Baladat nuk kanë kohë për të vdekur
…ose.“Kënga e Dhoqinës” variant i Labërisë.
Nga Timo Mërkuri
II- “Kënga e Dhoqinës” egziston dhe në variantin e Labërisë[1], madje në këtë variant është në një këngë me 117 vargje, e cila ka si “trung” tekstin e variantit prej 50 vargjesh, mbi të cilin janë “shartuar” dhe kanë “mbirë” filiza, që e rritin dhe zgjerojnë “kurorën” e saj. Mund të mos ndaleshim te ky variant, porn a detyron fakti që ka disa ndryshime specifike me variantin e Hoshtevës, ndryshime që ja vlen ti citojmë.
-Të dy variantet e “Kënga e Dhoqinës” e kanë mallëkimin e nënës mbi varrin e Kostandinit, por ndërsa varianti i Hoshtevës nuk e citon dhënien dhe shkeljen e “besës” si shkak lëvizës të baladës, varianti i Labërisë e thekson “me zë të lartë” “besën”si shkak të mallkimit të nënës dhe këtë mallëkim si shkak për ringjalljen e Kostandinit. Kjo ndodh te vargjet … ”Kostandin çtë të thotë nëna?/Po tani që mu bë gjëma,/Ku është besa që më dhe?/ Dhoqinën ti, ku ma ke?”. Po kështu, me “zë të lartë” citohet edhe ringjallja e Kostandinit te vargjet.. “U ngris dita erdh akshami/ Kostandini u ngrit nga varri/Gur i varrit ju bë kale/Dheu i varrit ju bë shale” duke aritur në një afëri vargjesh, arti dhe ideje të dy varianteve te vargjet e fundit, ku te varianti i Labërisë këndohet: ”Nëna hapi derën/Sheh Dhoqinën vetëm../ Tek u puthnë e u ngalasnë../-Që të dia në vënt plasnë...”, përkundër vargjeve “Një në prag e një në derë/Plasnë si qelqe me verë” që ka variant i parë..
Te variant arbëresh “Doruntina” kemi vargun e dhënies së “besës” .“Dza ti besën, zonja mëmë; /Kur t’e duash Doruntinën,/nëse ti për gaz e dafshe”, dhe momenti i mallëkimit që shprehet …” tha tri herë: - o biri i jim!/Tha tri herë: - O Kostantin!…/Kostantin, o birthi i jim / ku isht besa çë më dhe?/Vdikje, e vate edhe nën dhe”, po kështu te “Kënga e Halil Garrisë” kemi vargjet klithmë “T’ka xan vori me besë të dhanë/T’pret nji motër, t’pret nji nanë”, duke qënë në këtë mënyrë varianti i Labërisë në unison me variantet themelore shqiptare dhe në tejkalim të variantit të parë ( të Hoshtevës)..
III -Te variant i Labërisë na bie në sy prania e dialogut motër-vëlla mbi këngën e zogjve, si element i fortë i baladës, e cila te varianti i parë (Hoshtëvë) paraqitet shkurt me vargjet: “Zoqtë udhës, seç po thoshin:/“Cili – viu, viu-viu,/Kush ia bën, ia bën vetiu,/Keni parë a s’keni parë!/ Shkon një zogëz bishtbardhë,/I vdekuri me të gjallë”, ndërkohë që te varianti i Labërisë paraqitet me një gjatësi më të madhe vargjesh dhe me një ritmikë që tingëllon si rumune e bullgare.. Udhësë tek shkonin/Te pemët dëgjonin/Zogjtë që cicëronin/ Ciliviu, ciliviu ... / Kini parë a skini pare/ Di veta hipur mbi kale/-Shkon i vdekuri me të gjallë../Çkanë zogjtë që këndojnë/ Çjanë ato fjalë që thonë/O Kostë vëllai./Zogj janë, le të këndojnë./Si të duan le të thonë/Moj Dhoqinë motra”.
