top of page

Anton Nikë Berisha, Patriark i shquar i një shkolle të posaçme krijimi e studimi


Emin Azemi

Nga Emin AZEMI


Një ndër metodat krijuese e studimore të prof. Anton Nikë Berishës është rimarrja, ose rishqyrtimi gjuhësor e stilistik i veprës së tij të shkruar më herët dhe vendosja e saj në një rrafsh tjetër të rishikimit, por gjithmonë në funksion të një dioptrie vrojtimi që do ta bënte atë vepër edhe më të freskët për lexuesin aktual. Kjo metodë, me pak përjashtime, u përdor nga ai edhe me rastin e ribërjes së korpusit të tij krijues e studimor në shtatë vëllime, me një titull mjaft sinjifikativ SHTATË SHPALIME PËR NËNË TEREZËN, të cilat tani vinë me një koherencë të brendshme kuptimore dhe me një gërshetim harmonik zhanresh e stilesh krijuese, të përmbledhura në gjithsej 10 vepra. Tërësinë organike të këtyre 10 veprave e përbëjnë romanet “Nëna e dritës” dhe “Dritë në shtjellën e gërbulës”. Ky i fundit madje depërtoi edhe jashtë regjionit shqipfolës dhe si i tillë i përkthyer në italisht me titull “Ëndrra e erës”, pati jehonën e vet të receptimit të lakmueshëm tek lexuesi italian. Përkushtimi tematik e problemor i Anton Nikë Berishës për të krijuar fabulat e tij narrative sa më interesante nxjerr në pah figurën e Nënë Terezës, në një dimension më kompleks dhe përtej konturave të ngushta biografike që i kishin imponuar autorë të ndryshëm, të cilët nuk e kishin patur kreativitetin krijues e psikologjik të prof. Berishës për të depërtuar më thellë në shpirtin e kësaj altruiste të madhe me përmasa planetare.

Në kuadër të këtij korpusi letrar kushtuar Nënë Terezës, prof. Berisha sjell edhe dy poema autoriale, “Ujëvarë drite në zemër” dhe ” Sytë e heshtjes”, kurse në fushën e eksplikimit studimor ai ka trajtuar me përkushtim 6 traktate letrare filozofike, sikundër janë”I desha njerëzit me dashurinë e hyjit”, “Shën Pali dhe Nëna Terezë”, “Shën Maria dhe Nëna Terezë”, “Errësira shpirtërore”, “Testamenti shpirtëror” dhe “Nëna Terezë në poezinë bashkëkohore shqipe”, në të cilat figura e Nënë Terezës këndvështrohet edhe nga jashtësia e saj, duke skicuar një mori relacionesh që ajo pati me të tjerët dhe të tjerët, sidomos krijuesit, me të.


Anton Nikë Berisha

Duke u marrë gati dy dekada me figurën e Nënë Terezës, Anton Nikë Berisha, ka arritur të vendos një standard profilizimi krijues e studimor, i cili do t’iu shërbejë studimeve letrare e sakrale si model i mirë i punës kreative dhe përpjekje serioze për të nxjerrë nga tirania e vulgaritetit publicistik e patetik që pëvidhet në vepra të caktuara që merren me figura të shquara të kombit, të cilat në vend se të lartësohen ato më tepër devalvohen e gati bastardhohen. Për t’ ikur këtij kliesheu, Anton Nik Berisha ngriti shkollën e tij të shkrimit letrar e studimor dhe mund të themi lirisht se ai është ndër emrat e rrallë të letrave shqipe që gjithë opusin krijues e ka të formuar mbi shenja vetanake të identifikimit tematik e stilistik. Figura e Nënë Terezës në këto 10 veprat del e praruar në qasjen filigranike të dorës mjeshtrore të shkrimtarit e studiuesit, Anton Nikë Berisha. Ata që nuk kanë patur shumë mundësi të njihen me karakterologjinë komplekse të Nënë Terezës, këtë mund ta arrijnë tani, duke e pasuruar bibliotekën personale me këtë kolanë veprash tematike të Anton Nikë Berishës . Vendosja e komunikimit me lexuesin e sotëm, më pak i informuar për figurën e Nënë Terezës, përbën kontributin madhor të kësaj vepre që sot po prezantojmë, kurse autori Anton Nikë Berisha përfaqëson ndoshta lajmëtarin më të kualifikuar që lidhjen e brezave e bën me kujtimin e stampuar në memorien krijuese. Emri më emblematik që mban gjithmonë gjallë këtë kujtesë është Shën Nënë Tereza, kurse autorët që merren me të, ndër ta edhe Anton Nikë Berisha, i bëjnë një nder të madh jo vetëm kauzës së saj humane, por i vendosin disa parametra përkufizues në identifikimin e përkatësisë sonë civilizuese – oksidentale. Një gurë i çmueshëm në këtë identifikim padyshim është edhe vepra NËNË TERAZA NË SHTATË SHPALIME, kurse autori i saj Anton Nikë Berisha po e nderon lexuesin shqiptar, dhe jo vetëm, si një prej patriarkëve më të shquar të kësaj shkolle mendimi.


8 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page