Nga Meri Lalaj
Kam vite të tëra që mbart në kujtesë emrin e shkrimtarit, publicistit dhe shqipëruesit Andon S. Frashëri. Në vitin 1964, vajzë e re, kur sapo pata kryer studimet e larta u emërova mësuese e gjuhës angleze në gjimnazin e Korçës, dhe unë për herë të parë e jepja këtë gjuhë të huaj në atë qytet. Që në muajin e parë pasi pata filluar punë, një ditë pas orëve të mësimit një nxënësi im (më vonë i shkëlqyer në mësime), Aleks Jani, shtatpakët me kaçurrela të verdha m`u afrua i ndrojtur i skuqur në fytyrë duke më thënë se një burrë, që dinte anglisht donte të më takonte, kështu më shpuri tek shtëpia e Andon Frashërit.
Ajo ishte një shtëpi e vjetër me portën e jashtme të rrënuar prej viteve, kishte një oborr dhe pasi ngjitje disa shkallë hyje tek një portë tjetër, e cila rrinte gjithnjë e hapur, sepse aty banonin edhe disa familje të tjera e në njërën prej dyerve djathtas jetonte Andon Frashëri, në një dhomë jo shumë të madhe me mure të ciflosur me libra gjithandej dhe tavani që kish lëshuar bark. Ai pat lindur në këtë shtëpi, kjo ishte shtëpia e prindërve të tij.
Kështu filloi miqësia ime me Andon Frashërin. Mësova se ai pat qenë për shtatëmbëdhjetë vite radhazi sekretar i Imzot Fan Nolit më 1924, kur ai pat qenë kryeministër i Shqipërisë ndërsa më parë veprimtar në shoqërinë “Vatra” të Amerikës njëkohësisht gazetar dhe botues i gazetës “Dielli”, Andon Frashëri shkruan: “Në vitin 1915 emërohem ndihmësi i tij si nëndrejtor i gazetës “Dielli’. M`u duk ahere sikur kapa Perëndinë me dorë. Dhe vjetët që rodhën në bashkëpunim me të më dhanë rast ta njoh Nolin me rrënjë e degë… Me Nolin si udhëheqës puna më e rëndë bëhet më e lehtë se penda, më e ëmbël se mjalta. Pa gënjeshtër ai të inspiron, të frymëzon, të jep zemër.”
Ne bisedonim të dy për librat që unë lexoja, ai më tregonte letrat, librat, fjalorët, që i dërgonte Noli dhe hera herës ndonjë çek të vogël në raste Krishtlindjesh apo Pashkësh dhe gjithnjë prapa zarfeve shkruhej një adresë tjetër me një emër femre “Mary”, (ndoshta përdorej emri i sekretares së Nolit, Mary Johns) apo ndonjë mbiemër tjetër i sajuar që të mos kuptohej se ata të dy mbanin letërkëmbim, kushedi edhe përmbajtja e letrave do të ish e tillë që të merrej vesh vetëm prej atyre të dyve. Unë i prekja me dorë letrat, librat e më dukej sikur takoja dorën time me dorën e të madhit Fan Noli mijëra kilometra larg. Më tej ne të dy bisedonim për mrekullinë e shqipërimeve të Nolit: dramat e Shekspirit, “Rubai” të Omar Khajamit, poemën “Skënderbeu” të H. Longfellout me vargjet brilantë: “Lufton luftën dhe fiton / Mbreti Ladislav gjëmon…” e të tjera.
Miqësia ime me Andon Frashërin ishte një miqësi paksa e trembur, e përndjekur ndoshta. Më treguan të tjerët ose ai vetë se pat qenë dhjetë vjet në burg politik pas çlirimit, por për këtë gjë unë nuk e pyesja e nuk bisedonim e kështu vijoja ta vizitoja. Edhe bashkëshortja e tij rumune, Maria, (Meri) u arrestua dhe bëri dy vjet burg, duke qenë e mbyllur brenda në burg ajo bëri dhe një përpjekje për të vrarë veten. Më vonë pas lirimit, aty nga viti 1959 Zonja Frashëri u largua nga Shqipëria për në Rumani duke e lënë Andonin fill të vetëm dhe pa fëmijë. Në burg Andoni kish operuar stomakun dhe për pasojë kishte shumë probleme me të ngrënit e ushqimeve.
