top of page

Anjeza Musollari: “Martini im”




Adoleshentët viktima të realitetit social, apo dështim prindërimi ?!

Një 14-vjeçar, nxënës i një shkolle nëntëvjeçare në zemër të kryeqytetit, ka mbetur viktimë e një konflikti mes disa të rinjve, të cilët pas debateve mes tyre në rrjetet sociale e kanë lenë të sqaroheshin në një takim mes tyre.

Fatkeqësisht, jo gjithçka ka shkuar, sikurse adoleshentët e kishin lënë të sqaroheshin, teksa kanë vënë në përdorim edhe mjetet mprehëse të cilat i kishin marrë me vete, duke vajtur të parapërgatitur për një konflikt që do precipitonte në tragjedi.

Martini 14-vjeçar nuk jeton më. Ai mbylli sytë përjetë nga një goditje me thikë në zemër. Aty, mu pranë rrethimit të shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” që ai frekuentonte. Autori i dyshuar, shok shkolle me Martinin u arrestua nën dyshimet për “vrasje me dashje” dhe “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.Një dramë e madhe që ndodh përditë në shkollat shqiptare.

Sherret nisin në bankat e shkollës dhe për fat të keq përfundojnë me ngjarje tragjike jashtë dyerve të tyre. Pas ngjarjes tragjike të Martinit, besoj çdo baba e nënë e ka kaluar nëpër mendjen e tij; po sikur të ishte fëmija im?

Sot, globalizimi po tjetërson njeriun dhe domosdoshmërisht mënyrën e të ndjerit dhe të jetuarit, po shkërmoq vlerat humane. Dhe këtë fillojmë ta besojmë kur në dyert tona troket ‘morti’. Dhe rëndom shprehemi “faleminderit zot nuk është tek unë”.


Çfarë po ndodh në shoqërinë shqiptare?!


Shoqëria e sotme konsumiste, pa norma dhe moral, pa respekt dhe dinjitet me një mungesë të theksuar socializimi po rrit breza fëmijësh që nuk njohin dashuri për prindërit, gjyshërit, shokun, shoqen dhe kjo sepse prindërit nuk kanë ‘kohë të mjaftueshme’ për t’u marrë me fëmijët e tyre.

Do të ishte shumë e thjeshtë që të gjenim fajtorin, ta përjashtonim dhe jeta do vazhdonte qetë, por nuk kemi një fajtor, janë disa faktorë që bashkohen

Kjo ngjarje e rëndë na ngarkon me përgjegjësi për mjedisin ku po rrisim dhe edukojmë fëmijët tanë, duke përfshirë shoqërinë, shkollën dhe familjen.

Si shoqëri, kemi një sfidë të madhe përpara: Të frenojmë promovimin e dhunës në rrjetet sociale dhe hapësirën online, si dhe të ndalojmë çdo lloj shfaqje të dhunshme në shoqërinë tonë.Fëmijët meritojnë të orientohen drejt modeleve pozitive të punës, shkollimit dhe arritjeve nëpërmjet tyre.


Realitet 2024


Unë mendoj se shoqëria shqiptare është mësuar me kriminalitetin. Ngjarja është akoma më e dhimbshme, sepse është ulur mosha e kriminalitetit në shoqërinë tonë. Ulja e moshës së veprimtarisë kriminale tregon se adoleshentët janë viktima të realitetit social, pra një shoqëri që është e dhunshme.

Familja shqiptare është në gjendje katastrofike sa i përket marrëdhënieve burrë-grua, duke humbur vigjilencën ndaj fëmijëve të tyre.

Vajtojmë Martinin, ëngjëllin 14-vjeç, sportistin, kampionin me ëndrra djaloshare. Vajtimi ynë duhet të jetë jetë kolektiv, të farkëtuar në pafuqi njerëzore, pafuqi për të ndërtuar shtetin, shoqërinë, pafuqi për të ndërtuar njeriun. Kjo është klithma e një populli që vuan. Jetë e tyre nga dje në vijim është goditur.

Nuk është rasti i parë, është i disati në vitet e fundit. Kanë qenë jo pak raste, raste edhe të fëmijëve të tjerë që janë vrarë. Pranë shkollave apo pranë shtëpisë së tyre. Si rrjedhojë e një sherri banal. Nuk dua ta lë tragjedinë brenda një sherri banal.


Tragjedia është pafuqi, mungesë.


Prindërit shpenzojnë shumë më tepër kohë në punë. Përulësisht ju kërkoj, kaloni kohë me fëmijët tuaj, edhe sikur të jetoni me më pak të mira material, edhe sikur t’ju leni fëmijëve mangët diçka, jepnin kohën tuaj, është e paçmuar prezenca juaj në jetën e tyre. Nuk ka gjë më të madhe se sa prania e babait dhe nënës.

Një telefon në dorë shndërrohet në bomba me sahat nëse nuk kontrollohet. Nuk është trup që babai dhe nëna të monitorojnë telefonin e fëmijës së tyre. T’ja zënë kohën me aktivitete, kulturë, sport.

Indiferencë që po na vret në 33 vite. Një indiferencë për të thënë të vërtetën e

sytë e pafajshëm dhe plot jetë të Martinit duhet të na trondisin të gjithëve.Të mos na lënë të flemë gjumë të qetë. Të reflektojmë thellë.

Sot duhet të jemi të gjithë, nëna, babai, motra, vëllai i Martinit. Nëse këtë së bëjmë me urgjencë, nesër do të jetë shumë vonë.

Mbrojtja e fëmijëve është emergjencë kombëtare!


5 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page