top of page

AJKUNA KJAN OMERIN


Resmi Osmani

Resmi Osmani

Esse

AJKUNA KJAN OMERIN


Nënave shqiptare që kanë humbur

djemtë dhe vajzat në luftë.


Atje, në Klladushën e Jutbinës së largët, dimërkeqe, me akull e borë, me diell që ndrin e pak nxeh,rrëzë bjeshkëve, me pyje bredhi dhe ahu, me livadhe alpine e kullota, me burime akull të ftohta e të kristalta, ku mrizojnë kopetë dhe hedhin valle shtojzavallet,në bashkësinë arbërore jetonte Ajkuna. Ky emër legjendë, që na përcillet nga mitet dhe na vjen nga shekujt e largët, në vargjet e këngëve të kreshnikëve, që këndohen nga lahutarët edhe sot e kësaj dite në odat e burrave. Ajkuna zonjë kulle, grua e kreshnikut Gjeto Basho Mujit lavdimadh.E bukur? S’e dimë, rapsodët nuk na e thonë, por me siguri e tillë ishte, se një të tillë do të mirrte për grua një kreshnik, i pëlqyer i Zanav. Sa për bukuri shpirti, ajo është e pashoqe. I dhuroi dhe i rriti kreshnikut shtatë djem, shtatë Omerë, të shtatë kreshnikë.Të shtatë ranë në luftërat me shkjetë dhe u varrosën larg, atje në bjeshkë, rrëzë bredhave dhe aheve madhështorë. Shtatë varre, shtatë plagë në zemrën e nënës, shtatë dhimbje shpirti të pafashitura, shtatë drita të shuara nga furtunat mizore të luftrave. Megjithatë, në shpirtin dhe zemrën e saj, regëtin një dritë shprese mëmësore,është Omeri i Ri, ngushëllim dhe gëzimi i jetës së nënës, drita e syve, lulja që zbukuron kullën, zëri itij,si cicërimë zogu, kumbon si melodi e gazmon ditët.Ai është nën pekulet dhe dashurinë e nënës, kanakari i saj, që u rrit dhe u burrërua, tashmë trembëdhjetë vjeç, kreshnik e bir kreshniku, ngjeshi armët, i shaloi gjogut dhe ju bashkua çetës së kreshnikëve të prirë nga i ati. Ky ishte fati I burrave të asaj dere dhe atij fisi. Ajo se ndalte dot. Sa herë ai dilte me çetën, Ajkuna kishte një parandjenjë që e ligështonte, i ngjallte ankth dhe padurimin deri sa ai të kthehej. Ajo lutej e lutej: ”Zot ruajma djalin e vetëm, të mos e godisë ushta dhe shigjeta, të mos e dërrmojë topuzi, të mos e presë shpata. Forcoja krahun, ndizja flakë zemrën, shtoja guximin e trimërinë, kallu frikë armiqve dhe jepi fitoren tim biri” Lutej me shpirt, me gjithë qënien e saj, për dashuri e mëshirë, atij Zoti, që “Na s’jem kanë e Zoti na ka dhanë”” dhe sytë i mbeteshin nga rruga e madhe në pritje të kthimit.Kthimi ishte ngazëllim e çlirim.

Por një ditë, ah ajo ditë kobzezë, Muji dhe Halili u kthyen pa Omerin.

Studjuesit ,janë ndalur më së shumti te vaji i Ajkunës”Ajkuna kjan Omerin”, që është një elegji brilante ,për të mos thënë e pashoqe në folklorin tonë, por në këngët, me një shqyrtim të kujdesshëm ,në zhvillimet heroike, tragjedia epike, paraqitet me tri akte që ngërthejnë dhimbje, dhimbje shpirti dhe pikëllim e dashuri prindërore. Amanetin e Omerit,dertin e Mujit dhe vajin e Ajkunës.

