top of page

Anjeza Musollari: Mos  helmoni  të ardhmen



 

E ardhmja është ajo pjesë kohe në të cilën ne kemi miq të sinqertë e dashuri të përjetshme.....

Them se e ardhmja është ajo çka kemi prodhuar në të kaluarën,duke hedhur hapa jo të njëjtë në të tashmen, e duke sakrifikuar për të ardhmen.edhe pse e planifikojmë të ardhmen,s’mund ta përcaktojmë atë...

Por çfarë ndodh me ne njerëzit kur fillojmë sakrificën për të ardhmen?

Jetojmë sikur nuk do të vdesim kurrë dhe vdesim pa jetuar kurrë siç duhet.

Sa shumë të vërteta ka në këtë thënie. Fatkeqësisht.

Ne fitojmë,mundohemi për të krijuar diçka materiale,dhe pasi ta krijojmë, nuk kemi kohë të kënaqemi me të.A është më e vlefshme për të gjithë ne që t’i kalojmë orë të stërgjatuar në punë,në kafene apo ta kalojmë atë kohë me familjet tona? Pastaj përsëri nxitim, zgjim në mëngjes,kthim në shtëpi vonë pasdite, në mbrëmje madje. Synimet, ëndrrat, karriera. Ndriçim i reflektorëve, blice të fotoaparateve, famë, dhe shkëlqim i rrejshëm.

E di, e di, duhet të fitojmë të ardhura,të argëtohemi por duke sakrifikojmë praninë tonë tek familja.Këtu ndalojmë për të reflektuar çfare po ndodh me ne fëmijët tanë,angazhimet tona po krijojmë vakume tek fëmijët tanë tanë.

Po si pjesë e shoqërisë çfarë po bëjmë për të ardhmen e sigurt të brezave të rinj?

Gjatë javës që lamë pas,media hodhi dritë  mbi ngjarje të rënda të abuzimit seksual të një prej dhjetra të miturave,si dhe hapi një debat të gjerë për një shqetësim shoqëror në rritje. Për të kuptuar sado pak rritjen e këtij fenomeni, 

bazuar në raportimet e medieve,e kthyer në një kronikë të zezë,sa vjen dhe po përditësohet.

A jemi ne një shoqëri,pa norma,vlera qytetarie,papërgjegjshmëri morale dhe probleme psikologjike?

E kujt është përgjegjësia?

Përgjegjës për ecurinë në procesin e edukimit, zhvillimit dhe sigurisë të një fëmije e kanë të gjithë aktorët zinxhir, duke nisur nga familja, shkolla si vendi ku fëmija kalon pjesën më të madhe të kohës dhe strukturat e tjera si bashkia, ministritë etj.

Duke i marrë me radhë,si fillim vendoset familja si thelbi i edukimit dhe përgjegjësisë së fëmijës,por mos të harrojmë që jo të gjithë prindërit kanë mundësi ekonomike apo nivel arsimor për ta edukuar dhe siguruar fëmijës të ardhura dhe edukatë të mirëfilltë. Në këtë rast vjen shkolla si institucion më pranë fëmijës i cili evidenton, cakton nevojat e çdo fëmije duke i trajtuar të gjithë si të veçantë në llojin e kërkesave që ata kanë.

Sidomos për familjet me probleme ekonomike apo sociale, shkolla duhet të ndërhyjë dhe të asistojë me ekspertët e saj siç janë psikologu, apo oficeri i sigurisë. Ka vite që me ndryshimin e kurrikulave, nxënësi është vendosur në qendër të vëmendjes dhe palët e tjera si mësuesi, drejtoria, policia, janë rreth tij për tˋi siguruar mbështetje, por edhe ndihmë në rast nevoje.

Çdo mos raportim,mbajtje të fshehtë,mbulim të ndonjë problematike të një nxënësi vetëm për hir të mos prishjes së imazhit të shkollës,apo komunitetit, mos drejtimi tek ekspertët përkatës,do i ngarkonte patjetër me përgjegjshmëri shkollën dhe të gjitha institucionet me radhë sipas hierarkisë.

Po ashtu vitet e fundit problemet psiko-sociale po shtohen së tepërmi (si pasojë e migrimit të brendshëm të vazhdueshëm duke rritur diversitetin kulturor brenda një komuniteti, si dhe vështirësitë ekonomike të prindërve) duke kërkuar më shumë vigjilencë, por edhe më shumë disiplinë apo forma dënimesh ku nxënësit të kuptojnë që zbatimi i ligjit është baza e ndërtimit të qytetërimeve)

Ka një hallakatje të habitshme të shoqërisë,duket se kemi humbur pikat e referimit,duket se ka një mungesë angazhimi të qytetarëve në jetën komunitare e për pasojë janë shkëputur lidhjet mes mekanizmave të presionit pozitiv që shoqëria duhet të ushtrojë te anëtarët e vet.

Po ndiqet modeli ‘ai byrek që s’është për mua, le të digjet’. Familjet në një sasi të madhe nuk angazhohen sa duhet me fëmijët, ndërkohë nga ana tjetër nuk paraqesin presionin e duhur karshi anëtarëve të tyre për të mos devijuar.Nga ana tjetër shkollat kanë rënie të dukshme të komunikimit mes mësimdhënësve dhe vetë fëmijëve për të evidentuar në kohë problemet.

