Anjeza Musollari: Një britmë që dhemb më shumë se uria
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 6 hours ago
- 6 min read

Përsëri oriz dhe vezë, nënë? Nuk e duroj më këtë varfëri! – bërtiti me zemërim.
E ëma u trondit nga britma, luga i ra nga dora që i dridhej, uli kokën, duke u përpjekur të fshehte turpin.
– Është e vetmja gjë që kemi, biri im... – pëshpëriti thuajse pa zë.
Djali e përplasi pjatën me forcë mbi tavolinë, orizi u shpërnda në dysheme,disa kokrra i ngjitën në fytyrën e nënës.
– Epo mirë, haje vetë këtë ndyrësi! –bërtiti ai, duke i kthyer shpinën.
Ajo nuk tha asgjë. u përkul, e dridhur, dhe nisi të mbledhë me gishtat kokrrat nga dyshemeja. Si dikush që përpiqet të shpëtojë çfarë pak i ka mbetur... nga ushqimi dhe dinjiteti.
Ai shkoi në dhomën e tij. U gjunjëzua, si çdo natë, pranë shtratit. Dhe u lut, për të. Por djali nuk ndjente më dashuri. Nuk shihte më vlerë te ajo.
Ditë më pas, u ngrit dhe tha:
– Po iki. Jam lodhur nga kjo jetë e mjerë. Po shkoj në qytetin e madh. Dua diçka më të mirë.
Ajo nuk e luti të qëndronte. nuk qau. Por me zemër të thyer ia kapi dorën fort dhe i tha: – Premtomë që do t’u përgjigjesh thirrjeve të mia. Të lutem,biri im...Të lutem. Ajo lutej. Ai ngriti sytë nga qielli. Atëherë ajo shtoi me zë të dobët: – Jam shumë e lodhur... ndjej që koha ime po mbaron. Ditën kur të ndaloj së të telefonuari... do të jetë sepse jam larguar tashmë.As nuk e përshëndeti siç duhej.
Qyteti i madh nuk ishte siç e kishte imagjinuar, punonte ku të mundte: ngarkonte kuti, ruante një diskotekë, përziente çimento në kantier, ushqimi mungonte, paratë edhe më shumë.
Por çdo ditë telefoni binte. Ishte nëna e tij – Përshëndetje, biri im...Je mirë? Jam i zënë, nënë. Dhe ia mbyllte, i zemëruar, me nxitim.Derisa një ditë telefoni nuk ra. Dhe heshtja...bërtiti.
E shikoi aparatin gjithë ditën.Erdhi nata. Dhe mendoi me vete: “Ajo ka vdekur.”
Nuk qau. Nuk u përpoq ta telefononte. As nuk u mundua të shkonte në varrim. Nuk kishte para. Dhe sikur të kishte... nuk do të shkonte. Kaluan ditët. Dhe ai e dinte: nëna e tij nuk ishte më gjallë. Muaj më vonë, i rraskapitur nga mjerimi, pranoi një ofertë: – Janë para të lehta. Thjesht duhet të ngasësh makinën – i tha një i njohur i tij . Makina ishte plot me drogë. E dinte. Por pranoi. Donte të ngjitej në jetë... shpejt. Atë natë hipi në makinë, rregulloi sediljen, vendosi duart mbi timon... Dhe telefoni vibroi. Numër i panjohur. U përgjigj. – Biri im... Të lutem, mos shko. Mos e bëj këtë udhëtim. Kthehu mbrapsht. Hiq dorë nga kjo ide. Tani. Zëri... ishte i saj. Zemra iu drodh. – Nënë!? Je gjallë?
– Të lutem, biri im. Më dëgjo. Kthehu në shtëpi. Dhe... kujdesu për veten.
