, duke përsëritur fjalët e Kasandrës: ”Nga dora e një gruaje u shua”

Pas tij, porta e pallatit u mbyll.

Muret u nxinë. Në hatulla kukuvajkat ulurinë.

*Kjo novelë e ka marrë subjektin nga tragjedia “Agamemnoni” e Eskilit.

Argos, maj 2002 - Tiranë, shkurt 2014

133 views1 comment

1 Comment


sotir.mimi
sotir.mimi
Jul 28, 2020

Xing.

Kjo novelë është shumë e arrirë. Autori e ka studjuar të gjithë lëndën dhe shquhet në rrëfimin e saj si të qe një kronist I kohës. Gjuha dhe sidomos frazeologjia e mbushur me fjalëformime të shumta, bind çdo skeptik. Ideja se Komandanti Agamnenon, niset me një ushtri për të shkatërruar Trojën për shkak të tradhtisë së një gruaje (HELENËS), bie viktimë nga dora e bashkëshortes së tij. Proverbi grek "THIKË DHE, THIKË DO TË MARRISH", e vërteton kjo novelë e titullusr (me të drejtë) "BANJA E PËRGJAKUR". Urime!

Xingografia!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page