Edona Marku
Poetja amerikane Emily Dickinson i përshkruan ndjenjat që i vinë prej poezisë kësisoj: “Nëse lexoj një libër që më ngrin të gjithën, saqë asnjë zjarr të mos më ngrohë, di që është poezi“.
Zgjodha pikërisht këtë shprehje, sepse përçon mjaft qartë ndjesitë që të përshkojnë teksa lexon “Aurat e Natës” të Belfjore Qoses.
Në lëmin e poezive që përmban ky vëllim poetik përzgjodha poezinë me titull “Aurat e natës”, për faktin se të përcjell mijëra mendime, të cilat shpesh duke u ngatërruar me njëra-tjetrën, e bëjnë poezinë mjaft përsiatëse dhe i japin mundësinë lexuesit ta shohë në këndvështrime të ndryshme, të bëhet pjesë e saj. Nisur me përemrin vetor shumës “ne”, poezia përgjithësohet dhe të fton ta lexosh deri në fund atë duke ndierë veten në çdo varg e germë të saj. Gjatë fëmijërisë sime ndër librash psikologjie kam lexuar tek-tuk mbi aurat dhe në to thuhej se “ato përbëhen prej shtresash të ndryshme e ngjyrash të ndryshme, që varen nga përvojat njerëzore“. Pikërisht ky aspekt ndihet në brendinë e poezisë, ajo është e mbushur me ngjyra, përvoja e përjetime të fshehta njerëzore, të cilat nuk shfaqen në botën e jashtme, por qëndrojnë strukur në gjithsecilin prej nesh. Imazhet e vargjeve karakterizojnë ndjenjat e ndryshme humane si vetmia, trishtimi, ndërgjegjja, të qenit i vetëdijshëm etj.
Ndjenja e vetmisë dhe e individualitetit, e cila dëshmohet edhe përmes ndërtimit të poezisë, është e fortë. Kemi të bëjmë me një poezi tepër medituese, me një gjuhë të re dhe origjinale, ku fjala shpesh bëhet simbol. E kam lexuar këtë poezi si diçka ezoterike, mjaft shpirtërore e të thellë dhe kam kuptuar fuqinë e jashtëzakonshme poetike, me të cilën është ndërtuar çdo varg i saj. Ndërthuren kaq natyrshëm magjia, alkimia, metafizika, e mistershmja dhe gnostikja. Teksa futesh në brendësi të poezisë vihet re prirja për të arritur bashkim apo njëjtësi me absoluten dhe hyjnoren. Mund ta përshkruajmë si një nevojë largimi prej botës reale për të arritur në një nivel më të lartë të vetëdijes. Po t’i referohemi vargut
“Duke pritur dritën prej botëve të tjera/
na ka mbetur në fyt shpirti i natës”,
del në pah një dëshirë ekzistence e kombinuar me hidhërim shpirti, e këtë e tregon pikërisht kundërvënia dritë-natë.
Qytetërimet e lashta, me anë të metodave të tyre karakteristike janë munduar që në ato kohë, të hynin në labirintet shpirtërore e psikologjike të njeriut, në ato zonat më të thella dhe të fshehta të mendjes njerëzore. Gjithaq, poezia në fjalë nëse do e shikonim nga këndvështrimi parapsikologjik, heton anën subkoshiente të qenieve, atë pjesën e “errët” spirituale të njerëzimit.
Poetja udhëton brenda vetes për të zbuluar botën e madhe të shpirtit njerëzor, ndaj do e përkufizoja si një poezi “brendashpirtërore“. Ndoshta vetëm poeti mund të kuptojë atë që rri fshehur brenda nesh e ta përkthejë në vargje.
Studiuesi A. Berisha teksa analizon poezinë “Zgjimi i një poeti“, të Camaj, ndër të tjera thotë që “poezia në fjalë shpreh gjakimin e njësimit të autorit me poezinë si krijim shpirtëror dhe si katarsë shpirtërore“, e pikërisht kjo ndodh edhe në “Aurat e natës“. Sikurse Orfeu zbret në Had për të sjellë përsëri Euridikën e tij, kësisoj edhe poetja zbret në “errësirë” për të kërkuar shpirtin njerëzor, e për ta sjellë në dritë me anë të vargjeve të saj.
Gjithaq, përgjatë vargjeve ndihet koncepti “Da–sein” i Heideggerit. Etimologjikisht ka të bëjë me “të qenit këtu dhe atje“, sikurse ndodh edhe në poezi, në të cilën kemi një gërshetim të marrëdhënies mes së brendshmes dhe së jashtmes, qenies dhe kohës. Heidegger e përdor konceptin “Da–sein” për t’iu referuar përvojës së qenies. Pra, në poezi kemi në qendër njeriun, qenien që është e vetëdijshme që duhet të përballet me ndërgjegjen, të vërtetën, vdekjen dhe gjithashtu është në dijeni të përparësisë së botës, natyrës ndaj vetes. “Ne, me aura të zeza mbi kokë” do të vazhdojmë të jemi në pritje të poezive të tilla, të cilat e pasurojnë letërsinë tonë rropatshëm, sikurse “rropatshëm rrokullisen rrëketë / e shiut mbi aurat e zeza të natës”.
Comentarios