top of page

Arian Shehu i “Egjërisë”




Nga Timo Mërkuri

Një nga grupet iso-polifonike me karakteristika interesantë është Grupi “Ergjëria”1 i Gjirokastrës me drejtues artistik Arjan Shehun. Themi se është një grup interesant për arsye se ky grup këndon një tip kënge iso-polifonike që, për tonalitetin e tij më ngjyrim të ngrohtë dhe mënyrën e shtruar të të kënduarit, është “pagëzuar” me emrin kënga qytetare Gjirokastrite. Kjo tip kënge ka si fillesë stilin e të kënduarit të Xhevat Avdallit, cili këndonte “shtruar” dhe “avash”, ngadalë, me tonalitet të ulët dhe me harmoni klasike labe.

I- Grupi iso-polifonik “Ergjëria” Gjirokastër është themeluar në vitin 1995, si rrjedhojë e shpërbërjes së grupit të “Të Rrinjve” të Gjirokastrës, grup që e ka nisjen e tij në vitet 1978 dhe ku drejtues dhe “marrës” ishte Arian Shehu. Në veprimtarinë e tij ky grup kishte siguruar një përvojë kënge tipike të vetën, që realisht ishte avancim i vijës melodike të grupit të Xhevat Avdallit. Shpërndarja e grupit të “Të Rrinjve” në grupin “Argjiro” dhe “Egjëria” erdhi si pasojë e ndryshimeve të kohës, këngëtarët u rritën në moshë dhe artistikisht dhe normalisht që ata nisën të pretendojnë afirmimin artistik individual. Përvoja dhe talenti i Arian Shehut, aftësia e tij drejtuese dhe besimi që kishte fituar te shokët gjatë viteve bëri që grupi “Ergjëria” të trashëgojë gati 80% të grupit “Të Rinjve“ të Gjirokastrës. Në grupin “Ergjëria” Arian Shehu qysh nga krijimi i grupit dhe sot është udhëheqës artistik dhe përcakton vijën melodike, është “marrësi” i shumicës së këngëve, ndërkohë që bën edhe “hedhësin”. “Marrës” dhe “kthyes” me përvojë 30 vjeçare ka në grup Adriatik Çenkon, “kthyes“ të talentuar ka Skënder Sinanin dhe “hedhës” i veçantë Axhem Hysenmetaj me përvojë 20 vjeçare. Shokë të tjerë si Iso- Adriatik Çenko, Redjon Korkuti, Mariglen Berberi, Gëzim Haska dhe së fundi edhe e spikatura Juli Çenko. Me një grup të tillë, të përbërë nga artistë të spikatur, vetëm me këngë të arira konkuron në iso-polifoni.

II- Kënga e grupit “Ergjëria” është një këngë melodioze në harmoni të shkallës më të lartë, shumë më e avancuar se klasikja, me ritëm të mesëm dhe tempo ritëm të brendshëm. Elementi bazë i kësaj kënge është “marrësi”, që në këtë rast është një tenor i pastër lirik, me zë vibrues, por me ngjyrim dhe tepër melodioz. Tonaliteti është i lartë. Është këngë me dritë dhe ka veçori qoftë nga kënga bregase, labe dhe gjithë variantet e tjera. Veçoria konsiston në faktin se bashkë- veprimi i “marrësit”, “kthyesit” dhe “hedhësit” është mjaftë dinamik dhe shumë harmonik. “Hedhësi” apo më saktë “prerësi” e shoqëron “marrësin” gjatë gjithë kohës dhe tenton në pak çaste ta “konkurojë” atë. Në momentin që shtrihet kënga, alternohet me ‘të në mënyrë perfekte. Në pak çaste, kur kënga shtrohet, “prerësi” kalon tek zëri i katërt, që është “iso-ja”. “Kthyesi” është mjaft solid dhe i “kronometruar” në çastet e tij, por jo mjaft i fortë si “kthyesi” lab. “Iso” e grupit të Gjirokastrës është kaba e plotë, e organizuar, jo base, por pikante, me tingull metalik. Kënga e grupit quhet në popull “kënga e re gjirokastrite” dhe ka dallim nga iso-polifonia e gjithë krahinave të Shqipërisë, përfshi dhe krahinat fqinje. Libohova ka pak afëri me vijën melodike të Gjirokastres, Mashkullora dhe Picari janë pa dredhje zëri, por kanë një veçanti me një zanore të zgjatur.

