“Dashuroj Shqipërinë, dashuroj Kombin shqiptar, siç dashuroj Amerikën”
Nga Frank Shkreli
“Nuk është çudi nëse njerëzit që kanë studiuar gjuhën shqipe të thonë se kjo është gjuha origjinale e Homerit dhe që grekët morën nga poetët Pellazgë të shumtën e këngëve të trimërive dhe ato heroike. Sa dituri e madhe e pret arkeologun kur toka Shqiptare do të hapi thesarin e historisë Pellzagjike! Këta dhe shumë rrjedhime të tjera dëshmojnë që Shqiptarët sot janë mbi tokën e të parëve dhe flasin gjuhën e stërgjyshërve të tyre. Edhe përpara se dega helene të njihej në malet e Thesalisë, Shkodra, qyteti kryesor i Shqipërisë, ishte pa dyshim kryeqyteti i mbretërisë madhështore të Ilirisë. Shqipja ishte gjuha amtare e Aleksandrit të Madh që pushtoi botën dhe e Pirros së Epirit, një nga gjeneralët më të mëdhenj që përmend historia dhe përballues i fundit i ushtrive pushtuese Romake. Një tragjedi, përtej përfytyrimit të tragjedisë, është kjo që një racë e vjetër dhe e fortë erdhi në një gjendje kaq të keqe dhe mizore, gjë e cila shikohet si skandal i qytetërimit Europian. Nuk është për çudi që otomanët nuk lejuan ndonjë gërmim në tokën Shqiptare, sepse ajo mund t’i sillte ndërmend këtij populli lulëzimin e parë.” George Fred Williams
Edhe ky një mik amerikan që nga ditët e para të ekzistencës së Shqipërisë si shtet, ndoshta jo aq i njohur nga shqiptarët. Emri i tij ishte George Fred Williams, ish-diplomat, ish anëtar i Kongresit dhe ish ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Greqi dhe në Mal të Zi, i emëruar nga Presidenti Woodrow Wilson.
Ishte viti 1914, koha e Princ Wiedit në Shqipëri. Vendi ishte rrëmujë! Nga Greqia, ambasadori Williams viziton Shqipërinë. Si përfundim i vizitës së tij atje, duke qenë dëshmitarë i tmereve që pau në terren – i zemëruar nga situata e krijuar atje – aty për aty ai jep dorëheqjen nga detyra e ambasadorit, për të qenë më i lirë -- nga kufizimet diplomatike -- për të mbrojtur kauzën e popullit të vuajtur shqiptar. Ja si e përshkruan gazeta britanike, The Independent e datës 6 Korrik, 1914, vizitën e ambasadorit amerikan të akredituar në Greqi dhe në Mal të Zi, si dhe dorëheqjen e tij nga kjo detyrë pas vizitës së tij në Shqipëri, me qëllim për të folur më lirisht kundër qeverisë së atjeshme të Princ Wiedit dhe të fuqive të mëdha që ia kishin imponuar atë shqiptarëve:
Gaeta Independent shkruante se, “Shqiptarët kanë një aleat të ri. Ai është George Fred Williams, Ministri i Shteteve të Bashkuara në Greqi dhe në Mal të Zi, i cili pasi vizitojë Shqipërinë për të parë situatën nga afër në Principatën e re, është shqetësuar aq shumë nga ato që pa atje, nga punët e këqia të regjimit aktual, sa që dha menjëherë dorëheqjen, madje edhe pa pritur përgjigjen nga Washingtoni, ai e bëri publike deklaratën e tij protestë, për të mbrojtur kauzën e popullit shqiptar kundër Princit William Wied, i cili iu imponua shqiptarëve nga fuqitë e mëdha. Kur ai arrijti në Durrës”, shkruante gazeta The Independent, “Diplomati amerikan, ishte deklaruar kështu për ato që kishte parë atje: “Pesë të ashtuquajtura qeveri ishin të pranishme atje. S’pari, 6 fuqitë e mëdha me të gjitha fuqitë e tyre. S’dyti, Komisioni që kontrollon administratën civile dhe financat. S’treti, xhandarmëria e Hollandës, që kontrollon ushtrinë. S’katërti, Princi me aq pushtet që i ka mbetur. Dhe s’pesti, Ministria që nuk ushtron asnjë pushtet. Secila prej këtyre qeverive luftonte tjetrën, me përjashtim të të parës,(fuqitë e mëdha) të cilat siç duket, nuk mund të merren vesh mes vedi, sa që kanë hequr dorë plotësisht nga fati i katër enteve të tjera” të pranishme atje, citohet të ketë thenë ambasadori amerikan George Fred Williams, sipas gazetës britanike,The Indipendent e 6 Korrikut, 1914. “Të gjithë mallkojnë fuqitë e mëdha për mos-marrëveshjet midis tyre ndërkohë që pritet që të gjithë të dëbohen nga Durrësi dhe që sovraniteti i Shqipërisë të mbetet aty ku duhet të jetë – në dorë të popullit të atij vendi”, citohet në gazetën britanike Independent të 6 Korrikut, 1914, diplomati amerikan George Fred Williams. Ambasadori amerikan Williams ka dhënë dorëheqjen nga detyra e Ministrit amerikan në Greqi dhe në Mal të Zi, duke hequr dorë kështu nga një karjerë premtuese në diplomaci, vetëm e vetëm, për të shprehur indinjatën e tij të thellë mbi gjëndjen e tmershme në të cilën gjëndej në atë kohë Shqipëria.