Akti i parë.Omeri. i rrethuar nga shkjetë e krajlit, në oborrin e një kishe, lufton heroikisht, por merr plagë të shumta. Mbrrin Muji, e nxjerr gjall të birin, por me nëndë plagë të rënda në shtat dhe niset me gjithë shpejtësinë e gjogëve për në bjeshkë, me shpresë për të mjekuar dhe shpëtuar të birin. Omeri e ndjen që jeta po i fiket dhe ai I lutet të atit”Pash i zot Mujo ,qi t’ka dhanë, vend me xanë e ktu mu ndalë, se kah shpirti don me dalë”. Në çastet e fundit të jetës,në krahët e të atit dhe kujdesit të Halilit, nuk mendon për veten që po ikën nga jeta,se trimat edhe vdesin në luftë, se kjo vdekje u ka hije dhe jo ajo nga pleqëria në shtratin e shtëpisë. Mendja e tij në regëtimat e fundit të shpirtit, shkon te e ëma, te Ajkuna. Është keqardhja, dhimbja dhe dashuria e birit për nënën, ai në çastin kur jep shpirt, e di e ndjen dhe parafytyron, se si do ta djegë rrufeja e vdekjes së tij zemrën e nënës . Ndaj ai i lutet të atit dhe i lë një amanet:

Nji fjal nanës me m’ia thanë

Nji fjal nanës me m’ia çue,

Thueji Omerin te daja e kam çue,

Se jam dekë mos me i diftue

I thotë se ajo e ka dashur fort, dhe ai nuk do që ajo të hidhërohet për të, ta vajtojë dhe mjerohet e të niset me vaj e kuje si qyqe për t’i kërkuar varrin. Është dashuria fisnike e birit për nënën edhe në çastet e shpirtdhënies. Thotë amanetin dhe jeta e tij shuhet, atje në bjeshkën e lartë,në udhëtimin sublim.

Akti i dytë. Ati për birin. Jeta e Omerit, atje në bjeshkë, u shua në krahët e të atit,Mujit. Muji, bashkë më Halilin, gërmojnë varrin posht kurorës së një ahu madhështor. Nuk janë vetëm, edhe zanat lotojnë dhe mirë bilbilat djalin po e vajtojnë. Kreshniku, luftëtari, mundësi i bajlozëve dhe krajle-kapidanëve, krenar në dukje, zemërhekur, që ka duruar humbjen e jetës së shokëve dhe shtatë Omerëve, e le mënjanë krenarinë kreshnike, zemra e babait ligshtohet, hidhërimi i humbjes së birit ja helmon jetën, ja çart mendjen dhe gjykimin , bën që nga shpirti t’i shpërthejnë ndjenja të trazuara, një gjëmë e atit për birin, ati fiton mbi kreshnikun. Ai udrejtohet bjeshkëve: “Hej medet mori bjeshkë, se tetë Omerë të mirë se i paçë, të tetë ndër ju të dekun i laçë”, pastaj vjen nëma që dushk dhe bar kurrë në to të mos dalë, as ujë në to kurrë mos daltë dhe atyre u thënçin bjeshkët e thata.Pas kësaj gjëme dhe nëmës,hap varrin dhe e varros djalin.Kreshniku duket se e përcjell të birin në një tjetër jetë nga ajo tokësore në qiellore dhe do që në atë jetën tjetër, djali të mos trazohet, as nga dukuri natyrore as njerëzore.Të prehet në paqe. U lutet majave që të mos rrokullisin pranë varrit ortekë bore, sepse Omeri i ri, merohet; u le amanet zogjve që rrotull këngë mos këndojnë,se Omeri i Ri merohet, që barinjtë mos e afrojnë grigjën e mos tu bien fyejve se Omeri i ri ndjen tingëllimën e këmborëve dhe meloditë e fyejve, se Omeri është i ri e përmallohet,turmave aty të mos kalojnë, as të gazmohen as me dajre e tupana të lodrojnë, se aty pushon Omeri djal I ri, përmallohet dhe malli e merr për shtëpi.Ati shfren dhimbjen,zbraz hidhërimin për humbjen e birit, por si burrë e kreshnik ai e ka bindje: ”Se dekë ma e ambël, s’asht se n’luftë mu pre, n’luftë m’u pre, pa i lanë marre vedit!” e që më vonë e gjejmë në shprehjen heroike dhe vetmohuese për atdheun, nderin dhe lirinë “Me dhan jetën si me le ” Ati e mbledh veten, e ndrydh hidhërimin vendin e tij e zë kreshniku i pathyeshëm, që bëhet gati për luftra të tjera, por plaga e shpirtit për bijtë e vdekur në luftë mbetet e hapur.Ngushëllimi i vetëm është hakmarrja ndaj armikut. Gjak për gjak, jetë për jetë.

