«Atdheu është Atdhe edhe kur të vret»
Bisedoi : Aleko Likaj 09 Feb 2009
Demokracia hyri në Shqipëri, e populli doli jashtë!
Pjesa e dyte e bisedes...
Ndonjë ngjarje kulmore…
Në Tepelenë kisha një kushërirë mësuese martuar me një të «deklasuar». Për të, më bënë pesë gjyqe sa të tregoja se ç’plane kundër pushtetit kisha hartuar gjatë bisedave me krushkun-armik (!) Më çuan te fshati i tij të jepja llogari, i shoqëruar nga sekretari i organizatës (një idiot i këndshëm me hundë të gjatë asnjanëse). Po të kishin sukses, ndoshta nga shëmbulli im në Shqipëri do hapej praktika kineze e çuarjes te fshatarët të intelektualëve «borgjezë» për t’i demaskuar e rrahur atje së pari. Salla u mbush me fshatarë të kthyer nga puna. Po shihja me bisht syri, se cili qe më i zellshëm a i porositur që të më turrej i pari me lopatën që mbante në duar. Sekretari bëri thirrjen. Ata u ngritën me radhë në mbrojtje: «Me këtë familje ne të tërë kemi pasur vajtje-ardhje. Dhëndëri i tyre, Avdua, është punonjës i nderuar komiteti. Tani i bëtë armiq, mbase të dënoni këtë të shkretin!..» Mbledhja ndëroi drejtim. Idioti im i këndshëm thirri shoferin, e u nisëm nga erdhëm.
Në biseda të afërta më parë dhëndërit i pata thënë se «Qemal Stafën e vranë pabesisht shokët…se «puçistët» etj. me sa duket janë viktima si dënimi im»…
Vërtetë Agim,ç’lidhje kishin puçistët me ty?
Unë u gjykova kur niste dhe dënimi i tyre. Në mbledhjen - inkuizicion u tha që «dhe ne kemi të bëjmë me praktikë puçiste…». Letra - akuzë me këto formulime, me sa dukej qe hartuar në një laborator të hollë më lart, e ushqyer nga materiale «poshtë»...
Dhe ju mendoni se pas kësaj erdhi ajo që mund ta quajmë, goditje të rëndë?-
Për mendimin tim, dy raste të dukëshme. Si u kthyem me Ll. Siliqin nga Metingu i Poezisë në Gjakovë, «Drita» (drejtuesi dashamirës) më botoi poezitë ku thoshja se në Kosovë «kisha hyrë/ në vëndin bosh të zemrës sime» (u quajta « iredentist»)! Ngjarja e dytë: në një tubim me shumë intelektualë mbi, gjoja, «debatin e lirë «demokratik» në arte, para R. Alisë gjykova se këtë debat e mbyt si beton aliazhi i tre autoriteteve bashkë: letrar, organizativ e politik»! Para shokimit të kolegëve ndjeva se kisha ikur larg, veçanërisht kur drejtuesi i lartë nguli këmbë se kush qe «politiku»! Tregova F. Paçramin! Shuteriqi më mbyti me të shara. «Ç’bëre ashtu!..» më tha jashtë kolegu dashamirës zagorit S.D. Ngjarja kish marrë udhën e vet.
Dhe si u zgjidh Letra e dytë në Metalurgji?-
Organizata me delegatë nga lart vendosi njëzëri të më merrte prokuroria.. Prisja me orë hekurat. Ndodhi e çuditëshmja: punonjësi i Degës, S. Duka (dashamirës i letërsisë dhe imi) shkon në Tepelenë të vërtetonte akuzën dhe autorit i kërkoi dëshmitar të dytë. Nuk gjeti; kthehet dhe e mbylli çështjen (një pohim i tij, e do isha në qeli, siç ia kërkonte kryetari)! Këto m’i tha në mirëbesim tepër të guximshëm gjatë një udhe treni në një cep vagoni. (Më pas takohem me ish dhëndërin F.K. e më tregoi me dhimbje, se e kishin detyruar në komitet, me porosi diku nga lart, që të më denonconte për të shpëtuar vetë nga një burgosje).