III-Arian Shehu prezantohet i plotë vetëm nëpërmjet këngës. Me këngën e tij ai ju bën të rrënqetheni dhe ta ndjeni atë në çdo hapësirë të shpirtit. Është një zë natyral, i lindur për të kënduar dhe jo i “mësuar” në shkolla kënge. Në fakt Ariani ka “mare” mësime kënge, por mësimet e para të të kënduarit i mori nga i jati, Sheh Jonuz Shehu që ishte një nga antarët e “grupit të pleqve” të Gjirokastrës, grup që ishte ikonë e një epoke. Ndërkohë edhe nëna e tij Lule Shehu, mbesa e Zeman Mashkullorës (bashkëluftëtar i Çerciz Topullit) ishte një këngëtare fine e këngës labe dhe për Arianin ishte mësuesja e parë e iso-polifonisë. Me dy “profesorë” kënge në shtëpi, çdo fëmijë që të ishte, edhe ëndrat do t’i shihte me këngë dhe jo më Arjan Shehu që dukej se u “rrëmbente” melodinë nga buza prindërve. Shpejt mësoi të këndonte dhe ende fëmijë, nisi t’i printe këngës si “marrës”. Në këtë drejtim ndikoi edhe fakti se nëna i mësoi variantin tipik gjirokastrit të të kënduarit me “hidh e prit”, variant që duket i “lehtë” por që kërkon një vëmëndje të preçizuar për të kapur momentin e “hyrjes” në këngës, mbajtjen e tonalitetit në këngën-replikë dhe respektimin e distancave kohore me “pritësin” dhe “iso-n”. Më pas, idhulli i tij, që ai e ndiqte çdo ditë pas shkolle ishte Xhevat Avdalli, i cili e dëgjoi, e pëlqeu, e inkurajoi me besim dhe e ngjiti në skenën e kështjellës qysh kur Ariani ishte ende fëmijë. Është fat të keshë një “pedagog” të tillë si Xhevat Avdalli pas dy “mësuesve”, prindërve të tij.

Realisht Arjan Shehu kishte një fat më të madh se kaq, ai kishte lindur në Gjirokastër dhe pikërisht në kohën kur kënga iso-polifonike ishte pjesë e jetës në çdo familje. Gjirokastra ishte ndoshta i vetmi qytet në Shqipëri, ku çdo lagje kishte grupin e vetë folklorik me pjesmarrës të rinj, të reja dhe të moshuar. Çdo vit, në muajin shtator ose tetor te sheshi i Çerçiz Topullit, në qëndër të qytetit, organizohej takimi i grupeve folklorike të lagjeve, ku konkurohej me këngë e valle. Dikur Gjirokastra është quajtur “qyteti i vajtimeve” ndërsa koha kur u rrit Arian Shehu e shndroi në qytetin e këngëve. Veç provave që bënte me shokët pas shkolle, ku mblidheshin e këndonin, ishte 18 vjeç djalë kur mori pjesë në një nga festivalet në sheshin e Çercizit me këngën "Ulu mal të dali hëna". Ajo ishte dalja e tij e parë artistike, më pas dalja e parë në skenën e kështjellës ishte me këngën "Thinjat me lule rinie" në vitin 1978 në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Fluturimi i tij nga skena e vogël e sheshit “Çerçiz Topulli” në skenën e kështjellës i ngjante fluturimit të një shqiponje nga dora e një “stërvitësi” në qiellin e pamatë. Ishte Xhevat Avdalli “stërvitësi” mjeshtër nga dora e të cilit nisi fluturimin shqiponja Arian Shehu, që me krahë të shtrira mbuloi gjithë skenën e Festivalit Folklorik. Aty e ndjeu se ai kishte lindur për këngën gjirokastrite, ta mbronte e ta riste, ta prezantonte në të gjithë Festivalet Folklorike të vendit dhe në Festivale të shumë shteteve të botës si në Francë, Zvicër, Korsikë, Suedi, Greqi, Danimarkë prej nga i sillte qytetit të tij çmime, flamurë, çertifikata vlerësimi dhe duke e ngritur grupin në nivelin e “Mjeshtër i Madh”. Këngët e Arian Shehut janë gati të gjitha këngët e Gjirokastrës, në të cilat ai ka vënë shpirtin e tij, lotin e tij, dhëmshurinë dhe krenarinë e të qënit gjirokastrit. “Shqipëri të qofsha falë/ Të kam nënë e më ke djalë” janë vargjet e para që të kujtohen nga Arian Shehu sa herë që bie fjala për ‘të, dhe nëpër vijën melodike të kësaj kënge shohim portretin e tij. Realisht portretin e Arian Shehut e parafytyrojmë gjithmon të gdhendur në një bazoreliev me shtëpitë e “ergjëndta” gjirokastrite në sfond. Sepse ai është “Princi i këngës gjirokastrite” dhe nuk e kupton veten pa këngën dhe pa Gjirokastrën.

