top of page

Anatema dhe virtyti poetik tek "Meduza"


Moikom Zeqo

Anatema dhe virtyti poetik tek "Meduza"


Dr Fatmir Terziu


       Tek “Meduza” Moikom Zeqo përpiqet që të pohoj nëpërmjet fuqisë shprehëse dhe filozofisë së fjalës së tij rëndësinë themelore të mesazhit për poezinë në përgjithësi, si dhe për përpjekjet e tjera krijuese dhe intelektuale që vihen në shërbim të vargut, stilit dhe konceptit. Edhe pse puna e poetit shqiptar, Zeqo të ofron një sintezë (dhe në disa raste një shmangie) të shumë tradicionalizmave poetike, argumenti i tij poetik aspiron të shkojë përtej një debati të brendshëm akademik në poezi. Nga vargu sublim dhe cilësia konceptuale e poezisë së tij vlen të theksohet se poezia mund të "mësojë dhe mbi kënaqësinë" në një mënyrë që metoda të tjera të komunikimit që nuk posedojnë vlera artistike të diktojnë dështim, pra nga një forcë që buron nga fjala dhe kur këtë na e dikton poezia më shumë se çdo formë tjetër arti. Morali, ndikimi etik që s’ka lidhje me ndonjë tekst letrar ka mbi një mijë arsye të mbetet një dilemë për të hutuarin lexues, dhe kur fjala poetike është e një rëndësie të madhe, në varg, poezi a më gjerë. Zeqo në mënyrë tërësisht logjike prezanton argumentin dhe e zhvillon atë ndjeshëm. Poezia e tij në këtë mënyrë është ndërtuar rreth supozimit konceptual dhe anatemës absurde, duke deklaruar me gjuhën e diskursit kritik dhe konceptit se poezia ka kapacitet të plotë filozofik, vetëm kur fjala synon ndjesinë dhe lidhjen metafizike të fjalës dhe konceptit për të mësuar në mënyrë më efektive për rrethnajën dhe dialektikën e jetës, po aq dhe për të treguar virtyt. Ndoshta për të kuptuar më mirë se si Zeqo e kryen këtë posaçërisht nëpërmjet ankthit të jashtëzakonshëm poetik dhe ku e mbështet këtë kërkesë shprehëse poezia e tij filozofike, ne shumë lehtë mund të vlerësojmë më mirë fuqinë e vet ose vlefshmërinë konceptuale duke hyrë thellë në leximin ndryshe të poezisë së Moikom Zeqos, që vjen në kapituj të plotë që nisin me “Për të mbërritur”, “Pushka e çuditshme”, “Mrekullia e vdekjes” e mbarojnë me “Poezitë e ndaluara të viteve 1970-1973”. Kështu të njëqind e gjashtëdhjetë poezitë e “Meduzës” në vëllimin e Zeqos, siglojnë me plot respekt vendin e tyre në literaturën bashkëkohore, pa dashur të kacafyten në një marrëdhënie hierarkike me të gjitha format e tjera të të shprehurit të artit që buron nga fjala dhe që vjen me fuqinë e saj; duke e vendosur kështu poezinë e tij në literaturën me art dhe vlera e vyrtyte më të larta poetike dhe duke e bërë poezinë e tij poezinë më me ndikim në krijimtarinë shqiptare të krijuar.

Vyrtyti poetik, anatema absurde dhe cilësia konceptuale e kësaj poezie e bën vendin e saj të mbetet një përmendore të përdorimit të rendit të parë në këndin e kuptimit filozofik dhe mesazhit që vjen nga metodologjia e strukturave të përdoruara të gjuhës përtej normave tradicionale dhe duke ndikuar mbi norma poetike plotësisht utilitare. Poezia e tij shtrihet mbi tërë komponencën dhe rregullsinë e saj dhe zgjeron dimensionin me gjuhën e zgjedhur e të gjerë dhe kështu bëhet natyrshëm më konceptuale. Nga leximi i vargut të tij, nga mesazhi i fjalës së tij poetik, Moikom Zeqo, mbetet një admirues entuziast i filozofisë platonike, që natyrshëm ndjehet, në mënyrën që ai e vendos poezinë të shërbejë për ushtrimin dhe prognozën e tij intelektuale, duke mbetur kështu përpos kësaj fuqie të fjalës, njësh me qëndrimin e Platonit për pavlefshmëri të letërsisë, kur poezia mbetet si një rutinë. Për të vetmin dallim nga Platoni, poeti mund të shkëputet nga format e përhershme vetëm duke lezuar në memorien e krijuar nga bota iluzive dhe ajo që krijohet me imazhe që depërtohen larg nga e vërteta. Poeti Zeqo është shumë i thellë në botën e tij poetike, që vjen mes formave, anatemave ideale, dhe që na japin me forcën e fjalës siparin e njohurisë dhe virtytit. Ndërsa bota konkrete e paraqitjes ndjehet akoma më cilësore dhe konceptuale. Agron Tufa na vjen disi më afër në këtë pikë me deklarimin e tij: “parametrat artistikë, Moikom Zeqo i finalizon nëpërmjet ekuilibrit delikat, i cili ka evoluar potencialisht me metaforën dhe simbolikën, në harmoni të kthjellët, në plasticitetin e figurës dhe supersticionin plazmik, kualititativisht te kjo poezi janë ngjizur në mënyrë të pastër e origjinale tiparet e lirikës bashkëkohore evropiane, kategori estetike të imazhit dhe vizionit spektral, ç’ka e bën këtë poezi të jetë, larg ajrit të vjetëruar provincial.” (Tufa, 1993:168).

Kundër-disiplina poetike e “Meduzës” vjen edhe si një raport ndjesie për të vendosur midis raporteve filozofike që prodhon poezia në interes të historisë dhe filozofisë. Zeqo përdor gjithashtu një revizionim të këtij raporti në figuracionin dhe simbolikën e poezisë së tij, duke argumentuar prekshëm argumente poetikë që burojnë nga filozofia e Aristotelit dhe që shërbejnë për të ndihmuar e demonstruar nëpërmjet poezisë se si vargu poetik shërben për fuqizimin dhe kuptimin e interesave për të dy format e dijes në mënyrë që vargjet të realizojnë virtytin. Nga kjo ne kuptojmë atë lidhje me teorinë e Aristotelit, se aty ku poezia ndërthurret vetëm me forvën që prodhon filozofinë universale, historia ngjan se është e konsumuar me të veçantën e saj.


17 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page