top of page

AUTOKTONIA

PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA

E SHQIPTARËVE

NIKË GASHAJ

Në shkencën shqiptare dhe nga shumë autorë të huaj prejardhja ilire dhe autoktonia e shqiptarëve është e vërtetuar. Për shkak të hapësis së kufizuar, po fokusohe vetëm në disa hulumtues të njohur shkencor.

Filozofi i njohur Gotfrid Vilhelm Lajbnic(1646-1717) u muar me lidhjen e shqipes me gjuhët e tjera. Në letrën e tij të 10 dhjetorit 1709, e cituar më 1897 në revistën rumune Albania, deklarohet se në bazë të studimeve të tij është bindur se”shqipja është gjuha e ilirëve të lashtë”.

Historiani suedez, Hans Erik Tunman(1746-1778) , profesor universitetit në Gjermani, ishte një nga shkencatarët e parë, që u muar me studimin mbi origjinën e gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar. Ai bëri kërkime në burimet greke, latine e bizantine dhe studioi fjalorin trigjuhësh të Teododhor Kavaljotit( greqisht, sllavisht e ship) të botuar më 1770. Në veprën e tij për historinë e popujve të Evropës Lindore (1774), arriti në konkludim se shqiptarët janë vazhdues autoktonë të popullsisë së lashtë ilire.

Johan Georg Fon Han(1811-1869), teoricieni austriak është marr me studimin e gjuhës shqipe së bashku me gjuhëtarin Konstadin Kristoforidhi. Më 1854 ai botoi veprën e tij, me tre vëllime, Studimet Shqiptare, mbi kulturën, gjuhën dhe historinë shqiptare. Ai ishte, ndoshta i pari që studioi fjalorin e ilirishtes së vjetër. Ai vërtetoi se shumë emra vendesh të viseve shqiptare ishin vazhdim i drejtpërdrejtë i emërtimeve të dikurshme ilire. Në bazë të studimeve të tij, arrinti në përfundimin se gjuha shqipe ishte vazhduese e ilirishtes.

Gjuhëtari i njohur , Franc Bop (1791-1867), profesor në Universitetin e Belinit, botoi veprën e tij më 1854, duke vërtetuar përfundimisht se shqipja bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane dhe nuk rrjedh nga ndonjë gjuhë tjetër në Evropë. Gustav Majer (1850-1900), profesor në Universitetin e Gracit dhe antar i Akademisë së Shkencave të Vjenës, botoi studimin e tij Mbi pozitën e gjuhës shqipe në rrethin e gjuhëve indoevropianen, më 1883. Ai njihet veçanarisht për hartimin e Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe, më 1891. Në sajë të studimeve të thella shkencore arriti në përfundimin se gjuha shqipe rridhte nga ilirishtja dhe përbënte një degë më vete në familjen e gjuhëve indoevropiane.

Maksimilian Lamberc (1882-1963), pas vizitës që bëri në Shqipëri si emisar i Akademisë së Shkencave të Vjenës, menjëherë u shqua si studiues i folklorit dhe mitologjisë shqiptare. Pastaj, në Laipcig vazhdoi studimet në fushën e albanologjisë, mbajti leksione rreth saj në universitet dhe në vitet 1954-59 hartoi dhe botoi Veprën mbi gjuhën shqipe, në tre vëllime. Në studimet e tij mbështeti tezën e prejardhjes së shqiptarëve nga ilirët dhe të gjuhës shqipe nga ilirishtja.

Shkencatari, Edwin Jacques, thekson: Nuk ka pikë dyshimi që shqiptarët e sotëm janë historikisht pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve.

Shkencatari, Serge Metais, shkruan: Sipas të gjithë treguesve – pikësëpari, për shkak të vetë gjeografisë – ilirët kanë qenë praardhësit e shqiptarëve. Në prag të pushtimit romak, ata zinin të gjithë pjesën perëndimore të Ballkanit, nga Istra deri në Epir. Në brendësi të gadishullit, ata ishin vendosur, në veri, të paktën deri te rrjedha e lumit Sava dhe, në lindje, deri te Morava e Jugut dhe në rrjedhën e sipërme të Vardarit. Më tutje studiuesi Metais shton: Në shekullin II të erës sonë, ku ilirët ndodheshin nën zgjedhën romake, gjeografi Ptolemeu bënte fjalë për ekzistencën e një fisi të albanëve (Albanoi) , kryeqyteti i të cilëve qenkësh Albanopolis.

