Ky qytet…
Ky qytet është gati, gati anonim,
me një rrugë të gjerë që e quajnë shëtitore,
me një grup studentesh që do e braktisin në qershor,
dhe me njëqind hyrje apartamentesh bosh,
me grila të mbyllura e vazo lulesh
që jetojnë veç krimbat e tokës
Ky qytet është gati, gati i panjohur,
me burra që luajnë bixhoz,
domino e thërrasin kot,
me një berberhane që në kolltukun e vjetër ulet
çdo ditë berberi plak,
ndërsa të tjerët lexojnë të vetmen gazetë të ditës
me lajme sensazionale…
Ky qytet,
thonë,
gati, gati ka patur dikur femra të bukura,
por që u martuan të gjitha jashtë, kalojnë ndonjëherë këtej per krishtlindje,
pinë çaj me limon dhe pastaj ikin nga kanë ardhur
duke mos patur kohë të lënë as një vijë parfumi të shtrenjtë
që ngazellen brenda peliçeve me gezof…
Ky qytet është gati, gati i mallkuar, fëmijë lindin pak,
ndonjë dasmë në vjeshtën e vonuar dhe kishat hapin meshë për shpirtra të ikur në parajsë,
për pleq të vetëm në arkivole të shtrenjtë
dhe për disa të pafat që me ungjillin në dorë shikojnë nga Ai lart,
me shpresën e kotë se diçka mund të rregullohet më vonë…
Ky qytet gati, gati duket se jeton kot, falë zotit me shtimin e racave,
të gjithë thonë janë autoktonë,
ndërsa grilat do hapen,
vetëm për pak kohë…
sepse dimri është i gjatë në këto anë dhe njerëzit herët flenë.
Ky qytet i pakuptimtë,
që unë e shikoj nga i treti kat,
duket sikur i fsheh të gjitha sekretet e tij,
në mjegullën e netëve të ftohta,
në borën e bardhë
dhe në ndonjë gjurmë qeni të ndjekur nga të tjerë qenë…
Ky qytet nuk ka një maternitet…
Comments