AKADEMIK IDRIZ AJETI: ME PROFESOR EQREM ÇABEJN ISHIM DHE MBETËM MIQ!
Me Profesor Çabejn jam takuar shumë herë dhe do të duhej të ruaja shumë kujtime, por mosha dhe vitet e largëta shumë prej tyre i kanë zbehur. Tani ruaj vetëm disa nga ato më të veçantat, që i kam ruajtur me mendje dhe me zemër.
Sa më kujtohet tani me Profesor Çabejn jam takuar për herë të parë në Konferencën Ndërkombëtare të Studimeve të Europës Juglindore në Sofje . Vite më parë kisha shkruar për disa kontribute të tij te revista “Gjurmime albanologjike” .
Mezi prisja ta takoja, prandaj që ditën e parë u interesova ta gjej dhe të bisedoj.
Megjithëse ka kaluar shumë kohë dhe ne pastaj jemi takuar edhe shumë herë të tjera, nuk me hiqej nga mendja ai takim i parë .
Në vitet ’70 marrëdhëniet ndërmjet ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë ishin normalizuar, prandaj u bë e mundur që në Prishtinë të vinin shumë profesorë universitarë. Të gjithë u priten shumë mirë, por ardhja e Profesor Çabejt ishte një ngjarje e madhe. Ai ishte një përfaqësues i dijes shqiptare dhe në Prishtinë pritej jo vetëm si Profesor e Shkencëtar, po si një Burrë i Madh.
Takimet e mia me Profesor Çabejn ishin të shumta dhe të ndryshme.
E para, gjatë kësaj kohe unë isha në krye të disa institucioneve universitare e shkencore në Prishtinë dhe takimet me të ishin sa zyrtare aq edhe personale.
E dyta, gjatë kësaj kohe u përgatit dhe u botua kompleti i veprave të tij, ku mua m’u kërkua të shkruaj Parathënien e tij, prandaj patëm mjaft takime dhe diskutime për disa aspekte të botimit të studimeve dhe veprave veç e veç.
E treta, ai ligjëronte në studimet e magjistraturës, prandaj ndihmoi mjaft në ngritjen e kuadrove shkencore në Prishtinë. E vërteta, shumë studentë tanë që mbrojtën temat e magjistraturës dhe të doktoratës në albanologji gjatë viteve ’70 dhe ’80, ato i kishin filluar dhe diskutuar shumë herë me profesorët nga Tirana, Profesor Mahir Domin, Dhimitër S. Shuteriqin, Androkli Kostallarin, e sidomos Profesor Eqrem Çabejn.
Me Profesor Eqrem Çabejn kemi diskutuar shpesh për çështje të leksikut të trevave të Ballkanit! Megjithëse unë u mora më shumë me marrëdhëniet e shqipes me gjuhës sllave, në formim jam romanist. Edhe ai merrej me indoevropianistikë e gjuhësi shqiptare, por romanistikën e kishte në krah të parë. Veprën e tij e nderoja dhe për të kam shkruar gjatë gjithë jetës sime .
Njëherë unë kisha një mendim tjetër rreth etimologjisë së toponimit Ombla dhe këtë e shfaqa publikisht në fjalën time, pasi që ai tashmë e kishte botuar mendimin e tij . Kolegët më thanë se Profesor Çabej do të inatoset, por përkundrazi, ai ishte një Burrë i Madh, që i pranonte mendimet shkencore të tjetrit. Sigurisht unë isha i bindur në mendimin tim, por me vinte keq t’i kundërvihesha Profesor Çabejt sepse ai më parë kishte shkruar mirë për mua. Kur u takuam, ai ma rrahu krahun dhe më tha: “Ke të drejtë”!
Nuk e di nëse këtë e ka tumirë edhe me shkrim, por mendimin tim pastaj e kanë përkrahur mjaft studiues të studimeve ballkanike dhe unë e ribotove atë edhe në gjuhë të tjera .
Me Profesor Eqrem Çabejn ishim dhe mbetëm miq!
Prishtinë, 20 shkurt 2016 Akademik Idriz Ajeti
*Biseda me Profesor Idriz Ajetin është incizuar dhe është përgatitur teksti i përmbledhur, i cili është rilexuar dhe nënshkruar nga Profesor Ajeti. Me dëshirën e tij në tekst janë shtuar edhe disa të dhëna në fusnotë. (B.B.)
Comments