top of page

Arti që prodhohet nga fjala e mençur


Dodona” një leksion për gjuhën dhe identitetin

Dr Fatmir Terziu


Gjuha

Gjuha që përdoret në romanin “Dodona” të shkrimtarit, studiuesit dhe hulumtuesit shqiptar, Granit Zela, të bën për vete. Të përhumb mes emblematikës së saj. Me fuqinë e saj të mrekullueshme të bën më të lehtë, më të përqëndruar në lexim, më të destinuar të përcjellësh elementë që vijnë e ndërthuren mes situatave përshkruese. Është një gjuhë që sipas Tufës formon tërë strukturën e nevojshme, “është një prozë e ndershme, një prozë që ka një tekst tepër të kujdesshëm, të skalitur me të gjitha parametrat që përbëjnë tekstin letrar.

Një tekst jo ordiner, pra jo një tekst me elemente të huaja, përftuar me mënyra të pandershme, dhe kjo ndoshta është edhe pika më e fortë e autorit Granit Zela që na jep më në fund romanin me të gjitha rravgimet, idealizmat, zhgënjimet e tij nëpërmjet një simbolike të pakufishme” (Tufa, 2007). Është një gjuhë që vjen në hapësirën e të lexuarit dhe gërshetohet me cdo gjë që është shqiptare, tipike dhe autoktone.

Është një gjuhë që formon tërë kuadraturën e jetës, udhëtimit jetik dhe pikturon për të vulosur në telajon e kohërave një masë të madhe pasunore të ardhur nga shekujt. E gjitha në shërbim të artit. Artit që vjen nga fjala e shkruar. Artit që prodhohet nga fjala e mençur.

Arti

Ky art i mençur dhe i pjekur në ‘furrën’ temperaturë-bollshme të Zelës, funksionon mes logjikës dhe aspekteve kulturore që forcohen nga përsëritja dhe nuk mavijëzojnë aspektet artistike që funksionojnë si pjesë morfologjike të identitetit, memorjes dhe tërë aspekteve të diskursit të historiografisë. Përsëritja e fjalës ‘pasha’ në fillim të romanit, e shoqëruar me një dyzinë mbiemërsimesh e emërzimesh aspektore dhe cilësive, argumenton tërë këtë identitet shqiptar që nis me betimin e thjeshtë për ‘kupën e qiellit’ e bitis me betimin për ‘Drinin e Zi’.

Në tërë këtë përsëritje të shumtë në aritmetikë, fakti që sillet ndërmend natyra, gjeografia, ardhja e njeriut, e bukura, situata, ardhja e hershme e fateve njerëzore, toponimia e mbajtur fshehur odave dhe sepeteve të shtrenjta të memorjes dhe mjaft lidhje me përsosmërinë e fjalës që përbetohet nën simbolikën e besës burrërore, ndanë fjalës domethënëse ‘pasha’, karakterizon qartë forcën me të cilën gjuha e përdorur saktësohet dhe mirëkuptohet. Autori në këtë përsëritje lartëson integralin filozofik të kohës, hapësirës dhe vendit dhe e vë atë në funksion të së bukurës, asaj për të cilën ai shprehet në roman: “Unë e due Dodonën, andaj edhe po e kap penën tue m’u dridhë dora, për me kthye në shkronja, gjithë dashninë e dhimbjen qi kam për të.”

Në këtë lidhje filozofike autori gjen atë pikëtakim me ritualin njerëzor, që nisi hershëm kur pagëzoi qytetërimin, kur lindi qytetet, kur lindi dicka të re, dicka në funksion të identitetit të tij. Në këtë kompleks të mirëfilltë filozofik Zela vetë vë në funksion enigmën: “Ndoshta, sikurse ka pasur rituale të kryehershme me rastin e themelimit të qyteteve, duhet të ketë edhe rituale që kryhen kur fillohet libri.

Shkrimi

Dikur, etruskët shkruanin mbi cohë. Në disa qytetërime të tjera, mbi lëkurë ose pllaka argjili, kurse ti do të përdorje letra shkretane. Megjithëse është më e lehtë trupërisht të shkruash në letra, fshehtania është e njëjtë, sikundër misteri i atij skribit që bënte profetizimin e të ardhmes pasi këqyrte organet e brendshme të kafshëve ose zogjve. Ti nuk mund të parathoje askurrgjë në lidhje me romanin. As për personazhet, të cilët të ngatërroheshin mes tyre, ashtu sikurse shajnitë, kohët, shëmbëllesat. Ishte një torturë e njëmendtë nga e cila nuk mund të hiqje dorë. Kurrë!”

