top of page

Anjeza Musollari: A e njohin shqiptarët më vetveten?



 

Ku ishim, ku jemi, ku po shkojmë ?

 

A e njohin shqiptarëve me vetveten?


Sa ka ndikuar e kaluara në të adhmen e mbyllur të qytetarëve shqiptarë ?

Të jesh i revoltuar sot nuk është diçka e mbrapshtë apo diçka e keqe. Koha kur jetojmë ka nevojë për revoltën. 

Në kohën e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të lirisë, vetëm revolta dhe gjëndja e njeriut në revoltë të përherëshme mund ta shpëtojë njerëzimin,mund të shpëtojë një shoqëri,duke sjellë ndryshimin dhe progresin e vazhdueshëm të saj.Dhe kjo është universale,për gjithë shoqërinë njerëzore,për të gjitha sistemet,pasi nuk është fjala vetëm për revoltën ndaj diktaturave, por dhe për demokracitë e reja, ku demokracia për tu afirmuar çdo ditë, ka nevojë dhe për revoltën, që kërkon gjithnjë ndryshimin dhe përsosjen e sistemit demokratik.

Pa dyshim që brenda popujve ka dallime nga individi në individ, psikologji individësh, ndryshime individuale, motivime a gjendje shpirtërore të ndryshme, aftësi a bindje që ndryshojnë nga njeri individ tek tjetri, qëndrime krejt të ndryshme karshi politikës, jetës, fesë, ideologjive etj.

Por ka edhe paragjykime e diskriminime tepër dalluese për të tjerët brenda psikologjive kombëtare, ka racizëm, e diskriminim që i bashkon siç bashkonte dikur jo pak njerëz në SHBA në raport me racat e tjera, edhe brenda së njëjtës familje ka dallime e njësime.

Brezat e rinj karshi të vjetërve, emigrantët e rinj dhe përqafimi syresh i tipareve kombëtare të vendit ku janë, të folurit, konsideratat, mentaliteti, ndryshimi i tyre në varësi të vendit ku rrojnë e rriten,flet gjithashtu për huazim a marrje të tipareve të psikologjisë kombëtare të atij vendi ku jeton dhe humbje të një pjese të atyre tipareve që karakterizojnë popullin të cilit i takojnë prindërit tuaj.

Por sot krahas dallimeve të psikologjive kombëtare ka edhe tendencë për kozmopolitizëm, afrim psikologjish kombëtare tek njera tjetra, në një lloj psikologjie ndërnacionale që i kundërvihet gjithnjë e më shumë psikologjive nacionale.

Askush s’mund të jetojë pa një histori, pa një tregim dhe pa një synim: nga vijmë, ku jemi dhe ku po shkojmë? Ky është fakt empirik.

Është momenti i fundit, të fillojmë të përsiasim seriozisht për pyetjen:ku duam të shkojmë?

Kërkimi i së vërtetës,është zbehur dhe tani shoqërinë tonë e ka mposhtur indiferentizmi dhe kaosi.Kur them kaosi,e kam fjalën sidomos te ai politik.Ekziston një kategorinë e qytetarëve që janë indiferentë në çdo proces jetike në vend,dhe këtu mund të përfshihet një pjesë e rëndësishme,e cila mendon se asgjëja varet nga ne.Kjo teori s’përkon me mendësinë perëndimore, e cila synon përsosmërinë, dhe këtë e kërkon nëpërmjet vetëdijesimit dhe kërkimit me ngulm të vërtetës; kësisoj edhe besimit se e mira dhe e keqja varen pikërisht nga ne.

Në këtë mënyrë, ata që zgjedhin indiferentizmin si strehë, vegjetojnë, pa u bërë aksionare në shtet ndërtim.Kjo kategori vetë kënaqet me pak. Si e tillë, krijojnë ishullthin e rrethuar me gjemba. Në mesin e kësaj kategori, gjejmë sidomos persona nga bota akademike dhe aty këtu filiza që kanë mbetur pa u zhvilluar nën hijen e ideologjive politike e partiake.E meqë kërkimi i së vërtetës është zbehur, atëherë mbi shoqërinë tonë molepsja, apatia, dredhia.

Ndërkohë që një mjegull  e zezë vërtitet ankthshëm mbi të ardhmen e këtij vendi, sytë e popullit  janë drejtuar e fokusuar te politika, nga e cila presin ndryshime.

Përvoja e jonë, por edhe ajo universalja, kanë dëshmuar me argumente bindëse: asnjë shoqëri, s’mund të jetojë pa disa të vërteta dhe postulate thelbësore, mbi të cilat ndërtohet humanizmi i domosdoshëm që ruan dhe garanton kohezionin e brendshëm.