Në lidhje me këtë dialog, te variantet shqiptare kemi këtë mënyrë paraqitjeje:
-Te variant arbëresh “Kostandini dhe Garentina” vëlla e motër dialogojnë për … “krahët e tut ë gjërë/i ka mbuluar myku”,” flokët e tua kaçurrela/ tretur janë e bërë pluhur”, Dritaret e shtëpisë sonë/janë mbuluar nga bari”, por nuk dialogojnë për këngën e zogjve.
Te “Kënga e Halil Garrisë” kemi dialogun për… -“Shkon i gjalli udhës me të dekin/Ndiej mor vëlla” motra po thotë/Shka kuvendin zojt e malit”, “Te fort koniqe kankan rrxue/Po i thot vllaut o motra e vet”.
Te varianti i gjatë “Besa e Kostandinit” ky moment kalohet me një pyetje (të pabërë nga motra Jurentina)… Fërshëllejnë zogjëzit ndër pemë /Përmbi kalë seç po vijnë, / I gjallë me të vdekurinë/Kostandini zë e thotë /Motërzë mos i dëgjo, /Zogjë janë e nëng dinë c’thonë..
Le të shohim pak variantet e vendeve fqinjë te kjo pjesë, për të nxjerrë një përfundim.
Te variant grek, “Vëllai i vdekur” kemi vargjet: “Dëgjojnë zogj që cicërojnë e thonë me zë njeriu:/-Ç’është kjo çudi, të udhëtojë një vashë më një të vdekur?/A e dëgjove Kostandin, se ç’thonë e flasin zogjtë?/Thonë që bashkë udhëtojnë një vashë me një të vdekur./U çmëndën zogjtë moj Areti, mos i dëgjo se ç’thonë./-Ç’është kjo hata, ah ne të mjerët, ç’na shohin sytë e shkretë/Të udhëtojnë në një kal i vdekuri dhe i gjalli./-A i dëgjon o Kostandin, se ç’thonë e flasin zogjtë,/Se i gjalli me të vdekurin po udhëtojnë së bashku”… Rrugës që shkonte, zogj të tjerë me zë njeriu flisnin:/-Na thuaj, ç’është kjo çudi që bën, o Zot i madh/Një bukuroshe, një peri, ta shoqërojë një i vdekur?/-A i dëgjove, o Kostandin se ç’thonë e flasin zogjtë? ..
Te variant rumun “Voika” lexojmë:Zoqtë po këndonin:/-Po ku qënka parë,/Ju ka ndodhur vallë,/Vdekuri i gjallë!/Voika e dëgjonte/Edhe ligjëronte:/Pa dëgjo, vëlla/Këtë kush e pa/Udhëton një i gjallë/Me të vdekur vallë/I tha me kuptime:/-Voika, motra ime,/ Ata zogj janë…
Te varianti bullgar “Petkana dhe Llazari” kemi: Një zog atje po këndonte:/-Zot i madh, i larti Zot,/A ke dëgjuar e parë,/Shkon i vdekuri me të gjallë!/Pertkana i tha Llazafrit:/-Vëllai im, vëlla Llazar/Çfarë këndonte ashtu zogu:/Në keni dëgjuar më pare/Të shkojë i vdekuri me të gjallë/Llazari Petkanës i tha:/-Ecë, nxito motër Petkanë,/Këtu pylli i gjelbër është,/Lloj lloj zogjsh këtu rrojnë,/Lloj lloj gjuhësh i kuptojnë..
Te variant serb dhe boshnjak nuk egziston udhëtimi me një kal i vëllait të ringjallur me motrën, për pasojë nuk ka asnjë dialog.