Sipas jush, kish dhe në Sigurim njerëz të mirë?
Në botë asgjë nuk është krejt, o bardhë, o zi. Mendoj, s’do shtruar fajësia - pse ke qënë në Sigurim-, por ti ç’ke bërë atje! E keqja nuk është pse kish Sigurim kombëtar a shtetëror se çdo shtet e ka atë si hallkë të domosdoshme shteti. A do kishim më hair, që aty të kish serbë apo grekë!? Ne me të drejtë e urrejmë ish Sigurimin e Shtetit për mënyrën si e kish gatuar diktatura, shërbëtore çnjerëzore të saj. Por fajësitë e njerëzve janë të shkallëzuara (çdo berr varet nga këmbët e tij). Hilmi Seiti qe kryetar Dege, por në varrim e përcolli gjerësisht Shkodra. Brënda funksionit të hidhur shtetëror ai qe dhe njerëzor; luftonte dhe për Çamerinë e tij, e për këto u helmua. Te gjykimi ‘në bllok’ mbetemi në dënimin abstrakt dhe kryefajtorët fshihen tek të tërët.
A ke raste të tjera?
Unë s’ia harroj bashkëfshatarit dhe ish nxënësit tim N. Milori. Me dashuri e mirëbesim tepër të rrezikshëm më njofton për denoncimin me pasojë hekurat, të një gjysëm letrari në Shkodër, dhe të qepja gojën! (pas lutjesh më tha dhe emrin, e kur ai erdhi në Tiranë piva kafe me të, thua s’dija asgjë). S’mund t’ia harroj gjykatëses L. Gjoliku: para arrestimit tim, i thotë Drejtorit të Përgjithshëm të Hetuesisë mes të tjerash «dhe kur na zë dimri, arra e ulliri nuk priten»! Të kuptohemi, flas për rastet pa vënë dorën në zjarr për gjetkë. Gjithkush e për secilin të japë dëshmitë e tij para drejtësisë. Krerët e Sigurimit e të Partisë mbeten vrasës që riprodhonin vdekje të përditëshme, sa kur thuhet «Sigurim» kuptojmë terror. Ata që i kanë gjurmët në shpinë e dinë më saktë. Sidoqoftë, Sigurimi famëkeq i Shtetit nuk ka vënd në strukturat e demokracisë. Ata që nuk kuptojnë kaq gjë, o janë teveqelë, o mbeten kriminelë.
Dhe ju mendoni tashmë se dosjet duhen hapur
E kam shprehur në disa gazeta që më 1992, së pari shkrimi te «LIRIA»: «Ta bëjmë si Haveli», pasi nuk më digjte asgjë! Duhen hapur pa tjetër, edhe pse «ustallarët» këto vite i kanë rregulluar si për vete. Të çrrënjoset komunizmi nga demokracia, të nderohen e të shpërblehen të vuajturit, t’i shpëtojmë të ardhmen Shqipërisë - këto janë kryesore, të domosdoshme. Nëse këto kryesore i pengon Kushtetuta, ahere duhet koregjuar Kushtetuta me udhët ligjore.
Tani le të kthehemi përsëri prapa në kohë, aty tek dënimi yt, pas vitesh mundimi në Metalurgji…
.
U ktheva qetë pranë familjes.
Si t’u sollën kolegët!?
Në fillim ndërronin rrugë si para armikut; në fund ndërronin rrugë si para viktimës. Njëri m’u s’pjegua çiltër: «I tha dërrasa gozhdës -më shpove!-Gozhda ia ktheu - ke hak, po ta dish ti çekanin që më bie pas!-
Autorin e Letrës, a e takove?!-
Pas ca vitesh demokracie, u ndodhëm ballëpërballë në bulevard. Buzëqeshi; i buzëqesha dhe isha gati të pinim një kafe për çlodhje, por secilin e tërhoqi udha e tij. Ai qe viktimë e verbër e «lojtarëve» më lart (po kjo është temë tjetër).
