top of page

BAMIRËSIA AS SHITET, AS BLIHET...


“BAMIRËSIA AS SHITET, AS BLIHET. AJO, LIND NGA ZEMRA”

(POROSI NGA BABI IM, KAMAN ÇIPI)


Nga Luan Çipi


Kaman Çipi, birr i një familje qytetare gjirokastrite, u pasurua me shumë punë e përpjekje, nga kurbeti në Amerikë. Pas kësaj, ai është dalluar gjithë jetën si njeri dhurues e filantrop. Ka ndihmuar nevojtarët dhe të varfëritë, kryesisht me transport pa shpërblim, si dhe me ndihma materiale e financiare. Shumë raste ndihme janë dhënë për përballim shpenzimesh në dasma dhe sëmundje, (kjo edhe në plotësim të detyrave si besimtar bektashi) sidomos për njerëzit e fisit të tij në Gjirokastër, Vlorë e Fier.

Kaman Çipit i takoi fati, të ndihmonte familjen e Xhovani Valencës, mareshalit kalabrez me origjinë arbëreshe, që u konsiderua heroi i Luftës së Vlorës të njëzetës, kundër italianëve. Kalabrezi Xhovani, ishte dënuar me vdekje nga Qeveria Italiane, sepse duke qenë magazinier armatimi në Panaja të Vlorës, i kishte dorëzuar Depon e Armatimeve Ushtarake Italiane, shqiptarëve, në Luftën e Vlorës më 1920.-tën, duke u konsideruar ky veprim guximtar, si një nga faktorët e fitores së luftës.

Siç dihet, gruaja dhe dy fëmijët e Xhovani Valencies, (që edhe nga Qeveria e Zogut konsiderohej patriot dhe merrte pension të posaçëm nga shteti), mbërritën në Portin e Sarandës, të shoqëruar nga patrioti trim, vlonjati Nustret Llupa. Ai i solli të shoqëruar nga Italia, duke përballuar peripeci e rreziqe. Kamani, i morri në Portin e Sarandës me autoveturën e tij Fiat 22, që ishte me kapacitet për 7 vende, së bashku me bagazhet e tyre (të pakta për shkaqe konspiracioni). Ata u vendosen në lagjen Skele të Vlorës, afër Shkollës Fillore, në një shtëpi përdhese me një kat, buzë rrugës. Për këtë Kamani thoshte se nuk ishte bamirësi e as filantropi por detyrë patriotike dhe e kishte kënaqësi, se do ishte privilegj dhe nderim për çdo Shqiptar.


Kaman Çipi

Transporte falas janë kryer, me mjetet dhe porosi të Kaman Çipit, gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, në lëvizje klandestinësh dhe armatimesh dhe ushqime e veshmbathje, ku më e gjatë dhe për disa ditë, ishte transporti i organizuar në zonën e Mallakastrës dhe në Luftën e Ruzhdies, ku vepruan bashkërisht partizanë dhe nacionalistë, kundër okupatoreve italianë, transport e lëvizje me automjete formacionesh partizane, ku përmendim lëvizjen e klandestinit në kërkim, Foto Çami me shokë, nga Gjirokastra në Berat, etj.

Pas shtatorit të vitit 1943, kur kapitulloi Italia Fashiste, ushtarë italian në Shqipëri, ngelën në mëshirë të fatit, pa përkrahjen e detyrueshme të shtetit të tyre, të ndodhur pa strehë, pa ushqim dhe të gati të zhveshur. Qytetarët tanë ishin dhe ata të varfër, të lodhur, të djegur, të shkretuar e të munduar nga lufta dhe pushtimi i gjatë fashist. Po, ushtarë italianë, këta djem nënash, të rinj të mobilizuar forcërisht, po dhe të gënjyer në ndonjë rast, nuk ishin fajtorë të pushtimit ku e çoi Shqipërinë, politika e gabuar dritëshkurtër e mbretit të tyre dhe lakmia grabitqare e fashistëve italian. Populli shqiptar e kuptonte dhe e ndiente këtë, ashtu si ishte, zëmër madh dhe paqësor. Ai, ashtu si ndihmoi më vonë, ruajti dhe fshehu në gjirin e vetë qindra izraelitë nga masakrat e paevitueshme naziste, mbrojti dhe ndihmoi pa kursim, duke ndarë kafshatën e vet të bukës edhe këta mijëra ushtarë italian të hallakatur, të ndodhur ndenë kërcënimin hakmarrës asgjësues të bishave hitleriane.