Nën një shikim të imtësishëm të variantit të Labërisë, ky në thelb është varianti i Hoshtevës i ripunuar, i zgjeruar me hollësi që në shumicën e rasteve janë pa funksion. Janë të pakta vargjet e shtuara që theksojnë “dukshëm” elementët funksionalë, si theksimi i “besës” që cituam më sipër, ndërsa ka marrë një ritëm të “huaj” për vetë baladën, gjë që duket te mospërputhja e numërit të rrokjeve të vargjeve të shtuara, apo ritmi i tyre në pjesët e shtuara. Të krijohet përshtypja se ky variant është“ripunim” i variantit të parë, për të rivendosur në vend disa përjashtime që janë bërë te varianti i Hoshtevës. Na duhet të citojmë se “ripunuesi” ja ka aritur synimit të “rivendosjes” së elementëve që ka synuar, por me një kosto shumë të lartë. Ai ka dhënë një variant të ri me një nivel të ulët artistik të gjithë baladës, me një zgjatim të panevojshëm të saj, me imitime të varianteve të vendeve fqinjë dhe kopjime të disa pjesëve të tyre duke i shtuar në variantin e Labërisë, të cilat, mqse kanë ritëm dhe ritmikë të ndryshme nga balada shqiptare, stonojnë te kjo e fundit.. Dallohen ndërhyrjet dhe ripunimet, jo aq nga fakti i njohjes së variantit të Hoshtëvës se sa nga “riparimet” jo estetike të subjektit, me vargje që stonojnë. Ky ripunim është bërë shumë më von nga dalja e variantit të Hoshtevës, madje shumë më von se sa koha kur kishte përfunduar islamizimi i Labërisë. Ngjan më shumë si një ndërhyrje e një “mësusi fshati” që gjithsesi nuk e ka njohur thelbin e baladës.
Kjo duket te fakti se varianti i Labërisë është i vetmi variant (bashkë me “Këngën e Halil Garrisë” që citon “rivdekjen”e Kostandinit: “Ik në shtëpi moj Dhoqinë /Se unë do ngjatoj dorinë /Atje sipër në lëndinë/Dhoqina u nis në portë/ Kostandini u fut në grope”, madje kjo“rivarrosje” e Kostandinit është e njësojëshme me variantin rumun, “Por ai i tha:/-Voiko, motra ime,/ Dhe unë po shkoj/Kalin të lidh moj/Trup të kalbëzoj/Një shekull të rojë”…dhe variantin serb dhe të Bosnjë Hercegovinës…”Shkoi në varr djalë Jovani”…
Me sa duket “ripunuesi” i variantit të Labërisë nuk e ka kuptuar thelbin e mesazhit të baladës, i cili nuk është as ringjallja e Kostandinit dhe as rivdekja e tij. Mesazhi i baladës është “besa” e Kostandinit dhe po ky Kostandin duhet që ta çojë mesazhin e “besës” në çdo vend e në çdo kohë te shqiptarët që kanë nevojë. Këtu mund të bëhet paralelizmi me Jezu Krishtin për efekt kuptimi të misionit: ashtu si Krishti u ngrit nga varri dhe u ngjit në qiell pran të jatit perëndi dhe prej andej ndihmon besimtarët e krishterë, ashtu dhe Kostandini u ngrit nga varri dhe mbi kalin e tij të krijuar nga rrasa (Rrasa iu bë kale/Balta i u bë shalë) rrend kudo nëpër kuvende shqiptarësh në prag të luftrave, duke pajtuar gjaqet e hasmëritë, duke lidhur beslidhjet e miqësitë. Kostandini nuk ka kohë të vdesë. Kostandinin nuk ka varr ta mbajë. Kostandini jemi ne dhe ne jemi të gjallë. Prandaj mos i prekni baladat. Ato janë shumë të bukura ashtu si janë, me “flokët e tu të bukurë, /mbushur… me pjuhurë”, me roba që…” era dhe …po t’vjen”, “Shpatullgjerat, vllau im, /shoh një plagë tek krahu trim”.
Ato nuk kanë kohë as për të vdekur.
Sarandë, më 29.12.2020
[1] https://www.facebook.com/652296848184473/posts...
Commenti