Meqë asgjë s’është rastësore, atëherë është koha të pyesim: çka na pengon të ecim krah për krah me popujt e qytetëruar?

Unë mendoj, se,ndër të tjera, na mungon aftësia, guximi dhe vullneti që të ballafaqohemi me vetveten.Thënë ndryshe: frika nga e vërteta.Kjo është pika nevralgjike,ku janë ngatërruar punët tona.Ndaj, si gjithherë, duhet dikush tjetër të na përplas këtë për fytyrë dhe ne të zgjohemi nga kllapia


Është koha të rritemi!


Afërsisht para një shekulli, kumbonte e pabesueshme klithma e eruditit Faik Konica, kur thoshte ‘armiku i shqiptarëve është vetvetja’.

Nga perspektiva e sotme, tingëllon profetike dhe fatale. Si erudit, ai e qëmtonte realitetin deri në imtësi, dhe në të njëjtën kohë, kërkonte nga elita e kohës, të ballafaqohej me vetveten dhe të vërtetën. Ai ishte i bindur se plagët e trashëguara, zinxhirët e mendjes, duhej të hiqeshin. E bashkë me ta, një zinxhir vesesh e cenesh,si:shpirtngushtësia, cektësia, gjykimi për çdo gjë dhe ç’doherë; paaftësia për të sakrifikuar për ideale të larta, etj. Një ballafaqim i tillë me vetveten nuk ndodhi as në të kaluarën,s’ndodh as sot, ndonëse Shqipëria e kohës së Konicës, kishte një elitë mjaft të përgjegjshme dhe të ndërgjegjshme, fryte e së cilës, në fushën e dijes, kulturës dhe publicistikës, janë të admirueshme.


E tashmja jonë?


Fëmija, është i paprekur potenciali i plotë i vlerave dhe virtyteve njerëzore,si pafajësia, besimi, dashuria, dhembshuria dhe kreativiteti. Në fëmijëri, për një kohë shumë të shkurtër,njerëzit janë në një gjendje të pastër, pothuajse shenjtërie. Por fëmijët janë të rrezikuar,të pambrojtur dhe të varur nga ndershmëria jonë. Dhe duket se të rriturit janë të prirur ta tradhëtojnë atë besim.Në vitet gjashtëdhjetë,shumë kohë para se masmedia të përmendte abuzimin me fëmijët, teksa hulumtoja në këtë temë, pashë fotografitë e mjekësisë ligjore të organeve të fëmijëve të vdekur,të brishtë,të dobët,të thyer dhe të deformuar;të torturuar për vdekje – shpesh nga të afërmit e tyre. Për fat të keq këta janë të rriturit që sundojnë botën dhe bëjnë ligjet dhe të gjithë fëmijët duhet të kalojnë përmes programit të demoluar të quajtur edukim. Pasi të kalojnë në ato filtra, fëmijët zakonisht janë të thyer dhe magjia e tyre është zhdukur. Tashmë janë gati për të qenë qytetarë,ushtarë,nëpunës,psikiatër,politikanë, bankierë,agjentë të fshehtë,prostituta dhe të tjera gjëra të përdorshme. Dhe unë përpiqem ta shoh botën përmes syve të fëmijëve dhe të marr anën e tyre.


Një agim i ri!


Në mëngjes në një bar pranë shtëpisë sime, sapo hyra,tek qoshja pranë derës kryesore pashë jo me pak habi një adoleshente, e cila ishte duke pirë birrë të shoqëruar me cigare.

Nuk e di, po një dridhmë e pushtoi gjithë trupin tim, në atë çast mendova fëmijën tim, dhe mendja më shkoi tek nëna e kësaj vajze…

A shkon kjo adoleshente në shkollë, a ka dëshira, ëndrra, hobi, a i mjafton dashuria prindërore apo?…

Kështu, pas asaj që pashë në momentet e para të fillimit të ditës, vendosa të eci disa minuta më këmbë, por jo të vëzhgoja më se çfarë ndodhte përreth, jo desha të ecja me sytë në trotuar për të ‘tretur’ njëherë nëse mundja atë që sapo pashë në barin pranë shtëpisë sime nëse do të mundja…

Kur edhe disa hapa dhe do të mbërrija tek ura e madhe e Lanës, më ra në sy diçka që në atdheun tonë nuk e shohim shpesh: Një vajzë e gjatë me një veshje që i mbulonte krejt trupin e saj hollak, bluzë të linjtë të bollshme me mëngë të gjata dhe një fund të linjtë deri në fund të këmbëve, kishte mbathur një palë sandale të sheshta me dy rripa të kryqëzuar mbi kurrizin e këmbës, ndërsa krahëqafë kishte një çantë të thjeshtë, që me siguri brenda saj kishte ndonjë libër o bllok shënimesh, lapsa për të shkruar. Kjo përshtypje mu krijua ngaqë fytyra e saj e bardhë ishte ‘ujë e sapun’.

