ELEGJIA E GURIT
- Homazh për Mjeshtrin e punëve në gur, 87 vjeçarin Selman Pazaj nga Vranishti -
Nga Albert HABAZAJ
Mora vesh një lajm të keq
Për një mjeshtër, burrë të mirë,
Arti ynë sot shpirt po heq
Se gurit i dha fytyrë.
Selman Pazaj vranishtnjoti,
Në qafë të shekullit ngjitur,
Monument, si Sofra e Zotit
Aty pranë me frymë i ngritur.
U rrokullisën ca gurë
Shpejt e shpejt këtë 2 maj,
Ç'erë pranë tij i paska prurë
Po dot s'i punoi ustai...
Në dy shekujt me furtunë
Ai gurit i dha frymë,
As natën nuk flinte gjumë
Kur tek guri kishte synë...
Mora sot lajmin e hidhur
Mali qan me lot të burrit,
Varg i penës s'rri dot lidhur
Thura elegjinë e gurit.
Tiranë - Vlorë: e martë, 02.05.2024
BALADË E BURRIT NË GURË
Mjeshtrit popullor të gurit, Selman Pazo nga Vranishti i Labërisë
Albert HABAZAJ
Heshtjerëndë, imazh i gurit,
Ëndrrakaltër që i vogël,
Gurit dha besën e burrit
Kur ngjarjet ashtu i rrodhën…
Dhe i dha besën e labit
Selman Pazo nga Vranishti,
Zë qëndis gurët e malit
Shpirt i tij, dora dhe gishti.
Në kurriz hallet i mori
Dhe jetoi burrërisht,
Tym të bardhë oxhaku nxorri
Te Selmani bujarisht.
Dhe Kujtesa e Kulturës
E mban në radhë me fisnikë,
Sepse në sy të furtunës
Djers’ e nderit loton pikë …
Baladë e gurit për tingujt,
Baladë e burrit në gurë,
Bleta që bën mjaltë të hidhur,
Të çmuar për të sëmurë,
Selman Pazo nuk ka dy
Mjeshtër i culës së gurit.
Është njeri a legjendë ky?!
Në folklor - shtiz’ e flamurit.
Vlorë, e hënë, 20 janar 2020
Comments