Dhe ajo ia mbylli. Në fytyrë. Ai u përpoq ta telefononte. Por dëgjoi një mesazh të ftohtë: “Numër që nuk ekziston.” Zbriti nga makina, i djersitur. Gjoksi i shtrënguar. Shiti çfarë kishte. Disa rroba. Një palë këpucë. Bëri shitje rrugës dhe mblodhi aq sa për të kthyer mbrapsht.
Kur mbërriti, rruga ishte më e heshtur se zakonisht. Fqinjët e shikonin me keqardhje.
– Nëna jote ka vdekur një muaj më parë... Ra në trotuar, pa fuqi.
– Nuk është e mundur... Më telefonoi dje! Foli me mua!
– E pamundur.Ajo ka vdekur prej kohësh biri im - i tha gjitoni i tij.
Hyri në shtëpi.Në dhomë, ndjehej ende era e saj.Në dhomë, heshtja dhembte.
Pranë shtratit, shenja gjunjësh në dysheme. Ajo gjunjëzohej aty çdo ditë... për t’u lutur për të. Në një qoshe, një listë lutjesh. Emri i tij ishte në krye, i shënuar ditë pas dite.
Që kur u largua...deri në ditën e fundit para vdekjes së saj. Ai u gjunjëzua aty, duart i dridheshin, lotët i rridhnin pa ndalesë.
Vrapoi në kuzhinë, lau fytyrën në lavaman... dhe e pa.
Mbi tavolinë, një fletë e palosur. Nuk ishte letër. Ishte një lutje.E shkruar me dorën e saj: “Zot, po ndjej vdekjen pranë. Dhe nëse vdes, nuk do të mund të lutem më për djalin tim. Prandaj... ta dorëzoj Ty. Nëse ndonjë ditë është në rrezik, të lutem, njoftoje. Thirre në këtë numër.” Dhe aty ishte. Numri i tij. Në atë çast, telefoni vibroi.
Njoftim lajmi: “Makina e shpuar nga plumbat. Shoferi vdekur. Ngarkesa e humbur.” Fotoja... ishte e makinës që duhej të ngiste atë natë. Ra në gjunjë.
Dhe kuptoi. Thirrja... erdhi nga qielli. Zoti përdori lutjen e fundit të një nëne për të shpëtuar një bir mosmirënjohës.
“Lutja e Nënës”
Lutja e Nënës, që ndonëse e heshtur dhe e thjeshtë, mbetet forca më e pastër dhe më besnike që një njeri mund të ketë në jetë.Pavarësisht fyerjeve, dhimbjes dhe neglizhencës, ajo kurrë nuk ndalet së dashuri dhe luturi për birin.është dashuria e pakushtëzuar e nënës, që qëndron si një shtyllë morale dhe shpirtërore në jetën e të birit, pavarësisht se ai nuk e vëren këtë derisa është tepër vonë.
Mosmirënjohja ndaj prindërve – plagë e heshtur
Fëmija, i lodhur nga mungesat, i frustruar nga realiteti që nuk përputhet me dëshirat e tij, ngre zërin, jo kundër ushqimit, por kundër gjendjes së vet, ndoshta edhe kundër fatit.Por zëri i ngritur nuk bie mbi sistemin, mbi shtetin, mbi padrejtësitë e jetës, ai bie mbi supet më të lodhur dhe më të dashur, të nënës.
Nëna, ajo që çdo ditë zgjohet më herët se të gjithë, që mirëqenien e saj e mat me buzëqeshjen e fëmijëve, që ha pjesën e fundit të bukës vetëm nëse fëmijët janë ngopur. Ajo që kur nuk ka,‘e gjen’, dhe kur nuk mundet, kërkon një mënyrë. Dhe kur e pamundura mbetet e tillë, i mbulon me një përqafim,sepse nëna nuk jeton për vete, por për të tjerët.