Të pyesësh Arjan Shehun se në gjithë atë “mal me këngë” të tij, cila është kënga që i dhëmb më shumë, ai pasi mendohet pak, nis e këndon: “Vito ta kam silloinë/Si do shkosh me djem jetimë/ Si gurri në rrokullimë/rrobat në sepet çtu grinë/Vishi Vito, krreje zinë/Se të vdekurit nuk vijnë”2. Pasi pushon një a dy minuta pas mbarimit të këngës, sikur mendohej për fatin e “Vitos me djem jetimë”, ja nis këngës tjetër: “Ç`bën moj ti aty përposh,/ laj fustan e tim zotë./. Laj fustanin e tim zot,/ herë me ujë e herë me lotë./ Herë me ujë e herë me lot,/ bëj durim e s`duroj dot”3...

IV- Një veçori e këngës gjirokastrite është edhe tipi i këngës “hidh e prit”. Për shumë lexues që nuk e njohin këngën gjirokastrite sqarojmë se: tipi i këngës “hidh e prit” është si një “dialogim” midis dy vetave, djalit e vajzës, sigurisht në praninë e grupit, ku: djali këndon një varg dhe më pas vajza i përgjigjet me një varg tjetër. Në mes të hapësirës kohore “boshe” mund të futet hedhësi, gjithashtu me variant gjirokastrit, jo me dredhje zëri por në një plan. “Hedhësi” përsërit ndonjëherë dhe çdo fund strofe, sigurisht para se të futet iso. E tillë është kënga “Aman Andoniqi“:”Në ballkon ku rrije tregon histori/ Aman Androniqi aman un për ty/ Këmbën mbi këmbë, festenë mbi sy/ Aman Androniqi aman un për ty/ Ky fustani yt cipë gjarpëri/ Aman Androniqi aman un për ty/ E ke bërë vetë a peshqesh njeri/ Aman Androniqi aman un për ty/ Ky babai yt një palo njeri/ Aman Androniqi aman un për ty/ Që stë le me djemtë të bësh dashuri/ Aman Androniqi aman un për ty/ Te kjo këngë e tipit hidh e prit, vargun “Aman Androniqi aman un për ty” e këndon një herë Juli Çenko dhe një herë Arian Shehu. Të njëjtën gjë mund të themi dhe për këngën “Aman trëndafile aman borzilok”. Për të interesuarit sqarojmë se origjina e këngës “hidh e prit” është e herëshme, qysh kur njerëzit “dialogonin” me këngëzim dhe “jeton“ ende në qëndrat e banuara me popullatë të herëshme, që i ruajnë traditat dhe zakonet. Për ruajtjen e traditave të artit gojor në Gjirokastër ka shkruar edhe Çelebiu qysh më 1672, kur dëshmon për vajtimet, ligjërimet mortor në qytet dhe dihet që ligjërimet dhe kënga iso-polifonike janë dy anë të një monedhe..

Le të shohim këngën “Ç'bënetë në shtëpinë tënë” e përshtatur në variantin “hidh e prit”. Këndohet një varg mashkulli dhe më pas një varg femra. Pas kësaj futet “hedhësi” në rolin e “marrësit” duke kënduar: “Çu mbush mali plot me rrush”/”Plot me rrush”/ “Thotë nëna janë krushq/Janë krushq”. Pas kësaj futet Ariani me vargun: “Në janë krushq të dalin-o/të dalin-o” etj duke dhënë në këtë mënyrë një kolazh, ku të gjithë këngëtarëve u jipet mundësia të bëhen nga pak “marrës” dhe të evidentohen. Në qoftë se e keni parë “Dasma gjirokastrite” ku sa mbaronte njëri, fillonte tjetri këngëtar jam i sigurtë se më kini kuptuar plotësisht.

V-Është e natyrëshme që në Gjirokastër të këndohen edhe tipe më të herëshme këngësh, veç tipit “hidh e prit” dhe po kaq e natyrëshme është që këto tipe këngësh t’i ketë në repertorin e tij Arian Shehu. Një tip i hershëm kënge është “monofonia” e cila kemi shpjeguar është hapi i parë në shkëputjen nga “logatja” drejt këngës dhe që këndohet në vetminë e jetës baritore, me zë të përvajshëm dhe me tekst dhimbjeje, pasi kryesisht ka motivet e ligjëruara nëpër morte ose të ngjashme me ‘to. Në Gjirokastër Arian Shehu u është larguar këtyre motiveve. Monofonia e tij ka tjetër fytyrë, më bashkëkohore, më krenare, më qytetare , tipike gjirokastrite kur këndon:”Gjirokastër moj shqiponjë/Nënë e trimave moj zonjë/Linde Çeçon me kobure/Linde djem e vajza nure”.

