top of page

Armela Hysi: E VËRTETA IME

Updated: 1 day ago




 

 

DY DITËT E FUNDIT

 

Gjyshes

Ligështia bëri një rrotullim të plotë

Narcisian rreth vetes,

Duke u kthyer sërish

Në formën e ca rrudhave ngjyrë ndryshku

Mbi gërmadhat e rrufepritësit, ballit të saj,

Ku rrezet thitheshin si prej një trupi

Të errët me kënde të pjerrëta.

 

Qe një pirg me kocka të mallëngjyera

Monumentale.

Në ato dy, njëzet e katër njësi shekullore

Përpjesëtimesh, ajo kish kaluar disa herë e nemitur,

Buzëqeshjet e fjetura në çipat e buzëve

Mbushur në ca valixhe të stërhapura me copëza

Qielli, në portën e lemerisshme të vdekjes.

Ndriçimi farkëtues i kishte mbetur

Në vesën e lotët të rrudhnajës rrëzë

Tëmthave.

Si dikur nuse, paja,

Me qëndisje ledhatuese gugatjesh

I kishte prirë hapave të saj tantellëbardhë,

Përcolli gjithë grimthat krahëprera

Të kujtimeve, duke zgjedhur më të bukurin

Për t’i veshur atë çast

Syve të vet lundërtarë.

 

Si na puthi me duar të gjithëve

Bëri një shenjë të qetë

Me kokën e thinjur të mjekut

Që u lëkund në hapësirën ngadhënjyese

Të ngashërimave fluturake të dhomës.

 

Qershor 2002

 

* Shkëputur nga libri “Amazonë prej reje“

 

E VËRTETA IME

 

i ngjan asaj shpellës së pafund

në tufanin vorbullues të mllefit

drejt qiellit,

asgjë në fakt s’më thotë se është i tillë,

veç zakonit tim idiot

të mos dyshoj në atë që thonë të tjerët.

 

nuk di ç’dhemb më shumë,

ndërmjet dyshimit të vërtetës dhe mospërfilljes,

mjegull zë vend butë

si një puthje e harruar një pasdite të lagësht

mbi stolin e mardhur të pritjes pa emër.

 

ndoshta

ato që kanë vërtetë faj janë rrobat,

fillimi i turpit

i mëkatit të zhveshjes dhe zbulimit të mishit,

e pra, unë pa to u linda

u rilinda mbi trupin e djersitur,

tretjeve të papagëzuara nga hipokrizia

linda fëmijën tënd

dhe s’do të kishte epshe pa rrobat

as ekspedita të lagështa

mbi krateret e paeksploruara të vdekjes,

veç stina e thatë e shumëzimit

me aromën e hemoglobinës

ndryshkur buzë vajëzimit të mbrëmjes.

 

Qershor 2004

 

*Shkëputur nga libri “Ndoshta“

 

 

Ç’PLAN MAKABËR PËR NJË

PËRSHKRIM IRONIK TË GOGOLIT

gjethnajë e brejtur ku krahasime

banale të rinjsh romantikë

varen si cerga të çngjyrosura.

degët gjatoshe me nyje kryeneçe

shtrihen mbi rrugë mes nesh

dhe diellit.

të kulluara bekimet rrëshqasin

me çmimin e shtuar të dorës së dytë.

 

ca re të dremitura

trishtimit të zgjatur të pentagramit

janë sy të plotë fëmije

buzë një udhe të tjerrur

nga furkë e lashtë e legjendës.

vetvetja ime e çdo momenti

ulur mbi ëndrrat e të ikurve

në këtë autobus të gjatë. patericat

mbështetur brinjëve të ciflosura të qiellit

që hyn i mjerë

nga tejdukshmëria e kufizuar e syve.

 

sa pak e paskam njohur veten

tej buzëqeshjes së harruar në

grimthat rrokullisëse të rërës

konit të epërm në qelqin e orës.

patericat më mbërthejnë

me bindjen e tyre se

këmbët e mia kobë-ndjellëse

s’kanë më hapa.

 

të vdekura pa mua ushqehen

me frikën time të rrëzimit

ngrohin metalin e pangjyrtë mishit tim

të zhveshur.

 

gjurmët e tyre të kuqe mbi lëkurën e nënkrahëve

damka kompleksesh të heshtura.

 

Prill 2005

 

Shkëputur nga libri “Ujdhesës së përrallës tënde“

 

PO TË MOS ISHTE RËRA

 

I

po të mos ishte rëra mbretëresha

nuk do të humbte.

kërkonim kuturu.

flokët e derdhur që sollën natën

i mbuluan nga pas gjurmët.

pishtarët na kishin djegur gjymtyrët

vazhdonim të shkërmoqnim dunat

tallaz i nxehtë fshikullonte fytyrat

dhe shpresën tonë.

 

u kthyem me horizontin të palosur ndër duar

mbreti u ngashërye mbi të

para se ta ndrynte në sëndukun e saj të vjetër

në kullën me gjërat e humbura.

 

Maj 2007

 

*Shkëputur nga libri “Po të mos ishte rëra”

 

5.

 

“një rosë në Shën Elenë

me një Napoleon të gatuar

me portokaj”

 

Jacques Prevert (poezia “Korteu”)

 

Triptikë

tendenca e dobët e lëngut rrjedhës mbi

lëkurën e dorës

ishte përkëdhelja që kishte dëshiruar

tërë atë mbrëmje të gjatë

tej pavëmendjes që i kishte mpirë shqisat

që e kishte kthyer

në një zhuzhak

të trembur

mbyllur shtrëngueshëm

në bulat e grushtit të padukshëm.

 

currila e ujit iu dukë e ngrohtë

e i solli një krisje të përgjumur zbehtake

mëdyshjes së akët që e rrethonte

aureolë prej qelqi të shkrirë

që i ngathtësonte lëvizjet.

 

i erdh’ të hynte e gjitha brenda

atij shatërvani mërmëritës dhome

të tkurrej në një nga degëzat e koraleve

ngjitur buzëve qeramike

a të rridhte si një vektor kah-bjerrë harresës.

 

*** *** ***

 

kamerieri shoqërues u mat të

thoshte diçka standarde mbi rregulloren

por rimeli që nxinte bulëzën zbaruese

të zhurmërishtes memece poshtë qerpikut

ia nduku brenda gllënjkës së kapërcyer fjalët.

mori me falënderim të nojmët bakshishin

që zgjati fytyra sy-mbërthyer dritares së terrur

(ngjyra e tij e palosur e bëri

të ndiente më respekt për dhimbjen e saj)

dhe mbylli derën lyer me pa-empatik publik

pas vetes.

 

*** *** ***

 

jashtë zbardhte me këste një psherëtimë

 

Maj 2011

 

*Shkëputur nga libri Agsholi i vjelë dhe flurudha shkëputjesh inerte

 

6.

 

për emigrantin (që

s’i mësova emrin)

në brigjet e Evros

për vajzën 4- vjeçare që kaloi

natën pranë kufomës së të atit

dhe për veten e pacipë

që dua të bëj një poezi interesante

shkruar me gisht në xhamin e retinës

së të vdekurit

 

ndërresat brenda thesit me grimtha

foljesh në kohët e ndryshme të sintaksës

që mbante pas shpine

gazetarët thanë se qenë të sistemuara

kujdesshëm.

 

edhe flokët ende të lagur

të së bijës katër vjeçare

 

29 korrik 2015

 

*Shkëputur nga libri Agsholi i vjelë dhe flurudha shkëputjesh inerte

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page