top of page

AT  GJERGJ  FISHTA  NA  LA: “NJI  LULE  VJESHTET”


Pergatiti Fritz RADOVANI:

 


NJI  LULE  VJESHTET

 

Kjo ndoshta asht poezija ma lirike e mbarë këtij libri, n’ atë kuptimin e ngushtë qi merr fjala. Asht nji lirikë qi zbulon shumë ndiesi të botës së mbrendshme të Poetit. Subjekti i saj paraqitet mjaft i pacaktuem. Mbas mendimit tim Poeti në ketë karm – në ketë trajtë si paraqitet sot hartimi – nuk pat nji vehtje të caktueme. Ai ndoshta – shka ka të gjitha gjasët – së parit desht të shprehë ndiesit e dhimbjës për këtë apo atë vehtje të caktueme, por, në përshkrim të hartimit, erdh tue e çveshë prej çdo veçansije, e kështu e idealizoi aq sa, ai  Shpirt i lum, për të cillin s’ ishte kenë toka por Qielli, i bahet qendër n’ atë ravë të thepisne, qi shekulli e nji dishir Lirijet ia kishin shtrue gjallimit të tij. N’atë vorr zemra do t’ i ndezej, si Lekës së Madh në vorr t’ Akilit, kah punët e mbara e kah burrnija, e prej, se kishte me shkepun hovin kah punët e mëdha.Engjulli i Zotit, qi brij vorrit do t’ i sillte fuqitë mizore, do t’ ishte njiheri edhe Zana frymzuese e Poetit. E atëherë, pa pushue do t’ i uronte paqë e qetësi e do t’ u flitte për té të bijvet, qi kanë u frigue do të prehte zhgjetat e zjarrta, për t’ ia lëshue njerzimit kundër vesit, e do të ndertojë kangët kreshnike për t’ i diftue botës se shka vlejnë armët në dorë të Shqiptarit. Kështu, shohim se me kangë të veta do të ndertojë mbi atë vorr nji përmendore vertetë të madhnueshme, së cilës nuk do të kishte se shka me i ba rryma e moteve. Zanat do t’ ia rrethojshin vorrin me lule e do të rritshin për rreth selvija. Shtegtari i lodhun, ulë me nxjerrë kangë e me i gdhenun  emnin mbi lisa, tue e ba kështu të pavdekëshme.  


AT  GJERGJ FISHTA O.F.M.                                                                 (Grafikë nga F.Radovani, 1991)

At Viktor Volaj O.F.M. (1941)

N’ atë rrahe t’vdekunve mbrenda vorrit t’ errshem

Tash pluhun jé. Ata dy sy t’ janë errë,

Ku qiella prirej me sa hana e diella

Terthores s’ eper m’ sharte vrejnë t’ njerzimit!

T’ janë sosun fjalët e ambla e plot urti,

E ai zâ t’ asht kputë, i cili bite n’ zemer

Si kumbë liret t’ tingllueshme, qi prej s’ largu

Ndihet tue ra, kur dora e prekë e mësueme!

Ehu! Po; “vdekja, qi baras n’ derë t’ pallateve

Trokllon, si n’ trinë t’ kolibavet,” ku i vorfni

Me lot njomë buken, ty edhe ajo ké dera

T’ troklloi, e ti kalove, porsi vesa

E natës kalon, kur dielli bjen me shndritun

Mbi kobe t’ dheut. Sot permbi vorr t’ kanë bijtun

Hithat e madergona! Nji Kryq dëllijet,

Qi e pershpirtshme nji dorë ta vu té kryet,

Nder to ka humb, as tjeter send trishtimin

E vorrit nuk t’ a zbutë, posë vajit  t’ trishtueshem

Të hutit t’ natës, qi nëpër curra t’ malit 

Dhimbshem në rreze t’ hanës rrin tue gjëmue!...

Ai grumbull gurësh, qi n’ vorr t’ randon persipër,

Vetë gjaksorit t’ pashpirt, qi mbyti njeriun,

Lugat i duken, n’ hikje kah t’ bjen nget vorrit,

Edhe t’ përqethët atë botë, i shkon n’per zemer.

Po, a thue, krejt vdekja n’ asgjasend t’ përpini

E, posë se do kocijsh edhe ‘i grusht pluhun, 

Nuk t’ la tjeter? Jo! N’ prehen t’ Amëshuemit

Pjesa ma e mirë e jotja ka fluturue

Me gzue n’ dritë t’ qiejvet, ku pushon dëshiri

I njeriut t’ drejtë, si drita m’ sy të kthjellët.

Po, po, se pertej vorrin shpirti i njeriut

Gjallon perjetë! Ky mendim i ambel

Vdekjen e zbutë e vorrin ban t’ pelqyeshëm.