E pak më tej, një grup vajzash, veshur me bluza që nuk arrini poshtë fundshpinës së tyre dhe pantallona më shumë se sa të ngushta, gati në një mosbindje të dukshme të qarkullimit të gjakut, me çanta elegante, dhe me pasthirma gati ulërritëse të qeshurash, shihnin gati me përçmim vajzën që më pas kuptova që nuk ishte nga këto vise.


Çfarë po ndodh me të tashmen tonë?!


Kafenetë shqiptare, sidomos në kryeqytet, janë të mbushura plot me të rinj në çdo ditë të javës. Shumica e tyre janë femra dhe i përkasin grupmoshës më të re (14–17 vjeç). Vetëm një e treta e të rinjve shpenzon rregullisht kohë të lirë duke lexuar libra,19 përqind e bëjnë këtë vetëm me raste.

Marrja me aktivitete krijuese, veçanërisht në fushën e artit, vlerësohet gjithnjë e më shumë në Botë si aftësi e domosdoshme për angazhimin e ardhshëm profesional të individëve. Megjithatë, gjysma e të rinjve shqiptarë nuk merret kurrë me veprimtari krijuese, kurse 17 përqind e tyre e bën këtë rrallë. Rreth 12 përqind e të rinjve e bëjnë këtë me raste.

Të rinjtë shqiptarë kalojnë një kohë mbresëlënëse online, rreth 3.9 orë në ditë. Për meshkujt kjo kohë është dhe pak më e madhe tek 4.1 orë në ditë. Ky trend është në një rritje të vazhdueshme nga 3.2 orë të shpenzuara online.

Sasia e kohës e shpenzuar online dikton shumë elemente të jetës së të rinjve pasi ata e përdorin Internetin për shumë qëllime. Përdorimet më të shpeshta të Internetit janë: Rrjetet sociale (87 përqind e përdorin shumë shpesh për këtë qëllim) Komunikimi përmes platformave falas si Skype/ Viber (85 përqind i përdorin shumë shpesh), dëgjimi i muzikës (70 përqind) dhe ndarja e fotove dhe videove me të tjerët (67 përqind). Këto ndiqen nga shkarkimi i filmave (49 përqind); marrja e informacionit të duhur për detyrat dhe projektet e shkollës (48 përqind) dhe lojrat online (38 përqind). Përdorimet utiliare të Internetit janë të rralla dhe jo fort të njohura nga të rinjtë: shopping online dhe veprimet bankare online janë në shifrat e ulëta 5–10 përqind, madje, dhe emaili, si formë më serioze komunikimi, përdoret vetëm nga 25 përq. Të rinjtë janë në përgjithësi shumë më optimistë për të ardhmen e tyre, por mjaft skeptikë për të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Shqetësimet dhe frikërat kryesore të të rinjve shqiptarë janë: të jesh i varfër,dhe i papunë. Të rinjtë kanë besim te familjet e tyre, por, pothuajse nuk besojnë te askush tjetër. Brezi i ri në Shqipëri po tregon gjithënjë e më shumë shenja të pranimit dhe të tolerimit të praktikave joligjore dhe jolegjitime, sidomos, për të zgjidhur probleme personale dhe për të gjetur një punë.

Për shumë të rinj në Shqipëri ka më shumë rëndësi të duken bukur dhe të vishen firmato, se sa të angazhohen në çështje sociale apo politike. Niveli i çdo forme besimi jashtë bërthamës familjare është pothuajse zero.

Të rinjtë e shohin të ardhmen e tyre personale shumë më me optimizëm se sa të ardhmen kolektive të shoqërisë.


E ardhmja realitet apo utopi?


Angazhimi  në çështje sociale, duke filluar nga forma më e thjeshtë si vullnetarizmi, duhen mësuar dhe inkurajuar në ato platforma dhe mjedise, ku ka më shumë shanse të ketë sukses, siç janë shkollat. Meritokracia duhet të jetë elementi bazë i vlerës në Shqipëri, sepse është më e vështirë të mësohet, në se nuk praktikohet gjerësisht nga institucionet.

Forcimi dhe zbatimi institucionalisht i meritokracisë të shndërrohet në model për të rinjtë që ankohen, por nuk kanë dëshirë të angazhohen për ndryshim, dhe që mund të shdërrohen në qytetarë të ardhshëm pasive.

Këto janë rreziqe reale dhe madhore për demokracinë dhe zhvillimin e një vendi si Shqipëria,e cila ende duhet të përmbyllë një trancizion të vështirë.atë social –kulturor dhe padiskutim politiko-ekonomik.

28 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page