Anemone Latzina (1942, Braçov - 1993, Bukuresht) ishte një poete dhe përkthyese gjermane. Vëllimi i saj debutues „Çfarë mund të shkruhet akoma sot“ (1971) shënoi një ndryshim paradigmë në poezinë gjermane në Rumani, e cila ishte e dominuar në atë kohë nga epigonizmi, provincialiteti dhe një estetikë e brendësisë, ku dominonte tërheqja nga shoqëria. Duke gjetur frymëzim veçanërisht në poezinë e Bertolt Brecht, por edhe në Pop Art, në poezinë e gjeneratës Beat dhe në atë të Jaques Prévert, poezia e saj befasoi dhe tronditi me sinqeritet kryengritës, ironi të mprehtë dhe angazhim të mirëfilltë shoqëror. Vëllimi debutues i Anemone Latzina ndikoi dhe drejtoi një brez të tërë të shkrimtarëve të rinj gjermanishtfolës, përfshirë anëtarët e njohur Aktionsgruppe Banat, një grup poetësh të rinj të cilët nga ana tjetër kishin një ndikim "shumë të fortë" në Brezin rumunë të viteve '80. Pas një periudhe të gjatë të sfumuar nga depresioni, alkoolizmi dhe krizat personale, bota letrare humbi Anemone Latzina më 18 nëntor 1993 nën rrotat e një tramvaji në Bukuresht. Poezia në këtë përzgjedhje është përkthyer nga Prof Dr Fatmir Terziu dhe është marrë nga antologjia „Ditarë Gazetash“ (1992), redaktuar nga kritiku letrar Gerhardt Csejka.
Në korrik 1977
Është një fakt i stabilizuar tani
në këtë liri të madhe
poema është një burg i yni,
struken në qelitë e tij
figura të dyshimta, figura të stilit,
mendime me hije
fotografi të shthurura
mes tyre edhe spiunë,
shenjat e pikësimit,
mjafton një pikëpyetje
të zbulohet një komplot
po, një poemë është një burg
dhe ne jemi të dënuar përjetshëm
për të na marrë prej saj
çfarë na duhet për të mbijetuar
ujë dhe bukë.
Comentarios