top of page

ARSIMIMI I SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI


ARSIMIMI I SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI

 

NIKË GASHAJ

 

Arsimi në gjuhën shqipe ka një rendësi të madhe në formimin dhe kultivimin e identitetit kombëtar. Veçenarisht për identitetin kombëtar është me rëndësi arsimimi në shkolla fillore dhe ato të mesme. Sikurse është e njohur, në kohën e Principatës së Malit të Zi dhe të Jugosllavisë së vjetër kanë qenë të hapura një numër i shkollave në gjuhën joamtare në viset ku kanë jetuar shqiptarët. Shkollat, pra, kanë qenë në gjuhën sllave dhe si të tilla kanë ndikuar negativisht dhe kanë qenë faktor i asimilimit të shqiptarëve. Pas  luftës së Dytë Botërore 1945, situata do të dryshojë dukshëm. Sistemi i ri socialist ka hapur shkolla shqipe në zonat e banuara me shqiptarë. Mirpo, arsimimi shqip ka qenë i varur nga rrjellat politike të kohës. Kur erdhi deri te mosmarrëveshja, respektivisht konflikti Tito-Stalin dhe miratimi i Rezolutës së Informbirosë në vitin 1948, me  të cilën dënohet udhëheqësia jugosllave në krye me Titon, gjoja për trathti ndaj politikës të Bashkimit sovjetik dhe blokut socialist, më pas, Republika Popullore e Shqipërisë i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Jugosllavi dhe përkrahi politikën staliniste. Mirëpo, në anën tjetër, kjo ndikoi në mënyrë negative në raportin e udhëheqësisë jugosllave  ndaj shqiptarëve në Jugosllavi, pra dhe tek shqiptarët në Mal të Zi. Në lidhje me atë, Mehmet Kraja, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndër të tjerat thekson: “Viti 1948 do t’i japë goditjen e parë shkollës shqipe, sepse ndërprerja e marrëdhënieve me Shqipërinë, si në shumë plane të tjera, do t’i lërë pezull shqiptarët e Malit të Zi. Do të jetë  mesi i viteve pesëdhjetë.....kur u mbyllen shumica e shkollave shqipe dhe fëmijët shqiptarë detyrohen të mësojnë serbisht. Mirëpo, një plan i tillë dështojë dhe pas një viti shkollor pa asnjë rezultat, në një numër shkollash kthehet sërish mësimi në gjuhën shqipe. Kjo periudhë, nga më të errëtat në historinë e shqiptarëve në Mal të Zi, do të zgjasë pothuajse deri në mesin e viteve gjashtëdhjetë, kur fillon një rikthim gradual i mësimit fillor në gjuhën amtare”.

Shkolla e parë e mesme me mësim në gjuhën shqipe e serbokroate u hap në Ulqin në vitin 1965. Ndërsa, me 1971, çelen dy paralele të gjimnazit në Tuz me mësim në gjuhën shqipe, kurse në vitin 1975 bëhet gjimnaz i pavarur në dy gjuhësi: shqip dhe serbokroate. Ndërsa në vitin 1978 mësimi në gjuhën shqipe filloi të zhvillohet edhe në shkollën e mesme në Plavë. Më tutje, përpos hapjeve të shkollave të mesme në të cilat zhvillohej mësimi edhe në gjuhën shqipe, në atë kohë u intensifikuan dhe lidhjet arsimore të shqiptarëve të Malit të Zi me Kosovën. Shqiptarët e Malit të Zi, gjithëmonë duhet të jenë mirënjohës për  mirëpritje dhe përkrahje  të personalitetit arsimor kosovar ndaj nxënsëve dhe studentëve nga Mali i Zi. Për çka jam dëshmitar, si ish - nxënës i gjimnazit “Ivo Llolla Ribar”, sot gjimnazi “Sami Frashëri” në Prishtinë.

Me shpërthimin e demostratave të studentëve në Kosovë 1981, demostrata këto për liri, drejtësi, barazi të shqiptarëve dhe për pavarësi të Kosovës, edhe pushteti politik i Malit të Zi në atë kohë nisi një fushatë të egër kundra shqiptarëve të Malit të Zi. Në shënjestër ishin shkollat me mësim në gjuhën shqipe, respektivisht programet mësimore të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, të Historisë dhe të cilësdo lëndë mësimore që kishte të bënte me kulturën dhe artin shqip u “spastruan” nga përmbajtja  me karakter të identitetit kombëtar shqiptar. Në mënyrë të ashpër çdo gjë shqiptare po akuzohej dhe sulmohej nga pozita e një politike nacionaliste-shoviniste.