Kjo lidhje rituale, jo thjesht si një e tillë, por si një funksion në shërbim të gjuhës duket se është vecoria e parë me të cilën, Zela kërkon të shpërblejë lexuesin mes një rruge të devotshme dhe me art. Kur studiuesi Pierre Daco, shfrytëzoi psikanalizën e Frojdit, për të interpretuar ëndrrat nuk kishte parasysh dualizimin apo keqpërdorimin e fakteve dhe filozofisë së Frojdit, por kishte parasysh dekodimin dhe dekonstrualizimin e atyre fakteve që ai mund të ndriconte mes ideve dhe rrugëve të tij të tij. Në këtë mënyrë vepron edhe proza e mencur e Zelës, kur na sjell romanin “Dodona”, me një rruge tipike disi dhe të mbështetur fuqishëm në psikanalizë.

Të vetmen ndryshe nga studimet e Dacos, që shkrimtari Zela ka konsideruar janë aspektet që lidhen me mitin, tek të cilat teoria e Stuart Hall natyrshëm kapërcen paksa lidhjen e fuqishme me mitin që na ka prrurë Barthez. Ky mit që fuqizohet mes një aspekti të shëndoshë gjuhësor, tek “Dodona”, ka edhe moralin, por edhe vetë sensin e komunikimit të kodimit dhe dekodimit të mesazheve. Letra që shkruhet, personazhi Orana, përsiatjet rreth Platonit, një përkujtesë Presidentit të Republikës, fuqia e fjalëve dhe artikujve që nuk pinin ujë, infermierja që kujdesej më së shumti për Dodonën, dhe që kishte punuar në çmendinën e Elbasanit, e mjaft të tjera nuk janë thjesht aspekte të fiksuara në letër dhe më tej simbolika në prozë, por detaje që paraqiten me forcën e filozofisë në kohë, hapësirë dhe vend.

Filozofia

Në këtë forcë filozofike është sërrish gjuha dhe toponimia që Zela vë në funksion të identitetit, në funksion të kulturës dhe artit. Autori me këtë mjeshtëri, rradhitet në brezin e shkrimtarëve të rrinj të pas viteve 90-të që skalitën jo vetëm fjalën, por ushtruan edhe një funksion tejet determinues në lidhjen kohore dhe historiografike. Mjafton të shihen emërtimet dhe emrat dhe mjafton ky paragraf të shihet kjo forcë: “Megjithëse telefonove në shtëpi se do të mjekoheshe dhe do të ktheheshe shpejt, nëna jote, Ujana, ishte shqetësuar shumë. Pas pak kohe, bashkë me Blinin, mbajtën frymën në spital. Kur të panë me sy të nxirë u shtangën. Yt atë shihte kah dritarja, ndërsa mjekoheshe, duke heshtur gjatë gjithë kohës.

Kur po dilnit nga spitali, të tha se gjëra të tilla njerëzve u ndodhin, madje ka edhe më keq, shumë më keq, por njerëzit duhet të durojnë. Ujanës i erdhi për të qarë. Ti mundoheshe të dukeshe sa më i qetë, sikur asgjë nuk kishte ndodhur, sikur askush nuk kishte dalë natën në rrugë me të goditë me shkelma dhe grushta. S’mund t’i gjeje fjalët ta ngushëlloje Ujanën, që ajo të mos trishtohej aq shumë. E përjetonte çdo gjë trandshëm.” Emrat Ujana, Onora, Blini apo edhe emërtimi Bregdrini janë faktorë që plotësojnë këtë vecori.

Në vazhdim autori përcakton me anë të gjuhës edhe lidhjet e tjera që funksionojnë si metëorë të fuqishëm në funksion të kohës. Është pikërisht aspekti i parë që vjen ngaqë ‘feja ishte e ndaluar’ duke shtuar emrin, Artur Ford me të cilin autori saktëson se ishte kryetari i Shoqatës së Spiritualistëve Amerikanë, pra në kohë tjetër, jashtë asaj kohe kur feja shihej ndryshe, apo kur “Përvoja e parë me sektin e Lidhjes së Epërme ishte në një seminar treditor në qytetin S.” Më plotë vjen kjo lidhje kohore dhe simbolike “Kur Arturi nisi të fikte qirinjtë e kuq, të cilët pothuajse ishin tretur prej djegies, ti more vesh se ajo vajzë quhej DODONË dhe se duhej të luteshe për të, nëse doje që ta takoje, pasi krijesa si ajo janë të rralla në këtë jetë.”