Pasditeve, aty në dhomën e tij të vogël u jepte mësime të gjuhës angleze disa intelektualëve të qytetit dhe disa vajzave korçare të prekura nga regjimi komunist. Mbaj mend se më mbajti një ditë për drekë, ishin Krishtlindjet e të dy trokitëm nga një kupë me verë të kuqe. Andoni ishte tepër i përkorë në sjellje dhe më trajtonte sikur të isha e barabartë me të për nga shkalla e njohurive. Unë pata qenë studente e Skënder Luarasit dhe asokohe dija aq shumë vargje përmendësh të Nolit, të shqipërimeve të tij të mrekullueshme si edhe dija diçka për burra të tjerë të shquar të kombit tonë, që u përpoqën për të bërë Shqipëri.
Atje përmbi oxhakun e dhomës së tij në vend që të mbante ndonjë ikonë (se ende nuk ishim bërë i vetmi vend ateist në botë), ai mbante një fotografi të madhe të Fan Nolit dhe i ndizte kandilen me vaj të kremteve. Fan Noli ishte idhulli i jetës së tij. Po aty mbi oxhak pashë për herë të parë librin e Nolit “Psalme”, ai më pat treguar një fjalor të madh anglisht Webster me të cilin punonte, librin “Betoveni dhe Revolucioni Frëng’ në anglisht e të tjerë libra. Nuk guxoja të kërkoja libra për të lexuar, po ashtu ai kurrë nuk më tregoi për librat që pat shkruar vetë, të cilat u zhdukën nga qarkullimi kur Andonin e futën në burg, kështu ishte autor i ndaluar.
Tek libri “Fanoliana” i Prof. Nasho Jorgaqit lexojmë një letër të Andon Frashërit dërguar Nolit më 4.3.1938 ndër të tjera: “Imzot, … ashtu siç priste Shqipëria një kohë Skënderbejnë, po me atë mall ju presim edhe ju sot… Shqipëria sot ka nevojë për patriotë si ju. Kujtoni pastaj se kini edhe detyrë kundrejt shokëve të vjetër; këta me ardhjen t`uaj do bëhen burra. Këtë nuk e thom për vehten time, po për shokët, të cilët me çdo rast pyesin me ngashërim për ardhjen t`uaj. Bashkimi juaj me Faiknë na ka prekur; ish i domosdoshmë dhe s`ka dyshim se të dy kolonat të lidhura tok janë për ne garancia më e madhe…”
Vite më parë në arkivin e qytetit të Pogradecit pata ndeshur në faqet e një reviste, të cilën e botonin intelektualët e kohës në vitet `20-të, një fotografi të Andon S. Frashërit dalë kokë më kokë me Bahri Omarin. Në librin e Enver Hoxhës “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re” pikërisht në faqen 106 kam lexuar: “Fazlli Frashërin e shihje pasdreke, dimër e behar… duke biseduar me të njëjtët profesorë të Liceut të Korçës… me Andonaqkën e Frashërit, agjent i amerikanëve dhe imoral.”
Po në librin “Fanoliana” lexojmë një tjetër letër të gjatë të A. Frashërit dërguar F. Nolit:
Tiranë 28.9.945 I dashur Imzot. Prej disa muajsh më parë ju pata dërguar një letër, me anën e së cilës ju lutesha - në emër të shokëve - që të ndërmjetësonit pranë Qeverisë këtu për shpëtimin nga vdekja e të ndjerit Kol Tromara e B. Omari, të cilët u dënuan dhe u ekzekutuan së bashku me Akif Përmetin, Dhimitër Balën, Haki Tatzatin, Zejnel Gjolekën, Xheneral Mirdaçin, Fejzi Alizotin, Toçin etj. Kam dyshim në ju ra në dorë.
