Astrit Alulushi
Çfarë ka mbetur nga koha e shkuar?Gjithçka. Etërit e tyre ka vite që enden si engjëj-demonë në Ferr për të ngatërruar punët e Zotit, që fara e keqe që mbollën në tokë të vazhdojë të sundojë mbi barin e gjelbër. Dje, ata e konsideronin pronën private si një tigër grabitqar që duhej qëlluar për t’u vrarë, dhe e vranë, kryesisht - gjurmët ndjehen në mendësinë e shumicës; bijtë e tyre e shohin biznesin privat sot si një lopë që duhet mjelë për të pasuruar veten e tyre.
Sipërmarrja private është në fakt si kali i shëndetshëm që tërheq me guxim karrocën; qeveria që kanë është shpikje e shkëlqyeshme, të cilën të gjithë kërkojnë ta kapin për të jetuar në kurriz të të gjithë të tjerëve. Është e drejta e çdo individi, për të dhënë para, si të dojë, për bamirësi; por si anëtarë të qeverisë e parlamentit, askush nuk ka të drejtë të përvetësojë asnjë qindarkë të parave publike; e kundërta ndodh në Shqipëri në çdo hap të manaxhimit të pushtetit.
Deti është bërë kos. Populli trajtohet si të ishte ndonjë injorant, por dhe ky këtë konsideratë ia kthen ditën kur e voton si të përzgjedhurin e tij - anadollak modern, me veshje të modës nga Azia, me zare nëpër gishta dhe ‘batuta’ në gojë, ai shëtit rrugëve - si personazhi i një prej tregimeve - me brezin e lëshuar në tokë për të parë nëse dikush, qoftë edhe padashje, ia shkel.
Kommentare