top of page

Anjeza Musollari: E keqja nga vlerësimet e gabuara që iu janë bërë vlerave





‘‘Unë arrij në përfundimin se pjesa më e madhe e të këqijave të njerëzimit kanë ardhur nga vlerësimet e gabuara që iu janë bërë vlerave’’


Anjeza Musollari



Sa e rëndësishme është që në rrugëtimin tonë të jetës të mbartim vlera dhe moralin e një shoqërie europiane, të civiluar por jo të degjeneruar parimesh e normash?

Njeriu, si qenie sociale, e ka të domosdoshme që t’i marrë parasysh vlerat, bindjet, qëndrimet dhe matricat e sjelljes sociale.

Adaptimi ndaj jetës sociale është një proces që vazhdon përgjatë gjithë jetës.

Ky proces e mundëson njeriun si qenie sociale dhe vazhdimësinë shoqërore. Vlerat janë parime që na mundësojnë menaxhimin e sjelljeve tona për të realizuar veten si individë në kontekste dhe mjedise të ndryshme. Ato janë bindje dhe kritere që na mundësojnë të preferojmë, të pranojmë dhe të zgjedhim një gjë karshi tjetrës, ose një sjellje karshi tjetrës, përgjatë gjithë fazave të jetës. Vlerat janë burime të satisfaksionit dhe përplotësimit, të cilat drejtojnë sjelljet tona.

A janë vlerat pjesë e identitetit tonë si njerëz që shfaqim kursin tonë të veprimit në shtëpi, punë, ose në ndonjë fushë tjetër të jetës, në çastet e kënaqësisë ose të krizës?

Vlerat na tregojnë si të sillemi apo të mos sillemi kur ballafaqohemi me dëshira ose impulse, kur jemi vetë ose me të tjerë. Vlerat janë kompas që na ndihmon të sillemi në mënyrë konsistente, pa marrë parasysh situatën. Për shembull, kur e përdorim transportin urban, disa ia lëshojnë vendin një gruaje shtatzënë, e disa të tjerë jo. Të parët besojnë në vlerën e kortezisë dhe në konsideratën ndaj të tjerëve, pa marrë parasysh në janë të huaj ose jo. Në mesin e atyre që nuk e lëshojnë ulësen e tyre janë fëmijët (të cilët ende nuk e kanë rrokur këtë vlerë), njerëzit më të vjetër, që i japin përparësi komforit të tyre, ose ata që i japin përparësi kënaqësisë së tyre.

A është koncepti i vlerës përcaktues i peshës të një fenomeni,të një grupi dhe individi brenda shoqërisë?

Një gjë mund të mos ketë rëndësinë e njëjtë në dy shoqëri të ndryshme.P.sh, në një shoqëri të robëruar, liria përbën vlerën më të lartë, kurse, në një tjetër, vlerë superiore mund të jetë diçka krejtësisht tjetër.

Vlerat materiale dhe ato shpirtërore shpeshherë janë të ngërthyera në njëra-tjetrën. Për shembull, një orë me qystek e mbetur nga gjyshi mund të ketë edhe vlerë materiale, edhe shpirtërore. Ngjashëm qëndron puna edhe me veprat historike. Një person që i ndihmon me para një të riu që s’ka mundësi të shkollohet, që ia paguan semestrat, në realitet ka bërë një veprim të vlefshëm në të dy aspektet. Vlerat përfaqësojnë idealet e një shoqërie, si vëllazëria, toleranca, barazia, familja, atdheu, respekti, sinqeriteti, etj.

Nganjëherë shoqëritë mund t’i shndërrojnë në vlera edhe gjëra që në fakt përbëjnë antipodin e tyre, si p.sh., racizmi (në periudhën e fashizmit), ksenofobia (në Europën e sodit), huliganizmi (“vlerë” rinore), “big brother kultura”, etj.

Po mediet çfarë roli po luajnë në lançimin e vlerave tek brezat e rinj?

Mediet në Shqipëri,me agresivitetin e tyre të frikshëm,po vrasin moralin,po shkatërrojnë familjen,ekonominë,qetësinë sociale dhe po vetëshkatërrohen e deformohen në misionin e tyre për triumfin e demokracisë.

Është koha të kujtojmë një thënie të Koletës, se: “Drejtësia i nevojitet një populli më tepër mbase edhe se qytetërimi”. Situata kontraverse ku ka arritur  media në vendin tonë, mund të rregullohen vetëm po të ndëshkohen si një e keqe e madhe, që ka prekur shoqërinë tonë në tranzicionin e zgjatur e të rraskapitur,në çdo qelizë të jetës.

Media përmes programacionit ka provuar të edukojë apo pasurojë audiencën me modele të qëndrueshme dhe serioze në përputhje me moralin me qëllim që audienca ti përqafojë por fatkeqësisht ajo i ka braktisur.

Media duhet të luftojë përballë banalitetit dhe degjenerimit duke dhënë një shembull për të rinjtë por a nuk duhet ta kishte bërë familja, shoqëria, edukimi apo politikat rinore, sociale dhe arsimore këtë proces duke i përgatitur të rinjtë të zgjedhin çfarë u nevojitet duke e shpëtuar kësisoj dhe median nga dilemat, roli në meritokraci dhe dëmi në imazh.

Media duhet të zbatojë ligjin mbi përputhshmërinë e përmbajtjes së formateve të saj por a janë bërë sondazhe/pyetësor dhe studime çfarë dëshiron audienca pasi në dijeninë time formatet të “cilësuara banale” kanë thyer rekorde shikueshmërie.

Media duhet të prezantojë sa më shumë modele të qëndrueshme konform të gjitha parimeve dhe standarteve të shoqërisë për audiencën por kultura dhe edukata fillon nga familja dhe shoqëria, forcohet nga shkollimi, përforcohet nga puna dhe del në pah nga suksesi I arritur në karrierë e promovimi përmes saj, proces në të cilin media ose është plotësuese ose jo prezente.

Ku duhet ta kërkojmë gabimin për këtë pushtet antivlerash që na ka zaptuar si popull?

Para se ti kërkojmë llogari gjithkujt për atë që vetë ne e kemi ne e kemi në dorë  do të duhet të ngrihemi, kontribuojmë dhe punojmë të gjithë nga pak mbi çfarë është bërë gabim dhe mungon në shoqërinë tonë që banaliteti jo vetëm ndiqet masivisht por dhe në plot raste është kthyer në stil jetese sidomos në mungesë të vlerësimit sipas meritës apo zhvlerësimit të rëndësisë së profesionalizmit, si i vetmi etalon referimi për sukses në karrierë.

Vlerat janë  veshja që i shkon gjithkujt, thjesht të duhet të dish ta mbash me dinjitet duke investuar çdo ditë në rritjen e kapaciteteve të tua,për ta deleguar tek brezat e rinj,të cilëve duhet tu tregojmë se asgjë banale nuk ju’ bën më të rritur’,nuk ju bën të dukeni” të fortë”,përkundrazi ju zvogëlon dhe ju mpak në të ardhmen e afërt e cila mund të kthehet në një rreth vicioz pa anë.

33 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page