Dhe në këta shqiptarë filantropë e të dhimbsur unë do përfshija me krenari babin tim të mirë, që për gati dy vjet rresht u kujdes për tre ushtarë italianë, nga Firence, që i punësoi, i ndihmoi për kapërcimin e gjendjes së urisë e të mjerimit dhe i përkrahu deri në përcjelljen pranë familjeve të tyre në Itali.

Në vitin 1945 një tjetër akt bamirësie i babait tonë, ishte transportimi falas me autobus i familjeve çame të ndjekur nga Greku, ku përmendim transportin e familjeve të Bido Hamitit nga Arvenica dhe Mamo Habibit nga Skopjona, duke i transportuar me gjithë plaçkat e shumta, nga Saranda, ku kishin zbarkuar, për në Vlorë. Me këto familje të mëdha, lidhura me njëra tjetrën me krushqi e miqësi, babai ynë kishte njohje të hershme, të mbartura ndër breza. Ata u strehuan në Shtëpinë tonë në Skelë të Vlorë për disa vite, duke liruar 4 nga 10 dhomat e saj, oborrin e pasmë të shtëpisë, si dhe disa anekse strehuese provizore.

Babai im Kaman Çipi, vdiq fare iri, në moshën 58 vjeç, në vitin 1953, i shqetësuar dhe i dëshpëruar, si shumë të tjerë të pafajshëm, se komunistët i kishin grabitur pasuri e prokopi, e kishin burgosur dhe kërcënuar për dorëzim ari dhe për “mëkatin” se kishte punuar si përkthyes i gjuhës angleze në “Misionin e UNRAS”. Për këto, pseudo shkaqe, me gjithë ndihmat e kontributet e tij pro Lëvizjes Patriotike Demokratike Fanoliste (ku ishte plagosur) dhe përkrahjen e Luftës Antifashiste, (ku kishte ndihmuar financiarisht dhe me transport dhe ku prej vitesh kishte milituar aktivisht, si partizan një nga djemtë dhe tri nipat e tij), e kishin “demaskuar” dhe dënuar duke e lënë padrejtësisht për disa muaj, “pa triskë fronti” në qytet, pra në kushte analoge izolimi e diferencimi, të një “kulaku” fshati.

Edhe në ditët e fundit të jetës së tij, megjithëse i sëmurë, i zhgënjyer, i poshtëruar dhe me pasuri të grabitur, babai im Kaman Çipi edhe në pozicionin e një “dervishi nderi” bektashi, nuk rreshti së predikuari për mirëkuptim, bashkëpunim, bashkim e vëllazërim, për ndershmëri, korrektesë e besë, për bujari, falje, paqe e qytetari, duke qenë një atdhetar dashamirës, paqësor e punëtor.

Ja si i kam vargëzuar unë më vonë, disa nga këshillat dhe porositë e mençura të babait”:

MËSIMET E BABËS

Mësimet e tua, dheu si ka tretur

Gjithnjë janë të gjalla, duke na thërritur,

Qindra vjet të shkojnë ato s’kanë të vdekur

Reflektojnë në shekuj, si yjet e ndritur.

Përherë burim drite, shkëlqim rrezatojnë

Si model përsosje, për nder dhe virtyt,

Na prijnë në çdo hap, rrugën na tregojnë

I kemi në mendje, për natë e për ditë.

Këshilla e parë, shpesh e përsëritur:

Të punoni fort dhe me nder të rroni,

Shokë e miq t’i zgjidhni të mirë dhe të ditur;

Me ta bashkëpunoni, në besë u qëndroni!

Krahë bujarisë, në krye - mirënjohja,

Çmojeni cilësisht frytin, që nga fara;

Ndihmoi të varfëritë, pa i parë nga boja,

Pas lere të ligën, shko përherë përpara.

Të jini të ndershëm. të thjeshtë, të dashur

Për midis shokësh, optimist, gazmor.

Dita që ikën, nuk kanë për të ardhur

Jetoje çdo çast, si të jesh dasmor.

Kujdes për Atdheun, shtetin, policinë!

Thuaj ç’bëre sot, për të respektuar

Rregullat dhe normat, ligjet, drejtësinë?

Detyrimet, taksat, si i ke paguar?

Duke i mbyllur këto kujtime e porosi, paraqitur në disa kapituj, të nxjerra më së shumti nga ditarët e mi, mendoj se kreva një detyrë respekti për babain tim të nderuar Kaman Çipi, po njëkohësisht shpalosa edhe pjesë të jetës së tij në këto vite, porosi e këshilla të tij, që i konsideroj të rëndësishme dhe historike, ndofta të vlefshme edhe për brezat pasuese, si dhe për lexuesit e moshës së re, që nuk patën fatin t’i përjetojnë këto periudha.

Nga Libri “JETA IME”


#Luan #Çipi

49 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page