APOLOGJIA E JASIN BALOS
Tregim nga Luan Çipi
Ishte koha e vështirë e regjimit shtetëror monist, kur prodhimi i gëlqeres, që përdorej shumë në ndërtim e sherbetim muresh, në rrethin e Vlorës, bëhej me kumi primitive, rrëzë malit Llogora. Nxirrej guri gëlqeror, që ishte i cilësisë së mirë, në masivin shkëmbor aty, si dhe siguroheshin drutë e zjarrit nga trupat e dëmtuar të pyllit dhe shkarpat që gjendeshin në pyllin e madh, po aty.
Prodhimi organizohej nga Ndërmarrja Shtetërore Lokale, me sipërmarrës privatë. Lidhej “kontratë akordi” me një “sipërmarrës” dhe ai gjente dhe administronte punëtorët, duke i tërhequr nga Kooperativa Bujqësore e Dukatit, që kishte në çdo kohë “forca të lira” të tepërta. Punëtorët i paguante vetë sipërmarrësi çdo ditë. Veglat e punës, materialet e nevojshme, si dinamit, kazma, qysqi e sëpata, si dhe transporti, pas kërkesës së sipërmarrësit, përballoheshin nga ndërmarrja. Ndërmjet sipërmarrësve, më të zellshëm aso kohe ishin dukatasi Lulo Bodo dhe çami Jasin Balo.
Ndodhte që sipërmarrësit e gëlqeres dështonin, duke krijuar shumë shqetësime, me ndikim deri në buxhetin e varfër të ndërmarrjes. Dështimet kishte jo vetëm kur mungonin forcat e mjaftueshme të punës, sidomos në procesin e gjatë dhe të mundimshëm të djegies, por dhe kur binte shi, breshër e borë, kur frynte e bënte furtunë, dukuri që shfaqeshin gjithnjë në dimër në këtë zonë. Po kështu ndodhte edhe kur nuk kishte mjete të mjaftueshme transporti, sidomos për mos lëvizjen e gëlqeres, kur ajo qëndronte e zbuluar stok, buzë rruge në mal, e rrezikuar të vidhej nga kalimtarët ose të shuhej nga ujët e shiut dhe nga shkrirja e borës.
Sipas marrëveshjes, sipërmarrësi kishte marrë ose merrte para nga ndërmarrja dhe me to paguante punëtorët e përkohshëm me mëditje. Në këto kushte ai figuronte shpesh debitor, borxhli, ndaj ndërmarrjes, përderisa të shlyente paradhënien monetare, kundrejt një sasie të caktuar prodhimi.
Me sipërmarrësin çam Jasin Balo dështimet dhe shkelja e kontratës ishin më të shpeshta dhe shoqëronin njëra-tjetrën. Drejtor i ndërmarrjes ishte Dadani, një ish-oficer, ardhur nga jeta partizane, vërtet pa nivel arsimor, por me përvojë në drejtim. Ai ishte mësuar me rregull dhe korrektesë, ndaj i kishte tërhequr disa herë vërejtjen dhe e kishte lajmëruar Jasinin të tregohej më i kujdesshëm dhe të shlyente në kohë paradhënien me prodhim, se me shtetin “nuk bëhej shaka”. Por më kot, borxhi thellohej. Kur shuma u rrit tej kufijve ligjorë dhe nuk dukej më shpresë kompensimi, Dadani më porosit mua, si ekonomist që isha aty, ta hedh sipërmarrësin Jasin Balo në gjyq. Dhe kështu u bë.
Gjykata, sipas akt-akuzës firmosur nga drejtori, mori si të pandehur të lirë Jasin Balon. Akt-akuza jo vetëm i kërkonte një për një detyrimin, por e padiste Jasinin si borxhli përsëritës e deri mashtrues.
Jasin Balua, që ishte shumë i zgjuar dhe “bilbil” nga goja, ndërthuri një apologji gjurmëlënëse. Pasi foli për figurën e tij morale, për trimëritë në luftë për çlirimin e atdheut, si partizan i batalionit “Çamëria” me komandant Rexho Plakun e famshëm, dhe më parë si eamist dhe antifashist grek, tha se unë nuk kam asnjë faj dhe se ky gjyq i nderuar ka prirje të më dënojë pa faj, vetëm e vetëm se unë jam Çam, edhe këtu padrejtësisht, i nënvleftësuar, i përbuzur dhe pa përkrahje.