Si e prite demokracinë!?
Një pranverë e ëndëruar shoqëruar me ngricë të hidhur. Drejtimin po e merrnin të privilegjuarit e diktaturës veshur me cipë «demokracie». Ish diktatori i fundit mbetej në fuqi, çuditërisht i mburrur nga brënda e jashtë vëndit (siç janë botuar): «Ramiz Alia të mos burgoset»! Por, populli nuk e zgjodhi as deputet lagjeje përballë një mekaniku të thjeshtë, kurse shërbëtorët që i zgjodhi vetë e bënë President qëndisur me dafina! E pashëmbullt në ish vëndet Lindore (rrënjët e gjëndjes së sotme edhe pas gati 20 vitesh, s’ka pse kërkohen gjetkë). Pas një takimi zyrtar me të Ambasadori Rajerson tha mes të tjerash: «Ai kish gjak në duar. Kish shumë gjak». E me ato duar gjaku po takohen si te mësuesi partiakët e zyrtarët më të lartë të «demokracisë»! Më 1992 botova shkrimin (firmosur nga shumë ish të burgosur politikë): «Pa dënimin e plotë e të thellë të Ramiz Alisë nuk ka demokracis në Shqipëri». S’e dëgjoi njeri. (Një gazetë dashamirëse që sot më botonte vazhdimisht këndej nga larg më tha çiltër: «Po e nget shumë Ramiz Alinë»! Iu përgjigja: «Që kur më keni shpallur ‘disident’ në demokraci, se unë në diktaturë nuk kam qënë disident! Kurse ‘Ai’ është i vonuar për në Tribunalin e Hagës»! I urdhëruar nga diku, zëri u mbyll e u ndamë.
Nën zhurmën e «demokracisë» po minohej kombi. Kjo lojë tragjike jo e rastit, mesa duket e komanduar nga jashtë, vazhdon të luhet tepër e mbuluar dhe nesër do t’i duken hapur pasojat.
Paradoks. S’ka më të pikëllueshme, populli më i shtypur në diktaturë të jetë populli më i vuajtur në demokraci!..
Mendoj, në ballin e shumicës së shqipatrëve sot lexohet thënja ulëritëse e Sollzhenicinit: «Skllavëronani, por na jepni të hamë»!
Me miratimin për hyrje në NATO kryeministri ynë falënderoi «shqiptarçe» Presidentin amerikan se «e mbajti besën»!
Shumë bukur. Veç duhej të shtonte, nëse dhe ana tjetër e mbajti besën «shqiptarçe» para SHBA-së dhe OKB-së për të mos e thyer embargon ndaj Beogradit të dënuar!
Si i gjykoni ftesat rast e pa rast që qeveritarët tanë u bëjnë kolegëve të huaj?
