top of page

Albert HABAZAJ: FATOS ARAPI DHE VLORA 



Nga Albert HABAZAJ

 

Duke shfletuar kolanën e veprave të zgjedhura poetike të poetit shkëlqimtar Fatos Arapi, kërkoja poezi me motive qytetare, sepse më duhen për një punim, por, interesant, ndalova tek poezi “e vogël” me titullin “Popullorçe”, botuar në vëllimin “Urna e vogël”: poezi të zgjedhura: 1997-2003 “Urna e vogël” (Tiranë, Neraida, 2014, f. 169).

I hodha një sy të shpejt vertikalisht, edhe pse ajo është e shkurtër dhe mund ta përpish me një kalim.

Çfarë të bëj e shkreta Vlorë?!

Një flamur dëshmor në dorë.

Do qëndroj se s’po qëndrojmë.

Do luftoj se s’po luftojmë.

E shkreta Vlorë po Vlorë.

bën’ të bëjmë Shqipëri,

bën’ të bëjmë demokraci,

bën’ Evropë e s’i qëndron.

Çfarë të bëj e shkreta Vlorë

bëhet shkrumb e bën liri.

Bëhet shkrumb e bën dëshmorë.

Është një vjershëz e këngëzuar me 11 vargje me rimë, që rrjedh monokolonë, e thjeshtë si strukturë, që na kujton ato këngët e vjetra lakonike, të cilat me pak vargje shpalosnin shumë kuptime të bukura, të thella dhe me mesazhe kthjelltësisht të qarta. Në një formë tjetër më shpunë tek vargjet e xha Matos e Selim Hasanit, Xhebro Gjikës dhe ca burrave të rëndë të këngës së madhe, para e pas këtyre kapedanëve të labërishtes.

Kujtoj që dikur Ismail Kadare ka thënë për njërin nga 4 “gjeneralët” të teksteve të këngëve labe Hamdi Pulon e Tragjasit, se vargjet e këtij poeti popullor do t’i kishin zili dhe poetët më të mirë të vendit. Ndërsa, poezia “Popullorçe” e Fatos Arapit është shembulli më i lartë i duhur e i synuar për tekstin e këngës, që fiton automatikisht përveç vulës poetike, edhe vulën folklorike (e cila është vështirë të mirret kollaj, po nuk kaloi në disa sita, që i përdor gurra popullore në rrjedhat e kohës). Poezia “Popullorçe” është Shkolla e Tekstit Poetik të Këngës Labe, aq e domosdoshme për të qenë funksionale, kur sot jo pak tekstexhinj (që kanë a gjejnë lekë, etj.), i harrojnë ligjet e pashkruara të folklorit shqiptar, e harrojnë “Kanunin” e Këngës popullore të Shqipërisë së Jugut (e lokalizoj, meqë e njoh më mirë këtë territor etnografik, që tradicionalisht, me gjuhën popullore është quajtur Toskëri). Dhe shkruajnë, more shkruajnë!... S’mund ta fitosh grurin, kur korr kashtë. Nuk e quaj të nevojshme të merrem shumë me analizën letrare të kësaj vjershe të Fatosit, sepse ajo është e bukurshkruar, e këndshëmlexueshme, e mirëkuptueshme. Poezia “Popullorçe” e Arapit është një këngëz e gjallë, sa energjike, aq kurajoze, simbolike dhe domethënëse, me një gjuhë plot nerv e guxim, mbushur me dramacitet, që ka fytyrë të dinjitetshme, sa altruiste, aq dyshuese, që lëviz e shqetësuar, që merr frymë shëndetshëm, kombëtarisht, qytetarisht, vlorërisht, me një dashuri fatosiane që dhemb, deri në sakrificën më sublime. Kjo poezi këndohet për bukuri si një këngë labe, që i prek telat e zemrës jo vetëm çdo vlonjati, por çdo shqiptari, që i dhemb në eshtër Atdheu ynë, shqyer nga çapaçulët helaqë të kombit.


Dr. Fatos Arapi njihet në Shqipëri dhe ndërkombëtarisht si poet modern, ndër themeltarët e poezisë së re qytetare shqiptare, i thellë në mendim si Ai, i zjarrtë në ndjenja si Fatos Arapi.

