Auto-refuzim Jam ndjenja e refuzimit që ndjen për veten...
Isha aty nga çasti i parë i adrenalinës që qarkulloi
në venat e prindërve të tu kur bënë seks të të ngjizin
dhe më pas, në lëngun që nëna jote dërgonte në zemrën tënde të vogël kur akoma ishe thjesht një parazit.
Mbërrita tek ty para se të flasësh,
para se ti, të mundësh të kuptosh diçka
nga ato që të thoshin të tjerët.
Isha aty kur, i ngathët,
hidhje hapat e parë para ngacmimit të syve tanë të qeshur.
Kur ishe i pambrojtur dhe i ekspozuar,
i cenueshëm dhe kishe nevojë.
Më solli në jetën tënde dora e mendimit magjik
më shoqëronin...
besëtytnitë dhe magjitë, idhujt dhe hajmalitë...
sjelljet e mira, shprehitë dhe traditat...
mësuesit e tu,vëllezërit e tu dhe miqtë e tu...
Para se ta mësosh se ekzistoja, pjesëtova shpirtin tënd
në një botë drite dhe në një botë të errët. Një botë
për të mirën dhe një për të tjerat.
Unë të solla ndjenjat e turpit, të tregova të gjitha dobësitë e tua, shëmtimet e tua, marrëzitë e tua,
të papëlqyeshmet të gjitha.
Unë të vara tabelën “i ndryshëm” kur të thashë për herë të parë në vesh se diçka nuk shkon krejt mirë tek ti[...]
Jam mysafirja e paftuar, vizitorja e padëshirueshme dhe ndërkaq, jam e para që erdha dhe e fundit që do të iki.
U bëra e fuqishme ndërkohë
duke dëgjuar këshillat e prindërve të tu
se si të triumfosh në jetë.
Duke vëzhguar perceptimin e besimit tënd,
që të thotë ç’të bësh dhe ç’të mos bësh,
që të të pranojë Zoti në përqafimet e tij.
Duke vuajtur humorin çnjerëzor të shokëve të tu
në shkollë
kur qeshnin me vështirësitë e tua.
Duke pritur poshtërimet nga ata që ishin sipër teje.
Duke vëzhguar pamjen tënde jo të gëzueshme
në pasqyrë dhe duke e krahasuar më pas me fotografinë e njerëzve të “njohur” që dalin në televizor.
Dhe tani, së fundi, ashtu e fuqishme siç jam,
dhe thjesht për arsye se jam grua, se jam negër,
se jam hebre, se jam homoseksuale, se jam orientale,
se jam e paaftë, se jam e gjatë, e shkurtër ose e trashë...
mund të të transformoj në një grumbull plehrash, në hekurishte,
në një kokë turku, në përgjegjës i globales, në një bastard
të mallkuar të një përdorimi të vetëm.
Breza të tërë burrash dhe grash më mbështesin.
Nuk mund të shkasësh prej meje.
Pikëllimi që shkaktoj është aq torturues
sa që të më durosh,
duhet të më transmetosh te fëmijët e tu,
si dhe ata të më kalojnë te fëmijët e tyre,
në jetë të jetëve.
Që të të ndihmoj ty dhe pasardhësit e tu
do të fshihem pas ngjyrave të teliomanisë,
në ideale të larta, në autokritikë, në patriotizëm,
në vlerat etike, në zakone të mira, në vetëkontroll.
Pikëllimi që të shkaktoj është aq i theksuar
sa dhe në qoftë se do të më refuzosh,
do të përpiqesh shumë të më fshehësh pas fytyrave të tua,
pas narkotikëve, pas betejës për paranë,
pas neurozave të tua, pas seksit tënd të pafytyrë.
Nuk ka rëndësi se ç’ bën, por, nuk ka rëndësi se dhe ku shkon.
Unë do të jem gjithmonë aty, gjithmonë e pranishme.
Se udhëtoj me ty natë e ditë, e palodhur, pa kufij.
Unë jam shkaku themelor i varësisë, i pronësisë,
i presionit, i imoralitetit, i frikës, i dhunës,
i krimit, i çmendurisë.
Unë të tregova frikën e refuzimit dhe unë
kufizova ekzistencën tënde në atë frikë.
Nga unë varet nëse do të vazhdosh të jesh
ai njeri që kërkojnë, që adhurojnë, që e duartrokasin,
i sjellshmi, dhe i këndshmi, që je sot për të tjerët.
Nga unë varesh, se unë jam sënduku që ke fshehur
gjërat më të pakëndshme, më qesharake, dhe nga ti vet
më pak të dëshirueshme.
Në sajin tim mësove të pajtohesh me atë që të jep jetë,
se në fund, çfarëdo që jeton do të jetë gjithmonë
më shumë nga ajo që ty mendon se meriton.
E mendove, ashtu nuk është?
Të gjitha filluan atë ditë të vranët
që u lejove të thuash krenar
«UNË JAM!»
Dhe, i turpëruar dhe i frikësuar
ule kokën
Dhe ndryshove fjalët dhe veprimet e tua
me një arsyetim të mirë:
« UNË DUHET TË ISHA...» Përktheu Vasil Klironomi
Jorge Bucay
Librat e tij u shitën në më shumë se dy milion kopje
dhe u përkthyen në më shumë se pesëmbëdhjetë gjuhë.
Comments