Sot në Mal të Zi nxënsit shqiptarë e ndjekin mësimin në gjuhën shqipe në 12 shkolla  fillore, në 4 shkolla të mesme, prej tyre një gjimnaz është privat në Ulqin. Gjithashtu, pranë Universitetit të Malit të Zi, në vitin 2004. është hapur Dega e studimeve të mësuesisë në gjuhën shqipe në Podgoricë. Përveçë, mësimdhënësve shqiptarë nga Mali i Zi për të ligjëruar në këtë degë janë angazhuar edhe një numër i pedagogëve nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Me këtë rast po ceki se kërkesa e përfaqësuesëve shqiptarë ka qenë që fakulteti të hapet në Ulqin apo në Tuz, si mjedise shqiptare, mirëpo kjo është refuzuar nga organet shtetërore të Malit të Zi.

Po ashtu, një numër i koniderueshëm i studentëve nga Mali i Zi, ndjekin studimet në universitetet e Shqipërisë dhe të Kosovës, por dhe në Universitetin e Malit të Zi dhe gjetiu, e që është shumë pozitive në formimin e kuadrit të ri  profesional. Ashtu që sot kemi një numër të kuadrave të profileve të ndryshme.

Me rëndësi është të theksohet mbështetja finansiare për studentët shqiptar nga Mali i Zi, respektivisht e ndarjeve të bursava studentore në vazhdimësi për çdo vit akademik, nga  diaspora shqiptare në SHBA, sikur janë: Fondacioni “Malësia e Madhe”, Fondacioni “Trojet tona”, Fondacioni Lukaj, etj.

Ndihma e  tyre finansiare për arsimimin e lartë të brezit të ri shqiptar nga Mali i Zi, paraqet një   aktivitet të shkëlqyeshëm humanitar e patriotik kombëtar dhe meriton çdo lëvdatë. Mirëpo, jam i mëndimit se një kujdes të veçantë për mbështetje finansiare e meritojnë nxënësit dhe studentët me sukses të shkëlqyeshëm duke siguruar ashtu cilësinë profesionale. Po ashtu do të ishte e preferueshme që disa nga nxënësit më të dalluar shqiptar nga Mali i Zi të vazhdoshin shkollimin në universitetet e njohura evropiane dhe amerikane. Meqenëse, njohjet historike tregojnë se ka pasë intelektualë shumë të njohur të kombit shqiptar që kanë  studiuar në universitete prestigjioze në botën e jashtëme. Për shembull: Eqrem Çabej( Austri), At Gjergj Fishta(Bosnje), Aleks Buda ( Itali, Austri), Mahir Domi(Francë), Ndre Mjeda( Spanje, Itali, Poloni, Kroaci), Mirash Ivanaj( Itali), Gjelosh Gjokaj( Beograd, Romë, Gjermani), Ruxhdi Ushaku (Sarajevë, Beograd, Paris). Gjithashtu, po theksojmë, se Ismail Kadare ka qenë në Moskë për studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”(1958-1960). Ndërsa, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova ka qëndrua gjatë një viti akademik(1976-77) në Paris, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendim në teorinë letrare. Natyrisht, se ata, por dhe shumë të tjerë, kanë dhënë një kontribut jashtëzakonisht shumë të madh kulturës dhe shkencës shqiptare.

Si - ish mësimdhënës në gjimnazin e Tuzit pata rastin të bindem se në mesin e nxënsëve shqiptar ka mjaftë të shquar dhe të talentuar, të cilët e dëshmuan vehten, meqenëse, pas kryerjes së shkollës së mesme, një numër i konsenderueshëm i tyre arrijtën të kryejën fakultete të ndryshme në universitete të ndryshme: Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë në rajon.  Andaj, ajo çka   është shumë pozitive, qendron në faktin, se arsimimi i rinisë shqiptare tek ne, po  zhvillohet në vazhdimësi në të gjitha nivelet e shkollimit dhe të specializimeve të ndryshme duke fituar dhe tituj më të lartë akademik: magjistra dhe doktora të shkencave, çka paraqet një potencial të mirë kuadrovik. Duhet të besohet se një trend i tillë pozitiv në arsimimin e rinisë shqiptare në Mal të Zi do të vazhdoj dhe në të ardhëmen.

21 views0 comments

תגובות


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page