Por çfarë do t’i thotë e si do t’ia thotë lajmin e kobshëm Ajkunës?

Akti i tretë. Ajkuna. Ah ajo ditë! Drita ka rënë, e dritë s’po bën, dielli ka dalë e nuk po nxeh.Ditë që s’paralajmëron asgjë të mirë. Ajkuna, kur sheh që Muji dhe halili vijnë pa Omerin parandjen mynxyrën. E llahtarisur ajo pyet: Mujo djalin ç’ma ka gjet?Muji e sjell kumtin rrotull, i thotë se e ka lënë të dajat, por pasi Ajkuna e ve në be me Zotin, i thotë të vërtetën: që djalin shkjetë ja kanë vrarë dhe ai e ka varrosur në bjeshkë. Është nga ato kumte që çan gurin dhe than drurin, përvëlon zëmrën e nënës, helm që mpin mendjen, çart gjykimin dhe vetëdijen, që mohon qënien gjer në vetmohim. Shpërthen dhimbja e nënës me një britmë tmerruese: “Qyqja nana e pa djalë!”Janë pak fjalë,por ngërthejnë gjithë mjerimin mëmësor, tronditja është e thellë. Ajo nëna- qyqe, duke vajtuar me ligje, merr rrugën e vetme, si e marrë, për te varri i djalit. Dhimbja e shpirtit të nënës për vdekjen e djalit,përveçse thellësisht njerëzore dhe tokësore, shndrrohet në qiellore, merr përmasa kozmike e sureale.Në të marrin pjesë toka, drurët, zogjtë, hëna, yjet, dielli dhe Orwt e malit. Ajo mallkon hënën:”Tu shkimtë drita ty o mori hanë/ që s’më çove at natë nji fjalë…./bashk me hi në nji vorr me djalë”.Se do të gjendej aq vend, bri varrit të djalit, të hapej një varr i ri, aty të ishin nën dhe të dy. Mallkimi bie sërish mbi hënën:”Mallkue kjosh o mori hanë/Qysh me e lanë nanën t’pa djalë!” Në hapsirën e qetë të bjeshkës, jehon vetëm vaji i nënës. Zogjtë e malit, kur dëgjojnë vajin, kanë pushuar këngën. Ajkuna,as egjallë as e vdekur, e gjen varrin e djalit, poshtë kurorës së ahut madhështor. Ajo mbështetet mbi një degë të tij,që shtrihet mbi varr dhe loton e loton dhe çurgu i lotëve pikon mbi varr të djalit. Nëna, si zakon që e kanë shqiptaret, qan me ligje dhe i drejtohet djalit, ajo se pranon vdekjen, e do atë të gjallë, ashtu të dashur e të mirë se, për të nuk ka vdekje:”Po a s’e din se kush ka ardhë/Qi nuk çohesh për m’u falë/ More i miri i nanëso-ooo!” I lutet që djali të dalë nga ai burg-varr i errët, mos e lerë të presë, të flasij me nënën që e ka lindur, e ka rritur, që e ka ushqyer me gjirin dhe dashurinë e saj. Ajo, beson se fjalët e nanës, dashuria, lutjet dhe lotët që lagin varrin, kanë fuqinë që ta ringjallin djalin. Ajo i premton se do t’ia sjellë gjogun, të dalij nga një herë për të lodruar, të freskohet ndër gurra, të shkojë ndër majat bashkë me zana, se varrin ja ruan nana! Por, me det, varri është i thellë, mbuluar me dheun e zi, në të drita e yjeve dhe e diellit nuk hyn, vaji i nënës atje nuk ndihet, por veç “ lodja e nanës o veç me mri”. Mbi varrin e djalit, Ajkuna fuqiprerë, mendje trandur, është si një e vdekur e pa kallur. Vaji i saj është dëgjuar dhe ka tronditur edhe orët e bjëshkës, që mbrrijnë, por është von, zemra e nanës nuk e ka duruar dot vdekjen e Omerit dhe është ndalur. Orët, fytyrën lotësh po ia fshijnë, vet e bajnë e e çojnë në Jutbinë.

