Kujtesë në ditëlindjen e Edës
Një vashëz e qetë Vlore, bilë çame,
Një dritë e ndezur në shtëpinë time,
Çdo prill, në lulëzim të bajames
Qetësisht si sot kalon ditëlindjen.
Një ditë para ditëlindjes së saj
Eda kujton nënën që i iku shpejt,
Shpirtin e Detes, që fluturon skaj më skaj
E ka ëngjëllin e fatit në jetë.
Ndoshta çdo nënë si Detja për të bijën
Do t'i bënte sfidë çdo llohe,
Koha qe e ligë dhe t'i hapte vendin
Doli në pension para kohe.
Dhe Eda me Nikun u rritën si dy zogj
Ndërtuan familjen e thurën ëndrra,
Lule lumturie mbjellin çdo ditë tok,
Nga gëzimi më fluturon zemra.
Të dy në sy e kanë jetën
Jam me fat: Dy gonxhe më dhanë,
Kur jam me to, hallet treten
Të dyja - mjalti i ëmbël në filxhan.
Ato janë mësueset e mia
Unë jam një nxënës i zellshëm,
Kur lëviz, më bërtasin të dyja:
"Qenke fëmijë i pandreqshëm"...
Për Gjyshin dhe Nënën si Perla dhe Ami
Jo, në këtë botë, askund s'gjenden,
Një ditë po s'i takuam, bëhet nami
Jemi ushtarë para tyre vetëm.
Se më rrëmbyen princeshat në botën e tyre
Tek uroj nusen e djalit të mesëm
Po kot i ngatërrojmë fjalët me yje
Sidomos kur dalin nga shpirti vetëm.
Po një herë si nuk e ngrysi ballin,
Vetëm buzagaze, e urtë e syqeshur,
Jemi krenarë për sjelljen, moralin
Në thelb dhe në shfaqje me virtyte veshur.
Po kaq vjet si nuk e ngriti zërin
Apo të bënte një ankesë, të paktën...
Eda me Nikun, si sorkadhja me drërin
Nga ne, si prindër e kanë uratën.
Se nusja e shtëpisë është fat
Por Eda për ne është edhe bijë,
E uroj me Mejon: Jetë të gjatë
Dhe dita iu bëftë një mijë!
Vlorë, e premte, 18.04.2024
Comments