Më së shumti - ‘Ejani na jepni një llustër mbi njollat, se na janë zbuluar’! Për mendimin tim para se të ftosh, bie fjala krerët grekë në Tiranë të të shohin ty, t’u kërkohet të shohin së pari 2000 shqiptarët në burgje: pse janë dënuar, gjëndjen e tyre si dhe ankesat që kanë e t’ia spjegojnë «aleatit strategjik». Mit’hat Frashëri ambasador, për 20 të burgosurit shqiptarë në Greqi dikur i kërkoi llogari të prerë Ministrit të Jashtëm të vëndit. Mund ta ftosh Zonjën e nderuar Hillari etj. Por, duke ruajtur dashurinë e mirënjohjen pa kufi ndaj mikut tonë më të madh e besnik, është mirë të dimë qartë: Presidenti Bush tha publikisht se ne do luftojmë jo vetëm terroristët po dhe vëndet që i strehojnë! Bukur, por në Amerikë vepron legale Shoqata terroriste «Panepirote» që i ka sjellë Shqipërisë jo më pak dëme se Bin Ladeni Amerikës, e kryetarin e saj Gejxh e pret përkrahu në Tiranë ambasadori amerikan. Si spjegohet kjo kundërshti!? Të dërguarit e nderuar të Europës, për hyrjen e Shqipërisë në BE shtetarëve tanë nuk u vënë kusht të prerë, së pari ligjin universal që e kanë dhe vetë të parën: «Prona është e shenjtë, e trashëgueshme, e patjetërsueshme», pra heqjen e Ligjit komunist 7501 të Tokës, por kërkesa anësore: «jo kodi, jo Karta, jo vota, jo harta»…Një hap para, dy hapa prapa..! (I thanë priftit, pse s’bie kambana në fshat? Ai u përgjegj: «Për 7 arsye; e para-s’ka kambanë…». Leri të tjerat, s’na duhen»! ia kthyen). Kështu dhe me Ligjin e Tokës. Këtë kënd të errët që bie erë - lojë me Shqipërinë, emisarët europianë, të më falin, e kanë nga mungesë gjykimi apo nga ngrohje xhepi! Shqetsohen për investime, por kudo në botë bizneset e turizmet bëhen së pari mbi pronën e të zotit. Tek ne prona kaloi nga shtetëzimi komunist në grabitje «kapitaliste».
Ka dhe arritje këto vite?
Sigurisht ka. Por një qeveri, më tepër nga ato që bën, gjykohet për ato që mund t’i bënte dhe s’i ka bërë; për këtë, t’i lerë vënd tjetrit. Aq më tepër kur janë bërë gjëra të mbrapshta gjer tragjike nisur nga ’97, e për to askush nuk merr përgjegjësi! Durham thotë se një qeveri nuk shfajsohet me «arsyen» se nuk e dija! Shatobriand shton më tej: «Te krerët e shtetit nuk ka gabime, as faje, por krime » e duhen gjykuar si të tilla.
Si shkrimtar e publicist me përvojën e treçerek shekulli, si e gjykoni rolin e shkrimtarëve në këtë gjëndje!?
Të tjerë mund ta gjykojnë më saktë, por në gjëndjen e krijuar them se Shqipërinë sot, më shumë se ligësia e të marrëve po e vret heshtja e të mënçurve. Po nuk u ndërpre, është në zbatim profecia paralajmuese e Konicës: «Shqipërinë e bënë idealistët, e mbrojti rastësia, po e varrosin politikanët». Ndodhemi brënda një industrie të tërë shërbëtorësh antishqiptarë -o mëndjemëdhenj, o mëndjefyell, o mëndjeshitur që nën flamurin e «të drejtave të njeriut» po synojnë shkërmoqjen e kombit të shqiptarëve. Hegeli, dhe brënda nebulozave të ngatëruara të filozofisë thoshte: «Intelektual është ai që merr përsipër mbrojtjen e Atdheut të tij». Ka një çudi: edhe intelektualë të quajtur të mënçur apo parësorë, prodhojnë e riprodhojnë qoftë dhe të vonuar shqetësime, bie fjala për Kosovën, e heshtin për Jugun aq të rrezikuar të Shqipërisë, ku Greqia tanimë është kryezot! (edhe gjaku i njeriut është më i mënçur: ruazat e bardha së pari drejtohen aty ku është plaga kryesore për ta mbyllur). Mbrojtja përgjysëm e Atdheut është shitje e Atdheut. Diktatura e rëndë te shkrimtarët prodhoi dhe shtrembërime njerëzish për mbijetesë, dhe shërbëtorë për privilegje, dhe martirë me karakter të adhurueshëm.
Megjithatë, nga shkrimtarët kemi vepra të çmuara.
Pa dyshim. Shpesh arkitekturat buzë greminave me hije - drita Rembrandi janë më të hijëshme. Por do pranuar dhe thënia e Dostojevskit se «në komunizëm nuk ka vepra pa praninë e djallit». Haveli thotë: «Unë nuk mburrem se gjojà kam shkruar kundër komunizmit, por mburrem se nuk kam shkruar asnjë resht për të». Sollzhenicini shton: «Nuk jam fajtor se mos kam burgosur njeri, por ndjehem fajtor se nuk kam shpëtuar njeri nga burgu». Këtu secili nga ne ka fajësinë e vet (në masën dhe arësyen e tij) e i duhet kërkuar falje popullit.