Ajkunë, o nënë, Niobë[1]e arbërisë! Ti nuk ke vdekur, se ti je pavdekësia. Vaji, gjëma dhe kuja jote, që vjen nga kohërat, sido të largëta, është klithma për jetën, se nëna dhuron jetë, dhe jeta është më e fortë se vdekja, jehona e saj i kaloi qiellit, hënës,yjeve dhe diellit. Në gjëmimet e largëta në pranverë, janë edhe jehonat e rënkimeve të tua, e rënkimeve të gjithë nënave, se Ti je në shpirtin e çdo nëne dhe ati, për djemtë e rënë në çdo kohë, nëluftë me armiqtë, bajlozët dhe shjketë e djeshëm dhe ata të sotëm, për atdheun, për nderin dhe lirinë. Në atë shiun e shtruar e të qetë pranveror që na dërgon qielli, janë edhe lotët e tua, lotët e nënave të gjithë trevave të Shqipërisë, Kosovës dhe Çamërisë. Nga ata lot që lagin tokën, kaptinëzat e lulkuqeve dhe bozhureve, që zgjohen dhe dalin nga nëndheu, janë edhe shpirtrat dhe gjaku i të rënëve,heronjve dhe heroinave, dëshmorëve dhe dëshmoreve të Atdheut. I të masakruarve të katër shkurtit, të Borovës, Paramithisë dhe Filatit , të Tivarit,Prekazit, Drenicës e Reçakut. Nuk janë pak, bëhen mijëra. Për ‘ta nuk duhet të kujtohemi e t’u shpiem lule, vetëm në pesë maj, por ti nderojmë çdo ditë e vit të jetës sonë, si një borxh i pashlyer, borxh jete dhe gjaku.Na kanë lënë amanet atdheun.Në atë puhizën ëmbëlcake të lehtë e të ngrohtë, që fryn e sjell pranverën, është edhe dihatja e frymës sate,për të përtharë lotët që rigojnë faqeve nga sytë e nënave, etërve, nuseve dhe motrave, se ti je edhe e mëshirshme, e dashur dhe keqardhur, për tu lehtësuar brengën dhe jetën. Që nuset e reja tw lindin Omerë të Rinj, ti rrisin në paqe,t’u bëjnë dasma, të gëzohen duke mbajtur në pëqi nipër e mbesa, që janë e do të jenë kreshnikë e zana, lulet e trojeve arbërore.

Ajkunë, o motër! Dhimbja jote për tetë Omerët, është edhe në zemrën e motrave arbërore për vëllezërit, qyqe motrat e veshur me të zeza, në lotët e tyre të derdhur në detin e hidhërimit, në buzëqeshjen e munguar, në ditët e tyre të zisë, në ofshamat dhe rënkimet zëmërplasura. Është te nuset e reja që u rrëmbeu nga gjiri bashkëshortët e dashur dhe mizorisht u vrau lumturinë në lule të jetës,u hapi plagë që s’u mbyllen kurrë. Pikëllimi yt është edhe në sytë e fëmijëve jetimë, që janë vetë pafajësia dhe rriten me halle, shpirtplagosur, pa kujdesin dhe dashurinë e etërve të tyre.

Ajkunë, nënë arbërore, vajtimtare e përjetshme e dhimbjes që s’harrohet kurrë.

Maj- qershor 2019


[1]Nioba, personazh mitologjik, që I vranë 13 fëmijë dhe nga hidhërimi u shndrrua në shkëmb dhe nga lotët e saj rrodhi një burim me ujë.


2,169 views1 comment

1 Comment


Guest
Nov 13

bravo se mke ndihumu josht mase


Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page