Ambasadori amerikan George Fred Williams veproi në atë kohë i shtyr nga ndërgjegjësimi i thellë njerëzor kur sheh padrejtësi kudo qofshin ato si dhe nga qëndrimi moral diplomatik për të venë në dukje ato që ai i ka quajtur punë të këqia të autoriteteve vendore dhe të fuqive të mëdha të asaj kohe -- duke hequr dorë, në protestë, nga një karjerë premtuese diplomatike.
Po e kujtoj ish diplomatin amerikan të fillim shekullit të kaluar, për dy arsye. Një, për hir të datave të lindjes dhe të vdekjes së tij, pasi po i afrohemi Korrikut: (10-Korrik, 1852- 11 Korrik, 1932) dhe arsyeja e dytë është se situata aktuale sot në trojet shqiptare, por sidomos në Shqipëri dhe Kosovë, pothuaj i përngjanë situatës – domosdoshmërit më ekstreme në atë kohë -- të vitit 1914, ku fuqitë e mëdha, madje edhe sot tre dekada në shekullin 21, “fuqitë e mëdha”, vazhdojnë të bëjnë çorbë punët e Shqipërisë e të shqiptarëve, fatkeqësisht, me ndihmën e vet shqiptarëve. Ndryshimi i gjëndjes aktuale politike në Shqipëri dhe në Kosovë, me ngjarjet e vitit 1914, (për të cilat ambasadori amerikan dha dorëheqjen me qëllim për të njoftuar botën për mjerimet e popullit shqiptar), është se në atë kohë mallkimi i popullit i drejtohej, me të drejtë, fuqive të mëdha dhe përfaqsuesve të tyre në Shqipëri. Ndërsa sot, për gjëndjen e krijuar në Shqipëri dhe në Kosovë – kryesisht, si rrjedhim i konflikteve politike mids përfaqësuesve politikë shqiptarë dhe partive të tyre që ata përfaqësojnë – shqiptarët e sotëm mallkojnë këtë klasë politike aktuale e cila për 30-vjet post-komunizëm, nuk di a po nuk do të rregullojë punët e shtëpisë, duke shkaktuar largimin e vazhdueshëm të shqiptarëve nga trojet e veta .
Pres me pa durim, dorëheqjen e ndonjë politikani të lartë shqiptar ose edhe të ndonjë ambasadori të fuqive të mëdha që sot merren me punët e shqiptaëve, që të japin dorëheqjen --si çeshtje parimore -- për të protestuar gjendjen aktuale të krijuar në trojet shqiptare, nga “ndërkombëtarët” në bashkpunim me klasën politike aktuale shqiptare – ashtu siç ka bërë ambasadori amerikan George Fred Williams në vitin 1914. Kemi nevojë për njerëz me moral dhe ndërgjegje të thellë, por edhe të guximshëm, për ti parë dhe për ti deklaruar botës punët shqiptare ashtu siç vërtetë janë. Kemi nevojë për disa George Fred Williamsa modernë – shqiptarë dhe të huaj, të cilët besojnë në lirinë dhe në demokracinë e vërtetë për shqiptarët dhe për Shqipërinë “E vuajtur dhe të mbytur në gjak nga faji i Evropës…”, siç është shprehur më 1914 Ambasadori amerikan i akredituar në Greqi dhe në Mal të Zi, George Fred Williams. I përgjithëmonshëm qoftë kujtimi i tij!
“Nuk është çudi nëse njerëzit që kanë studiuar gjuhën shqipe të thonë se kjo është gjuha origjinale e Homerit dhe që grekët morën nga poetët Pellazgë të shumtën e këngëve të trimërive dhe ato heroike. Sa dituri e madhe e pret arkeologun kur toka Shqiptare do të hapi thesarin e historisë Pellzagjike! Këta dhe shumë rrjedhime të tjera dëshmojnë që Shqiptarët sot janë mbi tokën e të parëve dhe flasin gjuhën e stërgjyshërve të tyre. Edhe përpara se dega helene të njihej në malet e Thesalisë, Shkodra, qyteti kryesor i Shqipërisë, ishte pa dyshim kryeqyteti i mbretërisë madhështore të Ilirisë. Shqipja ishte gjuha amtare e Aleksandrit të Madh që pushtoi botën dhe e Pirros së Epirit, një nga gjeneralët më të mëdhenj që përmend historia dhe përballues i fundit i ushtrive pushtuese Romake. Një tragjedi, përtej përfytyrimit të tragjedisë, është kjo që një racë e vjetër dhe e fortë erdhi në një gjendje kaq të keqe dhe mizore, gjë e cila shikohet si skandal i qytetërimit Europian. Nuk është për çudi që otomanët nuk lejuan ndonjë gërmim në tokën Shqiptare, sepse ajo mund t’i sillte ndërmend këtij populli lulëzimin e parë.” George Fred Williams
Comments