top of page

Albert HABAZAJ: Iku rektori historik i Universitetit Ismail Qemali...


Iku rektori historik i Universitetit Ismail Qemali, Vlorë prof.dr. Bilal SHKURTAJ

 

Nga Albert HABAZAJ

 

Është Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë që jep i pari lajmin e hidhur të ikjes në amshim të prof.dr. Bilal Shkurtaj, rektori historik i Universitetit Ismail Qemali, Vlorë, pikërisht rektori i dytë dhe më afatgjatë deri më sot,

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë njofton me hidhërim ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Bilal Shkurtaj, ish-rektor i universitetit tonë (1998-2008), akademik i nderuar dhe figurë qendrore në historinë e institucionit, një profesor i mrekullueshëm, dashamirës i studentëve, si prindi për fëmijët e tij.

Një mendje e ndritur, një udhëheqës me vizion dhe një mësues që la gjurmë në formimin e mijëra studentëve.

Do të mbetet në kujtesën e kujtdo që e njohu apo dëgjoi për të ai burri i urtë e i mençur, i mirë e mendjehapur, mbështetës i të rinjve, zemërmiri.

“Trashëgimia e tij do të mbetet gjithmonë pjesë e ADN-së së universitetit tonë.”

Prof. Shkurtaj ishte një nga figurat me një kontribut të pakrahasueshëm në zhvillimin, modernizimin dhe konsolidimin e Universitetit të Vlorës në një institucion të rëndësishëm në nivel kombëtar. Gjatë drejtimit të tij, universiteti përjetoi një rritje të jashtëzakonshme të numrit të studentëve dhe të programeve të studimit, duke arritur mbi 14.000 studentë dhe u rendit ndër universitetet më të mëdha të vendit.

I diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, dega Fizikë, Prof. Dr. Shkurtaj i kushtoi jetën kërkimit shkencor, mësimdhënies dhe përkushtimit ndaj dijes. Ai la gjurmë të thella në formimin e brezave të rinj të profesionistëve dhe mbetet një figurë e respektuar nga kolegët, studentët dhe komuniteti akademik shqiptar.

Gruaja e prof. Bilalit, mësuesja shembullore dhe veprimtarja e dalluar Vojsava Shkurtaj, ashtu siç i ka hije, mes lotësh e dhembjes së dinjitetshme, me pak fjalë shpreh shumë kurajë: Të dashur miq e familjarë,

Me hidhërim të thellë ju njoftojmë bashkëshorti, njeriu i zemrës, bashkudhëtari im i çdo dite Bilal Shkurtaj, u nda nga jeta më 23.04.2025…

Po ashtu, Shoqata Atdhetare Kulturore “Vranishti” dhe fisi Shkurtaj i Vranishtit (bashkia Himarë - Vlorë, vendlindja e Prof. Bilalit) njoftojnë me dhimbje largimin e parakohshëm nga jeta të Prof. Dok. Bilal Arif Shkurtaj në moshën 74 vjeçare.

Shoqata Vranishti dhe vranishtiotët kanë humbur sot një profesor, një drejtues, dhe një vëlla të mirë, tek i cili gjeje kurdoherë fjalën e butë, mendimin e drejtë dhe humorin e hollë.

Prof. Dok Bilali me një jetë të pasur me aktivitete jetësore dhe kulturore lindi në 27.02.1951 në Vranisht të Vlorës, në një familje atdhetare, nga nëna e tij Sofia, bijë nga fshati Tërbaç, dhe nga babai i tij Arif nga fisi Shkurtaj në Vranisht.