Shtëpia botuese “Neraida”, botuesja e veprës së tij të zgjedhur poetike na jep këtë profil lakonik të autorit tonë: “Fatos Arapi shkëlqeu si poet në vitet ’60 të shekullit XX. Si mjeshtër në artikulimin e lirikës qytetare ai është njëherësh edhe më moderni ndër poetët e kohës së tij. Me një poezi krejt të veçantë dhe qartësisht të dallueshme nga të tjerët, me një varg që në brendësi kishte delikatesën, por mendim e figuracion të ri, që merrte dritë dhe njëherësh dritësonte, Arapi ndërthurte pasqyrimin e zhvillimeve dhe ndryshimeve në Shqipërinë e kohës me konceptet emancipuese dhe iluminuese, duke e larguar atë nga rutina poetike dhe notat retorike të vargëzimit të angazhuar”. Universi i botës lirike dhe liriko-epike të Fatos Arapit është identiteti ynë letrar dhe kulturor.

Në vëllimin e parë “Më jepni një emër”: poezi të zgjedhura, 1962-1989 (Tiranë, Neraida, 2014) vetë Fatosi shkruan “Dy fjalë” në të çelur të librit. Nuk janë shumë, kështu që po i paraqes për lexuesin tonë: “Sa herë botoja diçka, unë nuk e lexoja. Thellë vetes më mundonte dhembja: mund ta kisha bërë më të mirë. Dhe më e rëndësishmja: një poezi e botuar je ti, është shpirti tënd. Jo ai që ti mendon për veten, por ai që ti je në të vërtetë. Në jetë mund të sillesh ndryshe nga ç’je, mund ta zbukurosh veten, mund ta fshehësh. Nuk është diçka e jashtëzakonshme hipokrizia e përditshme njerëzore. Ajo shpesh na bëhet natyrë e dytë. Në art jo, në poezi jo. Në shpirtin tonë fatlumturisht, ka një këndth, një kthinë, ku nuk hyn dot shtirja, hipokrizia. Atje është arti, ai i vërteti, dua të them. Jeta ime ka kaluar nëpër kohë tmerrësisht të rënda, që shtrihen gati prej fillimit të shekullit të 20-të. Ndër mokrat e fatit shqiptar, ajo ka qenë tepër e vështirë dhe tragjike. Sa mund t’i qëndroja besnik vetvetes? Çfarë Fatosi krijova prej vetes sime? E keni në veprat e mia. Ju them sinqerisht se, cilido që do të jetë njeriu që ju do të takoni aty, unë përsëri do të ndjej dhembje. Nuk do të jem i kënaqur prej tij. Përherë ka diçka të paarritshme drejt së cilës duhet të shkojmë. Fatos Arapi”. Kaq. Asnjë fjalë më tepër. Është një mesazh i madh, është Testamenti i Poetit për ne. Ai na e la me mirësi, bekim e besim. Në nderim të së Vërtetës, Ai nuk mund ta mirrte me vete. Brenda rreshtave të këtij mesazhi jam edhe unë. Dëlirësisht dhe dhembshurisht, e gjej vetveten në formën time. Aq sa. Ashtu si. Brenda rreshtave të Testamentit të Madh je dhe ti, është edhe ajo apo ai poet qytetar, jemi ne, jeni ju, janë ata dhe  ato poete të vërteta, që i shërbejnë emancipimit të vonuar qytetar të Shqipërizës sonë hallerënduar.

Unë e kam dashur shumë, edhe pse është shkëlqimtar tek yjet më të bukur të qiellit poetik. Unë e dua shumë Fatosin tonë dhe, sa të kem frymë, do ta dua sikur ta kisha vëllain tim të madh.

Fatmirësisht e kam pasur mik, jemi takuar në Vlorë, në Tiranë, edhe në shtëpi të tij më ka ftuar disa herë, kemi kuvenduar e kemi pirë kafe poetike, më ka dëgjuar me vëmendje dhe dashamirësi dhe unë e dëgjoja gati me adhurim tek fliste e fliste palodhshëm shumë me atë zërin e tij të drithshëm si një fije bari në tramundanë. Gjatë bashkëbisedimit me të, që nuk doja të mbaronte kurrë, më shfaqej imazhi poetik i Uitmanit (Walter Witman), por e sprapsja këtë shembëlltyrë, sepse unë kisha të Madhërishmin tim Fatos Arapin. Për të kam shkruar edhe shkrime, edhe poezi, edhe elegji me lot ulliri...