Më shumë në fuqi të artit të tij në prozë, Zela zbret nga ekrani në letrën e tij të bardhë duke e mbushur me gërma forcën vizuale të artit kinematik, duke fuqizuar aspektet e fuqishme filozofike të mesazhit: “Disa, nëse e keni parë filmin “Shpirti” ku luan Patrick Swayze me Demi Moor, janë të zhytur në llucë deri në fyt. Të tjerë janë në qiell, afër Zotit. Ai i besonte këtij filmi. Janë disa njerëz të hapur shpirtërisht, të cilët flasin me shpirtra të niveleve të ndryshme. Prandaj disa syresh bëjnë mirë dhe disa keq. Njerëzit e tokës janë krijuar me aftësinë për të komunikuar me botën shpirtërore. Niveli i lartë ose parajsa, është vend ku njerëzit jetojnë në grupe, kombe dhe, çdo gjë që bëhet, regjistrohet si shkrimi i një jetëshkrimi.

Një njeriu, pasi i mbaron jeta në tokë, udhëton në kohë, ndërsa vendi i qëndrimit të tij të mëtejshëm përgatitet. Mbretëria e mesme, ose purgatori, ishte zona ku rrinin njerëzit që nuk kanë bërë keq, por që edhe s’kanë besuar. Gjatë kësaj kohe Zoti nuk ndërhyn. Megjithëse paraardhësit tanë mundohen të na ndihmojnë ata nuk do të arrijnë ta bëjnë plotësisht këtë. Prandaj, ne duhet të përgatitemi për shtëpinë tonë të ardhme. Ne mund të lidhemi me ta në botë, duke shërbyer dhe u lutur. Kësisoj hapet dera për personat shpirtërorë.”

Agron Tufa shkruan jo më kot për këtë shkrimtar. Granit Zela është një ndër krijuesit më të rinj të fundviteve nëntëdhjetë dhe që në fillim të viteve 2000 shfaqet aktivisht në periodikët letrarë, derisa e shohim të përqendrohet kryesisht në të përjavshmen kulturologjike ‘Fjala’. Ka botuar mjaft dendur ese kulturologjike origjinale dhe përkthime nga eseistika anglo-amerikane, tregime, poezi dhe shkrime problematike kulturore. Librin e parë me poezi ‘Apokalips’ e boton më 2001, ku mbizotëron kryesisht tematika e apokaliptikës individuale. Ka mjaft situata makabre, të dëshpëruara dhe toni disi patetik mbizotëron, duke i dhënë vëllimit një diptik bardh-e-zi si në vizatimet me plum ose grafikë.

Në prozë Zela boton më 2002 vëllimin me tregime ‘Vdekje me dëshirë–një narracion gjysmëfantazmagorik dhe baladesk i realeve nga Verilindja, temat intime dhe, përgjithësisht, përjetime metafizike pseudoromantike. Kjo ka marrë ngjyra të përndezura në vëllimin e dytë të poetit - ‘Në studion time hermetike’(Aleph 2003), si një nga librat më të suksesshëm të autorëve më të rinj që shkruajnë sot. Libri të bën për vete jo vetëm me bashkëkohësinë e përjetimit, por sidomos, me nivelin e pjekur artistik, me shkallën virtuoze të zotërimit të intonacionit, diksionit të qashtërt, organizimit strofik dhe imazhit të brendshëm të poezisë të orkestruar me një organicitet harmonioz.

Konkluzion

Romani “Dodona” (2006) është një prozë e ndershme, një prozë që ka një tekst tepër të kujdesshëm, të skalitur me të gjitha parametrat që përbëjnë tekstin letrar. Një tekst jo ordiner, pra jo një tekst me elemente të huaja, përftuar me mënyra të pandershme, dhe kjo ndoshta është edhe pika më e fortë e autorit Granit Zela që na jep më në fund romanin me të gjitha rravgimet, idealizmat, zhgënjimet e tij nëpërmjet një simbolike të pakufishme.


121 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page