Kur zemren faji  s’e grisë. Prej këtij mendimi

As vetë per ty s’ lotova shumë, kur ndjeva

Se vdiqe: Se n’ ma  t’ miren lule t’ motit

E le ti ketë shkreti, ku shuen e Drejta

E paudhnija, ku sundon mizore;

Ku i zhyemi n’ vese sod me dorë dhunuese

Vesin shinon me Theta t’ zi, e selija

N’ rrashta t’ pergjakshme t’ njerzvet n’ kambë, ku mbahet. 

Ehu! Po, se Shpirti i yt, i kulluet si rrezja

E diellit, qi perfton lulet e erandshme,

Kur bora dehet, s’ mujt me e bajtë qelbsinen

E randë t’ ktij sheklli t’ zi; por fletët i rrahi

Kah jeta e dytë, ku Ai qi rruzullimin

N’ themel e dridhë veç me ‘i vetimë t’ qerpikut:

Amshon n’ lumni shka Atij t’ i ket perngja.

S’ kjé toka, jo, per ty kjé qielli!

E tash, qi vetë jam tue ravisë këto karta,

 

Ti, kushedi, nëpër vërrije t’ amëshueme

Shkon tue kerkue per lila e drandofille,

Qi s’ dinë me u fishkë e ndreq me ta kunora,

Per me u lulzue; mandej, nder t’ zjarrtat valle,

Qi nëpër vërrije rrinë tue këndue t’ Parrizit:

Ku, fletët e arta bashkë kryqzue me Engjëj,

Këndon Zotit lavde nëpër ylbera t’ qiellit;

A, marrë krejt n’ t’ pam t’ s’ hyjnueshmes faqe t’ Zotit,

Porsi m’ pasqyrë t’ kulluet shqyrton shestimin

E rruzullimit, vu prej s’ eprës Mendje,

E cila n’ t’ kenun sendet thirri t’ tana

Prej hijeve t’ thellueme t’ asgjasendit,

kur bani Ajo furinë me heshtë t’ thellimit, 

E me ‘i fuqi t’ pamatun prapi terrin

E pakthellimit, qi atje n’ t’ skajshmet megje

T’ këtij shekulli ndihet tmershem tue gjëmue,

Kah per ledhe plandoset t’ rruzullimit.

E aty, n’ atë dritë plot ambelsim dashunije,

Qi porsi lum‘ i kjartë prej Atit t’ Dritave

Gjithkah dikohet nëpër verë t’ Parrizit,

Shpirtnat e lum krejt n’ rreze tue përshi,

T’ kthiellta ti i prirë t’ vertetat, t’ cilat Hyji

Deshti t’ muzgëta njeriut me ia lanun t’ shkrueme

Nder fletë t’ hyjnueshme t’ t’ amëshuem t’Ungjillit.

Oh! Sa e sa herë, kur n’ mbrame shuen natyra,

E tjeter s’ ndihet, veçse rryma e përronit,

Qi përmallshem gurgullon nëpër rrâjë e curra,

Unë, lodhë mbi letra t’ t’ dijshemve t’ kahmotit,

Mbas t’ cilve fjalen rrij tue lëmue shqiptare,

Dal në dritare me kundrue shatorren, 

Qi i Lumi t’ kthielltë ia vuni rruzullimit,

E këqyri hyjt, qi thue, se aq sy Zotit

Flakojnë mbi dhé – kushdi, per me felgrue

Nierin, qi egrue ma fort prej tmerrit t’ territ,

Perbluen punë t’ mbrapshta: - e atë botë mendoj per ty.

E, ku t’ a shoh ma t’ flakshem tue xhixhëllue

Nji yll, aty selinë unë them me vete,

Ti do t’ a késh, e sytë m’ atë yll pa nda

I nguli, e m’ bahet si me t’ pa. Me emën

Unë t’ thrras atë botë nëper terr. Nji vaj bylbylit,

Qi permallshem nder gemba rrin tue kja

Fatin e vet, a ndoshta, zogjt e dashtun,

Jehonë m’i bahet t’ grishunit; e m’ duket

Se bisedoj me ty!. Nuk vdiska i miri,

Jo kurr; e sidomos nja’, i cili nji zemer 

E len mbrapa m’ e ankue. Prej vorrit t’ errët,

Gjumin e vdekjës ku ai ban, na i flet mendimit,

Ambël edhe na nzitë kah punët e mbara,

E n’ mendjen tonë gjallon. – Kur Aleksandri

Prej Bregut t’ Matës ngallnjyes u kap kè vorri,

 

Ku shuen idhnimi i Prijsit t’ Mirmidonëve,

Qi atje nën Shé vorfnoi me aq djalë Ekuben,

Iu ndez aty flakë zemra kah lumnija.

Mbi atë vorr, po, u betue me ngulë flamurin

N’ skaj t’ dheut, e prej selisë me i zdrypë mbretnit;

E atëherë perpara tij tanë bota shuejti.