VI-Thamë që kënga e re gjirokastrite ështe këngë e shtruar, por shpesh herë pati tekste të forta, duke e bërë atë dinamike, por karekteristikë e saj është lirika elegjiake dhe ajo erotike. Si kërkesë e kohës do të ishte larmia e motiveve dhe futja e istrumentave. Eksperimentimi me zërin e gruas e konkretisht e Juli Çenkos është një risi që e kërkonte koha e sidomos turbo folku është e pëlqyeshme, ndaj po punohet shumë për të krijuar një portret konkret tipik. Nuk është lehtësisht i realizueshëm novacioni në këngën gjirokastrite i ndërmarë nga Arian Shehu dhe Juli Çenkos, por në horizont duket suksesi, sepse kemi të bëjmë me bashkimin e dy talenteve të mëdhenj muzikorë, bij të një qyteti, rritur me të njëjtën traditë dhe dashuri për këngën popullore dhe qytetin e tyre. Se duhet të dini që Juli Çenko ka kënduar edhe marrëse e grupit iso-polifonik dhe interpretimin e saj mund ta dëgjoni te kënga “Thëllëza që shkel mbi vesë”.

Bashkimi i Arian Shehut (dhe grupit “Egjëria”) me Juli Çenkon është episod më vete. Juli është mbesa e Arianit, vajza e kushëririt.Bashkë kanë kënduar nëpër skena iso-polifoninë e bukur gjirokastrite dhe ndjehet tepër i lumtur që tashmë ajo u bë dhe antare e grupit "Ergjeria". Rruga e Arianit drejt muzikës popullore ishte tepër e rastësishme dhe shpirtërisht e pakundërshtueshme. Vajzat e tij dëshironin që Ariani të këndonte edhe këngë popullore në dasmat e tyre, jo vetëm iso-polifoni dhe për tja mbushur mëndjen, nisën t’ja përmëndnin këtë ide “si një arritje që do ti shtohej karrierës së tij muzikore”. Ideja muzikore i pëlqeu dhe sidomos e bëri të buzëqeshte mënyra e tërthortë e paraqitjes. -E cili baba nuk dëshiron të këndojë në dasmën e vajzave? Më pas ideja u forcua me propozimin konkret të Julit. “Ishte ditë e veçantë dita që Juli Çenko erdhi siç vinte zakonisht në shtëpinë time, për të më takuar e për të marrë ide në lidhje me projektet e saj, por këtë herë erdhi të më prezantonte një bashkëpunim muzikor. Ishtë një ide brilante e ndërthurur me iso-polifoninë. Që nga ajo ditë vendosa të isha krahu i saj, jo vetëm në tekste por edhe në ekran”- thotë me dashamirësi Arian Shehu duke shtuar se bashkëpunon me një artiste të madhe të këngës, më shumë se sa me mbesën e tij.

Bashkpunimi i tyre qysh në prezantim duket suprizues. Juli Çenko që prezanton një rini të përjetëshme pranë Arian Shehut që duket si një mal lëvizës, mbushur plot me lisa. Dhe kënga e tyre, oh ajo këngë, Juli me zë thëllëze dhe Ariani si mal i Sopotit, zbret gjithë zërat e zogjve këngëtarë në pranverë. Këta këngëtarë vetëm dëgjohen dhe admirohen.


Sarandë, më 13.02.2021




1-Fjala “Ergjëri” është shndrim folklorik i fjalës “Ergjëndëri” (Argjend) pasi Gjirokastra, në kohën e daljes së diellit pas shiut, ndrin e tëra si argjënd, për vetë faktin se çatitë janë të mbuluar me rrasa guri ku përthyehen rrezet e diellit dhe reflektojnë dritë argjendi, fenomen i dukshëm edhe sot. Kjo fjalë nuk ka lidhje me fjalën “Jergjëri” (Kuvendi) dhe përdorej para mbajtjes së kuvendit të Degës së Gjirokastrës të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit (10 qershor 1878 – 1881).. Në botim të Spiro Dines më 1910 ( ku fjala Ergjëri është shkruar Jergjëri dhe ëhtë përkthyer “Kuvend”) është publikuar kënga: Kurvelesh e Gegëri/ Ç’u mblodhë në Ergjëri/Të bëjnë komision të ri/Ky Abdyl Bej Frashëri/Çu përpoq i varfëri/Prishi një torbë flori/ Dhjetë herë në frëngji (burg)/ …si dhe një variant tjetër të kësaj kënge.

2- Kënduar me marrës Arian Shehu, kthyes Perlat Meli, hedhës Axhem Hysometaj, iso Lili Çenko, Hasan Xhiku, Mevlut Meleqi

3 Kënduar me marrës Arian Shehu, kthyes Mehmet Vishe, hedhës Roland dhe Kastriot Çenko...




151 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page