Gjendja e këtushme… Fuqinë në dorë e ka qint për qint Partia Komuniste me Enver Hoxhën, Koçi Xoxen, Sejfulla Malëshovën, Bedri Spahiun, Mehmet Shehun etj. këta janë në bashkëpunim të plotë me Titon… Gegët nëmërohen me gisht dhe po bëhet një propagandë katastrofale toskë-gegë dhe kaur e turq! Shkabën me dy krerë e mbuloi Hyll`i kuq. Propagandën e bëjnë haptazi, duke mos lënë rast pa ekzaltuar edhe lajmën më të vogël që vjen prej Beligradit ose Moskës dhe duke vogëluar çdo gjë që rrjedh nga Perëndimi.
Ndërsa në letrën e datës 30.1.1964 Andoni i shkruan Nolit me një ton të përmbajtur duke u ankuar për shëndetin dhe pleqërinë dhe natyrisht duke shprehur mendime për libra të ndryshëm që kanë lidhje me ata të dy.
Së fundi vajta në Bibliotekën tonë Kombëtare dhe mora për të lexuar librat e A. Frashërit, sapo hapa librin e parë romanin “Patrioti” me 160 faqe botuar në Korçë në vitin 1933, mu në faqen e parë më zuri syri një vulë ku lexohej “Mitrush Kuteli Biblioteka’ (do me thënë) se ky libër i paskërka përkitur shkrimtarit Dhimitër Pasko dhe në krye të faqes një kushtim: “Z. Mitrush Kuteli me miqësi A. Frashëri”, për një çast pata një vegim sikur po i shihja të dy shkrimtarët tek po shtrëngonin duart me njëri tjetrin. Romanin e tij “Patrioti” autori ua kushton “Dëshmorëve të kombit që dhanë me gëzim jetën e tyre për idealin kombëtar ua dedikoj këtë vepër të vogël për kujtim.” Ky roman është i bazuar në faktet e ngjarjeve të viteve të fillimshekullit të njëzetë, ato luftëra të turbullta të Shqipërisë në ato vite e sidomos në qytetin e Korçës dhe rrethinave të saj. Libri i kushtohet atdhetarit Themistokli Gërmenji, i cili u vetëflijua që të bëhej Shqipëria. Për Themistokli Gërmenjin Lasgushi më ka thënë këto vargje: “Tha të tri fjalët dhe mbaroi / Dhe shpejt jep urdhër: Zjarr! / Atje ku bie vdes heroi / Rilind Atdheu Shqiptar!”
Libri “I funtmi i Kastriotëve” botuar në Tiranë nga Botonjësi Ismail Mal`Osmani në vitin 1944 përbëhet prej 113 faqesh. Këtë roman Andon S. Frashëri ia kushton: “Fan S. Nolit Kalorësit të Letërsisë Shqipëtare si shenjë mirënjohjeje Dishepulli i Tij”. Në këtë libër autori me zjarrin e zemrës shkruan për ngjarjet që vijuan në kombin tonë pas vdekjes së Kryetrimit Gjergj Kastriotit, për birin e tij të vetëm Gjonin dhe kryengritjet që zunë fill në Krujë për ta shpëtuar Shqipërinë nga zgjedha turke e ndonëse shumë trima luftuan e ranë në shesh të betejës nuk mundën dot të fitojnë sepse u tradhtuan nga shqiptarët e shitur tek turqit për grada e ofiqe. Megjithëse libri mbaron në mënyrë tragjike vështrojmë të vërtetën drejt e në sy e jemi krenarë për birin e vetëm të Skënderbeut i cili kreu me nder detyrën ndaj Atdheut.
Andon Frashëri shquhet edhe si shqipërues i librave “Kapedani i jeniçerëve ose Skënderbeu” shkruar prej Xhejms Ludllout, fillimisht botuar si shtojcë letrare tek gazeta “Dielli”, më vonë botuar si libër më vete në Korçë nga Libraria “Drita” në vitin 1934 (dhe ribotuar në vitin 1967 në 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut), kësaj here me titullin “Konstandini dhe Morsinia”, përsëri tema e librit është për Kryeheroin tonë Gjergj Kastriotin. Po kështu ai ka përkthyer edhe librin “Pavlli dhe Virgjinia” të autorit Bernardin de Sen Pierre.
