top of page

Avni Alcani: EDUARD LIR (1812-1888)...


Avni Alcani: EDUARD LIR (1812-1888),  PIKTORI ANGLEZ I LUGINËS SË SHKUMBINIT


      Gjatë shekullit të 19-të Europa “zbuloi” Shqipërinë. Ishin pikërisht disa udhëtarë të huaj që kishin filluar të vizitonin vëndin më të “panjohur” të Europës, për të cilin historiani anglez Eduard Gibon (Edward Gibbon) do të shkruante se ishte “një vend në fushëpamje të Italisë, por më pak i njohur se thellësitë e Amerikës”. Ndër të parët udhëtarë europianë që vizitonte Shqipërinë në vitin 1809, ishte poeti i famshëm anglez, Lord Bajroni (Lord Byron), i cili kishte parë vendit ku sundonte Ali Pashë Tepelena. Ai e bëri të njohur Shqipërinë dhe shqiptarët nëpërmjet veprës së tij: “Childe Harold's Pilgrimage”. Askush para tij nuk kishte shkuar përtej tokave të Ali Pashës dhe as në Shqipërinë Verore. Shumë vite më vonë, gati të gjitha viset e Shqipërisë, do t’i vizitonte piktori i shquar britanik, Eduard Lir, i cili do të zbulonte bukuritë mahnitëse të viseve shqiptare, banorët e saj, natyrën e bukur, fshatrat, qytetet, monumentet historike etj., për t’i bërë ato të njohura në Europë.

      Eduard Lir (Edward Lear) është një nga piktorët më të njohur britanikë të periudhës së romantizmin. Ai është piktori i parë britanik që hodhi në telajo mrekullitë magjepëse të natyrës shqiptare, të vendeve dhe veshjeve popullore. Lindi në fshatin Highgate (afër Londrës) dhe ishte fëmija e njëzetë, të një familjeje të madhe prej 21 fëmijësh. Që në fëmijërinë e tij ai ishte shumë i dhënë pas pikturës. Eduard Lir ishte piktor ilustrues, autor dhe poet. Ai udhëtonte për të vizatuar zogj, kafshë, peisazhe, njerëz, veshje, shtëpi, kështjella etj.

      Në vjeshtën e vitit 1848 Eduard Lir shkoi në Shqipëri. Qëllimi i vizitës së tij ishte që të pikturonte natyrë shqiptare, monumentet historike dhe banorët e saj. Ai u nis nga Selaniku dhe arriti në Manastir më 20 shtator 1848. Gjatë udhëtimit të tij aventurior ishte i shoqëruar nga përkthyesi i tij, i quajtur Jorgo Kokali, i cili ishte shqiptar nga Suli. Që andej ata vijuan udhëtimin e tyre për në Ohër, Strugë, Lugina e Shkumbinit, Elbasan, Tiranë, Krujë, Lezhë dhe më 2 tetor përfunduan në Shkodër. Pas disa ditësh qëndrimi në Shkodër, ata e vazhduan udhëtimin drejt jugut të Shqipërisë, si në Berat (14-18 tetor), Ardenicë, Apoloni, Vlorë, në bregun e Himarës (21-30 tetor), Tepelenë, Gjirokastër dhe, në 5 nëntor, mbërritën në Janinë, duke e përfunduar të gjithë udhëtimin e tyre nëpër Shqipëri.



      Gjatë udhëtimit të tij nga Ohri në Elbasan, atij i bëri përshtypje natyra dhe peisazhi i mrekullueshëm i luginës së lumit Shkumbin, të cilay i hodhi në telajo. Rreth datës 24 shtator mbërriti në fshatin Qukës. Kjo dëshmohet nga vizatimet e tij, të cilave ai u vinte emrin e vendit që vizatonte dhe datën. Duket se ka qëndruar për të bujtur në hanin e Quksit, të cilit i ka bërë edhe një skicë. Po më 24 shtator ai vizaton urën madhështore prej guri mbi lumit Shkumbin. Të nesërmen, në datën 25 shtator, ai ka vijuar rrugën për në Elbasan dhe gjatë rrugës ka realizuar disa peisazhe, si dy të tilla në Xhyrë (Shpella e Plakës dhe një banesë fshatare), Dardhë dhe Babje (Qafa e Dervenit). Në qytetin e Elbasanit Liri ka mbërritur po atë ditë (25 shtator) në mbrëmje vonë. Të nesërmen (dt. 26 shtator) ai ka vizituar qytetin, i cili e ka mahnitur me bukurinë dhe peisazhit të tij. Pa humbur kohë, ai ka realizuar disa piktura me pamje nga qyteti dhe rrethinat e tij, si kalanë e Elbasanit, shtëpitë, banorët etj. Në Elbasan atij i ndodhi dhe një ngjarje aspak e këndëshme. Kur ishte duke vizatuar, atij iu afruan një grumbull kureshtarësh si dhe një dervish, i cili, duke parë pikturën, filloi të thërrasë me zë të lartë: “Shejtani! Shejtani!”. Kjo ngjarje për pak sa desh u kthye në një skandal, por që fatmirësisht nuk pati incidente.

      Gjatë kthimit, mbi rrugën e Kërrabës, Liri pikturoi lumin e Shkumbinit, luginën e tij dhe, në horizont, malet e Shebenikut, Polisit dhe të Shpatit.

      Pikturat e Eduard Lirit kanë rëndësi dhe vlerë të veçantë për historinë dhe kulturën e trevave të Librazhdit e të Elbasanit, pasi ato pasqyrojnë një periudhë (të shek. të 19-të) historike të atyre trevave. Kështu, psh, mund të përmendim Urën antike prej guri të Quksit, e cila sot nuk ekziston më, por i ruhen akoma rrënojat, apo banesat popullore (hanet) në fshatrat Qukës dhe Babje, kalaja e Elbasanit, banesat qytetare të atij qyteti etj. Shumë nga skicat që Liri bëri gjatë udhëtimeve u përpunuan më vonë prej tij si akuarele dhe piktura në vaj, të cilat përbëjnë një dokumentim të pakrahasueshëm pamor të Shqipërisë së mesin të shekullit të 19-të.

      Eduard Lir vdiq në vitin 1888 dhe u varros në San Remo të Italisë. Përshkrimet e udhëtimeve të tij, të cilat ai i kishte hedhur në telajot, u botuan me titullin: “Journals of a Landscape Painter in Albania” (Ditarët e një piktori peisazhesh në Shqipëri), Londër 1851 Ato u  ribotuan në Londër e Tiranë në vitin 2008, me titull: “Edward Lear in Albania: Journals of a Landscape Painter in the Balkans”, Londër 2008, si dhe në gjuhën shqipe: “Eduard Lir në Shqipëri, ditar udhëtimesh, 1848-1849”, Tiranë 2008.

35 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page