Profesor Eqrem Çabej (1908-1980), pa dyshim, është figura më e shquar në fushën e albanologjisë. Për gati gjysmë shekulli ai bëri studime, botoi vepra të shumta nga gjuha dhe letërsia shqipe, ndonëse bëri hulumtime edhe në lëmin e etnografisë, folklorit dhe etimologjisë, leksikologjisë, të origjinës së gjuhës shqipe, marrëdhëniet e saj me gjuhë tjera indoevropiane dhe njësimin e normës letrare. Në bazë të studimeve subtile shkencore arriti në përfundim se shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve dhe të banorëve të parë indoevropianë në Ballkan. Kumtesa e tij gjuhësore në Kolokuiumin e Parë mbi Studimet Ilire (15-20 shtator 1972) dhe shkrime të tjera të shumta”vërtetuan në mënyrë bindëse origjinën ilire të gjuhës shqipe dhe autoktoninë e popullit shqiptar”.

Profesor Kostallari, ish drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë, arriti po të njëjtin përfundim si dhe kolegu i tij Çabej. Gjithashtu, Aleks Buda, ish-kryetari i Akademisë së Shkencave e Shqipërisë, në një konferencë që drejtoi, më 2-4 korrik 1982, theksoi”vazhdimësinë iliro-shqiptare dhe autoktoninë e shqiptarëve në trevat e tyre.”

Mbi origjinën e gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptarë janë marr dhe profesorët e njohur: Shaban Demiraj, Mahir Domi e të tjerë.

Në Enciklopedinë e Përgjithme të Entit Leksikografik të Jugosllavisë, Zagreb, 1977, fq.81 thuhet:”Shqiptarët, popull me prejardhje indoevropiane thrakase-ilire. Banorët më të vjetër në Shqipëri kanë qenë Ilirët; vetë emëri Shqiptar rrjedhë nga emëri Ilir- të fisit Albana”.

Historiani dhe akademiku i njohur serb, Radeta Mihalçiq, autor i librit të historisë të klasës së 6-të, të shkollës fillore në Beograd(2014.), ndër të tjerat ka shkrua: “Shqiptarët janë vendas-autokton të Gadishullit Ballkanik dhe se ata kanë ardhur në të shumë më heret se Sllavët. Për ta bërë më të qartë, flasim për ilirët, që banonin në trojet e Ballkanit Perëndimor, prej nga kanë dalur më vonë shqiptarët, të cilët u quajtën kështu nga popujt dhe shtetet e Evropës Perëndimore. Prandaj, shqiptarët si popull i veçantë dhe autonkton janë me origjinë ilire dhe janë të vetmit që e kanë ruajtur gjuhën, zakonet dhe veçantitë e tjera kombëtare. Ai thotë se Stefan Nemanja dikur i ka pasur okupuar territoret e Shqipërisë së veriut. Më tutje nënvizon, se sllavët kanë ardhur në Kosovë dhe aty kanë gjetur ilirët që janë shqiptarët e sotëm dhe ua kanë marrë-plaçkitur shtëpitë dhe arat, andaj ata kanë qenë të detyruar të dalin në mal – bjeshkë dhe të kujdesen për bagtinë e tyre. Me këtë, autori dëshmon se serbët kanë qenë pushtues të tokave shqiptare. Rreth këtij libri pati shumë polemika në opinionin publik dhe kritika. Në veçanti, kritikat më të mëdha ka pasur nga Kisha Ortodokse serbe, në krye me Patriarkun Irinej, i cili pohimin e e autorit Mihalçeviq, se shqiptarët janë popull autokton të Ballkanit me origjin ilire, e quajti të pavërtetë, një turp i paparë për popullin serb, i cili ka rrënjët e veta dhe historinë e vet. Fakti që dikush po përpieqet të rishikoj historinë tonë me gënjeshtra, se serbët e paskan pasur okupuar Kosovën në të kaluarën historike të banuar nga shqiptartë, paraqet një skandal të madh, thotë Irinej

Në anën tjetër, ish profesori i fakultetit filozofik në Univeritetin e Beogradit, tani historian në pension, Rade Mihaleviq autori i tekstit të diskutueshëm, thekson se qëndron pas të gjitha konstatmeve dhe qendrimeve historike të përmbajtura në librin në fjalë, dhe se ato janë razultat i një hulumtimi të tij afatëgjatë. Ajo që mund të garantoj me emrin dhe mbiemrin tim personal është se nuk ka absolutisht asnjë gabim në libër. Së pari e kam lexuar tërësisht të gjithë literaturën mbi temën dhe gjithçka që kam shkruar bazohet në fakte historike.

