Atdheu i mbartur në këngë… ose Atdheu i shpëtuar.
Përsiatje mbi librin “Rapsodi të një poeme arbëreshë”
Nga Timo Mërkuri.
1-Mbi librin “Rapsodi e një poeme arbëreshe” , me krijime popullore të mbledhura në kolonitë e Arbëreshëve të Italisë nga Jeronim De Rada dhe kthyer në shqipen e sotme nga poeti Agim Mato, pata shkruar në qershor të vitit 2012 shkrimin “Deti në ekzil”, të përfshirë në librin tim “Kur flasim për Artin Jonian” (Milosao, 2013). Në këtë shkrim, këndvështrimi im mbi këtë libër, ishte nga dritarja e Artit Jonian. Por ja që arti ka shumë dritare, ku i mbështetur në parvazët e tyre mund të sodisësh kohën kur lindën, vendin ku lindën dhe u rritën këto këngë, ashtu siç sodisnin gjyshet nga dritarja e shtëpisë vashëzat e vogëla, tek luajnë në obor me shilarëse. Dhe po nga ajo dritare i shohnin pak më von, kur nisen nuse, për ti riparë kur kthehen për vizitë te prindërit, me fëmijët e tyre përdore. Koha ecën shumë shpejt dhe bashkë me dëborën dimërore që shkrin në pranverë e rrjedh nëpër përrenj, shkrijnë dhe ngjarjet e kujtimet, duke rrjedhur në lumin e harimit. Por nqse përenjve malorë populli u ngre prita me gurë e drurë, me qëllim që erozioni të mos “tretë” dheun, duke lënë shpateve vetëm skeletet e gurta, harimit i ka ngritur “prita” arti, ku ngjarjet mblidhen siç mblidhet uji i përenjve në ujëmbledhës, për tu përdorur në kohë thatësire.
Një “ujëmbledhës” ose më saktë , një “këngëmbëledhës” ka krijuar Jeronim De Rada te “Rapsodi e një poeme arbëreshe”, të cilën poeti Agim Mato e ka kthyer në shqipen e sotme aqë mjeshtërisht, sa që të krijohet përshtypja se ngjarjet e kënduara paskan ndodhur në ditët e sotme, në fshatin tënd. Madje edhe personazhet të duket se i ke takuar në rrugët e fshatit, madje dhe ke biseduar me ta.
2-Rapsodi të një poeme…. e quan De Rada përmbledhjen e tij të këngëve popullore dhe mendoj se jo më kot. Të gjitha këngët e përmbledhura në tre libra, me tema të ndryshme, kanë në fakt një kryetemë… Arbërinë .
Për këtë Arbëri lindën e u ritën, dashuruan e luftuan, madje dhe u vranë, e prapë u ngritën. Për këtë Arbëri ikën nëpër det, për tu rikthyer përsëri. Me këtë Arbëri në zemër e në mëndje ngritën fshatra arbëreshe në dheun e ri, duke u përpjekur të rikrijonin Arbërinë e tyre në dhe të huaj. E pse jo? Fshatrat i quajtën me emrat që kishin fshatrat e tyre në Arbëri, shtëpitë i ngritën tamam si shtëpitë në fshatin e tyre në Arbëri, me po ato dyer, dritare e çati. Vetëm kopështet i kishin pak më të vogëla, se më e vogël ishte dhe toka ku i ndërtuan shtëpitë. Madje edhe horizontet këtu ishin më të ngushta, vetëm nga lindja, ku matanë detit ishte Arbëria, sytë hapeshin më shumë duke zhbiruar horizontin e kaltër.
Në qoftë se në Arbëri kishin një kështjellë ku jetonin të gjithë bashkë, fisnikë e luftëtarë të thjeshtë, këtu kishin disa shtëpi të veçanta, të vogëla. Vërtet të ndërtuara si kështjella, shpesh ngjitur me njëra tjetrën, por gjithsesi shtëpi të veçanta.
Te njëra shtëpi bëhej dasëm, të tjetra lëngonte një trim nga plagët e luftës. Pak më tejë, në ajodhimë ngrihej Kostandini, se kishte një besë për të mbajtur. Ndërkohë që Skënderbeu bisedonte me vdekjen, një vashë, bijë e hënës, puthej me trimin. Ndërsa te një obor plot lule bisedonin dy të ra, për fëmijët motakë, që kur do rriteshin, do vidhnin zemrën e njeri tjetrit.