Nëna është i vetmi njeri në botë që ka forcë të buzëqeshë, edhe kur zemra i qan, dhe kur fëmija i saj, ai që ajo e ka mbajtur në bark, e ka ushqyer me qumështin e vet, e ka mbuluar me trupin e saj kur s’kishte as batanije, kur ai e flet me zë të lartë, e qorton, e fajëson, ajo thjesht hesht. Dhe në atë heshtje, nuk ka zemërim, ka dhimbje, ka trishtim, ka lot të pathënë.
Ndodh… Jo vetëm në një krijim letrar, por çdo ditë, në shumë familje.Sepse uria nuk është vetëm bukë, është edhe jetë më e mirë, dinjitet, socializim.Dhe kur shpresa nuk përmbushet, fajin e kërkojmë aty ku nuk duhet, te njeriu që ka sakrifikuar gjithçka për ne .Shoqëria moderne i nxit të rinjtë të jenë ambiciozë, të kërkojnë sukses, të duan më shumë.Por, askush nuk i mëson si të jenë mirënjohës. Askush nuk i ndalon për të thënë: “A e falënderove nënën sot që është ende aty, me atë lugë që i bie nga dora e lodhur?” Sepse kur ajo lugë të mos jetë më, atëherë ndoshta do të dëshirojmë edhe njëherë orizin dhe vezën që dikur ngjallte zemërim, jo për shijen, por për kujtimin.
Në themel të çdo shoqërie të shëndoshë qëndron familja, ndërsa në zemrën e familjes qëndron nëna, figura më e ndritshme dhe më e përkushtuar në jetën e çdo individi.Megjithatë, sot, në një kohë kur vlerat morale po përballen me sfida të reja, gjithnjë e më shpesh jemi dëshmitarë të një fenomeni të dhimbshëm: mosmirënjohjes ndaj prindërve.Ky realitet i hidhur përbën një plagë të thellë shoqërore dhe shpirtërore, e cila nuk duhet të neglizhohet.
Mosmirënjohja nuk lind papritur. Ajo është rezultat i një shoqërie që po humb kontaktin me vlerat njerëzore, që vlerëson më shumë suksesin personal sesa mirësinë, që i jep përparësi pasurisë materiale në vend të lidhjeve shpirtërore. Të rinjtë, të zhytur në teknologji e ambicie të shpejta, harrojnë të ndalojnë për një moment dhe të kujtojnë duart që i ushqyen, sytë që i përcollën me lot dhe zemrën që i deshi pa kushte.Nëna nuk kërkon shumë.Ajo nuk pret shpërblime apo lëvdata.Asaj i mjafton një përqafim i ngrohtë, një fjalë falënderimi, një gjest i vogël dashurie. kur as kjo nuk ndodh, kur ftohtësia dhe harresa mbulojnë çdo kujtim, ajo hesht.Dhe në këtë heshtje fshihet dhimbja më e madhe, ajo e një zemre të lënduar nga ata që i dha jetën.Një shoqëri që nuk respekton prindërit është një shoqëri pa rrënjë, një shoqëri që ecën drejt zhveshjes së saj nga humanizmi, Mosmirënjohja ndaj nënës është më shumë se një mungesë respekti, është një tradhti ndaj vetvetes, ndaj kujtesës dhe identitetit tonë. Është koha të rikthejmë mirësinë, përulësinë dhe vlerësimin për ata që na kanë formuar si njerëz. Sepse vetëm atëherë kur do të nderojmë nënën, kur do të kujtojmë sakrificën e saj me zemër të hapur, do të jemi të denjë për të qenë bij të saj dhe qytetarë të vërtetë të një bote më të mirë.Njerëz, në një botë ku gjithçka mund të zëvendësohet, nëna është e pazëvendësueshme. Nëse dëshirojmë të kemi një të ardhme të ndritur si individë dhe si shoqëri, duhet të fillojmë duke e nderuar dhe respektuar nënën, jo vetëm me fjalë, por me vepra. Sepse mosmirënjohja ndaj saj nuk është thjesht mungesë educate, është mungesë shpirti.
Comentarios