AS RRON, AS VDES
(Gjyshes time, Trëndafiles)
U ngrite tempull dashurive
Asnjë prej tyre s’mbeti gjallë
Tri herë i zbuan pas frëngjive
Tri herë pas vdekjes prapë i vranë!
As short i fatit s’pat rrëfyer
(Ç’lëngatë në shpirtin tënd të brishtë!)
Rreth teje idhuj të urryer
Përtypnin ëndrra perëndish
Mali t’u shemb, asnjë dritare
Vendi t’u err, gremisej udha
Në orë të xhanit vetmitare
Dhimbjen shtrëngon e flet me rrudha!
Herë feks si diell, herë si hënë
Kujtim i largët mallëngjimi
Të shihja shpesh te ime mëmë
Kur mbushte sytë me lot rubini!
Tiranë, Shkurt 2023
Comments