Mirëpo, teksti shkollor u modifikua në bazë të vërejtjeve që Patriarku Irinej i dërgoi Ministrit të Arsimit të Serbisë, në mars 2014. Prandaj, nën presionin e Kishës Ortodokse serbe, Ministria e Arsimit dhe Enti për libra, nga libri në fjalë i hoqën faktet historike, se shqiptarët janë autokton në Ballkanin Perëndimor dhe se janë me origjinë ilire.

Sikurse në kohët e kaluara edhe sot në kontinuitet nga autorë të ndryshëm dhe qarqe antishqiptare ka orvajtje për mohimin e prejardhjes ilire të shqiptarëve për qëllime të caktuara hitorike dhe politike. Për shembull, ish-deputetja prof. dr. Jelisava Kaleziq në seancën e Kuvendit të Malit të Zi, më 2016, u shpreh: nuk është e vërtet teza se shqiptarët janë me prejardhje ilire. Në gazetën”Dan”, më 21. korrik 2016. Akademiku Zoran Llakiq, nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi, e botoi një artikull në të cilin mohon prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe autoktoninë e tyre. Ndër të tjerat, thotë: Shqiptarët janë të ardhur nga Rumunia në Mat, përmbi Tiranë në shekullin X të erës tonë. Ndërsa në vitin 548 të erës tonë në Durrës kanë ardhë serbo-malazezët. Më tutje Llakiqi thotë: Shqiptarët në tërë hapësirë ku jetojnë, jo vetëm që nuk janë popull autokton, por as pakicë kombëtare. Në të vërtetë ata janë diasporë. Më pas me 24 korrik 2016. në gazetën “Dan”e botova një shkresë ku prezantova disa njohje shkencore nga autorë të huaj dhe shqiptarë mbi prejardhjen ilire dhe autoktoninë shqiptare, meqënse, kjo gazetë mjaftë lexohet në Mal të Zi. Në atë mënyrë e demantova shkresën e Akademikut Zoran Llakiq.

Me sa di unë, janë të paktë autorët sllavë të cilët pranojnë faktet historike mbi origjinën ilire të shqiptarëve dhe autoktoninë e tyre në Ballkanim Perëndimor. Përkundrazi, ata bëjnë përpjekje për falsifikimin e tërë historisë dhe kulturës shqiptare. Mu për këtë arsye, ata trillojnë teza të ndryshme johistorike mbi prejardhjen shqiptare. Në Kohën e fundit, e shfaqën tezën e migrimit, sipas të cilës shqiptarët emigruan nga Sicilia, ku mbërritën nga Kaukazi në shekullin 10-të ose 11-të.

Më në fund, sa për njoftim, kam pas rastin të marr pjesë në një tubim të madh shkencor mbi etnonenezën e malazezëve, i cili u mbajt shumë kohë më parë, më 19 qershor 1981, në Titogradin e atëhershëm. Historianë, etnologë dhe politikanë të njohur të asaj kohe në kumtesat dhe diskutimet e tyre paraqitën teza të ndryshme historike mbi etnogjenezën e malazezëve.

Disa pjesëtarë mbrojtën tezën historike për oregjinën malazeze nga serbët. Ndërsa, pjesmarrësit të tjerë mbrojtën tezën historike për etnosin autokton malazezë.

Mirëpo, ajo që më tërhoqi vemendje të veçantë ishte diskutimi i dr. Mirko Bajraktareviqit i cili theksoi:” Shumica e popullsisë së Malit të Zi është me origjinë shqiptare. Më pas ai kërkoi nga gazetarët, që nëse marrin pjesë në atë takim, të mos ua japin mediave tezën e tij historike për arsye politike. Në diskutimin e tij nuk pati reagime nga pjesëmarrsit tjerë të tubimit shkencor.

(Autori është antar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Diokles)

69 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page