“Albanohellenica” e Aristotel Spiros një normë e duhur shkencore
Dr Fatmir Terziu
Dy revistat “Albanohellenica” numri 2 dhe 3 botim të Lidhjes Filologjike Shqiptaro-Greke, që drejtohen nga Profesori Aristotel Spiro natyrshëm janë një pjesë e asaj pune të madhe shkencore që lëvrohet me vlerë të rëndësishme filologjike në faqet e kësaj reviste. Të ardhura enkas me postë nga Greqia, të dy revistat pata fatin t’i lexoj e hulumtoj deri në detaje, natyrshëm tërë paraqitjet në gjuhët shqipe dhe anglisht. Numri 2 i kësaj reviste që i përket periudhës 2000-2001 përmban materiale studimore në fushën e filologjisë dhe në rreth 200 faqet e saj gjen midis të tjerash studimin e Dhori Q. Qiriazit nga Universiteti i Selanikut, në lidhje me (Par)etimologjia dhe historiaduke marrë si shkas nga shembulli i Rilindjes Kombëtare shqiptare. Ky studim zë gati shtatë faqe dhe paraqet një interes të veçantë që në hyrje të tij, pasi citimi i Çajupit i vendosur në krye, paraqet një fakt tejet domethënës në lidhje me temën, por edhe një arsye më tërheqëse në lidhje me faktin se vjen në një revistë kaq prestigjioze dhe vjen nga viti 1902, që historikisht qëmton shumë në lidhje me këtë kumtesë të cilën autori e ka mbajtur në konferencën Greqia dhe Shqipëria. Shek. XIX-XX, të mbajtur në Selaniknë Maj të vitit 2000. Fjalët e Çajupit: “ç’i mbetet gjuhës Grekut po të qëronetë nga rrënjët e Shqipesë?” (Çajupi, 1902) duken si një pikëlidhje historike dhe filologjike në trajtimin e shtjellimin e temës së marrë përsipër nga autori.
Pedagogja Emine Sadiku trajton temën Konfrontimet në Frazeologjinë Shqipe dhe Gjermane, ndërsa Spiro merr në konsideratë në gjuhën angleze temën “The Parallel Evolution of Postpositive and “Prepositive”Articles in Albanian. Më tej kemi temën e Spiro Gjonit “Urat letrare dhe roli i tyre në formimin e letërsisë kombëtare” duke vazhduar me Shaban Sinanin “Greqia në kujtesën e dokumentuar të Shqipërisë”.
Në këtë vëllim një vëmendje i kushtohet edhe studimit të Sazan Golikut në lidhje me temën “Kumte për pajtim dhe paqe nga letërsia e antikitetit”, ku autori e shikon hakmarrjen si rrugë pa kthim dhe merr në konsideratë veprat e gjenisë poetike të Homerit që shpalosen me madhështinë e detit në kryeveprat “Iliada” dhe “Odiseja”.
Pedagogu i Universitetit të Elbasanit, Albert Riska, i kushton një rëndësi të veçantë temës së tij studimore “Një shumësi interesante etnonimesh”. Në këtë vëllim zënë vend edhe një sërë studimesh të autorëve grekë si Kriaras, Furiqis etj.
“Albanohellenica” në numrin 3 paraqet studimet e Giakoumis, Sinanit, Haxhillaqit, Qirjazit, Memishas, Doracit, Mantaz, Buxheli etj. Shaban Sinani trajton Kodikët e Shqipërisë-sprovë për një kronologji dhe një klasifikim, ndërsa Valter Memisha studimin e tij ia kushton “Participal Adjectives in Albanian and Greek” (Mbiemra pjesorë në shqipe dhe greqishte). Pjesët studimore paraqesin një interes të jashtëzakonshëm dhe mjaft tërheqës për studiuesit dhe kërkuesit e këtyre fushave.
Duke lexuar këto dy numra të “Albanohellenica” natyrshëm fjlaët më të mira dhe përgëzimet i takojnë kryredaktorit të kesaj reviste shkencore filologjike, Profesorit Aristotel Spiro dhe gjithë angazhuesve të tjerë të kësaj reviste. “Albanohellenica” është revistë shkencore e studimeve filologjike, që botohet nga Lidhja Filologjike Shqiptaro-Greke. Vendi i botimit të revistës është Athina (Greqi). ISSN: 1108-846X. Ajo është një tribunë e përbashkët e studiuesve albanologë dhe helenistë dhe i shërben zhvillimit të mëtejshëm të studimeve shqiptaro-greke. Në të janë botuar studime dhe artikuj në gjuhët shqipe, greke, angleze, frënge dhe gjermane. Deri tani kanë qarkulluar tre numra: 1/1999, 2/2000-2001 dhe 3/2008.
Comments