Një shkurtore jetëshkrimore e tij mund ta paraqes: Fatos Tol Stavre Arapi lindi në Zvërnecin e bukur të Vlorës më 19 Korrik 1929 dhe mbylli sytë në Tiranë më 11.10.2018. Poet dhe shkrimtar i shquar shqiptar, novelist, përkthyes, gazetar, ekonomist, matematikan, filolog, studiues i folkloristikës. Ka gradën Shkencore “Doktor i Shkencave”, fituar qysh me fillimet e evidentimit të emrit të tij të përveçëm. Si pakkush tjetër në Shqipëri, ka një biografi të plotë intelektuale dhe letrare - kulturore. Shkrimet e Fatosit janë çmuar shumë nga lexuesit dhe bashkëkohësit e tij, për të cilat ka marrë çmime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Me emrin e tij Shqipëria mundet të krenohet botërisht, sepse i plotëson parametrat e duhur krahasimtarë për kalibrin europian e botëror të vlerësimit.

“Vepra poetike e Fatos Arapit arriti të përmbushë vetveten, vargjet e tij arritën të piqen deri në përsosmëri” - shkruan eseisti dhe poeti shqiptaro-kanadez Erlind Sulko.

Fatos Arapi na la dhuratë gjuhë letrare. Ai bëri letërsi të përkryer, që guxoi e rroku hapësirat e misteret e Universit.

Poezia e tij është një bashkëbisedim harmonik i dashurisë me dhembjen.

Por këtu unë qëndrova ca dhe kalova ndërmend:

Kush poet si Fatos Arapi Zvërnecit i ka kënduar vendlindjes?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar babait e nënës - dhembjes së veshur me tw zeza, vëllait të lirisë me lot dhe mallit  të bukur të gjyshes?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar lirisë?! Kush?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar luftës çlirimtare?! Kush?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar Tiranës?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar atdhetarëve të vërtetë, heronjve dhe dëshmorëve të lirisë!?

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar Atdheut?! Vetëm Fatos Arapi ka thënë e shkruar. “Atdheu yt i vogli, i vogli,/ ai hyjnori i pavdekshmi - loti” sikundër që “Tragjedia është Atdheu i vërtetë i poetëve”.

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar detit?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar gjolit, limonave, portokalleve dhe ullinjve?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar dashurisë?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar dhembjes?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar qytetit?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar peizazhit, stinëve, natyrës e hapësirave të pamata?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar universit?!

Kush poet si Fatos Arapi...?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar ndershmërisë?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar Ali Asllanit dhe Petro Markos?!

Kush poet si Fatos Arapi  ka thurur lirika aq të bukura shoqërore?!

Kush poet si Fatos Arapi ka kënduar rreptësisht aq dhembshur autoironi për Fatosin ëndërronjës të heshtur?! (Shembuj klasikë të kulturës së lartë qytetare në prozë, kujtime dhe oratorì janë Eqerem bej Vlora, Faik Konica dhe Fan Noli, ndërsa, në kohën e re, që tashmë gjendet e regjistruar në Arkivin e Letërsisë bashkëkohore shqiptare është Dritëro Agolli).

VLORËS... Kush i ka kënduar Vlorës më shumë, me aq dashuri e më bukur se Fatos Arapi?!

Në fakt, në të gjithë arsenalin e tij poetik, gjen pak Vlorë (edhe në ato poezi ku nuk përmendet emri i saj aulonian, në të gjitha motivet e bukura të poezisë së tij fisnike ka ngjyrë Vlore. Të gjitha poezitë e Fatos Arapit janë veshur me ngjyrë Vlore, e cila ndrit kaltërisht.

Pa kaluar në statistika (ndoshta vlen të përgatis një minibibliografi të poezive të tij për vendlindjen, Vlorën e Aulonës së lashtë e diellore me detin, Jonin e Adriatikun, Zvërnecin dhe Sazanin, Karaburunin dhe Çikën, Orikumin dhe Shashicën, Malet e Vetëtimave - Akrokeraunet dhe Dhërmiun), por në këtë përmendje nderimi kujtoj që vetëm në 4 vëllimet me poezi të zgjedhura nga botuesi, poeti, përkthyesi dhe bashkëzvërnecari i tij Jani Malo, janë përfshirë 70 poezi për Vlorën dhe arealin e saj kulturor, njerëzor e historik nga Shtegu i Dritës Fatos Arapi, “i larë nga dritat e shenjta të Mesdheut”.

13 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page