Kjo duhet parë në dy aspekte:në aspektin parandalues dhe atë ndëshkues.

Duket qartë se abuzuesit në masën më të madhe nuk ndëshkohen në mënyrën e duhur.Sistemi i drejtësisë,duke shfrytëzuar hapësirat ligjore që ligji në fakt i ka parashikuar si përjashtime jo si rregull, kanë arritur t’i nxjerrin pa shumë kosto subjektet shkelëse.Këtu ka hapësirë dhe nevojë për ndryshime, përmirësime të kuadrit ligjor penal. Nuk mund të themi drejtpërdrejtë që është problem legjislacioni, por më shumë raste gjykoj se është keqpërdorim i legjislacionit nga trupa e drejtësisë në dëm të drejtësisë.

Gjendur në këto kushte gjykoj se ka vend për zvogëlim të diferencave të minimumit të dënimit dhe maksimumit, sa kohë me këtë pikë abuzohet së shumti.

Këto ngjarje të tmerrshme janë një kambanë alarmi për shoqërinë shqiptare, e cila duhet të fillojë të vendosë kufij se çfarë është e lejuar dhe çfarë është e ndaluar, dhe duhet menjëherë të nisë një proces edukimi dhe ndërgjegjësim të fëmijëve të cilët duhet t’i mësojë të denoncojnë pedofilët. “Çdo ditë do duhet të bëjmë qytetarin e ‘mirë’. Do duhet të reagojmë për mënyrën sesi është katandisur shkolla, ky institucion bazë për ndërtimin e shoqërisë. Do duhet të punojmë më fort me komunitetin, i cili sheh përtej gardhit të tij vetëm për të përgojuar.

Do duhet të punojmë më fort me të rinjtë të cilët në rrugën përballë shkollës gjejnë vetëm drogën, prostitucionin e krimin.Ne duhet të qëndrojmë të informuar në lidhje më shumë çështje në qytet dhe fshat dhe duhet të përpiqemi tu bëhemi pritë atyre.

Në kushtet të tilla ku e keqja është bërë tashmë, mendojmë që vetëm instanca dhe njerëz të specializuar për ofrimin e ndihmës psikologjike mund të ndihmojnë familjen.

Detyra jonë nuk është të skandalizohemi,por të mos i harrojmë këto raste,të analizojmë e të mos rreshtim së vëni përgjegjësit në shënjestër.

Ndryshimi duhet të fillojë tek secili prej nesh,që të mos jemi më shoqëri që reagon vetëm kur na bie halli në derën tonë, por duhet të ngrihemi për këtë kauzë të gjithë për të ndihmuar sadopak.

Institucionet, shoqëria, media, secili prej nesh duhet t’i trajtoje këto raste me seriozitetin e duhur,sepse janë nga krimet më të rënda që ekzistojnë,edhe sepse një trajtim sipërfaqësor i tyre, vetëm e thellon rrethin vicioz që nesër mund të prekë këdo.

Thirrja ime për çdokënd që punon në një institucion, media apo këdo që ka një mundësi për të ndihmuar, të mendojë ‘çfarë do bëja po të ishte në rrezik fëmija im!’? Nëse fillojmë të gjithë ta shohim kështu, jam e sigurt që do ishte shumë ndryshe situata.

Beteja për të mbrojtur fëmijët nga këto lloj krimesh e ka shoqëruar njeriun modern prej dekadash e do na shoqërojë edhe për dekada të tjera. Ajo që ne mund të bëjmë është angazhimi edhe më i madh për ta minimizuar si fenomen. Ka kategori veprash penale për të cilat ndërgjegjësimi është thelbësor dhe ka efekte të mira, por ka dhe kategori veprash penale siç janë këto të përdhunimit (kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitura) për të cilat aspekti edukues dhe parandalues përmes ndërgjegjësimit është shumë i kufizuar pasi subjektet që i kryejnë këto lloj veprash penale kanë të dhëna të zhvilluara kriminale dhe mendimi kriminal është i pjekur brenda tyre. Besoj se te kjo kategori më së shumti duhet punuar me evidentimin e tyre përmes krijimit të databazave publike të personave të dënuar për këto lloj veprash me qëllim alertimin e komunitetit dhe ruajtjen e fëmijëve si dhe në rastet kur i kryejnë, me ndëshkime shembullore që ndalojnë kryerjen në vazhdim të veprave të njëjta qoftë dhe nga frika e ndëshkimit.

Personalisht jam shumë për politikat parandaluese dhe rehabilituese në të drejtën penale, por për këtë kategori të veprave penale kam bindjen se ndëshkimi duhet të jetë i ashpër.

E dhimbshme deri në deje të dëgjosh nga vende kaq të vogla si Kosova  dhe Shqiperia,trauma sociale kaq të mëdha.

Ndal duart e pista,mbi bardhësinë e shpirtit të tyre fëminor!

Mos helmoni të ardhmen,pa të cilën bota do të vyshkej!

85 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page