Në një letër dërguar A. Frashërit prej F. Nolit më 30 maj 1964 botuar tek “Noli Vepra 6” midis të tjerash shkruhet: “Katër vjetët e fundit po mësoj hebraishten, me qëllim që të përkthej Dhjatën e Vjetër nga origjinali dhe për këtë po punoj tani. Deri më sot kam përfunduar Psallmet dhe do t`ju dërgoj një kopje të tyre. Lexojeni librin dhe më shkruani se çfarë mendoni për të.” Dhe ja se çfarë ka shkruar A. Frashëri për F. Nolin tek Revista “Shkëndija” 1942 Nr. 9-10: “Ata që kanë patur fatin ta dëgjojnë - shkruan një dëshmitar, që e ka ndjekur ecurinë triumfale të oratorisë noliane - nëpër mbledhje, në kishë, ose parlament, të huaj e shqiptarë këtu dhe jashtë kanë dalë të entuasizmuar prej forcës së oratorisë së tij. Fjalimet e Nolit të drithërojnë e të japin zemër, këtu të ngrejnë në qiell, aty të përplasin për tokë, të ndezin e të ndërsejnë gjer në frenezi, të fanatizojnë deri në marrëzi, po edhe të zbusin e të qetësojnë dhe dendur të bëjnë të qeshësh dhe të derdhësh lot gëzimi… Fjalën e tij ai e shoqëronte me një buzëqeshje të mbaruar, me një takt njerëzor, dinte të krijonte komunikim me auditorin.”
Një ditë i vajta në shtëpi, porta e së cilës mbante numrin 13 dhe e gjeta Andon Frashërin të sëmurë në shtrat. I shtrydha dy portokalla që ndodheshin mbi tryezë dhe ia dhashë lëngun për ta pirë aty ishte edhe receta për ilaçe prej mjekut. Vajta në barnatore dhe ia bleva, ai ndihej nervoz i pafuqishëm. Nuk dija çfarë të bëja më tepër. Atë pranverë pas vdekjes së Nolit më 13 mars 1965, Andon Frashëri u shtrua në spital. Vajta për ta takuar tok me një shokun tim profesor gjimnazi. Sytë e tij u përlotën nga mallëngjimi: “Shiko këtu - më tha - numri i krevatit ku jam shtruar është 13, Noli ndërroi jetë më datë 13 edhe unë do të vdes së shpejti… e si mund të jetoj kur ai nuk është më në këtë jetë!…”
Kjo ishte biseda jonë e fundit. Një ditë të vrenjtur me shi teksa ecja bulevardit të Korçës më ndali tek anësorja e rrugës një mikesha ime, Irenë Mëria, gjyshja e saj ka qenë motër e Andonit, dhe më dha lajmin: “E ke marrë vesh, xhaxhi Andoni na vdiq!” Dhe pas pak kohësh ato gjëra të pakta që patën mbetur nga librat dhe dorëshkrimet e Andon Frashërit u mbartën tek një nipi i tij në Tiranë. Në një bllok të rëndomtë nga ata që përdoren nëpër magazina për hyrje dhe dalje malli, Andoni pat shkruar nja 130 faqe por u gjetën të grisura me përjashtim të pesë a gjashtë fletëve. Kaq munda të marr vesh unë.
Dimrin pas vdekjes së tij unë tërhoqa në Bibliotekën e Korçës librin “Betoveni dhe Revolucioni Frëng” (këtë kopje Noli ia pat dërguar Dhespotit të Korçës e në faqen e parë me dorën e Tij pat shkruar disa fjalë për të), u ula dhe e përktheva me një frymë në kujtim të Fan Nolit dhe Andon Frashërit (nuk u botua asokohe ndonëse ndenji dy vite në Ndërmarrjen Botuese “Naim Frashëri”).
Duke shkruar këto radhë mendoj se po ndez një qiri për shpirtin tënd, Andon Frashëri!
留言