Kryetari i Gjyqit, që ishte me origjinë minoritare greke, e kundërshtoi dhe tha se para ligjit të gjithë përgjigjen njësoj, pavarësisht se nga janë dhe ne këtu në gjyq, çamët, i kemi njësoj si lebërit, toskët, gegët, apo si çdo shqiptar.
- Jo dhe jo, - kundërshtoi Jasini, se po të qe kështu, do të kishte ndonjë çam të punësuar në Komitetin e Partisë, në Komitetin Ekzekutiv, në Gjykatë apo në Prokurori. Më gjeni një, - vazhdoi me këmbëngulje Jasini.
Kryetari, pasi u mendua dhe nuk gjeti vërtet asnjë çam në këto organe, i thotë të pandehurit, pa u thelluar:
- Po, këtu ke të drejtë. Nuk po gjej asnjë çam.
- Po qe se kam të drejtë, gjyqi është mbyllur.
- Jo, më keqkuptove. Gjyqi është tjetër gjë dhe ka bazë akt-akuzën dhe jo tezën tënde për çamët. Ti je akuzuar dhe do të përgjigjesh për ato që ngrihen atje.
- Po kush më akuzon, Dadan analfabeti?
- I pandehur, mos e ofendo drejtorin, proteston kryetari.
- Jo, zoti kryetar, ai ka ofenduar veten se, megjithëse alfabeti i gjuhës shqipe është më i glati në botë dhe ka 36 shkronja, Dadani di vetëm një shkronjë.
- Ç’do të thuash me këtë? Ç’është kjo shkronjë?
- Shkronja “S”
- Shpjegohu, i pandehur!
- Po, ja: Unë i kërkoja Dadanit para, për të shpërblyer punëtorët sipas punës së bërë, ai thoshte s’kam gjendje sot në arkë, hajde nesër, më pas… do t’i nis pas një jave. Po ku priste zjarri i ndezur në kaminat e gëlqeres? Duke mos pasur punëtorë e duke mos e ushqyer zjarrin aq sa duhej me dru ose dëmtohej cilësia e gëlqeres, ose ajo shuhej e shurdhohej fare.
-Unë kërkoja sëpata e kosore, për të prerë dru e shkarpa, ai thoshte se s’kam tani në magazinë, prit kur t’i gjej.
-Unë i kërkoja dinamit, për të bërë mina për nxjerrje guri, ai më thoshte s’gjendet në Shqipëri, kur të vijë nga importi.
-Unë i kërkoja mjete transporti, për të tërhequr shpejt gëlqeren, se po vjen koha e shirave, ai thoshte s’i kam në gatishmëri pune makinat, janë në remont.
-Unë i kërkova llogaritarin dhe magazinierin për të inventarizuar dhe për ta marrë në vend në dorëzim gëlqeren, që e kisha të tërën sipas kontratës, ai më thoshte se s’vijnë dot, janë të sëmurë me raport doktori.
Kështu “S”-ja e këtij ish-oficeri lufte, të më falë se edhe unë oficer kam qenë, të këtij drejtori analfabet që e patëm llafin, e vetmja shkronjë e kobshme që ai e di mirë, ndaj e përdor shpesh, është shkaktarja e dëmtimeve në gëlqeren e prodhuar në kohë e me cilësi nga unë, sipas kontratës ligjore të lidhur ndërmjet palëve, ku kishim detyra të ndërsjella. Atij, me plogështinë, paaftësinë dhe mosveprimin, t’i kërkohet llogari dhe jo mua. Po qe se duhet të dënoni dikë, ai duhet dënuar për shkujdesjen që tregoi, duke i parë e ndjekur punët me dylbi ushtarake nga qyteti dhe jo unë, Jasin Balua, një çam i përpjekur, korrekt e fukara, që ka qenë gjithnjë i munduar e i rraskapitur e që ngrysej e gdhihej për një copë bukë në mes të borës dhe të ujqërve të Llogorasë.
Kështu e mbylli apologjinë e tij, çami i zgjuar dhe trim.
Gjykata i dha pafajësinë Jasin Balos dhe për Dadanin propozuan shkarkim nga detyra për paaftësi drejtimi.
Comentários