ARSIMI:

▪1965-1969, Shkolla e Mesme Vlorë

▪1969-1974, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega Fizikë 5-vjeçare

▪ Diploma Fizikan, Janar 1982

▪Grada Doktor, dt. 15.04.1997

▪Profesor i Asociuar me vendim të KKSH, Nr. 25 dt. 18.09.1999

▪Profesor me Vendim të KKSH, Nr.99, dt.13.07.2004

PUNËSIMI:

▪1974-1978, Mësues fizike në shkollën e mesme

▪1978-7.04.1998, Specialist në analizat kromatografike e gazkromato-grafike në Institutin e Naftës dhe të Gazit Fier

▪08.04.1998-26.11.2007, Rektor i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë

▪10.01.2008-26.11.2008, Dekan i Fakultetit te Edukimit, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë

▪26. 11. 2008 e në vazhdim Drejtor i Qendrës Kërkimore për studime mjedisore

▪ Pedagog i Fizikës (Mekanike, Termo-gaze, Optikë) ; Fizikë moderne;

▪13.06. 2016, Zv/ Rektor i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë

AKTIVITETE SHOQËRORE:

▪2000-2003, Anëtar i Këshillit Bashkiak Vlorë

▪2003-2007, Kryetar i Këshillit Bashkiak Vlorë

▪2002 e në vazhdim, kryetar i SHKA Vranishti Vlorë

▪2009, Kryetar i shoqatës Labëria, dega Vlorë

▪2012, Kryetar i Këshillit të FPU (Federata e Paqes Universale), dega Vlorë

VLERËSIME:

▪Nderi i Komunës Brataj

▪Personalitet i Shquar i Labërisë

▪Mirënjohje e qytetit të Vlorës

▪Mirënjohje e shoqatës së miqesise Shqipëri - Kinë

▪Mirënjohje e SHKA Vranishti

▪Nder I Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë

Prof. Dr. Bilali është gjithashtu autor dhe bashkautor i shumë teksteve mësimore universitare, i shumë artikujve të gazetave e revistave dhe shumë kërkimeve shkencore, tema diplomash etj.

JETA:

Prof. Dr. Bilali u martua me bashkëshorten e tij fisnike, zonjën e nderuar Vojsava Shkurtaj, me të cilën lindën dhe rritën dy fëmijë të mrekullueshëm.

Jeta ka të papritura dhe për çiftin do të sillte një dhimbje të madhe, humbjen e jetës së bijës së tyre Teuta në vitin 1999. Dhimbja ishte madhe, por ilaçi për zemrat e tyre ishte djali, Ditioni, i cili i rritur mes edukatës së prindërve, do të gjendej pranë tyre në çdo moment bashkë me bashkëshorten e tij fisnike Eluerta dhe dy fëmijët e tyre Ditea dhe Darli.

Prof. Dr. Bilali ishte vëllai i pesë motrave, Teftës, Inajetes, Leonorës, Tatjanës dhe Lelës, dhe i dy vëllezërve Nuro dhe Fatosh.

Shoqata Atdhetare-Kulturore Vranishti shpreh ngushëllime të sinqerta për largimin nga jeta të ish - Drejtuesit të SHAK Vranishti Prof. Dr.Bilal Shkurtaj për gati një dekadë, bashkëshortes Vojsava, djalit Dition, motrave dhe vëllezërve, nipave dhe mbesave, gjithë kolegëve, miqve, shokëve dhe fisit Shkurtaj.

Universiteti i Vlorës shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin nga afër.

Pushoftë në paqe!

NË KUJTIM DHE RESPEKT TË PROF. BILAL SHKURTAJ SOT, DITË E ENJTE, ORA 10:00-12:00 ZHVILLOHEN HOMAZHE NË HOLLIN E REKTORATIT GODINA E UNIVERSITETIT "ISMAIL QEMALI" VLORË

SKELË

Përcjellja për në banesën e fundit do të kryhet në Orën 12:00 në varrezat e Vlorës ku prehen edhe eshtrat e vajzës së vetme Teuta.