Të gjitha këto ndodhnin në një …poemë(fshat) arbëreshe.
Të gjitha këto janë ngjarje madhore, që nga puthja e asaj vashës, që një ditë më parë… lozte më një mollë qëe hidhte lart dhe e priste në gji…, kur del e bukura në derë, tek amanetet e Dedi Skurës e Pal Golemit, te besa e “Kostandinit të vogëlth” e gjer te Vdekja e Skënderbeut.
Të gjitha këto janë rapsodi,njëra më e bukur se tjetra.
Si të, tilla janë të denja për tu kënduar me lahutë apo vënçe, me iso, në odën e burrave të Arbërisë, në netët e dimrit. Veç e veçë, nëpër netë të ndryshme apo të tëra bashkë, në një natë të gjatë ekzili.
Të gjitha këto këngë kanë një lidhje organike, aqë sa të duken se janë vazhdim i njera tjetrës .Duke parë këtë lidhje organike mes këngëve si edhe faktin se janë një dëshmie e pakundërshtueshme shpirtërore e arbëreshëve për një të shkuar të lavdishme e fisnike, De Rada i grupoi nën titullin kuptimplotë…Rapsodi e një poeme....
3-IkënArbërit nëpër det…por me vehte morën Arbërinë.
Sepse atdheu janë njerzit, lufta dhe jeta, këngët dhe vallet, legjendat dhe vajet, ëndërat e shpresat e tyre.
Po malet, do pyesë dikush? Po ja pra, ata burra të heshtur në kuvertë ishin vetë malet e Arbërisë. Shtëpitë që do ndërtonin janë kështjellat.
Fushat janë gratë e tyre, lumenjtë janë lotët që derdhën dhe detet e liqenet janë shpresat që ata kanë për një të ardhme.
a-Ikën arbërit nëpër det….Dhe duke ikur këndonin vajin (apo vajtonin këngën)…O lamtumirë dheu im/të përshëndes se po të lë/e të të shoh s’do mundem më…
b-Në kiç e në bash të anieve që çanin dallgët drejt perëndimit, në këmbë, të veshur me parzmore lufte, me dorën të mbështetur te shpata a te heshta, të heshtur qëndronin luftëtarët. Në vitet që do vinin, në mëndje e në zemrat e tyre do gjëmonin brirët e luftës dhe thirrjet e kryezotit, Skënderbeut, në betejë ….O ti zoti Dukagjin/veç krahët ti më ruaj/të luftoj me këtë qën/të shohë shpatën si e luaj/flamurin si e valëvis/Bëri kryq e u lëshua…
-U kujtohej çdo detaj i jetës së Skënderbeut, dhe tani që ai s’ishte më, ua kuptonin domethënien disa fjalëve e disa veprave të tij. Edhe tani u kujtohej fjala e tij për nusen që do mirte, ku përkundër propozimeve të shumta për nuse të huaj, me tituj e prona, ai tha:…Unë…vajzën e dua arbërore/për nga gjuha dhe zakonet…prandaj …dërgoni fjalë zonjës/Donikë Marinëza.Sepse ai e kishte kuptuar që turku, së pari do përpiqej të shprishte gjakun e arbërit. Ndaj në çdo dasëm arbëreshe do këndohej kjo këngë.
c-U kujtohej si tani ajo ditë kur…u hap në qiell/libri i të vdekurve/dhe papritur e zezë e ftohtë/diçka si vello…/u ul e ra mbi kryete…tij. U kujtohet të gjithëve , fjalë për fjalë porosia që i dha të birit, duke i thënë…si të mbrish ti para ikjes/në zll të detit/atje është një qiparis/atje lidh ti kalin tim/mbi kalin, në erë të detit/hapeni flamurin tim/dhe në mes të flamurit/lidheni shpatën time/Kur të fryjë tramudana/gjogu do hingëllijë/flamuri do të valëvijë/dhe shpata do tringëllijë/turku ta dëgjojë e të trëmbet/duke kujtuar vdekjen/që fle tek shpata ime/dhe mos dije nga të shkojë…
Ndaj kur u nisën, flamurin e Skënderbeut, e shpalosëën në direkët të galerave, për tu parë nga larg, për tu njohur kush ishin. Dhe kështu, shpalosur, do ta mbanin gjithmon në fshatrat e tyre të reja që do ndërtonin, në shtëpitë e tyre, sepse një ditë do fluturonin bashkë me shqiponjën e tij drejt dheut amë. Ai flamur do tu kujtonte…se të huaj ishin në këtë dhe…ku po shkonin dhe se …Arbëria matan detit na kujton…dhe na prêt që të kthehemi.
