top of page

BAJRAM CANAMETI: Cikël poetik


 

 


NËPËR BRENGA

Tendoset  një shirit në qiell

Prej një shkrepje  rrufeje,

Vjen  një freski e ëmbël reje…

Dhe një puls pranvere…

 

Kur shemben urat e dashurisë

Të parët brengosen poetët,

Dhe kur ngrihen muret e marrëzisë

Rendin të parët   ata i shembin…

 

Se në botën që çmendet

Jo me trill poeti,

Dhe në prapësitë që rendin

E pinë në pellgje të  qelbur

 

Shigjetë-pena e poetit shpon

Plagën e maisur që vegjeton…

Rend zjarr i shpirtit të poetit

Hekurat e ndryshkura të mllefeve

Grykat e topave dhe të raketave

T`i shkrijë…

 

Që shirit i hapësirave pa kufi

Të  lidhë ëndrrat nëpër qiej

Dhe  më tepër të ndrijë…

 

PRITJA

Pritja është e vjetër

Miliona çaste  mban në vetvete,

Por pritje është dhe s`ka tjetër

Emër…

 

Pret të lindë dielli

Që lind domosdo,

Pret të shkrihet urrejtja

Dhe për zemrën që do

Të ngrohë jeta.

 

Pret e pret dhe  sa shkojnë

Gjëra që i shpëtojnë pritjes

Duke matur pulsin

E rritjes…

ZBRAZËTI

Zbrazet vendi nga rinia

Bie borë në mendime,

Pastaj bora nëpër thinja

Thur një brengë jetime…

 

Korr në arat e fantazisë

Kombajnë e dhimbjes një bimë,

Porse arat e Shqipërisë

Janë kthyer në djerrinë…

 

Në morsetë mbërthet koha

Dridhet  pa pasur faj

Sa e vogël është bota

Sa i madh,dheu yt në vaj…

ATDHEU

Dashuri  ngritur në fuqi

Mall i përlotur në dashuri,

Fjalë e ndezur në mëngjes

Mendje që fjalën e ndez,

Shenjtërim i pashuar

Zemër e pastër dhe e vluar,

Ndjenjë që s`ka të treguar,

Vlagë e ngrohtë dielli

Lis që ngre suhitë së thelli

Dhe të tjera që s`më vinë ndërmend

Është atdheu peshë e rëndë…

KUJTIMET

Kujtimet ecin ngadalë

E herë shpejt

Si deti ato janë

Që valëzon me valë

E herë me dallgë shtatë ballë

Përpjetë…

Herë ua vë frerin

E i ndal tek fajësia

Plasaritur,përvëluar

Rrudhur-harruar,

Ujëvarë ndjesish pa mbarim

Të forta, si gur që   kujtesën mpin

Kujtimet

Fillesa për vazhdimet…

 

DREJTËSIA

Lëkurën e ëndrrave e shqepën

Dhe e nxorën në treg

Sfilitje ndjesish rendën

Lëkurën ta freskonin ,

Sa turp, lëkurën të shesësh,

Pa të të mbesësh

Dhe më turp, për pesë lekë

Ta reklamosh

E gjasme drejtësi të fitosh…

PRESHEVË, KRAH I PRERË…

Kambana zgjon

Shenjëtorët

Një diell i uritur

Këtu ndalet

Në këtë lëndinë

Ku kam varret

Po më shumë

Të gjallët…

Preshevë,

Medvegjë,

Bujanovc,

Krahu trupin

E trupi krahun,

Kërkon…

 

BURRË I DITURISË ATDHETARE

 

Ferit Këputës

 

Për ty s` lodhet vagu im

Burrë i ndritur,Ferit Këputa,

Se ti me dije pa përtim

Gdhende historinë në libra.

 

Ece si krenar në jetë

Matin mbaje në shpirt,

Me mendje të mprehtë

Natë-ditë në kërkim…

 

Shkollove ti një armatë

Nxënësit e tu u bënë dikush

T`i shërbejnë kombit sa më gjatë

E kjo zemrën me drita ta mbushte.

 

Në vitet e pleqërisë nuk pushove

Të mbeteshe  dishepull i dijes

Veprat  ndërsa shkrove

Mbushur me diell urtësie…

 

Mjaft burra “emërharruar”

Nga diktatura mizore

Me penën tënde i ke lartësuar

Me vlerën e tyre arbërore…

 

Ike profesor engjëllor

Në Qiellin e Shtatë,në amshim

Dhe veprat e tua si kurorë

Me rreze parajse thurin përjetësinë…

STUDIUESIT DILAVER KURTIT

Një gur në kështjellën e lashtësisë mungonte

Ti e nxore nga nëntoka dhe e vure aty,

Kalatë  e Skënderbeut  rishënove

Shën Trininë ,shkëndijën e gjuhës shqipe

Verbërisë së mosnjohjes i dhe sy.

 

Nga kështjellat e rrënuara prej luftërave

Mjegullën e legjendave shpërndave,

Dhe dogmat,sarkazmat helmuese i rropose

Për të shkuar tek rrënjë e kombit, pareshtur ngave.

 

Aty ,ti  i urtë, ngadhënjeve

Si Kolombi  që çan dallgët e deteve…

Toka  jote ishte Kryeqendra e Arbrit

Mati i  vezullimit mbretëror

Në arkivë shpaloseshin fletët e historisë

Të Albanë hyjnorë…

 

Studiues i palodhur…

I dëshmimit të pakundërshtueshëm

Meritor….

PJETËR BUDIT

Rrënjë e lulëzuar Arbërie,Gur i Bardhë

Me rreze diellore butësisht mëkuar,

Malet që stuhi në djep mbajnë

Lindën Budin e madhëruar…

 

Në melodi yjësish u rrit

Udhëve me zogj këngëtarë

Dhe  me vargun që ndrit

I pari poet shqiptar…

 

Në Drin frymën e dha

Dhe Drini mori frymën e tij

Hovën nga grykat  dhe e shpërndan

Në fushat plot bukuri…

 

Se fjala shqipe nuk vritet

Nuk shuhet emri i Budit të madh

Kalojnë shekuj,dekadat, vitet

Fytyra e tij në Gur të Bardhë…

 

Në gjoks të kombit mbete flori

Kolos i fjalës-gen arbëror,

“Me gra e vasha nd`sqimë e madhështi,

Pleq të urtë e letërorë”…

 

I freskët mbetesh në çdo stinë

Udhëtar i pandalshëm,kurorë lavdie,

Ecën e s`ndalesh si lumi Drin

Përmendore  urtësie…

 

 

30 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page