 

Ç' dhimbje e rëndë, jo vetëm për  Vojsavën, për djalin e vetëm Ditjonin, për dy mbesat, vajzat e Nonit, që gjysh Bilali i donte aq shumë! Humbje e madhe për familjen e tij shembullore. Por jo vetëm për të, por për gjithë miqësinë e shoqërinë e mirë siç qe vetë, duke filluar me Vranishtin dhe Labërinë, po aq dhe botën akademike.

Mua më iku një mik, një shok, një vëlla i madh!

Më tronditi ky lajm i hidhur.

Bëftë dritë!

Dritë, dritë, dritë, o prof.dr. Bilal Shkurtaj , se për dritë jetove e punove, vëzhgove e veprove!

Kurajë Sava, Vojsava Shkurtaj, o shqiponjë e suferinave!

Kurajë Nonit, djalit të urtë e të ditur të prof. Bilalit dhe dy mbesave, (Ditea dhe Darli) që aq shumë i donte prof. Bilali!

E priste kaq vite Teuta...Sa shumë duroi Durimtari dhe po i shkon pranë të jetë përjetësisht bashkë Babë e bijë...

Ngushëllime Savës, Nonit, Vranishtit, Labërisë, Vlorës, botës akademike, miqve të shumtë dhe të mirë si Ai.

Shoqata Atdhetare Kulturore Vranishti, Shoqata Atdhetare - Kulturore “Labëria”, Universiteti Ismail Qemali Vlorë, kanë pasur fatin e madh që ta kishin në krye këtë misionar mirësie e diturie. Për herë të fundit, më 15 nëntor 2024 e takova me mall në sallën “Ali Asllani” të Rektoratit me rastin e festimeve të 30 vjetorit të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë ...

 

ELEGJI PËR PROF. BILAL SHKURTAJ[1]

 

Nga Albert HABAZAJ

 

Ç' trishtim ndjen ky muzg prilli

Në datën simbolike njëzet e tre,

Hidhur nisi një këngë vaji bilbili:

Profesor Bilali s’është më me ne.

 

Sa pikëlluese për mua tronditja,

Dëshiroja të dëgjoja një lajm tjetër,

Sikur portalet të kapur nga lajthitja

Kishin dhënë një lajm të gënjeshtërt ...

 

Ah, jo! Kur Vranishti dhe Universiteti

Nuk e mohuan kobin, as Sava,

Përse, o profesor Bilali, ç'të gjeti?!

Sa gëzime me ty festova, sa halle qava...

 

Të kisha shok e mik e vëlla

Nip të mirë dhe nip në katror,

Misionar i idealeve të mëdha

Pse e bëre kështu, o Profesor?!

 

Vranishtin e kishe në sy, në zemër

Sa të mira me dashuri bëre për të,

Të dha krenari dhe ti i dhe emër

O atdhetar me të përveçmin zë!

 

Për librin linde, shkrove libra

Shërbestar fisnik i dritës,

Jetove pranvera, sfidove dimra

Një jetë midis fizikës dhe mistikës.

 

Loti i mirënjohjes më njom vargun

Ma djeg fletën të ndezë qiririn,

O trim i urtë i fjalës së matur

Ku të gjeti vdekja ty, më të mirin?!

 

Ka kaq vjet që të priste Teuta

Sa shumë durove, o Durimtar,

Si mali me borë, që bekimet e urta

Po ia shpie bijës tek preheni pranë...

 

 

Universiteti “Ismail Qemali” të pati në ballë

Lëkunde Tiranën dhe ustallarët e vjetër,

Ti, prijës i ndershëm s'u trembe në dallgë

Diturisë i paraqite një Vlorë tjetër.

 

Eee... futa në botën e kujtimeve me dritë... 

O qetësor i pranverës i sprovuar i dimrit,

Ike zbukuruar me mirënjohje të florinjtë

Në Ditën Ndërkombëtare të Librit...

 

Vlorë, mbrëmje, e mërkurë, 23 Prill 2025


[1] Prof.dr. Bila Shkurtaj ka qenë rektori i dytë dhe më afatgjatë i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë

Коментарі


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page