Qeni turkdo të përpiqej që të harohej flamuri i Skënderbeut në Arbëri,. por luftëtarët e tij, të ikur në ekzil dhe bijtë e tyre më von, do ta risillnin në Shqipëri flamurin e Arbërit.
ç- Në atë heshtje ikjeje dëgjoheshin amanetet e të plagosurve, në agoninë e vdekjes…Ecni shokë, ju me shëndet/po ju lutem, atje poshtë/të më merni kalin/dhe tja çoni birit tim/se ritet e rrëmben shpatën/e i hipën ai kalit/te lufta të ma çojë….
Ata e morën amanetine Dedi Skurës dhe me vete, morën dhe të birin e tij, që të ritej, të burrërohej e të rikthehej në ato sheshbeteja, për të marë hakun e të jatit dhe të atdheut.
Dhe amanetin e kthyen në këngë, ta këndonin mbrëmjeve pranë vatrës a të dielave në shesh të kishës, që mos ta haronin kurrë.
d-Në atë anije ishte edhe Kostandini, me flokë të përbaltur, dhe s’po e zinte vendi, as atë dhe as kalin e tij, sepse udhëtimi i tyre nuk mbaronte aty ku do ankorohej anija. Aty do niste një tjetër udhëtim turravrap nëpër re e nëpër botëra, me ditë natë e me mote, udhëtim që ende vazhdon edhe sot, nën këngën e zogjve…ciu,ciu/kini parë a skini parë/shkon i vdekuri me të gjallë/hipur në të njëjtin kalë..
Se ka një besë të dhënë, ka një fjalë që duhet mbajtur, ndajë ka tre vjet që nuk e tret dheu.
e-Në një cep të kuvertës një plakë po u tregonte fëmijëve legjendën e “Kostandinit të vogëlth” duke bërë që të riteshin sa ora, dhe nga fëmijë, të bëheshin burra luftëtarë, trima dhe të besës, duke ëndëruar për të bukurat e tyre të ardhëshme ardhëshme, veshur me …dritën për cilon/ylberin për brez/yjet e marë te qielli.
ë-dhe pak më tejë, një nuse e re përkundëte të birin në ninulla…biri im , një copë borë/ është i vogël e do në dorë…
f- dy vajza të vogla, zënë dorë për dorë vraponin (apo vallzonin) në kuvertë dhe qeshnin me stërkalat që, duke u shkëputur nga dallgët, u binin në fytyrë. Dhe thoshnin me vehte që … janë yje, që do tua hedhin përsëri mbi vello, ditën e dasmës, kur të riten…
4-Këngët edhe vallete Arbërit u kënduan dhe u kërcyen në vendin e ri, vërtet me një tis të hollë malli përsipër, por përsëri me finesë dhe elegancën që kishin patur.
Atdheu i ri u rezervoi arbërve një klimë të ngrohtë ekonomiko-shoqërore, edhe kjo falë bëmave dhe traktateve të Skënderbeut.
Por ecja e tyre në jetë, qoftë dhe në këtë klimë të ngrohtë, ishte në radhë të parë meritë e vetë tyre. Ishte përvoja e origjinës së tyre, baza e ngritjes në jetë, qoftë në hierarkinë shoqërore qoftë në atë ekonomike.
Por atdheu i ri u rezervoi një “klimë të ngrohtë” edhe këngëve, valleve, legjendave dhe balladave të arbërve. Po të lexosh krijimet popullore të kësaj përmbledhjeje befasohesh me finesën e vargjeve dhe nivelin e tyre të lartë artistik. Ëmbëlsia e vargjeve është e ngjashme me një psherëtimë dashurie. Lexojeni ju lutem, jo për të më dhënë të drejtë mua, në këtë konstatim, sesa për ndjesinë e ngrohtë që do tju japë. Do përjetoni vërtet një mrekulli.
