Babai pret gjerbat e shiut
Nga Fatmir Terziu
Shtamba e vjetër e babait bujar
pi tani në mes të qiellit.
Etja,
virtyti,
memorja,
e ngatërruar në rrjeshta
ka mbetur e heshtur në varreza.
Dikur këto ishin Mbretëria ku luanin fëmijët
Dielli u bënte kurora kapur dorë për dore
bashkë me ëndrrën e virgjër
Mbretëria e fëmijëve u bë qiellore.
Një lule e gjallë në kodër lulëzon
që nga ajo verë,
gjithçka pëtej arsyes reflekton,
vetë jetën që ka ndryshuar
vjen,
ikën,
e anasjelltas,
ne nuk jemi lavdëruar, as nuk jemi qortuar
babai iku.
Zëri i babait tim të ndjerë jehon i qetë në tjegulla,
pret gjerbat e shiut
dhe na bekon.
Nga hëna e re në hënën e plotë
shpirti i babait tim të ndjerë udhëton…
Commentaires