Agim, diktatori dje ju lavdëroi për Baladën, e ju s’ia kurseni kritikën!
Sulltani i shkroi Skënderbeut «pse iku pabesisht e mosmirënjohës»! Dhe përgjigja: «Mirësitë Tuaja aq të shumta do çdukeshin nga faqja e dheut para mbrapshtive tuaja tepër të mëdha» (ngjashmëria është në krahasimin, jo në anët e krahasuara).
Në poezi ju keni folkun; metaforën e gatuani me materien e shpirtit popullor, e nga kjo pëlqeheni jo pak! E paharrueshmja ‘Balada e Selam Musait’ e të tjera të tilla mbahen mënd jo nga fjalë reshtuar bukur, por nga materja që brënda ndjenjës krijon mendimin. Bie fjala «bronxi, bora e hëna mbi bust, kuti duhani, dyfeku me gjalmë, telat, sharku i zi, prozhektori etj.
Mendoj, poezia këtu e ka vlerën e qëndrueshme. Mendimi të lundrojë mbi ndjenjë si vapori mbi valë. Bota është një harmoni Universale, e harmonia është kusht vazhdimësie e jetës. Kjo vlen dhe për jetën shoqërore ku harmonia më e bukur është te të kundërtat. Kjo vlen dhe për artet. Që fëmijë unë jam ushqyer me pamjet dhe zërat e bukur të natyrës, me tingujt e zileve në mal dhe dritën e yjve në qiell. Ato m’u bënë zëra shpirti, dhe poezia më çeli sipër atyre zërave. Arti i mirë i ngjan detit: sa më i thellë aq më i qartë. Shpesh autorët me errësimin fshehin mangësinë e mendimeve. Edhe në art vlen thënia egjiptiane: «Bota duhet t’i trëmbet kohës».
Shkrimet për kombin a nuk të hanë kohën e artit!?
Do gjykuar më e rëndësishmja për sot. De Rada, Naimi etj. u morën me Abetare, Gramatika…Shërbimi për Atdheun të pakëson si krijues por të bukuron si njeri.
Si duken krijuesit sot?
Luftojnë me udhët për të arritur majat. Dje i pengonte ideologjia, sot i shtrengon ekonomia. Më së shumti mungon gjykimi i ndershënm kritik. Vlerësimi është kthyer biznes. Ata që fryhen kot u ngjajnë shkëndijave të zjarrit: sa më shpejt i ngrë tymi lart, aq më shpejt shuhen.
Mbahen mënd dhe këngë të paharrueshme me vargje të tua…
Më kërkonin miqtë kompozitorë, e i bëja. Brilanti Agim Krajka më thotë se kish një motiv polifonie të Jugut, e donte vargjet. Bëra «Kafe Flora». I feksën sytë nga kënaqësia, pastaj u mvrejt: «Një dibran e një lab, vajzat i fut liberale në Kafe Flora, kur ato i ftojnë për zbor e punë prodhuese»!? «Si të duash»! ia ktheva. Guxoi e mori.. Kur u dënua, i thashë të bënte shpejt një këngë për partinë! «S’i bëj dot ato, mor jahu»! ma ktheu i pikëlluar. Bëra «Këngën e Nënës» për të ndjerën nënën time. Me Agim Prodanin ia dhamë Sherif Merdanit. «Më gjetët zemrën me këtë hymn e vajtim bashkë» na tha ai. Kur u fut në burg ia kuptova shprehjen. E të tjera.
Çfarë quani më shqetësuese sot?