Në këtë kontekst, mund të lindë ideja e ndikimit të romantizmit europian në kulturën popullore arbëreshe, fakti që sot kemi një vepër kaqë të arirë artistikisht.
Këtu duhet të pohojmë se, krijimtaria popullore i bën rezistencë çdo gjëje të re, të papranueshme për origjinën e saj.
Krijimtaria popullore shqiptare i bëri një rezistencë madhore krijimtarisë së bejtexhinjve, nuk e pranoi atë në asnjë pjesë të tij, ndonëse ajo erdhi me forcën dhe autoritetin shtetëror të pushtuesve. Arsyeja është shumë e thjeshtë, këto dy krijimtari ishin diametralisht të kundërta në të gjithë elementët e tyre, qofshin elementë artistikë apo shoqërorë.
Krijimtaria popullore arbëreshe, ka marë një tis të hollë romantizmi europian në vendin e ri, por kjo ka ndodhur për arsyen se, ajo vetë, në origjinë ishte krijimtari europiane. Shqipëria ishte pjesë e pandarë e Europës, qoftë në mardhënie ekonomike qoftë në ato shoqërore e kulturore. Europa kishte kontë, vikontë, baronë, kalorës. Të tillë kontë, vikontë, baronë dhe kalorës kishte dhe Arbëria. (Bejlerët dhe agallarët dhe bota e tyre erdhën më von, bashkë me pushtuesin.). Obore aristokrate kishte në Europë, të tilla kishin dhe fisnikët Arbër, me një jetë aristokratike tepër aktive. Këtu, veç të tjerash kultivohej një art e kulturë që nuk ngelej larg asaj europiane, madje në disa raste edhe i paraprinte.
Kështu pra, në vendin e ri, ishte tepër i pranueshëm për artin tonë popullor, pranimi i një tisi romantizmi europian në këngët popullore, si një element progresi. Kjo do të kishte ndodhur edhe po të krijoheshin në Arbëri këto këngë, legjenda e ballada, po të mos kishte egzistuar ekzili dhe pushtimi turk.
Por ama thelbi i krijimtarisë popullore arbëreshe te këto krijime, ndonëse në vend të huaj, ishte dhe mbeti arbëror.
Dhe po ti shtosh këtij fakti edhe temën e kësaj krijimtarie, konkluzioni është kategorik.
E kam theksuar se jo më kot Lamartini, duke përshëndetur De Radën për poemën e tij magjike “Milosao” i specifikonte se “Poezia duhet të kthehet në ato brigje ku ka pasë lindur”.
Si konkluzion mund të themi se këngët popullore dhe balladat arbëreshe të përfshira në këtë “këngëmbledhës” të De Radës, janë thjeshtë këngë dhe ballada shqiptare, të cilat, duke u mbartur në vendin e ri, u shpëtuan nga shkatërimi i pushtuesit, “qenit turk”.
5-Por nuk u shpëtuan vetëm këto këngë e ballada. E parë në këtë kontekst mund të themi se u shpëtua gjithë Arbëria.
Arbërit jetonin në jug të Italisë por bënin jetën e Arbërisë.
Këndonin këngët arbërore, mbanin veshjet arbërore, vallzonin arbërisht, kujtonin heronjtë e Arbërisë, tregonin përrallat dhe legjendat arbërore. Shtëpitë i kishin ngritur si në Arbëri, dasmat i bënin njësoj. Dhe mbi të gjitha kishin dhe e shfaqnin atë që Shqipëria e pushtuar nuk e çfaqte dot, kryetrimin Skënderbej dhe Flamurin me shqiponjë.
Shqipëria qe e pushtuar, por Arbëria ishte e lirë.
Dhe nga kjo Arbëri e re do shpërndaheshin nëpër Europë dëshmitë e identitetit europian të kombit shqiptar. Një dëshmi e tillë është kjo përmbledhje e De Radës.
Sarandë, më 25.10.2015
Comments