Mue edhè, qi shekulli e nji dëshirë Lirie

T’ thepisun raven m’ ia kanë shtrue gjallimit,

Mue, po edhe zemra mbi vorr tand t’ pervujtun

M’ ndizet kah punët e mbara e kah burrnia.

Permbi vorr t’ and, po, nxâ të fortë me e mbajtun

Besen e dhanun – e miqesin’ e zanë;

Per Fé e per Atme n’ ballë me i dalë rrezikut:

Të ligështit doren me ia ngjitë e t’ fortin

Mos me e gledhue; kur t’ jet me u thanë e drejta.

Mos me i shmangë sytë prej cakut, n’ t’ cilin mendja

Dishron me u kapë, as kurr mos me u ligshtue

Nder sa t’ vishtira, qi t’ na sjellin motet.

Po, po! Se pré’ atij vorri kam me shkepun

Hovin kah punët e mëdha. Ai Kryq dëllijet,

Mneren e vorrit qi ta zbutë, Ai qanderr

Ka me m’ kenë nder salvime; Engjëlli i Zotit,

Qi rojës besnik fuqit t’i  pruen mizore,

Gjumin e vdekjës në vorr mos me t’ turbullue,

Dér qi të shkimen n’ qiellë e hana e dielli

E t’ ngelë moti e shekulli mbarë t’ rroposet,

E t’ vijë dita e gjyqit t’ rruzullimit, 

Ai ka per t’ m’ kenë Zana. E atëherë, pa u tutë

Zgjetat e mprehta e t’ zjarrta kam me i mprehë,

Qi kundra vesit do t’ ia lëshoj njerëzimit:

Atëherë unë kangët kam me i ndertue kreshnike,

Me t’ cilat botës unë do t’ ia la të shkrueme

Se shka vlejnë armët besnike n’ dorë t’ Shqiptarit.

E me kangë t’ mija ‘i permendar t’ madhnueshëm

N’ vorr tand kam per t’ ndertue, të cilin moti

Me fletë të ngrita kot ka per ta rrahë;

Pse, si curr, qi n’ mes t’ detit rreh tallazi,

Edhe ai ashtu do t’ mbesë nder gjire t’ motit

Qi bumbullojnë mbi faqe t’ rruzullimit.

E atëherë prej bjeshkve kanë me u djergun Zanat

E me të njoma vjollca e drandofille

Vorrin kanë me t’ vallue, e kanë me rritë

Me shumë kujdes per qark selvia t’ blerta; 

E shtegtarit mundqar, qi n’ ato hije

Ka me zanë vend, me ndalë pak gja t’ dihamet.

Kanë me kallzue se sa pjesë qielli vrâni

Vdekja n’ atë vorr. E atë botë i largët shtegtari

Të lehtë dhéun ka me t’ urue, e t’ paqta e t’ buta

Shinat e boren: e, kur n’ male t’ veta

T’ dredhojë ké stani, fëmijës ka me i kallzue

 

Shka ndjeu per ty. E fëmija e tij asobote

Emnin tand kanë per t’ këndue, e vrrini e bjeshka

Gjithmonë i ri, tue njehë furit e mnershme,

Ambël prej emnit tand kanë me jehue.

Me maje t’ briskut kanë me shkrue mbi lisa

Me shkrola t’ njoftne veç e prej barijve:

Kanë me u rritë lisat, perse sopata as rêja

S’e prekin landen, ku asht ravisë ai emen:

E tue u rritë lisat kanë me u rritun shkrolat;

E kështu ma t’ kjarta mbas disa qindvjetëve

Nipat ma t’ vonët kanë me i këndue, e emni,  

Sa t’ bjerë dielli tokës ka me t’u kndue.

 

                          1909.

***

 

Shënime nga Fritz Radovani (F.R.):

Ma shumë se katerdhetë vjet kishin kalue kur më ra në dorë edhe njëherë ky libër për me e lexue. Tash, edhe e kopjova.

Kujtojshe nga Prof. Gasper Ugashi një mendim:

Lahuta e Malësisë’ asht vlerësue edhe nga të huejt për vlerën e madhe që ka si poemë epike, por koha do të vlersojë Mrizin e Zanavet si kryeveper të Lirikave në letersi shqipe dhe njëkohësisht, poezinë

Nji lule vjeshtet –

si kryevepër të krejtë krijimtarisë së At Gjergj Fishtës.

Ajo poezi zenë vend në letersi botnore edhe për një arësye tjetër, pse mbrenda saj ka shpërthye shpirti i poetit At Gjergj Fishta, në drejtim të një “ylli”, që asht i padijtun por i kuptueshëm...”.

Melbourne, 30 Dhetor 2023.                      

 

34 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page