Humbjen e ndjeshmërisë kombëtare te shqiptarët. Po zbatohet skema e paralajmuar nga Noli: rënia ekonomike lind rënien morale e rënia morale lind rënien kombëtare. Po bëhen veprime zyrtare që minojnë hapur gjer në shpërbërje e shitje të Atdheut, e njerëzit heshtin (në Zvicër për gjënë më të vogël me ndjeshmëri në popull e në fatin e tij, kuvëndi shpall Referendum). Dy djem nga Tepelena me thirrjen e gjakut të të parëve guxuan të mbrojnë vëndin e tyre të rrezikuar hapur e shteti i nxjerr para gjyqit, në vënd që të dënojë zyrtarët e vet grekomanë që shesin hapur Shqipërinë e shkelin hapur Kushtetutën! Ata janë heronj (aq më tepër po të burgosen), sepse janë dallëndyshet e një fenomeni që tanimë po afrohet: mjaft me shitjen e Jugut të Atdheut nga qeveritë, nën heshtjen po aq të turpëshme të Kuvëndit e të partive. Te buza e humnerës, populli do ta marrë vetë në dorë fatin e vëndit të tij.. Një nga arësyet e këtij gjyqi të tejturpshëm është të frikësohet ky fenomen në fryrje, që natyrshëm në rrugë demokratike do dalë në skenë edhe pa lejen e qeverive të tilla. Kurrë nuk ka ndodhur në historinë e Shqipërisë që populli, për të kundërshtuar pushtuesit, më parë duhet të përballojë qeveritë e tij! Ne, a brezi që vjen, do jenë dëshmitarë për ato që do heqë Shqipëria nga varrezat greke në tokën tonë, nga shkollat te shqiptarët apo rrëmbimi i Ortodoksisë sonë nga greku Janullatos. Do t’u duhen mundime Sizifi të shkulin këta tumorë kur ato do kenë zënë metastaza. Atdheu është një organizëm. Nga shteti komunist dje dhe bijtë e tij sot, atij iu godit skeleti që mban organizmin (pronarët); sistemi i ndjeshëm nervor (të persekutuarit); truri i shëndoshë (intelektualët e ndershëm); gjaku vital (rinia, lypsare nëpër botë). Demokracia hyri në Shqipëri, e populli doli jashtë!
Vinë zgjedhjet e qershorit. A thua do rregullohet diçka!?
Demokracia i ka të hapura udhët për ata që duan e që guxojnë, dhe populli e ka vetë në dorë nëse kujton këshillën për qeverisje të Dekartit: «Nuk i duhet besuar atij që ju ka gënjyer një herë». Mirëpo, për fat të keq, shqiptari përjeton gjykimin e Fallmerajerit: «popull i vullnetit të fortë dhe i mendimit të shkurtër». E keqja është se ka trimëri atdhetare, ballëpërballë me armikun e jashtëm, por jo trimëri qytetare, me forcat e errëta brënda vetes. I tillë është gatimi i tij nga historia e vet me shumë arratisje jashtë vëndit. Shet votën a veten për ca para që të hajë sotpërsot, dhe të vuajë tok me fëmijët të nesërmen e gjatë. Mbase mëndjes i thërret buzë greminës (në zgjedhjet). Janë potencë shpëtimi, për veten dhe për Shqipërinë, kategori të tilla të mëdha, të çgënjyera e vendimtare si pronarët, të persekutuarit, çamët, të papunët e mashtruar, të braktisurit udhëve të botës. Arsyet për një «mendim të gjatë» tanimë janë: Gjakmarrja zbriti nga malet në bulevard. 500 mijë ndërtime pa leje mbi pronën e tjetrit janë secila me potencë gjaku brënda vetes. Korrupsioni dhe grabitjet nga lart po bëhen epidemi zinxhir poshtë -‘dy duar për një kokë’! Po shpërbëhet qeliza e shoqërisë shqiptare, familja. Dje i prishur nga ‘ideologjia’, sot nga ‘ekonomia’, njeriu i mirë duhet kërkuar me Qiri Diogjeni! ‘Haurit të Avgjisë’ ndotur keq, Herkulit iu desh t’i vinte lumin për ta pastruar.
A mendoni se nuk janë dhe dobësi tranzicioni!?
Ky Përkalim (Tranzicion) kaq i gjatë, mendoj se përtej vështirësive tejnesh (objektive) është zgjatje jo e rastit, t’i raskapitë shqiptarët gjer në gjunjëzim për ta shtrydhur lehtë! Mbi të mirat që i thuhen «demokracisë» do shtoja: si bijë e zgjedhur dhe e urdhëruar e diktaturës ajo ende s’e ka dënuar zyrtarisht diktaturën e diktatorin; i shpëtoi ata nga dënimi për krimet e i fuqizoi beton në ekonomi. Me shkatërrimet që bëri, me grabitjet e pronës dhe korrupsionet pa fre, tregoi anën më të keqe të kapitalizmit; e bëri të urryer gjer në shfaqjen aty këtu të nostalgjisë për të kaluarën si qetësim te barazia e varfërisë. Me krizat qeverisëse dhe sherret shterpë për turp të botës pohohen tezat shovene se shqiptarët nuk dinë të vetqeverisen.
.
Befas, ju u goditët për vdekje mes Tiranës…
Temë tjetër, e kam spjeguar.
Si mund të shpëtojë vëndi!?
Po t’i thërrasë mëndjes. Por ai tanimë i ngjan njeriut zhytur në llucë të rëndë. Ngrë një këmbë të dalë, të shpëtojë, këmba tjetër i hyn më thellë në baltë duke e tërhequr tek qe. Tanimë duhet doemos një dorë e jashtme e fortë dhe dashamirëse, si Shtetet e Bashkuara.
Si ju duket Zvicra ku jetoni me Azil Politik!?
Zvicra është Zvicër (krahasimin, si askush, e ka brënda vetes). Brënda saj ajo mbahet te puna, ligji dhe rendi. Jashtë saj udhëhiqet nga Sovraniteti, Asnjanësia dhe Humanizmi. Nëse Shtetet e Bashkuara të kujtojnë rregullimin e makrokozmosit qiellor, Zvicra të kujton rregullimin e mirokozmosit molekular.
Si e kaloni kohën aty?
Me gruan, mbajmë njeri tjetrin edhe më afër se në rini. Shëtisim në një pyllnajë të bukur afër me miq kosovarë a ndonjë zviceran. Pi dy kafe në ditë (të tretën s’ma lë gruaja). Lexoj ç’bëhet e shkruaj ç’mendoj.
Tani s’e ke energjinë e rinisë.
Pleqëria ka saktësinë e fjalës. Lexoj sidomos histori e filozofi.
Pse filozofi ?
Ajo krijon mirëkuptim mes jetës e vdekjes kur atë e ke afër. Vetë hyjmë për çlodhje nën dhè, emrin, për mirë a për keq, e lëmë mbi dhè.
Ç’keni shkruar ?
Romanin «UDHA PËR TE VDEKJA» (10 vitet e persekutimit në Metalurgji); «KUJTIMET E FËMINISË»; «1000 FJALURTA NGARKUAR NË SHPINË» (sentenca nga 75 vjet përvojë); Essenë «SI E NJOHA GJINOKASTRËN»; «KOSOVA-DRAMA DHE MADHËSHTIA JONË», «ÇAMËRIA-BIBLA SHQIPTARE NË ECJE» etj.
Ç’keni trashëguar nga prindët?
Nga im atë (nëse i kam) - karakterin dhe qëndresën. Nga nëna-ndjeshmërinë dhe mirësinë.
Ke vite që s’ke shkuar në Atdhe!
Kur kisha nënën me dhimbje të forta sëmundjeje dikur, nga pikëllimi s’më bëhej ta shihja afër! Prisja shërimin. Për më keq, Atdheu i marrë peng nga forca të errëta ndjen më dobi që bijtë e tij larg t’i kalojë në harresë. Megjithatë mbetet e artë thënia e Kutelit: «Atdheu është Atdhe edhe kur të vret».
تعليقات